Lajme nga vendi
SPB ; Kronika e zezë për ditën e djeshme 26 Mars Tetovë dhe Gostivar
Dje, në ora 22:50 në rrugën rajonale Tetovë-fshati Vollkovi, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor Tetovë kanë privuar nga liria një 23-vjeçar nga fshati Zhelinë e Tetovës. Ai është kapur duke drejtuar automjetin e udhëtarëve “Volksvagen Golf” me targa të Tetovës pa pasur leje drejtimi. Automjeti është konfiskuar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.
Dje, në ora 19:15 në fshatin Kamjan të Tetovës, zyrtarë policorë nga Departamenti Policor i Kamjanit kanë ndaluar një 28-vjeçar nga po i njëjti fshat. Ai kërkohej me urdhëresë gjyqësore për vuajtje të dënimit me burg për vepër penale të kryer sipas nenit 297 të Kodit Penal. Ai është dërguar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Tetovës për vuajtjen e dënimit.
Dje, në ora 17:30 në SPB Tetovë, një 40-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 12:50 në fushën e futbollit në një shkollë fillore në Tetovë, gjatë një turneu sportiv, vajza e tij 13-vjeçare është sulmuar fizikisht nga katër nxënëse më të rritura. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
Dje, në ora 15:30 në Departamentin Policor të Tearcës është denoncuar se në periudhën nga ora 12:00 deri në ora 15:00 është hyrë në xhaminë e fshatit Sllatinë të Tetovës dhe me përdorimin e forcës dhe mjetit të fortë është hapur arka me kontribute vullnetare dhe janë marrë para. Inspektimin e vendit të ngjarjes e ka kryer ekipi nga SPB Tetovë dhe po merren masa për zbardhjen e rastit.
Dje, në ora 12:15 në një fshat të Tetovës, zyrtarë policorë nga Departamenti Policor i Zherovjanit kanë privuar nga liria një 31-vjeçar duke vepruar sipas denoncimit paraprak se rreth orës 11:45 ka sulmuar fizikisht nënën e tij 54-vjeçare dhe bashkëshortin e saj, i cili ka tentuar ta mbrojë, me çka i ka kërcënuar edhe me mjet të mprehtë. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.
Lajme nga vendi
Zgjidhen katër prokurorë të rinj për Krim të Organizuar dhe Korrupsion
Këshilli i Prokurorëve Publikë, në seancën e 40-të të sotme, vendosi të zgjedhë Engjëllushe Kadriu-Leshi, Aleksandar Markovski, Ana Gogovska-Jakimovska dhe Ana Stojkoviq-Dimitriovska si prokurorë të rinj publikë në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Kryetari i Këshillit, Bashkim Selimi, fillimisht informoi se tetë kandidatë kanë paraqitur aplikime në konkursin për pesë prokurorë publikë në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ndërsa Trajçe Pelivanov dhe Artan Ajro kanë tërhequr kandidaturat e tyre dhe nuk do të merren në konsideratë.
Pas shqyrtimit të kandidaturave, Këshilli nuk votoi për kandidatët Marija Gorgjieva, Valentina Bislimovska, Suzana Mirçeska-Kuzmanovska dhe Ivana Aleksovska-Trajçevska në një votim publik.
Prokurori Publik i Shtetit Nenad Saveski tha se nuk ka marrë pjesë në intervista, por i ka studiuar materialet për të gjithë tetë kandidatët, i njeh të gjithë dhe është i njohur me punën e tyre, duke treguar se do të votojë për tre kandidatët që nuk vijnë nga Prokuroria Publike, duke pasur parasysh, siç tha ai, qëndrimin e tij se duhet t’u jepet një shans.
Lajme nga vendi
Gjashtë vjet anëtare e NATO-s: Maqedonia e Veriut kontribuon aktivisht për paqen dhe sigurinë
Republika e Maqedonisë së Veriut u bë zyrtarisht anëtarja e 30-të e NATO-s më 27 mars 2020, duke realizuar një nga prioritetet strategjike të politikës së jashtme të vendit, raporton Anadolu.
Përkushtimi ndaj integrimit euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut daton që nga viti 1993, kur Kuvendi miratoi një Rezolutë që përcakton prioritetet e politikës së jashtme të vendit, anëtarësimin në NATO dhe BE.
Më 15 nëntor 1995, me emrin e atëhershëm, Republika e Maqedonisë nënshkroi Dokumentin Bazë për bashkimin në programin “Partneritet për Paqen” dhe në të njëjtën kohë u pranua në Këshillin e Bashkëpunimit të NATO-s, më vonë i njohur si Këshilli i Partneritetit Euro-Atlantik.
Zyra Ndërlidhëse e NATO-s në Shkup u hap më 14 qershor 1996 ndërsa Misioni i Përhershëm në selinë e NATO-s në Bruksel në fund të vitit 1997. Në samitin e NATO-s në Washington në prill 1999, Republika e Maqedonisë mori statusin e kandidatit për anëtarësim, pas së cilës filloi përgatitja dhe zbatimi i Planit të Veprimit për Anëtarësim.
Në Deklaratën përfundimtare të Samitit të NATO-s në Bukuresht më 2008, Aleanca vendosi që vendi të merrte ftesë për anëtarësim pasi të zgjidhej çështja e emrit me Greqinë. Deklaratat e samiteve të mëvonshme (Lisbonë 2010, Çikago 2012, Uells 2014 dhe Varshavë 2016) përsëritën formulimin e Bukureshtit se ftesa për anëtarësim do të dërgohej menjëherë pas arritjes së një zgjidhjeje të pranueshme reciprokisht për emrin brenda OKB-së.
