Lajme nga vendi
VËRSHIME NË STRIMNICË TË ZHELINËS SHTËPITË DHE TOKAT BUJQËSORE PËRMBYTEN NGA LUMI VARDAR
Fshati Strimnicë në Komunën e Zhelinës është përmbytur nga uji, pasi që u rit niveli i ujit në Lumin Vardar, që kalon në mes të këtij fshati. Përveç që janë përball me vërshime, një pjesë e fshatit, ka mbetur edhe pa energji elektrike. Banori i fshatit Strimnicë, Bujamin Rustemi thotë se kjo është e katërta herë që uji i ka vërshuar shtëpitë e tyre. Ai u bën thirrje institucioneve që të vijnë të marrin masa konkrete, gjegjësisht, ta pastrojnë shtratin e lumit Vardar që të mos përsëritet e njëjta gjë.
Bujamin Rustemi – Banor i fshatit Strimnicë
“Disave u është futur nëpër shtëpi uji, i ka dëmtuar. Siç e shihni edhe vetë ju, nuk ndalet ky ujë. Është e treta apo e katërta herë që vërshon uji vetëm këtë vit. Duhet institucionet të marrin masa, të pastrohet lumi Vardar të mos rrij kështu sepse ky ujë ua ka përmbyt njërëzve shtëpitë, i ka dëmtuar, ja të gjitha këto shtëpi që i sheh. Nuk është në rregull kjo punë. Ka disa njerëz që nuk lejojnë të pastrohet Vardari. Shteti duhet të merr masa që të vijnë makinat në pranverë dhe ta pastrojnë. Vijnë bëjnë premtime por nuk është pastruar”.
Drejtori i NPK-së Zhelinë Suad Alili thotë se pastrimi i lumit është kompetencë e Ministrisë së Ekologjisë dhe Drejtorisë së Ujërave, dhe i njëjti bën apel që institucionet qëndrore të marrin masa.
Suad Alili – Drejtor i NPK-së Zhelinë
“Kjo nuk është në kompetencë të komunës, por ne kemi qenë afër qytetarëve me ato mundësi që i kemi ne. Kjo bie në komptencë të Ministrisë së Ekologjisë dhe Drejtorisë së ujërave, por edhe të ELEM që i ka hidrocentralet e veta. Këtu duhet të merren masa nga institucionet qëndrore pasi që për lumin Vardar komptencat nuk bien vetëm mbi komunën. Tokat nuk diskutohet, shumë kanë dëme të mëdha kjo pjesa këtu. Me kalimin e kohës deri në muajin korrik duhet të rregullohet kjo çështje për shkak se është një problematikë disa vjeçpare. Prej vitit 2010 kur lumi rrit nivelin ne kemi probleme në këtë pjesë. Tani duhet të marrim masa që të mos na përsëritet kjo, qytetarët të flejnë të qetë. Për shkak se 50 shtëpi tani e dy ditë janë edhe pa energji elektrike.
Komandanti i zjarrëfikësve Avni Ameti thotë se në fshatin Strimnicë situata ka qenë aq alarmante sa që është dashur intervenimi i tyre për të evakouar një familje nga shtëpitë.
Avni Ameti – Komandant i NJTKZ
“Zjarrëfikësit e Tetovës evakouan një familje e cile ishte ngujuar. Ka 18 shtëpi që janë të palëvizshme në fshatin Strimnicë si pasojë e daljes nga shtratit të lumit Vardar”.
Përndryshe, në rajonin e Tetovës dëme të mëdha nga përmbytjet pati edhe në zonën e Treboshit, ku u dëmtua rruga dhe tokat bujqësore, në fshatin Shëmshovë, Xhepçisht si dhe rëshqitje të dheut.
Lajme nga vendi
Ndryshimet e fundit në Kodin Penal parashohin masa të rrepta tashmë edhe traktorët që konstatohen të parregullt do të konfiskohen?!
Ndryshimet e fundit në Kodin Penal parashohin masa të rrepta për sigurinë në rrugë, ku përveç makinave, tashmë edhe traktorët që konstatohen të parregullt teknikisht ose të paregjistruar do të konfiskohen menjëherë nga policia.
Fokus i veçantë i këtyre ndryshimeve janë traktorët që qarkullojnë pa sinjalizim adekuat (dritat e pasme), fenomen ky që ka shkaktuar reagime të shumta në opinion dhe ka qenë burim i aksidenteve të rënda.
Pse po ndërmerret kjo masë?
Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme, çdo sezon bujqësor regjistrohen dhjetëra aksidente ku mjetet e udhëtarëve godasin traktorët nga mbrapa.
Mungesa e dritave: Shumica e traktorëve në zonat rurale lëvizin gjatë natës ose në muzg pa drita të pasme, duke u bërë “të padukshëm” për shoferët e tjerë.
Pasojat fatale: Çdo vit, një numër i konsiderueshëm i këtyre aksidenteve përfundojnë me viktima në njerëz.
Çfarë parashohin ndryshimet ligjore?
Nëse një traktorist ndalohet në trafik dhe mjeti i tij:
Nuk është i regjistruar;
Ka parregullsi teknike (sidomos në sistemin e dritave dhe frenimit); … policia ka autoritetin e plotë për odzim (konfiskim) të mjetit në vendngjarje.
