Lajme nga vendi
Mexhiti: Këtë vit fillojmë me ndërtimin e rrugës Cvetan Dimov, rrugës së Jahja Pashës!
Projekti për ndërtimin e rrugës Cvetan Dimov, e njohur edhe si rruga e Jahja Pashës, tashmë ka hyrë në buxhetin e Qytetit të Shkupit dhe në planin e furnizimeve, duke hapur rrugën për fillimin e realizimit gjatë këtij viti. Kështu është shprehur kryetari i Komunës së Çairit dhe njëherësh njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti në emisionin Click Plus në TV21.
Sipas Mexhitit ka pasur disa vonesa për nisjen e këtij projekti për shkak të mungesës së dokumentacionit nga qeverisja e kaluar, por sipas tij, këto pengesa tashmë janë drejt finalizimit.
I pyetur nëse realizimi i projektit do të prekë bizneset përgjatë kësaj rruge, Mexhiti siguroi se nuk parashihet rrënim i dyqaneve dhe se bizneset nuk do të dëmtohen.
“Nuk ka dyqane që duhet të rrënohen. Pika më kritike është ndërtesa që ka mbetur prej kohës së komunizmit, përballë shkollës “Liria”. Të tjerët, edhe ata që kanë ndërtuar objekte të përkohshme, i dinë vijat e kuqe, ose janë tërhequr më brenda ose kanë lënë hapësirë që kur të vijë puna për realizimin e bulevardit, të rrënohen ato pjesë”, tha Mexhiti.
Mexhiti gjithashtu ka shtuar se në rast se ka rrënime të pjesshme të objekteve, qytetarët do të dëmshpërblehen nga Qyteti i Shkupit.
“Ka një buxhet prej 2 deri në 3 milionë euro për dëmshpërblim të qytetarëve. Nëse dikujt do i merren 2 metra, 5 apo 10, për aq sa merret, do të dëmshpërblehen. Këtu kompromis nuk ka, pasi që kjo është arteria kryesore e Çairit”, ka theksuar më tej Mexhiti.
Sipas kryetarit të Çairit, Izet Mexhiti me realizimin e bulevardit “Cvetan Dimov”, Çairi do të marrë një dimension të ri zhvillimi, pasi që kjo rrugë lidh drejtpërdrejt lagjen me qarkoren e Shkupit, duke përmirësuar ndjeshëm qarkullimin dhe perspektivën urbane të zonës.
Lajme nga vendi
Mickoski: Prej sot ulet çmimi i naftës dhe benzinës për 3 denarë në pompat e kompanisë OKTA
Është rënë dakord për uljen e çmimit të karburantit me OKTA, njoftoi sot kryeministri Hristijan Mickoski, përcjell TV21. Sipas tij, nga sot do të ketë një ulje prej tre denarësh në të gjitha pikat e karburantit të OKTA.
“Po, gjatë ditës së djeshme ministrja e Energjetikës zhvilloi bisedë me drejtorin e përgjithshëm të OKTA, dhe kemi një denar shtesë ulje. Kështu që, nga sot do të kemi tre denarësh ulje në të gjitha pikat e karburantit që janë klientë të OKTA. Nga këto çmime që janë maksimale, të vendosura dje nga Komisioni Rregullator për Energjetikë, kemi tre denarësh ulje, që do të thotë se aktualisht kemi çmimet absolutisht më të ulëta të karburantit”, deklaroi Mickoski.
Lajme nga vendi
BDI: Kërkohet dorëheqja e drejtoreshës së Regjistrit Qendror dhe përgjegjësi nga Qeveria
Pas publikimit të fakteve se në Regjistrin Qendror janë realizuar 40 avancime pa asnjë përfaqësim të shqiptarëve, kjo çështje nuk mund të trajtohet më si një devijim administrativ. Kjo është një akt i shëmtuar që kërkon përgjegjësi të menjëhershme – reagojnë nga BDI.
Sipas tyre, kur në një institucion publik përjashtohet në mënyrë absolute një komunitet i tërë, kjo tregon vendimmarrje të njëanshme dhe cenim të drejtpërdrejtë të parimit të përfaqësimit të drejtë.
Për këtë arsye BDI kërkon:
-Dorëheqjen e menjëhershme të drejtorit të Regjistrit Qendror, si akt minimal përgjegjësie.
-Përgjegjësi politike nga Kryeministri, sepse kjo qasje po krijon perceptimin e një praktike të përsëritur që dëmton besimin në institucionet shtetërore.
-Përgjegjësi të drejtpërdrejtë nga përfaqësuesit e VLEN-it në qeveri, të cilët kanë dështuar të mbrojnë përfaqësimin e drejtë dhe kanë treguar, në mënyrën më të qartë, se si nuk duhet të përfaqësohen qytetarët.
-Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të tyre.
BDI i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndjekë me vëmendje këto zhvillime dhe të veprojë në mënyrë parandaluese.
“Në veçanti, i bëjmë thirrje Misionit të OSBE-së në Shkup që të jetë në nivelin e detyrës së tij dhe të aktivizojë mekanizmat e hershëm të reagimit dhe paralajmërimit që ka në dispozicion, për të adresuar situata që prekin parimet e përfaqësimit të barabartë dhe të drejtave të komuniteteve. Institucionet publike duhet të reflektojnë përbërjen e shoqërisë që u shërbejnë” – thuhet në reagimin e BDI-së.
Lajme nga vendi
Nga burgu në arrest shtëpie: Nis zbatimi intensiv i mbikëqyrjes elektronike në vend
Administrata për Ekzekutimin e Sanksioneve ka filluar zbatimin e vendimit të tretë gjyqësor, në bazë të të cilit pajisjet për mbikëqyrje elektronike tashmë po përdoren në praktikë njofton agjencija e lajmeve INA.
Sipas njoftimit, është marrë edhe një vendim i dytë për zëvendësimin e dënimit me burg me arrest shtëpie me mbikëqyrje elektronike për një person që duhej të vuante dënimin në një institucion korrektues. Dënimi në kohëzgjatje prej një viti do të ekzekutohet në kushte të arrestit shtëpiak, duke përdorur pajisje për mbikëqyrje elektronike. Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore në Ohër.
Autoritetet theksojnë se në rast të mosrespektimit të udhëzimeve për përdorimin e pajisjeve dhe kufizimeve të përcaktuara, shërbimet e provës do të njoftojnë menjëherë gjykatën, në përputhje me dispozitat e Ligjit për Probacion.
Zyra e provës për rajonin e Gjykatës Themelore në Ohër, si edhe në rastin e mëparshëm, mbetet në koordinim të vazhdueshëm me institucionet kompetente lidhur me zbatimin e kësaj mase. Ndërkohë, Departamenti për mbikëqyrje elektronike do të monitorojë në mënyrë të pandërprerë, 24 orë në ditë, realizimin e vendimit përmes pajisjeve përkatëse.(INA)
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga bota2 months agoGjermania në krizë për punëtorë të kualifikuar, spitalet dhe shkollat kanë mungesa të mëdha

