Lajme nga vendi
Vrasje makabre në Çellopek – 25-vjeçari dyshohet për krim serial ndaj grave të moshuara
Një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka nxjerrë Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një personi për të cilin ekziston dyshim i bazuar se ka kryer veprën penale – Vrasje sipas nenit 123 paragrafi 2 pika 1 të Kodit Penal.
Në një datë të saktë të papërcaktuar, në periudhën nga 27.01 deri më 12.02.2026, i dyshuari 25-vjeçar, në fshatin Çellopek, komuna e Staro Nagoriçanit, me paramendim dhe në mënyrë mizore e tinëzare, i ka marrë jetën viktimës, një gruaje të lindur në vitin 1947.
Ai ka shfrytëzuar rrethanën që e dëmtuara jetonte e vetme, ishte e moshuar dhe e pafuqishme. Kur ka hyrë në shtëpinë e saj, ajo ishte duke fjetur në shtrat, ndërsa i dyshuari e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar disa goditje me të cilat i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, si pasojë e të cilave gruaja ka ndërruar jetë.
Me veprime intensive dhe të koordinuara gjatë ditëve të fundit nga Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë dhe qendra hetimore pranë kësaj prokurorie, Ministria e Punëve të Brendshme dhe ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, janë siguruar prova që tregojnë lidhje të këtij rasti me disa raste të tjera të ngjashme në rajonin e Kumanovës.
Për shkak të ngjashmërive lidhur me përzgjedhjen e viktimave dhe mënyrën e egër të kryerjes së veprës, po hetohet nëse edhe në ato raste bëhet fjalë për vrasje të kryera nga i njëjti autor. Për një nga viktimat e mundshme dje është urdhëruar zhvarrimi dhe autopsia, ndërsa nga trupi i gruas së ndjerë janë marrë gjurmë dhe mostra të ADN-së që po i nënshtrohen ekspertizës.
Organet hetimore po punojnë në ekspertiza dhe analiza të ndërlikuara, si dhe në veprime të tjera për sigurimin e provave, të cilat për momentin nuk mund të ndahen me publikun për shkak të fshehtësisë së procedurës.
I dyshuari, që nga momenti i zbulimit të tij, është privuar menjëherë nga liria dhe është siguruar, ndërsa me propozim të prokurorit publik i është caktuar masa e paraburgimit. Është urdhëruar gjithashtu edhe ekspertizë psikiatrike e të dyshuarit nga një ekip ekspertësh – psikiatër forenzikë nga Instituti i Psikiatrisë në Shkup.
Lajme nga vendi
Zëvendësdrejtori i Doganave, realizoi vizitë zyrtare nëpikën kufitare Bllacë
Sot, z. Mustafa Dauti, realizoi një vizitë zyrtare në pikënkufitare Bllacë. Gjatë vizitës, ai u njoh nga afër me organizimine punës dhe dinamikën e përditshme në këtë pikë kufitare, e cila ka një rëndësi të veçantë për lëvizjen e qytetarëve dheqarkullimin e mallrave.
Dauti bashkëbisedoi me stafin për sfidat konkrete me të cilatpërballen dhe theksoi nevojën e vazhdueshme për koordinim, efikasitet dhe integritet në ushtrimin e detyrës. Ai theksoi se One Stop Shop, është një element kyç që ka përmirësuarlehtësimin e procedurave dhe shërbimet për qytetarët.
Sipas të dhënave të vitit 2025, pika kufitare Bllacë karegjistruar rreth 32,000 kamionë të ngarkuar dhe 25,000 kamionë të zbrazët, duke treguar intensitetin e lartë të trafikutdhe rëndësinë e efikasitetit në punën e përditshme të stafit.
Zëvendësdrejtori nënvizoi se këto vizita nuk janë vetëm pjesë e detyrës institucionale, por edhe mundësi për të dëgjuardrejtpërdrejt zërin e atyre që punojnë në terren dhe për tësiguruar shërbime më cilësore dhe respektim të plotë të ligjit.
Lajme nga vendi
DËMTOHET HAPËSIRA PUBLIKE – KOMUNA E TETOVËS PUBLIKON PAMJE!
Komuna e Tetovës, nëpër rrjetet sociale, ka publikuar një video ku shihet dëmtimi I hapësirës publike në Rrugën e Butiqeve.
“Sot ka ndodhur dëmtimi i hapësirave publike në rrugën e Butiqeve. Ky veprim prek drejtpërdrejt të gjithë qytetarët. Çdo investim bëhet me mund, prandaj shkatërrimi i tyre është në dëm të të gjithëve.
Rasti është denoncuar në organet kompetente ku do të ndiqet me procedura ligjore dhe për dëmtuesit do të ketë pasoja sipas ligjit” – shkruajnë nga Komuna e Tetovës.
Sipas Komunës së Tetovës, çdo investim publik është për qytetarët, ta dëmtojmë atë do të thotë ta dëmtojmë vetveten. Tetova meriton më shumë kulturë dhe përgjegjësi.
Lajme nga vendi
Prokuroria precizoi akuzën në rastin gjyqësor “Besa Trans”, – Gjykimi do të vazhdojë pas Ramazanit
Me precizimin e aktakuzës sipas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit, mbaroi faza e nxjerrjes se provave në rastin gjyqësor “Besa Trans”, i cili në dhjetor të vitit 2024 u kthye në rigjykim.
Precizimi sqaron rrethanat e kalimit të autobusit në pikat kufitare, por nuk ndryshon thelbin për të cilën akuzohet pronari Bekim Haxhiu dhe kompania si person juridik, respektivisht se autobusi ka kaluar kufirin me certifikatë licence të falsifikuar.
Prokurori i çështjes, Zoran Zdravev lexoi akuzën e precizuar, ndërsa më pas u anulua seanca pasi mbrojtja e Haxhiut kishte të caktuar seancë në lëndë tjetër.
Ndërkohë gjykatësi Ivica Stefanovski fillimisht kërkoi që seanca të mbahet në afat më të shkurtër, por më pas e pranoi kërkesën e mbrojtjes së Haxhiut që seanca e radhës të mbahej pasi të kalojë muaji i Ramazanit.
Në fazën e ardhshme, fillimisht Prokuroria, pastaj mbrojtja, do t’i japin fjalët përfundimtare, pas çka vijon faza e shpalljes së aktgjykimit.
Procesi gjyqësor nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë me shkaqet e aksidentit tragjik të autobusit të “Besa Trans” në Bullgari, i cili ndodhi në nëntor të vitit 2021 dhe në të cilin humbën jetën 45 persona dhe 7 të tjerë u lënduan.
Megjithatë sipas Prokurorisë autobusi i aksidentuar nuk ka pasur fare licencë, ndërsa pronari nëpërmjet shoferëve, e ka kaluar kufirin me licencë të falsifikuar. Megjithatë, Haxhiu është shprehur se ndjehet i pafajshëm. Procesi gjyqësor mbi 3 vite ende nuk ka marrë epilog të plotfuqishëm.
Fillimisht Haxhiu u dënua me 20 muaj burg, por Apeli e ktheu lëndën në rigjykim. Paralelisht me gjykimin, kompania që ka kontrolluar teknikisht autobusin, ndodhet nën masa hetuese përfshi këtu edhe ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Oliver Spasovski i cili sipas procesverbalit, kontrollin teknik e kishte mbyllur vetëm disa ditë pas aksidentit. / Alsat.mk

