Lajme nga vendi
,,Agjenda reformuese dhe rruga evropiane: Qeveria prezantoi progresin para ambasadorëve të BE-së”
Në kuadër të brifingut të dedikuar monitorimit të progresit në zbatimin e Agjendës Reformuese, i cili u mbajt në Qeveri dhe ku morën pjesë anëtarë të Qeverisë, ambasadorët e Bashkimit Evropian dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, u bë një pasqyrë e detajuar e rezultateve të deritanishme dhe prioriteteve të ardhshme në fushat kyçe reformuese.
Në këtë ngjarje, fjalim mbajti edhe ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, e cila u ndal në aktivitetet dhe rezultatet e Ministrisë në fushën e tranzicionit të drejtë, integrimit të tregut dhe avancimit të politikave energjetike në përputhje me standardet evropiane.
Ministrja informoi se strukturat drejtuese të parashikuara me Udhërrëfyesin për Tranzicion të Drejtë janë plotësisht funksionale dhe se është miratuar me sukses Plani Vjetor i Zbatimit për vitin 2026, i harmonizuar me dokumentet strategjike dhe prioritetet investuese të Qeverisë.
Theks i veçantë iu kushtua miratimit të Ligjit të ri për Energjetikë, me të cilin shteti bëri një hap të rëndësishëm drejt harmonizimit të plotë me Paketën për Integrimin e Energjisë Elektrike të Komunitetit të Energjisë, si dhe progresit në përgatitjen e akteve nënligjore nga ana e SHA MEPSO
Në fjalimin e saj, ministrja theksoi gjithashtu gatishmërinë institucionale të operatorëve për zbatimin praktik të mekanizmave evropianë të tregut, si dhe njohjen ndërkombëtare përmes anëtarësimit në Italian Working Border Table.
Në aspektin e dimensionit social, u theksua se Ministria zbaton në mënyrë aktive masa për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm, me një metodologji të miratuar për matjen e varfërisë energjetike dhe me mbështetje të siguruar për mijëra familje.
Gjithashtu, ministrja informoi për miratimin e Planit Trevjeçar për rinovimin e objekteve të Qeverisë Qendrore. Rezultatet e arritura, siç u theksua, përbëjnë një dëshmi të qartë të përkushtimit të institucioneve ndaj një tranzicioni të suksesshëm energjetik, integrimit të tregut dhe zhvillimit të qëndrueshëm, në interes të qytetarëve dhe ekonomisë.
Siç paralajmëroi kryeministri Hristijan Mickoski, do të mbahen rregullisht cikle takimesh, përkatësisht brifingje, me përfaqësues të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që janë rezidente në vendin tonë, me qëllim informimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë mbi hapat e ndërmarrë në zbatimin e Agjendës Reformuese.
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale do të vazhdojë me zbatimin e përgjegjshëm dhe transparent të reformave, në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë, institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim sigurimin e një sistemi energjetik të sigurt, modern dhe të drejtë.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë vranësira dhe periudha diellore. Në vendet malore do të ketë kushte për reshje të shiut.
Në vend do të fryjë një erë e lehtë nga drejtimi verior.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga -1 deri 7, ndërsa temperaturat maksimale do të lëvizin nga 8 deri 16 gradë celsius.
Të mërkurën dhe të enjten moti do të jetë i qëndrueshëm.
Lajme nga vendi
Koçani, kryeprokurori i ri Saveski: Do t’i thërras në takim prokurorët e lëndës, si kanë vendosur për këtë kualifikim?
Kryeprokurori i ri, Nenad Saveski, paralajmëroi se do të zhvillojë një takim me prokurorët që po merren me rastin “Koçani”, me qëllim që të njihet me ecurinë e procedurës dhe provat në këtë rast.
Në intervistë për “360 Gradë”, Saveski deklaroi se rasti ndodhet në një fazë të hershme të procedurës së dëshmive dhe se është e mundur të pritet një fazë më e pjekur e procesit për të bërë një analizë të plotë.
“Do të kem takim me prokurorët publikë që po veprojnë në këtë rast konkret për t’u njohur me gjendjen. Duke pasur parasysh se rasti është në fazë të hershme të procedurës së dëshmive, ndoshta është mirë të vijë një fazë më e pjekur e procedurës që të mund të vlerësohen siç duhet rrethanat dhe të jap qëndrimin tim”, tha Saveski.
Ai theksoi se nuk ka ndërmend të ndërhyjë në punën e prokurorëve, duke theksuar se çdo prokuror publik duhet të veprojë në mënyrë të pavarur dhe mbi bazën e provave.
Sa i përket dilemave në opinion lidhur me kualifikimin juridik të rastit, Saveski tha se prokurori publik mund ta ndryshojë kualifikimin e veprës deri në përfundim të procedurës, nëse gjatë gjykimit paraqiten fakte ose prova të reja.
Lajme nga vendi
Paralajmërim urgjent: Spitalet t’i kontrollojnë rezervat e heliumit, mund të ketë ndërprerje të furnizimit
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore (FSSH) ka lëshuar një paralajmërim urgjent për institucionet publike të kujdesit shëndetësor në Maqedoni që kanë aparatura për rezonancë magnetike (MRI) për të kontrolluar rezervat e tyre të heliumit dhe për të siguruar menjëherë sasi shtesë. Arsyeja është një ndërprerje e mundshme e furnizimit në tregun evropian, si dhe një rritje e ndjeshme e çmimeve për shkak të tensioneve aktuale gjeopolitike që lidhen me situatën në Iran.
Sipas autoriteteve, heliumi është një element kyç për funksionimin e aparaturave MRI, pasi përdoret për të ftohur magnetët superpërçues. Pa të, pajisjet nuk mund të funksionojnë, gjë që mund të çojë në një ndërprerje të shërbimeve diagnostikuese për pacientët.
Siç informoi Drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Sasho Klekovski, apeli është parandalues dhe synon të shmangë problemet e mundshme në funksionimin e sistemit shëndetësor në kohën e duhur.
Ai theksoi se është e rëndësishme që institucionet të vlerësojnë situatën dhe të reagojnë ndërsa heliumi është ende i disponueshëm në treg.
Aktualisht, çmimi i heliumit është rritur me rreth 30 përqind, dhe ka njoftime se mund të rritet më tej. Problemet e furnizimit shoqërohen me ndërprerje në zinxhirët globalë të furnizimit, pjesërisht të shkaktuara nga konfliktet dhe dëmtimet në infrastrukturë në rajonin e Gjirit Persik.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga bota2 months agoGjermania në krizë për punëtorë të kualifikuar, spitalet dhe shkollat kanë mungesa të mëdha

