Lajme nga vendi
Arben Taravari Aleanca për Shqiptarët kërkon verifikim të zgjedhjes së Xhihan Ahmed në Komisionin kundër Diskriminimit
Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim serioz lidhur me procesin e zgjedhjes së znj. Xhihan Ahmed si anëtare e Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi, proces i cili, sipas të dhënave të bëra publike, shoqërohet me dyshime të bazuara për parregullsi procedurale dhe mosplotësim të kushteve ligjore.
Nga informacionet dhe dokumentet e analizuara rezulton se kandidatja nuk ka paraqitur dëshmi të mjaftueshme për përmbushjen e kritereve thelbësore të parashikuara me ligj dhe me thirrjen publike, përfshirë:
• përvojën e përgjithshme profesionale të kërkuar për këtë funksion,
• minimum 7 vite përvojë në fushën e të drejtave të njeriut,
• si dhe minimum 5 vite përvojë në fushën e barazisë dhe mosdiskriminimit.
Po ashtu, shqetësim i veçantë mbetet edhe çështja e neutralitetit politik. Pavarësisht deklaratës me shkrim për mosangazhim partiak, ekzistojnë informacione publike dhe të verifikueshme që e lidhin kandidaten me struktura të një partie politike, gjë që bie ndesh drejtpërdrejt me parimin e paanshmërisë politike, parim kyç për funksionimin e Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi si organ i pavarur.
Aleanca për Shqiptarët kërkon:
• verifikim të plotë dhe të pavarur të gjithë procedurës së zgjedhjes,
• kontroll të detajuar të përmbushjes së kushteve ligjore dhe materiale,
• verifikim të saktësisë së deklaratës për neutralitet politik,
• dhe, nëse konstatohen parregullsi, anulim të vendimit për zgjedhje.
Institucionet e pavarura nuk mund dhe nuk duhet të jenë rezultat i pazareve politike apo i standardeve të dyfishta. Çdo devijim nga ligji dëmton besimin e qytetarëve dhe cenon drejtpërdrejt funksionimin e shtetit të së drejtës.
Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të ndjekë këtë çështje dhe do të insistojë në transparencë të plotë dhe përgjegjësi institucionale.
Aleanca për Shqiptarët
Lajme nga vendi
Matësit digjital zëvendësohen me të mençur, qytetarët të ndarë në mendime
Elektrodistriubumi do t’i ndryshojë matësit aktual të energjisë elektrike me matës të mençur, të cilët do të jenë të lidhur me aplikacion të posaçëm dhe qytetarët do të mund ta ndjekin shpenzimin e energjisë elektrike përmes telefonave celularë.
Megjithatë një pjesë e qytetarëve frikësohen se nuk do të mund të përshtaten këtë situatë. Nga ana tjetër, disa qytetarë mendojnë se matësit e mençur do të sjellin më shumë rregull dhe transparencë, pasi secili do të ketë pasqyrë të qartë për shpenzimin dhe do të shmangen faturat paushalle për energjinë elektrike.
“Mundemi pse jo, normalisht, kur mund të paguajmë faturat, mundemi edhe atë ta kontrollojmë përmes telefonit”, tha një qytetar.
“A do të jetë shumë e qartë dhe a do të na besojnë, për shembull unë të lexoj dhe t’i them kam harxhuar 200 kilovat dhe a do të më besojnë për këtë, ata tani bëjnë disa gjëra që nuk mund t’i kuptojmë, ja tani shkoj në bankë, drejt të ju them, ma kthejnë faturën – thonë është paguar, ndërsa unë e di që nuk është paguar”, u shpreh një qytetar.
“Nuk e di unë këto gjëra sa kam harxhuar – jo jo, nuk mund ta bëjnë njerëzit e verbër këtë”, theksoi një qytetar.
Sipas Komisionit Rregullator të Energjetikës, futja në funksion e sistemeve të mençura të matjes është një hap kyç drejt eliminimit të dilemave nëse faturat e energjisë bazohen në konsum real apo të supozuar.
“Ligji është në fuqi, ndërsa operatorët e transmetimit dhe shpërndarjes duhet të bëjnë analizë për futjen e matësve të mençur. Qëllimi është që çdo qytetar vetë të ketë pasqyrë për shpenzimin përmes pajisjes mobile ose kompjuterit. Digjitalizimi do ta rrisë besimin”, thonë Komisioni Rregullator për Energjetikë
Futja në funksion e matësve smart është në proces dhe mund të zgjasë disa vite, përmes tyre qytetarët do të mund të kontrollojnë në kohë reale sa energji elektrike kanë harxhuar. Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut ka rreth 820 mijë matës, ndërsa EVN është e obliguar t’i lexojë të paktën një herë në tre muaj./ Alsat.mk
Lajme nga vendi
Rritja e pagave ose grevë e përgjithshme! LSM të mërkurën në protestë
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) të mërkurën organizon protestë për të shprehur pakënaqësinë nga mosrritja e pagës minimale në 600 euro dhe të gjithë pagave tjera për 100 euro. Protesta do të fillojë në orën 17 para ndërtesës së LSM-së dhe do të vazhdojë para Kuvendit dhe Odës Ekonomike, ndërsa do të përfundojë para Qeverisë. Nga LSM u bënë thirrje të gjithë punëtorëve që nuk kanë rritje të pagës të përfshihen në protestë.
