Lajme nga vendi
Garë interesante në Gostivar a do të fitojnë kandidatët apo qytetarët?
Gostivari po përballet sërish me një proces zgjedhor që nuk do të duhej të ishte i zakonshëm. Përsëritja e zgjedhjeve për kryetar komune më 11 janar, këtë të diele, pas dështimit për të arritur cenzusin më 19 tetor, është një sinjal i qartë se diçka nuk funksionon si duhet në raportin mes politikës dhe qytetarëve. Edhe pse Valbon Limani arriti të marrë afro 17 mijë vota, mungesa e diku rreth 20 votave e bëri të pamundur legjitimimin e Limanit kryetar komune. Kjo sjelli deri në zgjedhje të reja që sjelli edhe një kandidat të ri me përvojë të vjetër përballë Limanit, Nevzat Bejtën, që nëse e përshkruajmë me fjalorin e tij është figurë që e njeh e gjithë Maqedonia, shkruan Zhurnal.
Çfarë do të ndodhë të dielën në Gostivar?
Në mes të dimrit ngjanë që e diela në Gostivar do të jetë ditë e nxehtë përshkak se qytetarët do të zgjedhin të parin e tyre që do t’i përfaqësojë në krye të Komunës. Valbon Limani kandidat i AKI-së dhe Nevzat Bejta kandidat i VLEN-it. Për ta kuptuar se si do të jetë e diela të analizojmë si ka qenë fushata nga këto dy kandidatë.
Rihapja e garës dhe rikthimi në skenë i ish kryetarit të komunës për dy mandate, Nevzat Bejta, e ka bërë këtë përballje edhe më interesante, por njëkohësisht edhe më të tensionuar. Fushata zgjedhore ka qenë e mbushur me akuza, kundërakuza dhe retorikë të ashpër politike. Bejta ka sulmuar drejtpërdrejt Arben Taravarin dhe Valbon Limanin, duke i etiketuar si “mësuesi i keq dhe nxënësi i keq” që, sipas tij, kanë keqpërdorur resurset publike. Nga ana tjetër, Limani dhe Taravari janë mbrojtur duke paralajmëruar padi për shpifje, duke e zhvendosur debatin nga programet zhvillimore te betejat juridike.
Kjo lloj fushate ngre një dilemë serioze a po garojnë kandidatët për të fituar qytetarët, apo thjesht për të mposhtur njëri-tjetrin?
Në vend që fokusi të jetë te vizioni për Gostivarin, te projektet konkrete, zhvillimi ekonomik, infrastruktura, punësimi dhe përmirësimi i shërbimeve publike, vëmendja është përqendruar kryesisht te e kaluara, te llogaritë politike dhe te lufta e narrativave personale. Edhe pse për të qenë korrekt të dy kandidatët në paraqitjet e tyre kanë folur edhe për programin por fokusi nuk ka qenë këtu.
Gostivari, sikurse çdo komunë tjetër shqiptare, ka nevojë urgjente për zhvillim real dhe progres të qëndrueshëm. Qytetarët janë lodhur nga premtimet e përgjithshme dhe nga akuzat boshe. Ata presin zgjidhje konkrete për problemet e përditshme rrugë funksionale, urbanizim të kontrolluar, mbrojtje të ambientit, mbështetje për bizneset lokale dhe transparencë në menaxhimin e buxhetit komunal. Këto janë çështjet që duhet të ndajnë fituesin nga humbësi, jo etiketimet politike.
Në këtë garë, fituesi i vërtetë nuk duhet të jetë thjesht kandidati që merr më shumë vota, por qytetari i Gostivarit, i cili meriton një udhëheqje të përgjegjshme, të hapur dhe të fokusuar në interesin publik.
