Connect with us

Lajme nga vendi

Në mesnatë përfundon fushata zgjedhore për zgjedhjet e përsëritura, të dielën rivotim në Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë

Published

on

Në mesnatë përfundon fushata zgjedhore për zgjedhjet e përsëritura për kryetar komune të dielën më 11 janar në komunat Gostivar, Mavrovë Rostushë, Vrapçisht dhe Qendra Zhupë. Heshtja zgjedhore do të zgjasë deri në përfundimin e votimit më 11 janar në orën 19.

Sipas informacioneve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), fletët e votimit dhe aparatet për identifikim biometrik sot shpërndahen deri te Komisionet Komunale Zgjedhore ndërsa prej aty do të merren nga Këshillat Zgjedhorë.

Nesër, e shtunë, votojnë të sëmurët dhe të pafuqishmit dhe personat në burgje të regjistruar në Listën Zgjedhore në këto komuna. Në Gostivar për votim janë regjistruar 146 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, në Mavrovë Rostushë 69, në Vrapçisht 32 përderisa në Qendra Zhupë vetëm dy.

Në Gostivar në Listën Zgjedhore janë regjistruar 82.870 qytetarë me të drejtë vote, 78.185 votues janë banorë të përhershëm të komunës, përderisa në Listën e veçantë zgjedhore për persona të cilët jetojnë jashtë vendit janë regjistruar 4 604 votues, ndërsa 81 persona janë në burg ose në paraburgim.

Në Listën Zgjedhore për Mavrovë-Rostushë janë të regjistruar 10.575 votues, nga të cilët 9.622 janë në Listën e veçantë zgjedhore për banorët e Komunës, 951 janë jashtë vendit dhe dy janë në burg ose paraburgim.

Advertisement

Në Listën Zgjedhore për Vrapçisht janë të regjistruar 27.279 qytetarë me të drejtë vote, në Listën e veçantë zgjedhore për banorët e Komunës 26,318, në Listën e veçantë zgjedhore që jetojnë jashtë vendit 950 dhe në burg ose paraburgim 11.

Numri i votuesve në Qendër Zhupë të regjistruar në Listën Zgjedhore është 7.562, nga të cilët 6.305 janë në komunë, ndërsa 1.257 persona janë të regjistruar në listen e veçantë zgjedhore për votuesit jashtë vendit.

Kandidatë për kryetar të Gostivarit janë Nevzat Bejta, nga koalicioni VLEN dhe i pavaruri Valbon Limani i mbështetur nga AKI. Në Vrapçisht, kandidatë për kryetar janë Isen Shabani nga AKI dhe Zulhajrat Demiri i mbështetur nga Grupi i Votuesve. Në Qendër Zhupë, ka vetëm një kandidat për kryetar komune, Arijan Ibrahim nga Partia Demokratike e Turqve. Në Mavrovë dhe Rostushë, ka dy kandidatë, Oner Jakuposki, i mbështetur nga Koalicioni “Maqedonia Juaj” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, dhe Anes Ahmeti, kandidat i LSDM-së.

Sipas neneve 132, 132a dhe 133 të Kodit Zgjedhor, për zgjedhjet e përsëritura nuk kërkohet pjesëmarrje prej një të tretës së votuesve, por për të zgjedhur kryetar komune, më shumë se gjysma e votuesve që kanë dalë duhet të votojnë për njërin nga kandidatët, përfshirë Qendrën Zhupë, ku ka vetëm një kandidat.

Zgjedhjet për kryetar komune në këto katër komuna po përsëriten sepse nuk kishin dale mjaftueshëm qytetarë për të votuar në Zgjedhjet Lokale të vitit 2025.

Advertisement

Sipas të dhënave nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), në këto komuna, në raundin e parë më 19 tetor, nuk u arrit pjesëmarrja ligjore prej të paktën një të tretën (33,33 përqind) të votuesve të regjistruar, gjë që është kusht që zgjedhjet të konsiderohen të suksesshme.

