Connect with us

Lajme nga vendi

Specialistët e pensionuar do të jenë “litari i shpëtimit” që do ta shpëtojnë sistemin shëndetësor nga fundosja

Published

on

Në vendin tonë ka vetëm rreth dyzet onkologë, ka mungesë të anesteziologëve dhe patologëve. Këta nuk janë i vetmi kuadër nga degët specialistike për të cilët ka mungesë në shëndetësinë publike, por “litari i shpëtimit” deri në krijimin e kuadrove të reja do të jenë specialistët dhe subspecialistët të cilët në vend që t’i shijojnë ditët e tyre të pensionit do t’i shpëtojnë pacientët.

Me ndryshimet në Ligj parashihet që një specialist ose subspecialist nga një degë deficitare për të cilën nuk ka kuadër të mund të punojë deri në moshën 70 vjeç në vend të 67 siç ishte më parë. Drejtori i institucionit shëndetësor në të cilin ka mungesë të kuadrit profesionist do të duhet të kërkojë leje nga Ministria e Shëndetësisë që pensionisti të vazhdojë të punojë. Drejtori do të duhet të vërtetojë se pa të do të shuhet e gjithë dega e atij specializimi në spital. Pastaj ai do të marrë leje nga Ministria dhe Fondi dhe mjeku do të mund të vazhdojë të trajtojë pacientë deri në moshën 70 vjeçare. Sigurisht që edhe ai vetë do duhet të pranojë të punojë, ndërsa angazhimin është propozuar që të kryhet me kontratë, ndërkohë që në të njëjtën kohë do të marrë edhe pension.

E përderisa pensionistët po e mjekojnë sistemin e dobët shëndetësor, me ndryshimet e ligjit po bëhet një përpjekje për t’i rregulluar specializimet dhe për të vendosur rregull sepse Qeveria përmes tyre pritet që të krijojë një program për specializimet dhe të shohë se ku për çfarë kuadri ka nevojë dhe nga cila fushë.

Sipas propozimligjit nëse një mjek dëshiron të regjistrohet në një specializim ose subspecializim privat, mjeku jo vetëm që do ta paguajë nga xhepi i tij, ai do të duhet të zgjedhë një fushë në të cilën ka mungesë të kuadrit profesionist. Sipas ndryshimeve në ligj regjistrimi në një specializim privat do të duhet të jetë në përputhje me programin katërvjeçar për nevojën për kuadër specialistik dhe subspecialistik që do të miratohet nga Qeveria me propozim të Këshillit për specializime, i cili do të formohet nga ministri i Shëndetësisë. Deri më tani, plani për specializimet miratohej nga vetë institucioni i arsimit të lartë.

Për specializimet me kofinancim ndryshojnë kriteret për përcaktimin e kandidatit më të mirë – përkatësisht, testi profesional siguron 45 pikë, ndërsa njohja e gjuhës angleze vetëm 5 pikë (deri më tani njohja e një gjuhe të huaj siguronte 15 pikë). Nota mesatare nga të gjitha lëndët në ciklin e parë të arsimit të lartë deri më tani ka siguruar 50 pikë për punësim, por me Ligjin e ri do të “vlejë” më pak – 40 pikë. Testi profesional për punësim do të sigurojë 45 pikë në vend të 35 pikëve të mëparshme, që do të thotë se fokusi për përcaktimin e kandidatit më të mirë do të jetë pikërisht te ky test.

Advertisement

Me ndryshimet në Ligj u kushtohet vëmendje studentëve më të mirë të fakulteteve të mjekësisë në Maqedoni, të cilët deri më tani janë injoruar. Kjo ide u propozua kur Arben Taravari ishte ministër i Dhëndetësisë, ndërsa tani po realizohet në të vërtetë. Në Ligjin e ndryshuar për Mbrojtje Shëndetësore propozohet që çdo dekan i fakulteteve shtetërore të mjekësisë t’i dorëzojë Ministrisë së Shëndetësisë çdo vit një listë të mjekëve më të mirë të diplomuar të mjekësisë. Nëse ata aplikojnë për t’u punësuar në një institucion publik shëndetësor, atëherë do të duhet të pranohen pa selektim shtesë. Bëhet fjalë për gjithsej 12 mjekë në vit nga të gjitha fakultetet e mjekësisë, por ai i Shkupit do të propozojë më shumë (5 gjithsej) sepse në të janë të regjistruar më shumë studentë.