Kjo masë synon të rrisë ndërgjegjësimin e bujqve për rëndësinë e mirëmbajtjes së mjeteve të tyre të punës, duke mbrojtur kështu jetën e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion
Lajme nga vendi
Për dy javë MPB-ja sekuestroi 90 automjete në mbarë Maqedoninë – Tetova lider!
Drejtimi i automjetit pa patentë shoferi është vepër penale dhe sipas ligjit, me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike, Ministria e Punëve të Brendshme ka të drejtë të sekuestrojë mjetin. Si drejtim pa patentë konsiderohet rasti kur shoferi nuk ka dhënë kurrë provimin, kur i është hequr leja përgjithmonë ose kur drejton mjetin gjatë kohës që ka ndalesë të përkohshme. Për pak më shumë se dy javë, përkatësisht që nga fillimi i projektit “Safe City”, policia ka sekuestruar gjithsej 90 automjete në mbarë vendin.
Në periudhën prej 1 deri më 16 shkurt, me udhëzim të prokurorit publik, numri më i madh i mjeteve është konfiskuar në territorin e SPB Tetovë (14 automjete), pasuar nga SPB Veles (13), SPB Manastir (12), si dhe nga 11 automjete në Strumicë dhe Kumanovë.
Siç sqarojnë nga MPB-ja, automjetet aktualisht ruhen nëpër stacionet policore, ndërsa procedura e mëtejshme është në kompetencë të prokurorisë dhe gjykatës. Ndërkohë, të dhënat e fundit tregojnë se gjatë javës së kaluar është shënuar rënie e numrit të kundërvajtjeve në trafik të regjistruara nga sistemi “Safe City”.
Lajme nga vendi
BDI me kallëzim penal ndaj ministrit të Drejtësisë për mosorganizimin e provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe
“Sot, para këtij institucioni të drejtësisë, paraqesim kallëzim penal ndaj Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut për shkelje serioze të detyrimeve kushtetuese dhe ligjore. Së pari, për pengim të zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, në kundërshtim me nenin 7 të Kushtetutës së Republika e Maqedonisë së Veriut dhe nenet 1, 2, 3 dhe 9 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, të cilat e njohin gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare krahas maqedonishtes dhe detyrojnë institucionet shtetërore të sigurojnë përdorimin e gjuhës zyrtare të palëve në procedurat dhe dokumentet zyrtare. Së dyti, për mos-zbatim të detyrave zyrtare në dëm të të drejtave kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve shqiptarë, në kundërshtim me nenin 9 të Kushtetutës (barazia e qytetarëve para ligjit) dhe nenin 353 të Kodit Penal (keqpërdorimi i detyrës dhe autorizimit zyrtar). Refuzimi për të organizuar dhe mbajtur Provimin e Jurisprudencës në gjuhën shqipe cenon drejtpërdrejt të drejtën e përdorimit të gjuhës zyrtare në procedurat para institucioneve”, thonë nga BDI.
Si arsye të tretë për këtë hap, BDI përmend cenimin e barazisë së qytetarëve sipas nenit 137 të Kodit Penal e që janë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, i cili ndalon çdo formë diskriminimi mbi bazë gjuhe dhe përkatësie etnike.
“Mos-zbatimi i ligjit dhe mohimi i kësaj të drejte dërgon mesazhe diskriminuese dhe rrezikon thellimin e tensioneve në një shoqëri multietnike. Sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve, institucionet shtetërore, përfshirë institucionet e drejtësisë, janë të detyruara të sigurojnë që proceset, dokumentet dhe komunikimi zyrtar të zhvillohen edhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve. Duke mos ofruar provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe duke refuzuar zbatimin e kësaj të drejte ligjore, Ministria e Drejtësisë ka shkelur detyrat e saj zyrtare, ka cenuar parimin kushtetues të barazisë dhe ka vepruar në kundërshtim me rendin juridik të shtetit. Për këto arsye, kërkojmë nga Prokuroria Themelore Publike të ndërmarrë menjëherë veprimet hetimore të nevojshme, çështja të procedohet para gjykatës kompetente dhe zbatimi i ligjit të garantohet pa asnjë formë diskriminimi”, thonë nga BDI.
BDI-ja, që sot shpreh mbështetje të plotë për studentët shqiptarë që kërkojnë të drejtën për të dhënë provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, gjatë periudhës së saj në qeverisje nuk ka bërë asnjë hap konkret për ta zgjidhur këtë problem. Portalb.mk ka pritur gjatë përgjigje nga BDI-ja se pse nuk u gjet zgjidhje gjatë 20 viteve të saj në pushtet, por deri tani, heshtje, përveç kumtesave për mediat. Kjo situatë tregon një kontrast të madh të kësaj partie. Ajo sot pozicionohet si avokate e barazisë gjuhësore, ndërkohë që kur kishte mundësinë reale ligjore dhe institucionale për ta adresuar këtë çështje, nuk veproi.
Ndryshe, ekspertët dhe shoqëria civile vlerësojnë se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.
Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.
Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.
Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.
Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.