Kujtojmë që, zgjedhjet e 11 janarit nuk janë thjesht një test për kandidatët, por edhe për vetë demokracinë lokale në Gostivar. Në fund, dilema mbetet e hapur a do të fitojë një emër politik, apo do të fitojë më në fund interesi i qytetarëve? Përgjigjja do të jepet në kutitë e votimit, por përgjegjësia për ta bërë këtë proces kuptimplotë bie mbi të gjithë kandidatët, partitë dhe vetë votuesit. Prandaj, pa paragjykuar në rezultatin final mbetet të shihet të dielën se kujt do t’ia besojnë udhëheqjen gostivarasit por e rëndësishme është që cili do qoftë të ketë në parim interesin kolektiv në rendë të parë. /Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
DONACION – KATEDRA E FRENGJISHTES NË UT PASUROHET ME LITERATURË FRËNGE
Dhjetëra libra në gjuhën frënge u dhuruan për studentët dhe stafin e Universitetit të Tetovës nga ana e Ambasadorit të Paqes, Tahir Shabani. Para dhurimit të librave, ambasadori Shabani takoi rektorin e Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli, i cili u shpreh mirënjohës për këtë donacion, duke theksuar se investimi në dije është më se i qëlluar dhe i mirëpritur. Ai shpreson që studentët dhe profesorët do të përfitojnë njohuri shtesë nga librat që u dhuruan sot.
“Uroj që frankofonia të triumfojë”, tha donatori Tahir Shabani, duke shpresuar që katedra e frëngjishtes në Universitetin e Tetovës të pasurohet edhe më shumë me literaturë frankofone.
Ky lajm thekson rëndësinë e bashkëpunimit dhe investimit në arsim, duke vënë në pah kontributin e Tahir Shabanit në pasurimin e literaturës në gjuhën frënge në Universitetin e Tetovës. Dhurimi i librave shihet si një hap i vlefshëm për avancimin e dijes dhe mbështetjen e studentëve dhe stafit akademik. Njëkohësisht, ai reflekton përkushtimin për promovimin e frankofonisë dhe zhvillimin e mëtejshëm të studimeve në këtë fushë në universitet.
Lajme nga vendi
BOZHINOVSKA: SIGUROHET ZBRITJE SHTESË PËR NAFTËN!
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale informon opinionin publik se masat e ndërmarra nga Qeveria, në kombinim me hapa konkretë nga operatorët ekonomikë, po japin rezultate – çmimet e karburanteve janë stabilizuar, ndërsa presioni i çmimeve është zbutur ndjeshëm.
Në këtë drejtim, OKTA e vazhdon iniciativën për zbritje të karburanteve edhe pas afatit fillestar të paraparë në fund të marsit, ndërsa masa do të zgjasë deri më 6 prill. Si pjesë e këtij vazhdimi, zbritja për naftën rritet nga 2 në 3 denarë për litër, duke siguruar mbështetje shtesë për konsumatorët dhe duke kontribuar në stabilizimin e tregut.
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, përmes komunikimit intensiv dhe të drejtpërdrejtë me kompaninë OKTA, inicioi dhe siguroi përmirësimin e kushteve për zbritje të derivateve të naftës, me qëllim të qartë uljen e mëtejshme të presionit të çmimeve mbi qytetarët dhe ekonominë.
Është e rëndësishme të informohet se OKTA e ka rritur më tej zbritjen për naftën nga 2 në 3 denarë për litër, përkatësisht ka vendosur një zbritje shtesë prej 1 denarë, me vazhdimin e masës deri më 6 prill. Ky është një rezultat konkret i qasjes së partneritetit dhe koordinimit të vazhdueshëm, me qëllim përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe ekonominë.
Paralelisht, duke ulur TVSH-në nga 18% në 10%, kemi siguruar një ulje shtesë të çmimit prej 6 deri në 7 denarë për litër dhe kemi parandaluar një goditje çmimi në treg.
Kjo është një qasje që jep rezultate, me rol aktiv të shtetit dhe me përgjegjësi të përbashkët me sektorin privat për të arritur mbrojtjen e standardit jetësor dhe stabilitetin e ekonomisë.
