Lajme nga vendi
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë shtylla kurrizore e ekonomisë – prezantohet Strategjia kombëtare e NVM-ve 2025-2030
Ministria e Ekonomisë dhe Punës prezantoi sot Strategjinë kombëtare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme 2025-2030, një dokument strategjik që përcakton drejtimin për zhvillimin, konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitet e ardhshme.
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme paraqesin shtyllën kurrizore të ekonomisë kombëtare, duke përbërë rreth 99 për qind të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve dhe duke siguruar ekzistencën për pothuajse tre të katërtat e të punësuarve. Ato luajnë rol kyç në rritjen ekonomike, inovacionet dhe stabilitetin social të shtetit.
Në ngjarjen, ministri i Ekonomisë dhe Punës theksoi se Strategjia është më shumë se një dokument formal dhe se paraqet përcaktim të qartë për të mbështetur sipërmarrësit vendorë:
“Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme nuk janë vetëm pjesë e ekonomisë sonë – ato janë ekonomia jonë. Çdo sukses i tyre do të thotë një e ardhme më e sigurt për një familje dhe shtet më të fortë. Me Strategjinë për NVM-të 2025–2030, krijojmë kushtet që ato të jenë udhëheqës të ndryshimeve, e jo ndjekës të tyre”, theksoi ministri.
Me Strategjinë parashikohen masa për të thjeshtuar rregullativat, për të përmirësuar qasjen në financa dhe mbështetje të fortë për tranzicionin e gjelbër dhe digjital, me qëllim të rritjes së konkurrueshmërisë dhe potencialit eksportues të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Ministri theksoi se dokumenti është përpiluar përmes procesit gjithëpërfshirës dhe është i harmonizuar plotësisht me politikat e Bashkimit Evropian:
“Kjo Strategji është rezultat i bashkëpunimit të gjerë me komunitetin e biznesit dhe partnerët dhe është i harmonizuar plotësisht me standardet evropiane. Ajo përgatit drejtpërsëdrejti ekonominë tonë për integrimin në Tregun e vetëm evropian,” shtoi ai.
Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të koordinojë implementimin e Strategjisë në partneritet me institucionet relevante, odat ekonomike, institucionet financiare dhe partnerët ndërkombëtarë. Janë parashikuar edhe mekanizma për monitorim dhe vlerësim të rregullt, me qëllim të sigurimit të transparencës dhe rezultateve të matshme në periudhën e viteve 2025-2030.
Me miratimin e Strategjisë kombëtare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme 2025-2030, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e konfirmon angazhimin e saj për forcimin e sipërmarrësisë, hapjen e vendeve të reja të punës dhe ndërtimin e ekonomisë së fortë, së qëndrueshme dhe konkurruese.
Lajme nga vendi
DONACION – KATEDRA E FRENGJISHTES NË UT PASUROHET ME LITERATURË FRËNGE
Dhjetëra libra në gjuhën frënge u dhuruan për studentët dhe stafin e Universitetit të Tetovës nga ana e Ambasadorit të Paqes, Tahir Shabani. Para dhurimit të librave, ambasadori Shabani takoi rektorin e Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli, i cili u shpreh mirënjohës për këtë donacion, duke theksuar se investimi në dije është më se i qëlluar dhe i mirëpritur. Ai shpreson që studentët dhe profesorët do të përfitojnë njohuri shtesë nga librat që u dhuruan sot.
“Uroj që frankofonia të triumfojë”, tha donatori Tahir Shabani, duke shpresuar që katedra e frëngjishtes në Universitetin e Tetovës të pasurohet edhe më shumë me literaturë frankofone.
Ky lajm thekson rëndësinë e bashkëpunimit dhe investimit në arsim, duke vënë në pah kontributin e Tahir Shabanit në pasurimin e literaturës në gjuhën frënge në Universitetin e Tetovës. Dhurimi i librave shihet si një hap i vlefshëm për avancimin e dijes dhe mbështetjen e studentëve dhe stafit akademik. Njëkohësisht, ai reflekton përkushtimin për promovimin e frankofonisë dhe zhvillimin e mëtejshëm të studimeve në këtë fushë në universitet.
Lajme nga vendi
BOZHINOVSKA: SIGUROHET ZBRITJE SHTESË PËR NAFTËN!
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale informon opinionin publik se masat e ndërmarra nga Qeveria, në kombinim me hapa konkretë nga operatorët ekonomikë, po japin rezultate – çmimet e karburanteve janë stabilizuar, ndërsa presioni i çmimeve është zbutur ndjeshëm.
Në këtë drejtim, OKTA e vazhdon iniciativën për zbritje të karburanteve edhe pas afatit fillestar të paraparë në fund të marsit, ndërsa masa do të zgjasë deri më 6 prill. Si pjesë e këtij vazhdimi, zbritja për naftën rritet nga 2 në 3 denarë për litër, duke siguruar mbështetje shtesë për konsumatorët dhe duke kontribuar në stabilizimin e tregut.
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, përmes komunikimit intensiv dhe të drejtpërdrejtë me kompaninë OKTA, inicioi dhe siguroi përmirësimin e kushteve për zbritje të derivateve të naftës, me qëllim të qartë uljen e mëtejshme të presionit të çmimeve mbi qytetarët dhe ekonominë.
