Lajme nga vendi
Zëvendëskryeministri i Parë Bekim Sali zhvillon takim në Bruksel me Komisioneren për Zgjerim, Marta Kos
Zëvendëskryeministri i Parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zhvilloi sot në Bruksel një takim pune me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos. Takimi u fokusua në ecurinë e procesit të integrimit evropian të vendit, prioritetet reformuese dhe sfidat aktuale në kuadër të agjendës evropiane.Transmeton Tv Koha
Gjatë bisedimeve, Zëvendëskryeministri Sali riafirmoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një prioritet strategjik i Qeverisë, i vlerësuar si një investim afatgjatë për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit evropian. Ai theksoi se momentumi pozitiv i krijuar duhet të shfrytëzohet përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe të vazhdueshëm me institucionet evropiane, me qëllim avancimin konkret të procesit integrues.
Në cilësinë e Ministrit për Çështje Evropiane, Kryenegociatorit, Koordinatorit Nacional për Instrumentin e Reformës dhe Rritjes (RGF), si dhe NIPAC, Sali nënvizoi përkushtimin për të ruajtur fokusin e administratës shtetërore në reformat e lidhura me BE-në dhe për të siguruar vazhdimësinë e ritmit të reformave, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.
Në këtë kontekst, palët shkëmbyen mendime edhe mbi zbatimin e Planit të Rritjes dhe Agjendës Reformuese, si dhe mbi çështje të tjera aktuale me interes të përbashkët, duke theksuar rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm dhe dialogut konstruktiv me institucionet e Bashkimit Evropian.
Lajme nga vendi
Ndërroi jetë biznesmeni i njohur strugan
Një lajm i hidhur ka ardhur nga Struga. Ka ndërruar jetë biznesmeni i njohur Berat Beqiri, pronar i hotelit “Prestige”, një figurë e respektuar në fushën e hotelerisë dhe biznesit lokal.
Beqiri për vite me radhë ishte aktiv në zhvillimin e sektorit të turizmit dhe shërbimeve në Strugë dhe Ohër, duke u dalluar për profesionalizëm, korrektësi dhe përkushtim në punën e tij. Përmes aktivitetit të tij afarist, ai krijoi bashkëpunime të shumta dhe kontribuoi në promovimin e ofertës turistike të rajonit.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka pikëlluar familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët dhe komunitetin më të gjerë.
Ngushëllime familjes dhe të afërmve të të ndjerit.
Lajme nga vendi
Ndryshimi i vazhdueshëm i çmimit të arit, ja sa kushton një lirë sot
Nëse në vitin 2021 një lirë ari kushtonte 350 euro, sot çmimi i saj arrin 970 euro, ndërsa para disa ditësh ishte 1080 euro.
Në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, dy familje që së shpejti do ta kurorëzonin djalin dhe vajzën. Shkonin nga dyqani në dyqan për të kërkuar çmimet më të lira të arit.
”Shumë çmimet e larta. Keni dasmë? – Po, për djalë. Dhe sa arë duhet të blini? Diku 20 apo 30 mijë euro. Çmimi i arit është i lartë dhe shkon në rritje” tha një qytetar .
(”Erdhëm nga Koçani që të blejmë arë por shumë shtrenjtë. Çmimet janë shumë të larta. ”Keni dasmë? Po, bëhemi gati për dasmë, martojmë vajzën”, u shpreh një qytetar.
Shitësit ankohen se për shkak të çmimeve të larta të arit është ulur ndjeshëm shitja.
”Momentalisht ari në bursë është 145 dhe për tre a katër orë ka lëvizur dhe kjo ka ndikuar edhe tek shitja por edhe tek blerja. Pra nuk ka blerje si më herët? Po nuk ka shitje”, tha shitësi.
”Blejnë por çmimi momentalisht është shumë i lartë, më herët me 100 euro blinin tre apo katër gram”, u shpreh shitësi, shkruan Alsat.mk.
Lajme nga vendi
Jurisprudenca vetëm në maqedonisht, Bashkim Selmani: Ministrat kanë qenë shqiptarë, dikush nuk i ka kryer obligimet
Selmani thotë se gjuha shqipe është kategori kushtetuese dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve e mundësojnë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe.
“Fatkeqësisht kjo e drejtë u është mohuar studentëve shqiptarë pa të drejtë për arsye se gjuha shqipe është zyrtare gjithë aty ku flitet dhe komunikohet në gjuhën shqipe dhe shteti është i detyruar t’i përshtatet të drejtës ligjore”, tha Selmani.
Ai thotë se ky diskriminim është bërë në bazë gjuhësore dhe është cenim i barazisë para ligjit.
Megjithatë ai kritikon se ka pasur neglizhencë të ekspertëve gjuhësorë dhe subjeketeve, pasi me sjelljen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i njëjti ligj për gjuhën shqipe duhej të përfshihej edhe në ligjet tjera.
Për arsye, ai thotë se ligji i gjuhëve nuk përfshi edhe në sistemin gjyqësor dhe kjo e ka vështirësuar ushtrimin e të drejtës gjuhësore.
Ai thotë se ministrat e drejtësisë kanë qenë shqiptarë, dhe se nuk e kanë kryer këtë detyrim ashtu siç e parasheh kushtetuta dhe ligji.
“Institucionet, në këtë rast Ministria e Drejtësisë mban një përgjegjësi jashtëzakonisht të lartë dhe janë të detyruara tu mundësojnë dhënien e provimit në gjuhën shqipe, të harmonizohen aktet nënligjore me kushtetutë dhe ligjin për gjuhë dhe të garantohet barazi reale dhe jo formale në sistemin e drejtësisë. Drejtësia nuk matet vetëm me ligje, por me barazi dhe qasje reale. Pa gjuhën shqipe në provimin e gjyqësorit nuk ka drejtësi gjithëpërfshirëse dhe as shtet multietnik”, tha Selmani.
Ai thotë se mos ofrimi i provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ndikon direkt edhe në Akademinë për Prokurorë dhe Gjykatës.
“Nëse merret për bazë dëmi që është shkaktuar do të shohim në emërimet e fundit prej 120 studentëve maqedonas 1 ose 2 janë shqiptarë, për sa i përket emërimeve është 19 me 1, sa u përket bashkëpunëtorëve profesionalë është 19 me 1, sa u përket praktikantëve e kështu me radhë, pra shqiptarët nuk kanë qasje në sistemin gjyqësor”, tha Selmani.
Ai thotë se pasi gjuha shqipe të zbatohet në proceset e lartpërmendura, faza e dytë është edhe mbajtja e seancave gjyqësore në shqip.
“Ne kemi raste kur i gjithë trupi gjykues janë shqiptarë ndërsa procedurat mbahen në gjuhën maqedonase. Detyrimisht duhet aty ku është 20% i paraparë në bazë të aspektit ligjor, të gjitha seancat dhe zhvillimet kanë të drejtë të zhvillohen në gjuhën shqipe”, tha Selmani.
Profesori thotë se sistemi i drejtësisë është baza me të cilën funksionojnë të gjitha të drejtat dhe detyrimet, dhe nëse neglizhohet ajo pse vendi të pretendojë Bashkimin Evropian.
“Janë disa procese me të cilat detyrimisht duhet të ndërhyhet dhe të mundësohet që studentët të japin provimin e gjyqësorit në gjuhën shqipe, provimin e përmbaruesit dhe provimin e noterëve, sepse është kategori kushtetuese”, përfundoi Selmani.Portalb.mk