Pas kritikave dhe padive të shumta nga punonjësit shëndetësor, sepse edhe pse u renditën të parët në njoftimet për punë ata sërish mbetën a punë, ndërsa në vend të tyre u punësuan 10 kandidatë më dobët të ranguar, Ministria e Shëndetësisë po propozon ndryshime në procesin e punësimit. Prej dy javësh drejtorëve me ligj u është hequr e drejta diskrecionare për të zgjedhur mjekun që u pëlqen dhe duhet ta punësojnë atë që renditet i pari. Por, ndryshimet shtesë në Ligjin për Mbrojtjen Shëndetësore do të mundësojnë transparencë më të madhe – më shumë njerëz ta shohin shpalljen sepse në vend të 5 ditëve ajo do të zgjasë 15 ditë dhe do të duhet të publikohet në uebfaqet e Agjencisë së Administratës, Agjencisë së Punësimit dhe në uebfaqen e institucionit publik shëndetësor.

Për shkak të rasteve kur në shpalljet për punësim  nuk punësohen kandidatët më të mirë, propozohet që Komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve të mos propozohet nga drejtori, siç ishte më parë, por nga kolegjiumi profesional dhe atë për çdo vend pune të shpallur veçmas.

Vetë procedura e punësimit do të kryhet në tre faza: selektimi administrativ, selektimi preliminar dhe intervista, ndërsa komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve do të përbëhet nga profesionistë shëndetësorë të punësuar në institucionin e fushës për të cilën po bëhet selektimi.

Mjekët që e kanë mbaruar Fakultetin e Mjekësisë dhe dëshirojnë të specializohen nuk do të duhet më të kenë 6 muaj përvojë në një Shtëpi Shëndeti ose në ndonjë institucion tjetër shëndetësor si kusht për specializim. Ministria e Shëndetësisë propozon që kjo përvojë të hiqet si “e panevojshme”, pasi kohëzgjatja e studimeve është mjaftueshëm e gjatë. Një risi në ndryshimet e propozuara është se ekzaminimet dhe ndërhyrjet që kryhen nga specializantët më të vjetër detyrimisht do të duhet të regjistrohen në “Termini Im” në emrin e tyre, pas çka ato do të miratohen dhe nënshkruhen nga mentori.

Advertisement

Me ndryshimet e propozuara ndalohet transferimi i një punonjësi shëndetësor të punësuar në një nivelin primar dhe sekondar në një institucion shëndetësor terciar.

Kompensimi i anëtarëve të Komisionit Kombëtar të Imunizimit do të zvogëlohet. Deri më tani në muajt kur ata kishin të paktën një takim, ata merrnin kompensim prej 70 përqind të pagës mesatare mujore. Tani kompensimi do të zvogëlohet dhe do të jetë 10 përqind i pagës mesatare mujore.

Në pjesën për ndëshkimet që nuk ekzistonin më parë, shtohen tre pika të reja. Gjobë do të paguhet si nga drejtori ashtu edhe nga vetë institucioni publik shëndetësor nëse lejon një mjek të punojë pa licencë ose pa licencë të rinovuar. I tillë ishte rasti në Klinikën e Neurologjisë, ku kur qarkulluan videopamjet të një profesori duke përzier një substancë pluhur të bardhë, u ngrit edhe çështja se ai nuk e kishte rinovuar licencën dhe po ekzaminonte pacientë pa licencë. Gjobë do të paguhet edhe nëse institucioni shëndetësor nuk i paguan paratë për specializimin në fakultetin ku studion mjeku që ai e financon dhe nëse nuk e paguan mentorin dhe Qendrën Mjekësore të  Simulimit brenda afatit ligjor.

Ndryshe nga praktika e mëparshme, ku një person ushtrues detyre drejtor mund të zgjidhej për një kohë të pacaktuar, tani ai mund të zgjidhet vetëm dy herë, pas çka Këshilli drejtues i klinikës do të duhet të emërojë një ushtrues detyre drejtor.