Është e rëndësishme të informohet se OKTA e ka rritur më tej zbritjen për naftën nga 2 në 3 denarë për litër, përkatësisht ka vendosur një zbritje shtesë prej 1 denarë, me vazhdimin e masës deri më 6 prill. Ky është një rezultat konkret i qasjes së partneritetit dhe koordinimit të vazhdueshëm, me qëllim përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe ekonominë.
Paralelisht, duke ulur TVSH-në nga 18% në 10%, kemi siguruar një ulje shtesë të çmimit prej 6 deri në 7 denarë për litër dhe kemi parandaluar një goditje çmimi në treg.
Kjo është një qasje që jep rezultate, me rol aktiv të shtetit dhe me përgjegjësi të përbashkët me sektorin privat për të arritur mbrojtjen e standardit jetësor dhe stabilitetin e ekonomisë.
Lajme nga vendi
RRITET NUMRI I PLEQVE TË VETMUAR! Azili, nevojë që nuk plotësohet
Nga viti në vit dukshëm rritet numri i pleqve të vetmuar në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë. Migrimi i popullatës, i cili nuk ka të ndalur, ka shkaktuar probleme të shumta në familjet dibrane, sidomos kur bëhet fjalë për pleqtë, të cilët pas migrimit të të rinjve mbeten të vetmuar. Si në komunën e Dibrës, ashtu edhe në komunën rurale Qendër Zhupë, e cila më parë ka qenë pjesë e komunës Dibër, aktualisht mbi 250 pleq jetojnë të vetmuar. Në një situatë të këtillë, gjendjen e përkeqëson edhe mungesa e një azili, që tashmë është bërë nevojë e kohës.
Në Shoqatën e Pensionistëve në Dibër thonë se problemi i pleqve të vetmuar është një problem jetik për moshën e tretë në të dy komunat. Nga viti në vit shtohet numri i pleqve të vetmuar, thonë në Shoqatën e Pensionistëve në Dibër, e cila me aktivitetet e saj mbulon pensionistët në Dibër, por edhe në Qendër Zhupë.
“Migrimi është ai që shkakton edhe një plagë për moshën e tretë. Ne si shoqatë kemi aktivitete të shumta për të ndihmuar pleqtë, por tani numri i pleqve të vetmuar është rritur dukshëm. Shoqata e Pensionistëve në Dibër ka mbi 2500 pensionistë, nga të cilët mbi 450 janë në komunën rurale Qendër Zhupë. Informatat flasin se ka një rritje të pleqve që jetojnë të vetmuar, si në qytet ashtu edhe në fshatra. Pikërisht për këtë shkak jemi të mendimit se Dibrës i duhet një azil për pleq, ashtu siç e kanë disa qytete të vendit. Tani institucioni i azilit është nevojë, meqë edhe vetë pleqtë kërkojnë strehim në institucione të tilla”, thotë për gazetën KOHA kryetari i Shoqatës së Pensionistëve në Dibër, Petrit Imami.
Sipas tij, në situata ekstreme, kur disa pleq nuk kanë rrugëdalje tjetër, shoqata ka disa dhoma në objektin e saj që mundësojnë akomodimin e disa pensionistëve të vetmuar. Tani për tani nuk ka informata për themelimin e një azili, edhe pse ka kërkesa në adresë të institucioneve qendrore. Deri tani pati edhe dy raste kur investitorë privatë tentuan të hapin azile, por ato përpjekje dështuan për shkaqe të panjohura.
Kur jemi te personat e moshës së tretë në komunën rurale Qendër Zhupë, duhet theksuar se edhe atje ka shumë pleq të vetmuar. Në këtë komunë migracioni është mbi 70 për qind dhe numri i pleqve që jetojnë vetëm është afër 100. Pensionisti Afrim Beqiroski nga Shoqata e Pensionistëve ka informuar se me një projekt të Ministrisë për Punë dhe Çështje Sociale, para disa viteve janë angazhuar 22 përkujdesës të cilët marrin edhe paga mujore për të ndihmuar pleqtë. Kjo është një ndihmë shumë e nevojshme, por përsëri numri i pleqve të vetmuar mbetet i madh.
Kryqi i Kuq komunal në Dibër është një organizatë që shpesh organizon projekte për të ndihmuar pleqtë në nevojë. Në të kaluarën është bërë edhe trajnim për mënyrën se si duhet punuar me pleqtë, për personat që u angazhuan si përkujdesës në Zhupë. Sekretari Isni Telqiu për gazetën KOHA thotë se projekti për angazhimin e përkujdesësve do të ishte mirë të realizohej edhe në Dibër. Sipas tij, themelimi i një azili do të ishte në dobi jo vetëm për pleqtë e vetmuar, por edhe për shoqërinë në përgjithësi. Aktualisht ka rreth dhjetë pleq dibranë të cilët janë akomoduar në disa azile në qytete të ndryshme të vendit.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga vendi2 months agoVLEN: Me Fetain në krye, nis goditja reale ndaj pasurisë së paligjshme

