Lajme nga vendi
BDI: ETHET E NILIT PERËNDIMOR – DËSHTUAN INSTITUCIONET!
BDI përmes një konference për media ka ngritur shqetësime lidhur me për përkeqësimin serioz të situatës me virusin e Nilit Perëndimor në vend. Sipas tyre, janë regjistruar 38 raste dhe katër viktima. Tridhjetë e shtatë nga të prekurit janë nga rajoni i Shkupit. Integristët dolën me akuza se institucionet reaguan me vonesë, kurse thonë se paralajmërimet ekzistonin, por ka dështuar zbatimi i masave, koordinimi ndërmjet institucioneve dhe kontrolli i komunave. BDI doli me disa kërkesa.
1. Aktivizimin e menjëhershëm të Planit Kombëtar për përballjen me virusin e Nilit Perëndimor.
2. Mbikëqyrje të përforcuar epidemiologjike dhe kontroll sistematik të mushkonjave, veçanërisht në zonat me rrezik të shtuar.
3. Koordinim të qartë ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit dhe Qendrave të Shëndetit Publik, komunave, institucioneve veterinare dhe atyre mjedisore.
4. Informim të rregullt të publikut për numrin e të prekurve, zonat me rrezik dhe masat që po ndërmerren.
5. Publikimin e të gjitha kontratave për dezinsektim, kompanive të angazhuara, shumave të paguara, datave të spërkatjes dhe zonave të trajtuara.
Publiku duhet të dijë kush ka vepruar, kush ka dështuar dhe ku kanë përfunduar paratë publike.
I bëjmë thirrje qytetarëve të përdorin mjete kundër mushkonjave, të veshin rroba që mbulojnë duart dhe këmbët, të vendosin rrjeta në dritare dhe të largojnë ujin e ndenjur nga oborret, ballkonet dhe enët.
Pas 38 rasteve dhe katër jetëve të humbura, Qeveria nuk ka më hapësirë për vonesa dhe improvizime.
Nevojiten masa urgjente, transparencë e plotë dhe përgjegjësi.
Lajme nga vendi
Përfundoi hetimi pesëvjeçar për spitalet modulare: Prokuroria nuk konstatoi keqpërdorim në furnizimin dhe ndërtimin
Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e ka mbyllur lëndën për prokurimet publike për ndërtimin e 19 spitaleve modulare në vend. Prokurorja Verica Berxhecka, në një brifing me gazetarët sot, tha se nuk ekziston dyshim i bazuar për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare gjatë procedurave të prokurimit publik.
Lënda ishte hapur më 10 shtator 2021, pas marrjes së informacionit nga burime publike, pas ngjarjes tragjike në qendrën Covid në Tetovë.
Në atë kohë, Prokuroria kishte njoftuar se do të kontrollonte dokumentacionin për prokurimin dhe ndërtimin e të gjitha spitaleve.
Është analizuar dokumentacion i gjerë dhe kompleks, ndërsa lënda, e cila fillimisht ishte te prokurorja Vilma Ruskoska, përmes Elizabeta Josifovskës përfundoi te Berxhecka.
Zjarri në spitalin modular në Tetovë ndodhi më 8 shtator 2021, ku jetën e humbën 14 persona, ndërsa rreth dhjetë të tjerë u lënduan.
Prokuroria ka shqyrtuar edhe dokumentacionin lidhur me aktivitetet e Bankës Botërore pas zjarrit në spitalin modular në Tetovë. Në tetor të vitit 2021, u vizituan objektet në Gostivar, Strugë, Prilep, Veles dhe Shtip, ku u kontrollua përputhshmëria me standardet e projektit, siguria dhe mbrojtja nga zjarri.
Sipas dokumentacionit të mbledhur, ekipi i Bankës Botërore ka konfirmuar se procedura e prokurimit ishte zhvilluar në përputhje me rregullat në fuqi të bankës dhe se mallrat e dorëzuara përputheshin me specifikimet teknike të përcaktuara.
Pas analizimit të të gjitha provave dhe kontrolleve të kryera, Prokuroria nuk ka konstatuar fakte që do të tregonin se ndonjë zyrtar e ka keqpërdorur ose tejkaluar pozitën dhe autorizimet zyrtare, apo se nuk e ka kryer detyrën zyrtare me qëllim për të siguruar përfitim të konsiderueshëm pasuror ose për të shkaktuar dëm të konsiderueshëm.
Për këtë arsye, prokurori publik kompetent ka vlerësuar se faktet e konstatuara nuk përmbushin elementet ligjore të veprës penale „Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar“.
Si rrjedhojë, është konstatuar se nuk ka bazë për dyshim për vepër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare dhe se nuk ka bazë për vazhdimin e procedurës së mëtejshme nga Prokuroria Publike për këtë lëndë.
Lajme nga vendi
FILIPÇE: SËRISH DO TË KËRKOJMË PAGË MINIMALE PREJ 600 EUROVE!
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në konferencën e sotme për shtyp kritikoi ashpër politikat ekonomike të Qeverisë, duke vlerësuar se treguesit statistikorë që prezanton kryeministri Hristijan Mickoski nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në të cilën jetojnë qytetarët. Filipçe tha se Qeveria ka hyrë në vitin e tretë të mandatit pa rezultate në fusha kyçe si ekonomia, shëndetësia, arsimi dhe bujqësia. LSDM-ja sërish do të dorëzojë në Kuvend një propozim-ligj me të cilin kërkon që paga minimale të rritet në 600 euro.