Në Ligjin për Mbrojtje Shëndetësore nuk janë përmendur fare infermieret, që për vite me radhë nëpërmjet Sindikatës së tyre kërkojnë një ligj në të cilin ata do të rregullohen në mënyrë të veçantë. Në të njëjtën kohë, Ministria e Arsimit në ENER njoftoi themelimin e një Fakulteti të Shkencave Mjekësore dhe Shëndetësisë në kuadër të Universitetit “Sh. Kliment Ohridski” – Manastir, i cili, sipas njoftimeve, do t’u mundësojë infermiereve dhe mamive të kenë mundësi për një karrierë akademike. Në këtë propozim nga Ministria e Arsimit thonë se kjo është një domosdoshmëri strategjike për avancimin e edukimit shëndetësor, sidomos në rajonin e Pelagonisë dhe atë jugperëndimor.

Advertisement

Në kuadër të veprimtarisë së arsimit të lartë, Fakulteti do të ofrojë programe studimore akademike katërvjeçare për infermiere, mami dhe biokimistë mjekësorë, si dhe programe studimore profesionale trevjeçare për infermiere/teknikë, mami, analistë të laboratorëve mjekësorë, teknologë radiologjikë, fizioterapistë dhe inxhinierë sanitarë.

Është planifikuar që Fakulteti të kryejë veprimtari të arsimit të lartë në fushën e mjekësisë dhe shëndetësisë në nivelin e studimeve universitare, pasuniversitare, specialistike, subspecialistike dhe të doktoraturës, si dhe veprimtari shkencore-hulumtuese dhe të aplikuara. Do të fillojë me punë në vitin akademik 2026/2027.

Ndryshe, lëvizjet në Shëndetësi kanë bërë që ky sektor të mos gjejë “qetësi”. Nga ana tjetër, sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut po zbrazet dita ditës.

Lajme nga vendi

FBI e kishte njoftuar Maqedoninë për 20-vjeçarin nga Tetova që paralajmëroi vrasje masive (FOTO)

Published

on

Një 20-vjeçar nga fshati Reçicë e Vogël e Tetovës kishte kërcënuar përmes një rrjeti social se do të kryente një vrasje masive, ndërsa policia e Maqedonksë, pas një njoftimi nga Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-së (FBI), ka kryer bastisje në shtëpinë e tij, ku është gjetur një arsenal i tërë armësh. Është arrestuar edhe gjyshi i tij 89-vjeçar, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.

I riu do të përgjigjet për terrorizëm, ndërsa gjyshi për posedim të paligjshëm të armëve, raporton gazeta KOHA.

“Sipas dyshimeve, K.H. (20), në fund të muajit janar të këtij viti, përmes aplikacionit social ‘Discord’ ka dërguar një kërcënim serioz se është i gatshëm të kryejë sulm me armë zjarri, me pushkë automatike AK-47, e njohur si ‘Kallashnikov’, duke pretenduar se ka probleme me shëndetin mendor. Frymëzimit për një sulm të tillë i ka shërbyer ngjarja e 14.12.2012 në SHBA, kur Adam Lanza, po ashtu 20-vjeçar, në një shkollë në SHBA me pushkë automatike vrau 26 persona, prej të cilëve 20 fëmijë”, thuhet nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PNKOK).

Kërcënimet janë vërejtur nga FBI-ja amerikane, e cila ka njoftuar Ambasadën e SHBA-ve në vendin tonë, ndërsa ambasada ka alarmuar prokurorinë dhe policinë.

“Pas informacioneve të marra nga Ambasada e SHBA-së në Shkup se nga ana e FBI-së është paraqitur kërkesë për zbulimin urgjent të një profili në Discord që ndodhet në vendin tonë, e nga ku janë dërguar kërcënimet serioze, MPB në koordinim me PNKOK ka ndërmarrë veprime për zbulimin e autorit. Pas identifikimit dhe lokalizimit të adresës së përdoruesit, më 17.02.2026, zyrtarë policorë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë – Sektori për Luftë Kundër Terrorizmit, me asistencë nga Njësia Speciale ‘Tigrat’ dhe në koordinim me PNKOK, kanë kryer bastisje në shtëpi dhe objekte të tjera në Reçicë të Vogël, Tetovë. Gjatë bastisjeve, te K.H. dhe te anëtarë të familjes së tij janë gjetur dhe sekuestruar më shumë gjëra që përbëjnë vepër penale, përfshirë: armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, pushkë automatike AK-47 me dy karikatorë me 40 plumba 7.62×39 mm, pistoletë ‘M57’ me dy karikatorë me 49 plumba, pistoletë ‘Cherokee’ me dy karikatorë dhe mbi 600 plumba 9 mm, jelekë taktikë, jelekë antiplumb, thika me gjatësi të ndryshme tehe dhe materiale të ndryshme elektronike si prova”, thuhet në njoftim.K.H. dhe gjyshi i tij janë arrestuar dhe ndaj tyre janë ngritur kallëzime penale./koha.mk