Në Gostivar pjesëmarrja ishte 33,31 për qind, në Vrapçisht 25,18 për qind, në Mavrovë dhe Rostushë 30,31 për qind dhe në Qendër Zhupë 21,49 për qind.

Lajme nga vendi

DONACION – KATEDRA E FRENGJISHTES NË UT PASUROHET ME LITERATURË FRËNGE

Published

on

Dhjetëra libra në gjuhën frënge u dhuruan për studentët dhe stafin e Universitetit të Tetovës nga ana e Ambasadorit të Paqes, Tahir Shabani. Para dhurimit të librave, ambasadori Shabani takoi rektorin e Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli, i cili u shpreh mirënjohës për këtë donacion, duke theksuar se investimi në dije është më se i qëlluar dhe i mirëpritur. Ai shpreson që studentët dhe profesorët do të përfitojnë njohuri shtesë nga librat që u dhuruan sot.

“Uroj që frankofonia të triumfojë”, tha donatori Tahir Shabani, duke shpresuar që katedra e frëngjishtes në Universitetin e Tetovës të pasurohet edhe më shumë me literaturë frankofone.

Ky lajm thekson rëndësinë e bashkëpunimit dhe investimit në arsim, duke vënë në pah kontributin e Tahir Shabanit në pasurimin e literaturës në gjuhën frënge në Universitetin e Tetovës. Dhurimi i librave shihet si një hap i vlefshëm për avancimin e dijes dhe mbështetjen e studentëve dhe stafit akademik. Njëkohësisht, ai reflekton përkushtimin për promovimin e frankofonisë dhe zhvillimin e mëtejshëm të studimeve në këtë fushë në universitet.

Continue Reading

Lajme nga vendi

BOZHINOVSKA: SIGUROHET ZBRITJE SHTESË PËR NAFTËN!

Published

on

Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale informon opinionin publik se masat e ndërmarra nga Qeveria, në kombinim me hapa konkretë nga operatorët ekonomikë, po japin rezultate – çmimet e karburanteve janë stabilizuar, ndërsa presioni i çmimeve është zbutur ndjeshëm.

Në këtë drejtim, OKTA e vazhdon iniciativën për zbritje të karburanteve edhe pas afatit fillestar të paraparë në fund të marsit, ndërsa masa do të zgjasë deri më 6 prill. Si pjesë e këtij vazhdimi, zbritja për naftën rritet nga 2 në 3 denarë për litër, duke siguruar mbështetje shtesë për konsumatorët dhe duke kontribuar në stabilizimin e tregut.

Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, përmes komunikimit intensiv dhe të drejtpërdrejtë me kompaninë OKTA, inicioi dhe siguroi përmirësimin e kushteve për zbritje të derivateve të naftës, me qëllim të qartë uljen e mëtejshme të presionit të çmimeve mbi qytetarët dhe ekonominë.

Është e rëndësishme të informohet se OKTA e ka rritur më tej zbritjen për naftën nga 2 në 3 denarë për litër, përkatësisht ka vendosur një zbritje shtesë prej 1 denarë, me vazhdimin e masës deri më 6 prill. Ky është një rezultat konkret i qasjes së partneritetit dhe koordinimit të vazhdueshëm, me qëllim përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe ekonominë.

Paralelisht, duke ulur TVSH-në nga 18% në 10%, kemi siguruar një ulje shtesë të çmimit prej 6 deri në 7 denarë për litër dhe kemi parandaluar një goditje çmimi në treg.

Advertisement

Kjo është një qasje që jep rezultate, me rol aktiv të shtetit dhe me përgjegjësi të përbashkët me sektorin privat për të arritur mbrojtjen e standardit jetësor dhe stabilitetin e ekonomisë.

