Lajme nga vendi
TETOVA E SIGURT, NUK KA TENSIONE NDËRETNIKE, INCIDENTET TË IZOLUARA!
Gjendja e sigurisë në Tetovë është stabile dhe nuk bëhet fjalë për kurrfarë tensionesh ndëretnike, por për konflikte të izoluara mes tifozëve. Kjo është një dukuri me të cilën përballen edhe qytete të tjera në vend dhe në rajon, por në Tetovë merr më shumë vëmendje për shkak të mjedisit multietnik.
Ky është konkluzioni i përbashkët i takimit ndërinstitucional të punës, kushtuar parandalimit dhe trajtimit të delikuencës së të miturve.
Takimi u organizua pas zhvillimeve dhe incidenteve të fundit, në të cilat ishin përfshirë tifozë të mitur të dy klubeve të futbollit nga Tetova.
Në takim morën pjesë kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, përfaqësues të Sektorit për Punë të Brendshme Tetovë, të Këshillit për Parandalimin e Delikuencës së të Miturve, të Qendrës për Punë Sociale në Tetovë, si dhe drejtorët e të gjitha shkollave fillore dhe të mesme në territorin e komunës.
“Gjendja e sigurisë në Tetovë është stabile dhe se nuk bëhet fjalë për kurrfarë tensionesh ndëretnike, por për konflikte të izoluara mes tifozëve – dukuri me të cilën ballafaqohen edhe qytete të tjera anembanë vendit dhe rajonit, por që në Tetovë reflektohet më shumë për shkak të mjedisit multietnik. Në këtë drejtim, institucionet dërguan një apel të përbashkët drejtuar opinionit, mediave dhe faktorëve politikë që të përmbahen nga përhapja e dezinformatave, keqpërdorimi politik i ngjarjeve të tilla dhe nxitja artificiale e tensioneve që realisht nuk ekzistojnë në këtë rajon”
Kjo çështje u aktualizua pas një serie videosh me përmbajtje të dhunshme, të publikuara në grupe të specializuara në platformën TikTok. Në to shihen të mitur duke ndjekur dhe keqtrajtuar bashkëmoshatarët e tyre, ndërsa incidentet i incizojnë dhe më pas i publikojnë në rrjetet sociale.
Në takim u dakorduan edhe disa hapa konkretë për periudhën në vijim. Ndër to janë shkëmbimi i vazhdueshëm i informacioneve mes SPB-së Tetovë, Qendrës për Punë Sociale dhe institucioneve arsimore, me qëllim identifikimin e hershëm të sjelljeve me rrezik te të rinjtë.
Gjithashtu, parashihen ligjërata dhe fushata të përbashkëta në shkollat fillore dhe të mesme për tifozërinë me frymë të fair-play-it, tolerancën dhe pasojat ligjore të cenimit të rendit dhe qetësisë publike. Do të organizohen edhe takime me këshillat e prindërve dhe drejtuesit e klubeve sportive lokale, për të ngritur vetëdijen dhe përgjegjësinë e përbashkët për sigurinë e të rinjve.
Për sulmet ndaj fëmijëve në Tetovë kishte reaguar edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili theksoi se për këto raste duhet të mbajnë përgjegjësi si sulmuesit, ashtu edhe prindërit e tyre.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 12 Nëntor
Dje, në orën 20:35, në fshatin Çegran të Gostivarit, punonjësit e policisë nga Zyra e Jashtme për Punë Kriminalistike Gostivar kanë privuar nga liria një 26-vjeçar nga fshati Çegran. Gjatë kontrollit në një automjet të tipit “Mitsubishi” me targa të Gostivarit, të cilin e drejtonte ai, është gjetur dhe sekuestruar një substancë pluhur e bardhë. Më vonë, me urdhër të gjykatës, është kryer kontroll në shtëpinë e tij, ku gjithashtu është gjetur dhe sekuestruar substancë pluhur e bardhë. Gjatë ndërmarrjes së veprimeve zyrtare, para shtëpisë, me një automjet pasagjerësh “BMV” me targa të Gostivarit janë afruar dy persona të dy nga fshati Çegran, të cilët me automjet janë tentuar të shtypin punonjësit e policisë dhe u kanë drejtuar kërcënime për jetën, pas së cilës janë larguar, por shpejt, pas masave të ndërmarra, janë gjetur dhe janë privuar nga liria.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të pasojnë kallëzimet përkatëse.
…….
Dje, në orën 15:10, në SPB Tetovë, nga Qendra Mjekësore e Gostivarit është raportuar se tek ata është sjellë me lëndime të rënda trupore një 52-vjeçar nga fshati Debresh i Gostivarit. Sipas raportimit, ai i ka marrë lëndimet gjatë rrëzimit nga një shkallë ndërsa ka qenë duke punuar në një shtëpi në fshatin Debresh. Inspektim ka kryer një ekip nga DPB Gostivar.
……
Dje, në orën 15:30, në fshatin Sërmnovë të Gostivarit, punonjësit e policisë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria një 23 vjeçar nga Gostivari dhe dhe një 23 vjeçar tjetër nga fshati Sërmnovë, Gostivar, sepse gjatë kontrollit tek ata është gjetur dhe sekuestruar marihuanë. Ata janë ndalur në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tyre do të pasojë parashtresë përkatëse.
……
Dje, në orën 22:10, në rrugën “JNA” në Tetovë, punonjësit e policisë të SPB Tetovë kanë privuar nga liria dy persona të moshës 40 dhe 46 vjeçare, të dy nga Tetova. Ata janë kapur në flagrancë duke bërë blerje-shitje të një substance pluhur të bardhë, kurse pas kontrollit të kryer ndaj tyre janë gjetur dhe sekuestruar substancë pluhur dhe para. Ata janë ndalur në stacionin policor për procedurë të mëtejshme dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tyre do të pasojë parashtresë përkatëse.