– Ndryshimi i emrit të vendit për shkak të problemit me Greqinë
Megjithëse kishte ndërprerje disa-vjeçare në negociatat për zgjidhjen e çështjes së emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, ato vazhduan herë pas here.
Pas 25 vjetësh nga pranimi i Maqedonisë në OKB, Greqia dhe Maqedonia me ndërmjetësimin e OKB-së zhvilluan negociata, pas të cilave më 17 qershor 2018 u nënshkrua Marrëveshja e Prespës në fshatin grek Nivici, në bregun e Liqenit të Prespës.
Sipas marrëveshjes, e njohur si zgjidhje për emrin dhe marrëveshje për partneritet strategjik, Maqedonia do të ndryshonte emrin në “Maqedonia e Veriut”. Për këtë qëllim, në shtator 2018 u mbajt referendum në vend.
– Anëtarja e 30-të e NATO-s më 27 mars 2020
Në Samitin në Bruksel më 11-12 korrik 2018, Këshilli i Atlantikut të Veriut në nivel të kryetarëve të shteteve dhe qeverive vendosi ta ftojë Republikën e Maqedonisë së Veriut të fillonte negociatat për anëtarësim në Aleancë.
Më 18-19 tetor 2018, në një takim në selinë e NATO-s në Bruksel, Republika e Maqedonisë së Veriut përfundoi me sukses negociatat për anëtarësim.
Më 6 shkurt 2019, në selinë e NATO-s në Bruksel, përfaqësuesit e 29 vendeve anëtare, në praninë e Sekretarit të Përgjithshëm dhe ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, u nënshkrua Protokolli për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Aleancë.
Pas ceremonisë zyrtare në Bruksel, filloi procesi i ratifikimit nga të gjitha 29 vendet anëtare, i cili përfundoi më 19 mars 2020, kur Ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Washington dorëzoi instrumentin e ratifikimit të Marrëveshjes së Washingtonit, duke përfunduar kështu fazën e tretë dhe të fundit të procesit të aderimit.
Për të siguruar vijimësi të qetë të procesit të integrimit, më 11 shkurt 2020, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ratifikoi njëzëri Traktatin e Atlantikut të Veriut ndërsa më 20 mars 2020, presidenti nënshkroi instrumentin e ratifikimit të Protokollit për anëtarësim.
Më 27 mars 2020, përmes Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Washington, instrumenti për bashkimin me Traktatin e Atlantikut të Veriut u depozitua në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, duke bërë që vendi të bëhet zyrtarisht anëtar i 30-të i NATO-s.
– “Maqedonia e Veriut, një aleate e fortë dhe e çmuar”
Gjatë vizitës së tij në vend më 3 mars 2026, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e përshkroi Maqedoninë e Veriut si “aleate të fortë dhe të çmuar”, duke theksuar rritjen e angazhimit për mbrojtje, kontributin në krahun lindor të Aleancës dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën.
“Maqedonia e Veriut luan rol kyç në ruajtjen e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor”, nënvizoi Rutte, duke theksuar se NATO mbetet fuqishëm e përkushtuar për parandalimin e ndonjë vakumi të sigurisë në rajon.
“Pavarësisht sfidave të shumta të sigurisë me të cilat përballemi, siguria e Ballkanit Perëndimor mbetet prioritet për NATO-n”, shtoi ai.
Sot, Republika e Maqedonisë së Veriut kontribuon aktivisht në misionet e sigurisë të NATO-s, BE-së dhe OKB-së, në rajon dhe në botë, duke mbështetur paqen dhe sigurinë.
Roli aktiv në bashkëpunimin rajonal të sigurisë përmes Kartës SHBA-Adriatike gjithashtu konfirmon kontributin e rëndësishëm të vendit për zhvillimin e një rajoni të qëndrueshëm, të sigurt dhe ekonomikisht prosperues.
Lajme nga vendi
Dështon zgjedhja e kreut të Prokurorisë së Lartë Publike, asnjëri nga kandidatët nuk mori vota të mjaftueshme
Këshilli i Prokurorëve Publikë në seancën e sotme të 40-të nuk mori vendim për zgjedhjen e një kreu të ri të Prokurorisë së Lartë Publike – Shkup, duke pasur parasysh se asnjë nga pesë kandidatët e regjistruar nuk mori numrin e nevojshëm të votave, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në seancë, Këshilli shqyrtoi kandidaturat e Fatime Fetai, Vlladimir Milloshevski, Artan Ajro dhe Jasmina Kostovska Zdravevska, duke pasur parasysh se kandidati i pestë Aleksandar Markovski tashmë ishte zgjedhur si prokuror publik në Prokurorinë e Lartë Publike – Shkup.
Kryetari i Këshillit, Bashkim Selimi, fillimisht informoi se për vendin e lirë të punës kanë aplikuar shtatë kandidatë, dy prej të cilëve, Xhelal Bajrami dhe Trajçe Pelivanov, i kanë tërhequr kandidaturat e tyre.
Prokurori Publik i Shtetit Nenad Saveski tha se mbetet i përkushtuar t’u japë të gjithëve një shans për avancim dhe do të votojë për Jasmina Kostivska-Zdravskën.
“Një prokuror me integritet dhe aftësi, dhe si një person i njohur në këtë fushë si pozitiv dhe me qëllime të mira, këto janë karakteristika të rëndësishme për një pozicion udhëheqës”, tha Saveski.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga vendi2 months agoVLEN: Me Fetain në krye, nis goditja reale ndaj pasurisë së paligjshme