Continue Reading

Lajme nga vendi

RRITET NUMRI I PLEQVE TË VETMUAR! Azili, nevojë që nuk plotësohet

Published

on

Nga viti në vit dukshëm rritet numri i pleqve të vetmuar në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë. Migrimi i popullatës, i cili nuk ka të ndalur, ka shkaktuar probleme të shumta në familjet dibrane, sidomos kur bëhet fjalë për pleqtë, të cilët pas migrimit të të rinjve mbeten të vetmuar. Si në komunën e Dibrës, ashtu edhe në komunën rurale Qendër Zhupë, e cila më parë ka qenë pjesë e komunës Dibër, aktualisht mbi 250 pleq jetojnë të vetmuar. Në një situatë të këtillë, gjendjen e përkeqëson edhe mungesa e një azili, që tashmë është bërë nevojë e kohës.

Në Shoqatën e Pensionistëve në Dibër thonë se problemi i pleqve të vetmuar është një problem jetik për moshën e tretë në të dy komunat. Nga viti në vit shtohet numri i pleqve të vetmuar, thonë në Shoqatën e Pensionistëve në Dibër, e cila me aktivitetet e saj mbulon pensionistët në Dibër, por edhe në Qendër Zhupë.

“Migrimi është ai që shkakton edhe një plagë për moshën e tretë. Ne si shoqatë kemi aktivitete të shumta për të ndihmuar pleqtë, por tani numri i pleqve të vetmuar është rritur dukshëm. Shoqata e Pensionistëve në Dibër ka mbi 2500 pensionistë, nga të cilët mbi 450 janë në komunën rurale Qendër Zhupë. Informatat flasin se ka një rritje të pleqve që jetojnë të vetmuar, si në qytet ashtu edhe në fshatra. Pikërisht për këtë shkak jemi të mendimit se Dibrës i duhet një azil për pleq, ashtu siç e kanë disa qytete të vendit. Tani institucioni i azilit është nevojë, meqë edhe vetë pleqtë kërkojnë strehim në institucione të tilla”, thotë për gazetën KOHA kryetari i Shoqatës së Pensionistëve në Dibër, Petrit Imami.

Sipas tij, në situata ekstreme, kur disa pleq nuk kanë rrugëdalje tjetër, shoqata ka disa dhoma në objektin e saj që mundësojnë akomodimin e disa pensionistëve të vetmuar. Tani për tani nuk ka informata për themelimin e një azili, edhe pse ka kërkesa në adresë të institucioneve qendrore. Deri tani pati edhe dy raste kur investitorë privatë tentuan të hapin azile, por ato përpjekje dështuan për shkaqe të panjohura.

Kur jemi te personat e moshës së tretë në komunën rurale Qendër Zhupë, duhet theksuar se edhe atje ka shumë pleq të vetmuar. Në këtë komunë migracioni është mbi 70 për qind dhe numri i pleqve që jetojnë vetëm është afër 100. Pensionisti Afrim Beqiroski nga Shoqata e Pensionistëve ka informuar se me një projekt të Ministrisë për Punë dhe Çështje Sociale, para disa viteve janë angazhuar 22 përkujdesës të cilët marrin edhe paga mujore për të ndihmuar pleqtë. Kjo është një ndihmë shumë e nevojshme, por përsëri numri i pleqve të vetmuar mbetet i madh.

Advertisement

Kryqi i Kuq komunal në Dibër është një organizatë që shpesh organizon projekte për të ndihmuar pleqtë në nevojë. Në të kaluarën është bërë edhe trajnim për mënyrën se si duhet punuar me pleqtë, për personat që u angazhuan si përkujdesës në Zhupë. Sekretari Isni Telqiu për gazetën KOHA thotë se projekti për angazhimin e përkujdesësve do të ishte mirë të realizohej edhe në Dibër. Sipas tij, themelimi i një azili do të ishte në dobi jo vetëm për pleqtë e vetmuar, por edhe për shoqërinë në përgjithësi. Aktualisht ka rreth dhjetë pleq dibranë të cilët janë akomoduar në disa azile në qytete të ndryshme të vendit.

Continue Reading

Më të lexuarat