“Është koha të luftojmë së bashku për paga dinjitoze së bashku me punëtorët. U bëjmë thirrje të gjithë punëtorëve, pagat e të cilëve nuk janë rritur, të gjithë punëtorëve që pyesin veten se si t’ia dalin mbanë këtë muaj, punëtorëve që i gënjyen shefat e tyre se do t’u rrisnin pagat, të na bashkohen në rrugë sepse nuk kanë rënë dakord të rrisin pagat e punëtorëve dhe të përmirësojnë standardin e punës deri më 31 dhjetor. U bëjmë thirrje punëtorëve sepse pragu i varfërisë në Maqedoni është 31.200 denarë, dhe 33 përqind e 540 mijë punëtorëve jetojnë nën pragun e varfërisë, domethënë shkojnë në punë dhe janë të varfër”, tha kryetari i LSM-së, Slobodan Trendafilov, pas seancës së përbashkët të sotme të organeve më të larta të LSM-së, në të cilën u miratua unanimisht vendimi për të protestuar.
Trendafilov përkujtoi se edhe në anketën e LSM-së punëtorët u shprehën se janë të gatshëm të dalin në protestë nëse nuk rriten pagat. “Ky është vetëm hapi i parë që po ndërmarrim në një seri hapash që do të ndërmarrim në periudhën e ardhshme, që do të thotë protesta shtesë, bllokada shtesë të synuara të institucioneve të caktuara dhe një grevë të përgjithshme 24-orëshe në sektorin publik dhe privat, dhe nëse nuk dëgjojnë, ne do të mbledhim 10,.000 nënshkrime dhe do të bëhemi propozues i autorizuar dhe do të kërkojmë një ulje të pagave të zyrtarëve për 78 për qind dhe një rritje të pagës minimale në 600 euro dhe një rritje të pagave të tjera”, tha Trendafilov.
Ai nuk beson se do të thirren për bisedime sepse, siç thotë ai, e kanë bërë këtë gjatë gjithë vitit 2025. Vitin e kaluar, siç theksoi ai, nuk pati rritje drastike të pagave, dhe që nga janari shporta sindikaliste është rritur me gati një mijë denarë. Ai shtoi se me politika të tilla, personeli i kualifikuar po largohet nga vendi me të gjitha familjet e tyre, dhe të huajt po vijnë për të mbushur vendet e punës.
Lajme nga vendi
Iseni e mbron “Safe Cityn”, akuzon BDI-në për sabotim të një Ligji jetik për qytetarët
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, njoftoi se sot është miratuar Ligji për kundërvajtje, ndërsa nga 1 shkurti do të nisë zbatimi i projektit “Safe City”, që sipas tij synon rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e aksidenteve në komunikacion. Iseni theksoi se “siguria e qytetarëve po bëhet realitet”, duke shtuar se projekti nuk ka të bëjë vetëm me vendosjen e kamerave, por me shpëtimin e jetëve dhe vendosjen e rendit në rrugë.
“ ‘Safe City’ nuk janë kamerat. Është jetë e shpëtuar. Është fundi i kaosit në rrugë dhe i papërgjegjshmërisë që ka marrë jetë njerëzish,” deklaroi ai.
Ai akuzoi Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) se ka dalë kundër këtij ligji, duke e cilësuar qëndrimin e tyre si “sabotim të një ligji jetik për qytetarët”. Sipas Isenit, nga mbështetja fillestare për projektin, BDI ka kaluar në kundërshtim për arsye politike. “Sot u pa qartë: siguria publike për ta vlen më pak se interesat partiake,” u shpreh ai, duke shtuar se kjo, sipas tij, tregon se “Ali Ahmeti nuk e kontrollon as grupin e vet të deputetëve”.
Iseni theksoi se koalicioni VLEN do të vazhdojë me zbatimin e projektit pavarësisht kundërshtimeve. “VLEN nuk tërhiqet dhe nuk frikësohet. ‘Safe City’ do të zbatohet, me ose pa BDI-në. Ne jemi në anën e qytetarëve, jo të pazareve,” deklaroi zëvendësministri. Projekti “Safe City” pritet të fillojë zbatimin më 1 shkurt dhe ka për qëllim rritjen e kontrollit dhe sigurisë në komunikacion përmes teknologjisë dhe masave të reja ligjore.