Advertisement

Continue Reading

Lajme nga vendi

Dy mashtrime brenda një dite në Negotinë, pensionistët mbeten pa 7.000 euro

Published

on

Në dy mashtrime të realizuara me sukses brenda së njëjtës ditë në Negotinë, dy banorë të moshuar të qytetit, një burrë dhe një grua, kanë mbetur pa gjithsej 7.000 euro, njofton policia.

Në rastin e parë, një 76-vjeçar nga Negotina i ka dhënë 4.000 euro një personi të panjohur, i cili ia ka kërkuar paratë me një arsyetim banal.

“Më 19.02.2026 në ora 12:30 në SPB Negotinë, një 76-vjeçar nga Negotina ka raportuar se është mashtruar nga një person për shumën prej 4.000 euro. Sipas denoncimit, personi i ka kërkuar të dëmtuarit t’i japë 4.000 euro për t’ia treguar një personi tjetër, të cilin e ka prezantuar si shtetas të huaj, me qëllim që t’i dëshmojë se euroja është valutë e vlefshme në vend. Siç është raportuar, ai ia ka dhënë paratë, ndërsa personi i ka lënë një çantë me dry që ta ruajë si dëshmi se do të kthehet. Pasi e ka hapur çantën, i dëmtuari ka kuptuar se është mashtruar”, bëjnë të ditur nga MPB.

Në mashtrimin e dytë është përdorur skema e njohur ku një mjek i rremë kërkon para për një operacion të supozuar të një familjari të viktimës.

“Më 19.02.2026 në ora 17:15 në SPB Negotinë, një 81-vjeçare nga Negotina ka raportuar se është mashtruar nga një person për shumën prej 3.000 euro. Sipas denoncimit, personi e ka kontaktuar me telefon, është prezantuar si mjek dhe i ka thënë se vajza e saj ndodhet në spital me thyerje dhe duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale, për çka duhej të paguante. Siç është raportuar, ajo i ka lënë paratë në vendin e marrëveshur, ndërsa më vonë ka kuptuar se është mashtruar”, thuhet në buletinin policor.

Advertisement
Continue Reading

Lajme nga vendi

Policia tregon se çfarë ndodhi mbrëmë në bulevardin “Ilinden” në Tetovë

Published

on

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë njoftojnë se gjatë mbrëmjes së djeshme është raportuar një sulmi fizik dhe kërcënimi me armë në fshatin Gajre, pas çka, personat A.M. (43), E.M. (20) dhe një 16-vjeçar u arrestuan nga policia e Tetovës. Ata janë kapur në automjetin “Golf”, i cili nuk kishte ndaluar në shenjën e policisë. Policia vazhdon kërkimin e L.M., person gjithashtu i dyshuar për sulmin.

“Më 20.02.2026 në SPB Tetovë, personi Z.I.(39) nga fsh. Gajre ka denoncuar se rreth orës 20.00 në fsh.Gajre është ndaluar nga personi L.M. dhe një i mitur 16-vjeçar, të cilët kanë dalë nga automjeti “Golf” me targa të Tetovës, pas së cilës me forcë e kanë futur në oborrin e një shtëpie pronë e L.M. Atje e kanë kërcënuar me armë zjarri dhe e kanë sulmuar fizikisht me send të fortë. Pas masave të ndërmarra, rreth orës 21.50 në rrugën “Ilinden” në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria A.M.(43) dhe E.M.(20) nga fsh. Gajre, të cilët janë gjetur në automjetin “Golf” i cili paraprakisht nuk kishte ndaluar në shenjën e dhënë nga policia. Në fsh.Gajre, në prani të prindit, është privuar nga liria edhe i mituri 16-vjeçar. Personat janë ndaluar në stacionin policor, ndërsa automjeti është mbajtur për kontroll. Po merren masa për gjetjen e L.M. Pas dokumentimit të plotë do të dorëzohet parashtresa përkatëse”, thonë nga Policia e Tetovës.

Continue Reading

Më të lexuarat