Lajme nga vendi
SI E FLASIM DHE SA E MBROJMË GJUHËN SHQIPE?!
Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare e shpallur nga UNESCO festohet më 21 shkurt të çdo viti. Qëllimi i caktimit të saj është promovimi dhe ndërgjegjësimi për diversitetin gjuhësor dhe kulturor si dhe promovimin e shumëgjuhësisë. Tv Koha, në këtë përvjetor, inicoi temën se sa e ruajmë gjuhën shqipe nga ndikimet e gjuhëve të huaja. Ta ndjekim kronikën në vazhdim.
Gjuha amë, gjuha që mësojmë prej në lindje, në familje, prej kur lindim e flasim gjuhën amtare, ndikon aq shumë sa që shpeshherë ngelemi pa ndonjë përgjigje sepse është gjuha që ne lindim, rritemi, zhvillohemi dhe gjithmonë e flasim gjuhën e pare – thotë për Tv Koha, albanologia Donika Bakiu, teksa komenton Ditën Botërore të Gjuhës Amtare.
Por, a na frikëson, trendi në rritje i të rinjve që flasin gjuhën angleze duke anashkaluar shqipen.
Viteve të fundit, kemi një trend që gjuha angleze na ka marrë shumë përpara, të themi të drejtën fëmija 5 vjecar spjegon përallën në gjuhën angleze, psh Borëbardhën, vetëm në gjuhën angleze, dhe është vetëm 5 vjet, mirëpo nuk e din mirë as gjuhën amë, kurse flet aq rrjedhshem gjuhën angleze, këtu besoj që është faji te prindërit sepse një fëmijë që ka shkuar vetëm në kopsht nuk ma merr mendja që të ketë shkuar në Angli apo diku tjetër të jeton, në vendin tonë e kemi problem si fëmijët që rriten e shkollohen këtu e flasim më mirë gjuhën angleze e të mos flas për ata që jetojnë jashtë.
Donika Bakiu bën thirrje që me këmbëngulje të mbrohet gjuha shqipe. Si shembul përmendi Arbëreshët e Italisë.
“Ata kanë ik nga Morea pas vdekjes së Skenderbeut, dhe sot e kësaj dite ato e flasin arbërishten dhe e kanë ruajtur me fanatizëm. Ata janë për tu marrë shembull, gjithmonë duke ju thënë një Bravo sepse vazhdojnë shkruajnë shqip, vazhdojnë dhe flasin shqip dhe sot ka ditëlindjen profesor Francesko Altimari, dhe ia uroj prej këtu nga Tv Koha sepse ka bërë një luftë për t`u ruajtur atje, atje është edhe Katedra e Gjuhës Shqipe në Kozencë dhe ka pasur ca profesorë që kanë bërë maksimumin bashkë me familjen që të ruhet me fanatizëm gjuha, t`i marrim shembull ato dhe të shohim sa e bukur është”
Edhe qytetarët e anketuar nga Tv Koha, ngrejnë shqetësime se nuk jemi duke bërë mjaftueshëm për të mbrojtur gjuhën shqipe.
“Për fat të keq, shumë pak. Duhet më shumë t`i qasemi, sepse gjuha është e shenjtë për një popull. Sic e shoh gjeneratën e re, po, rrezikohet. Duhet të ndërmirren masa”
“Gjuha është emblemë për një komb dhe gjithsesi duhet t`i kushtohet rëndësi. Ka deformitete në dimensione të caktuara, megjithatë, të gjitha institucionet edhe ne si qytetarë duhet të kemi kujdes për gjuhën sepse ajo është identiteti themeltar për një popull”
“Gjysmë për gjysme. Më shumë maqedonisht se shqip, I kemi tollovitë hesapet. Ne duhet ta ruajmë por s`mund ta ruajmë, e përziejmë me fjalë të huaja”
“Institucioni, sipas mendimit tim, që mund ta mbrojë më së shumti dhe praktikisht si emblem të kombit, janë vet shqiptarët në rastin konkret”
Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, kryeministri I Shqipërisë, Edi Rama ndau momente nga nisja e fazës gjysmëfinale në shkolla të “Konkursit të Gjuhës Shqipe”.
Rama e cilësoi këtë konkurs “një fije të artë që lidh fillesat e kombit tonë me të ardhmen e tij”.
Në këtë përvjetor, një tjetër zhvillim me rëndësi është hapja zyrtare për publikun e platformës online të “Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe” nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Platforma, e aksesueshme në domenin fjalori.online, është bërë funksionale që nga 12 janari 2026, duke ofruar qasje të lirë për të gjithë përdoruesit.
“Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe” përfaqëson kurorëzimin e një pune pesëvjeçare (2021–2025) dhe përfshin mbi 125.000 njësi leksikografike: rreth 105.000 fjalë në zëra të veçantë, mijëra njësi frazeologjike, togfjalësha terminologjikë, terma të huazuar dhe rreth 250.000 kuptime leksikore të shoqëruara me mbi një milion shembuj ilustrues.
Lajme nga vendi
ASH-ja e Taravarit: Karakamisheva e ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, kundër përfaqësimit të shqiptarëve në administratë?
Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësimin saj të ndaj deklaratës së dhënë më 18 shkurt 2026 në Kanal 5 nga Таnja Каrakamisheva në të cilën kërkohet “zvogëlimi i numrit të shqiptarëve në administratë”.
Një deklaratë e tillë është e papranueshme, diskriminuese dhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet kushtetuese të shtetit dhe me frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Parimi i përfaqësimit adekuat dhe të drejtë nuk është privilegj për askënd, por detyrim kushtetues dhe standard demokratik që garanton barazi reale në institucionet publike.
Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjigje të qarta nga përfaqësuesit e koalicionit VLEN:
-A distancohen publikisht nga kjo deklaratë?
-A e dënojnë qartë këtë qasje përjashtuese?
-A do të kërkojnë largimin e zonjës Karakamisheva nga çdo proces që lidhet me hartimin e ligjit për përfaqësim adekuat?
-Dhe pas kësaj deklarate, si mund të sigurohen qytetarët shqiptarë se ligji në përgatitje nuk do të synojë reduktimin, por garantimin dhe forcimin e përfaqësimit të tyre?
ASH rithekson se barazia nuk negociohet dhe përfaqësimi nuk mund të kthehet në objekt kalkulimesh politike. Çdo përpjekje për ta dobësuar këtë parim cenon besimin ndëretnik dhe stabilitetin institucional.
Shqiptarët meritojnë siguri ligjore, respekt dhe përfaqësim të drejtë – jo pasiguri të qëllimshme dhe retorikë përjashtuese.
Aleanca për Shqiptarët
Lajme nga vendi
A do të formojë Fatmir Limani parti politike dhe a do të jetë pjesë e qeverisë? Ja çfarë thotë Mickoski
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se nuk ka informacione që Fatmir Limani do të krijojë parti politike. Mickoski nuk u përgjigj nëse i njëjti do të jetë pjesë e qeverisë në rast se krijon parti politike, por tregoi se koalicioni qeverisës përbëhet nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM.
“Nuk jam i informuar për këtë që po e thoni ju tani. Në lidhje me qeverinë, qeveria funksionon shkëlqyeshëm. Është i përbërë nga tre subjekte koalicionuese. Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, koalicioni VLEN dhe partia politike ZNAM”, tha Mickoski.
Lajme nga vendi
FUNKSIONARË TË LARTË TË PËRZIER NË SKANDALIN ME DROGËN?!
Vazhdojnë përplasjet për kapjen e tonelatave të kanabisit në Maqedoni të Veriut. Përderisa partitë akuzojnë njëra tjetrën për përfshirje në krim, deri tani janë arrestuar 6 persona që dyshohen për kultivimin dhe transportimin jo legal të drogës. Nga LSDM-ja opozitare thonë se fakti që droga ka lëvizur lirshëm nëpër shtet dhe jashta kufijve tregon se sa e përfshirë është partia që udhëheq me pushtetin në këtë skandal.
“Informacionet e fundit për skandalin më të madh të drogës me 5 tonë narkotikë, të publikuara nga Prokuroria, konfirmojnë se droga e ka kaluar lirshëm kufirin maqedonas, “në mënyrë të përsëritur”. Më pas është organizuar edhe kalimi i kufirit maqedonas. Pra, droga jo vetëm që e ka kaluar lirshëm kufirin, por është transportuar lirshëm nëpër gjysmën e Maqedonisë. Kush e ka lejuar këtë nga Ministria e Punëve të Brendshme? Ku ishte policia? Ku ishin 65 mijë kamerat? A është për këtë arsye që Toshkovski në televizion thotë: “Nuk është çështja si ka dalë droga nga Maqedonia, por si ka hyrë në Serbi”?” thonë nga LSDM-ja.
Nga ana tjetër, Hristjan Mickoski deklaroi se ka informacione se si marihuana e sekuestruar në Serbi ka dalë nga Maqedonia e Veriut, duke drejtuar gishtin drejt personave të lidhur me pushtetin e mëparshëm. Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, ai zbuloi se në këtë rast është e përfshirë një kompani e lidhur me një ish-funksionar lokal LSDM-së.
“Ka funksionarë, por nga Qeveria e kaluar. Ka një kompani që është në pronësi të ish-kryetarit të LSDM-së në Novo Sellë, përkatësisht të djalit të tij. Ndoshta Ministria e Punëve të Brendshme mund të ndajë më shumë informacione, por në interes të hetimit do të ndalem me kaq”.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit njoftoi se është hapur procedurë hetimore kundër gjashtë personave për qarkullim të paautorizuar të lëndëve narkotike. Hetimi bazohet në prova nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Prokuroria serbe përmes ndihmës juridike ndërkombëtare.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë vepruar nga viti 2025 deri në fund të janarit 2026. I dyshuari i parë, pronar i një kompanie nga Shkupi, ka siguruar mbi 8.832 kilogramë lule të thata kanabisi nga një kompani në rajonin e Strumicës. Pasi punonjësit e kanë paketuar në mbi 200 kuti, është organizuar transport i shumëfishtë drejt Serbisë.
Për dy nga të dyshuarit, të cilët tashmë ndodhen në paraburgim afatshkurtër, prokurori kompetent ka kërkuar nga gjykata caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.

