Lajme nga vendi
MASH-i ndan grante për 25 shkolla për parandalimin e dhunës
Tetëmbëdhjetë shkolla fillore dhe shtatë të mesme në vend kanë marrë grante nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për të zbatuar aktivitete nga programet për mbrojtjen e nxënësve nga lloje të ndryshme të veseve, dhunës dhe delikuencës.
Në ueb faqen e MASH-it janë publikuar rezultatet e thirrjeve publike (për shkollat fillore dhe të mesme) për ndarjen e fondeve për zbatimin e aktiviteteve nga programet për mbrojtje nga dhuna, abuzimi dhe neglizhenca e nxënësve, programet për parandalimin e diskriminimit dhe programet për parandalimin e përdorimit të alkoolit, duhanit, abuzimit me drogë dhe substanca të tjera psikotrope, një program për parandalimin e pjesëmarrjes në lojëra fati dhe për mbrojtje nga delikuenca e të miturve për vitin shkollor 2025/2026.
Grante kanë marrë shkollat fillore në komunat Aerodrom, Gazi Babë, Debarcë, Dollnen, Kavadar, Karposh, Kisella Vodë, Kriva Pallankë, Kumanovë, Likovë, Makedonski Brod, Mogillë, Tetovë, Qendër, Shtip dhe në qytetin e Shkupit shkolla për nxënës me nevoja të veçanta arsimore “E ardhmja”.
Sipas rezultateve të publikuara, fitues të grantit nga MASH janë edhe shtatë shkolla të mesme publike – nga Radovishi, Kumanova, Shtipi, Manastiri, Berova, Negotina dhe nga Dibra.
Lajme nga vendi
ASH (Sela): Kur vasali, Taravari akuzon për veprimet që i bën vetë
Lajme nga vendi
Taravari: Sela dhe Thaçi po presin para derës së Qeverisë
Kryetari i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, deklaroi se ish-bashkëpartiaku i tij, Ziadin Sela, si dhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, po qëndrojnë “para derës së Qeverisë”, duke pritur të bëhen pjesë e kabinetit qeveritar.
“E shihni, Sela dhe Menduh po qëndrojnë para derës së Qeverisë, ndërsa unë në vitin 2024 e lashë Qeverinë për të sjellë ndryshim. E lashë Ministrinë e Shëndetësisë për shkak të përgjegjësisë. Po ashtu, mendova se ishte e arsyeshme të zhvilloja partinë. Brenda VLEN-it ka sa të duash thika pas shpine, shqiptarët nuk po avancojnë, ndërsa eurointegrimi nuk shihet askund. Dy herë e lashë Qeverinë dhe sakrifikova shumë, por nuk e dija se ka njerëz që japin gjithçka vetëm për poste,” tha Taravari, ndër të tjera, në emisionin “Klik Plus”.(INA)
Lajme nga vendi
Fetai: Reçaku, plagë e hapur në ndërgjegjen tonë kolektive
Me rastin e përvjetorit të Masakrës së Reçakut, zëvendëskryeministri Arben Fetai ka kujtuar 45 civilët shqiptarë të vrarë mizorisht më 15 janar 1999, duke e cilësuar këtë ngjarje si një nga krimet më barbare të kryera nga regjimi serb ndaj popullit të Kosovës.
Sipas Fetait, Masakra e Reçakut përfaqëson një plagë të hapur në ndërgjegjen kolektive dhe një krim të rëndë kundër njerëzimit që tronditi opinionin ndërkombëtar. Ai theksoi se kjo ngjarje u bë pikë kthese drejt ndërhyrjes ndërkombëtare, duke e bërë të pamohueshme të vërtetën e spastrimit etnik që po ndodhte në Kosovë.
“Reçaku mbetet kujtesë e pathyeshme për sakrificën, dinjitetin dhe të drejtën për liri”, shkruan Fetai në facebook.
Ai përfundoi duke nderuar me respekt të përjetshëm 45 civilët e vrarë në Masakrën e Reçakut.