…….
Dje, në orën 23:55, në SPB Tetovë është raportuar se në fshatin Bërvenicë të Tetovës ka shpërthyer zjarr në një shtëpi në pronësi të një 77-vjeçari. Persona të lënduar nuk ka, kurse zjarri është shuar nga Njësia Territoriale Kundërzjarrfikëse e Tetovës. Inspektim në vendngjarje ka kryer një ekip nga SPB Tetovë.
……
Pas mesnate, në orën 01:45, në SPB Tetovë, nga Spitali Klinik i Tetovës është raportuar se tek ata janë sjellë me lëndime të rënda trupore nga një mjet i mprehtë një 48-vjeçar nga fshati Bërvenicë dhe një 50-vjeçar nga fshati Saraqinë e Tetovës. Sipas raportimit, ata i kanë marrë lëndimet gjatë një tentimi në një kazino në Tetovë për të ndarë disa persona nga fshati Xhepçisht dhe fshati Trebosh, të cilët kanë prishur rendin dhe qetësinë publike me një përleshje fizike mes vete. Për shkak të seriozitetit të lëndimeve, njëri është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ndërsa tjetri është ndalur për mjekim në Spitalin Klinik të Tetovës. Lidhur me ngjarjen, në orën 03:45 është privuar nga liria një 34-vjeçar nga fshati Trebosh, i punësuar në kazino, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “ndihmë” në lidhje me dhunën. Statusin e personit të privuar e ka edhe një person tjetër, i cili për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore është ndalur nën mbikëqyrje policore në Spitalin Klinik të Tetovës. Ndërkaq, sot në mëngjes në orën 08:50, në Stacionin Policor Tetovë janë vetëparaqitur dy persona dhe janë ndalur për procedurë të mëtejshme. Pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit, do të pasojnë kallëzimet përkatëse.
Lajme nga vendi
Buxheti 2027: 123,8 miliardë denarë për pensionet, 3,9 miliardë shtesë për shëndetësinë
Komisioni parlamentar për Financim dhe Buxhet nis sot shqyrtimin në lexim të dytë të Propozim-buxhetit për vitin 2027, për të cilin janë dorëzuar mbi 300 amendamente. Debati do të zgjasë dhjetë ditë.
Shteti planifikon të ardhura prej 395,4 miliardë denarësh dhe shpenzime prej 440,4 miliardë denarësh, ndërsa deficiti parashikohet në 45 miliardë denarë ose 3,5 për qind të BPV-së.
Për pensionet janë ndarë 123,8 miliardë denarë, ndërsa për shëndetësinë parashikohen 3,9 miliardë denarë më shumë se këtë vit. Investimet kapitale arrijnë në 40,8 miliardë denarë, kurse komunat pritet të përfitojnë rreth 36 miliardë denarë.
Për shlyerjen e borxhit publik janë planifikuar 124,6 miliardë denarë, përfshirë euroobligacionin prej 500 milionë eurosh që maturohet në vitin 2027.
Qeveria planifikon vazhdimin e projekteve infrastrukturore në Korridorin 8, autostradat Kërçovë–Bukojçan, Kërçovë–Ohër dhe Shkup–Bllacë, si dhe investime në hekurudha dhe rrugë lokale.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, deklaroi se synimi është ruajtja e stabilitetit financiar dhe ulja graduale e deficitit buxhetor.
Lajme nga vendi
MPB paralajmëron: Kujdes nga SMS-të mashtruese për gjobat e trafikut
Ministria e Punëve të Brendshme ka paralajmëruar qytetarët për shtimin e mesazheve mashtruese përmes SMS-ve, postës elektronike dhe rrjeteve sociale, përmes të cilave kërkohet pagesa e kundërvajtjeve të supozuara rrugore të regjistruara nga sistemi “Qyteti i Sigurt”.
Sipas MPB-së, bëhet fjalë për mashtrime të llojit “phishing”, ku qytetarëve u dërgohen mesazhe me linqe të rreme, përmes të cilave kërkohet që të fusin të dhënat e tyre personale dhe bankare. Qëllimi i këtyre veprimeve është keqpërdorimi i informacioneve dhe mjeteve financiare të qytetarëve. MPB-ja u bën apel qytetarëve që të mos hapin linqe të dyshimta dhe të mos vendosin të dhënat e kartelave bankare, fjalëkalimet apo informacione të tjera personale në ueb-faqe të paverifikuara. Gjithashtu, qytetarët këshillohen të mos kryejnë pagesa përmes linqeve të pranuara në mesazhe të dyshimta.
Nga Ministria rikujtojnë se njoftimet zyrtare me SMS për kundërvajtjet rrugore nga sistemi “Qyteti i Sigurt” dërgohen ekskluzivisht nga dërguesi “MVR-SC“ dhe përmbajnë detyrimisht targën e automjetit me të cilin është kryer kundërvajtja. Ndërkaq, linku zyrtar për informacione dhe pagesën e kundërvajtjeve është: http://safecountry.mvr.gov.mk. Sektori për Krim Kompjuterik pranë MPB-së, ndërkohë, po ndërmerr masa dhe veprime për zbulimin dhe sanksionimin e personave të përfshirë në këto mashtrime.
MPB-ja u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të verifikojnë çdo njoftim para se të ndërmarrin ndonjë veprim. përcjell Zhurnal.mk .
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13
-
Lajme nga vendi2 months agoSot protestohet në Shkup për katërshen e UÇK-së