Lajme nga vendi
RRITET NUMRI I PLEQVE TË VETMUAR! Azili, nevojë që nuk plotësohet
Nga viti në vit dukshëm rritet numri i pleqve të vetmuar në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë. Migrimi i popullatës, i cili nuk ka të ndalur, ka shkaktuar probleme të shumta në familjet dibrane, sidomos kur bëhet fjalë për pleqtë, të cilët pas migrimit të të rinjve mbeten të vetmuar. Si në komunën e Dibrës, ashtu edhe në komunën rurale Qendër Zhupë, e cila më parë ka qenë pjesë e komunës Dibër, aktualisht mbi 250 pleq jetojnë të vetmuar. Në një situatë të këtillë, gjendjen e përkeqëson edhe mungesa e një azili, që tashmë është bërë nevojë e kohës.
Në Shoqatën e Pensionistëve në Dibër thonë se problemi i pleqve të vetmuar është një problem jetik për moshën e tretë në të dy komunat. Nga viti në vit shtohet numri i pleqve të vetmuar, thonë në Shoqatën e Pensionistëve në Dibër, e cila me aktivitetet e saj mbulon pensionistët në Dibër, por edhe në Qendër Zhupë.
“Migrimi është ai që shkakton edhe një plagë për moshën e tretë. Ne si shoqatë kemi aktivitete të shumta për të ndihmuar pleqtë, por tani numri i pleqve të vetmuar është rritur dukshëm. Shoqata e Pensionistëve në Dibër ka mbi 2500 pensionistë, nga të cilët mbi 450 janë në komunën rurale Qendër Zhupë. Informatat flasin se ka një rritje të pleqve që jetojnë të vetmuar, si në qytet ashtu edhe në fshatra. Pikërisht për këtë shkak jemi të mendimit se Dibrës i duhet një azil për pleq, ashtu siç e kanë disa qytete të vendit. Tani institucioni i azilit është nevojë, meqë edhe vetë pleqtë kërkojnë strehim në institucione të tilla”, thotë për gazetën KOHA kryetari i Shoqatës së Pensionistëve në Dibër, Petrit Imami.
Sipas tij, në situata ekstreme, kur disa pleq nuk kanë rrugëdalje tjetër, shoqata ka disa dhoma në objektin e saj që mundësojnë akomodimin e disa pensionistëve të vetmuar. Tani për tani nuk ka informata për themelimin e një azili, edhe pse ka kërkesa në adresë të institucioneve qendrore. Deri tani pati edhe dy raste kur investitorë privatë tentuan të hapin azile, por ato përpjekje dështuan për shkaqe të panjohura.
Kur jemi te personat e moshës së tretë në komunën rurale Qendër Zhupë, duhet theksuar se edhe atje ka shumë pleq të vetmuar. Në këtë komunë migracioni është mbi 70 për qind dhe numri i pleqve që jetojnë vetëm është afër 100. Pensionisti Afrim Beqiroski nga Shoqata e Pensionistëve ka informuar se me një projekt të Ministrisë për Punë dhe Çështje Sociale, para disa viteve janë angazhuar 22 përkujdesës të cilët marrin edhe paga mujore për të ndihmuar pleqtë. Kjo është një ndihmë shumë e nevojshme, por përsëri numri i pleqve të vetmuar mbetet i madh.
Kryqi i Kuq komunal në Dibër është një organizatë që shpesh organizon projekte për të ndihmuar pleqtë në nevojë. Në të kaluarën është bërë edhe trajnim për mënyrën se si duhet punuar me pleqtë, për personat që u angazhuan si përkujdesës në Zhupë. Sekretari Isni Telqiu për gazetën KOHA thotë se projekti për angazhimin e përkujdesësve do të ishte mirë të realizohej edhe në Dibër. Sipas tij, themelimi i një azili do të ishte në dobi jo vetëm për pleqtë e vetmuar, por edhe për shoqërinë në përgjithësi. Aktualisht ka rreth dhjetë pleq dibranë të cilët janë akomoduar në disa azile në qytete të ndryshme të vendit.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga vendi2 months agoVLEN: Me Fetain në krye, nis goditja reale ndaj pasurisë së paligjshme