“Sërish në fillim të shtatorit, kur të nis me punë Kuvendi do ta dorëzojmë propozimligjin me të cilin paga minimale do të kërkojmë të jetë 600 euro. Jo 25.000 apo 26.000 sa që është tani, por aq sa u nevojiten njerëzve që t`i arnojnë nevojat themelore, vecanërisht kur nis edhe viti shkollor. Nëse treguesit ekonomikë janë aq pozitivë sa pretendon Qeveria, atëherë rritja e pagës minimale në 600 euro duhet të jetë një nga masat e para. Përveç rritjes së pagës minimale në 600 euro, do të kërkojmë, në përputhje me atë që ne e kemi punuar dhe realizuar në Qeverinë tonë, madje që në dy vitet e para, rritjen e pagave në disa sektorë. Pagat bazë të specialistëve, mjekëve në shëndetësi, të rriten për 40%, si dhe me të njëjtën përqindje për të punësuarit në arsim.Qeveria e udhëhequr nga Hristijan Mickoski tashmë ka hyrë në vitin e tretë të punës së saj dhe në asnjë fushë ne nuk shohim rezultate. Nuk shohim rezultate në ekonomi, në shëndetësi, në arsim dhe në bujqësi“
Lajme nga vendi
DEKLARATAT PËR ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME “NDEZIN” RETORIKËN POLITIKE!
Shumica parlamentare është e fokusuar në punë, por nuk përjashtohet mundësia t’i përgjigjet kërkesës së opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare, deklaroi kryeministri.
Ai tha se koalicioni qeveritar ka legjitimitetin për një mandat të plotë katërvjeçar dhe nuk mendon për zgjedhje të parakohshme.
Sipas tij, qytetarët nuk duan zgjedhje, por edhe nëse ka të tilla, ai është i sigurt në fitore të partive që aktualisht formojnë shumicën parlamentare.
HRISTIJAN MICKOSKI – “Qytetarët nuk duan zgjedhje, ata duan reforma dhe vazhdimësi të proceseve që po i udhëheq kjo Qeveri. Ne si koalicion kemi fituar legjitimitet nga qytetarët që të jemi në Qeveri për katër vite. Ajo që unë e thashë, po e përsëris. Nëse opozita mendon se na duhen zgjedhje të parakohshme dhe kërkon, ne nuk do të qëndrojmë anash si frikacakë, por do t’i përgjigjemi asaj sfide dhe kuptohet, do t’i fitojmë”.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj këtyre deklaratave. Nga BDI thonë se janë të gatshëm dhe se presin caktimin e zgjedhjeve në afatin sa më të shpejtë, për më tepër, ata kërkojnë edhe shpërndarjen e menjëhershme të Kuvendit.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM-“Kërkojmë që brenda ditëve të përcaktohet afati më i shpejtë kushtetues, të fillojnë përgatitjet zgjedhore dhe qytetarëve t’u jepet mundësia të vendosin për drejtimin e vendit. Nëse oferta e kryeministrit është serioze, nuk ka arsye për vonesa, arsyetime apo kalkulime politike. Opozita e ka dhënë përgjigjen e saj. BDI është e gatshme. Le të shpërndahet Kuvendi. Le të caktohet data. Le të shkojmë në zgjedhje”.
Me reagim ka dalë edhe VLEN, nga ku thonë se opozita e ka lodhur BDI-në. Sipas VLEN, BDI-ja nuk di të funksionojë pa pushtet dhe vlerësojnë se ekzistenca e BDI-së lidhet ngushtë keqpërdorimin e pushtetit dhe me tenderë.
VLEN-“Për VLEN-in është e rëndësishme që të sigurojmë vazhdimin e ndërtimit të Korridorit 8, ndërtimin e rrugës Shkup – Bllacë që fillon për disa ditë dhe ndërtimin e rrugës Tetovë – Prizren, që po punohet intensivisht. Por, kurdo që të ketë zgjedhje, BDI do të përfundojë e poshtëruar nga shqiptarët, ashtu siç i ndodhi në zgjedhjet lokale para 1 viti. Shqiptarët nuk kthehen më prapa. Nuk i besojnë më një kaste të korruptuar, një politike të vjetëruar e cila në vend se të përfaqësojë shqiptarët, pasuroi disa individë. Koha e BDI-së ka mbaruar”.
Në debatin për zgjedhje të parakohshme është përfshirë edhe Aleanca për Shqiptarët. Edhe ata kërkojnë caktimin e datës së zgjedhjeve.
ALEANCA PËR SHQIPTARËT- Jemi të gatshëm që që sot të ulemi dhe ta caktojmë datën e zgjedhjeve. Nuk ka nevojë për taktizime, prolongime apo kalkulime politike. Qytetarët duhet të kenë mundësinë të japin vlerësimin e tyre për drejtimin në të cilin po ecën vendi dhe për mënyrën se si po qeveriset. Sa më shpejt të mbahen zgjedhjet, aq më mirë për vendin, për qytetarët dhe për të ardhmen tonë. Le të vendosin qytetarët!
Kjo nuk është hera e parë që partitë politike në pozitë dhe opozitë përplasen mbi kërkesën e zgjedhjeve të parakohshme. Qeveria aktualisht ka mandat deri në vitin 2028./Tv Koha – Shkup
-
Lajme nga vendi3 weeks agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga vendi2 months agoZv/kryeministri Bekim Sali: Suedia mbetet mbështetëse e fuqishme e perspektivës sonë evropiane
-
Lajme nga vendi1 month agoKronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 08 Korrik

