Lajme nga vendi
Pa bullgarët në Kushtetutë, pa përparim drejt BE-së? Siljanovska kundër ndryshimeve të reja!
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova ka kundërshtuar ndryshimet e shpeshta kushtetuese nën ndikimin e faktorit ndërkombëtar, ndërkohë që përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë mbetet kusht për avancimin e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së.
Në 35-vjetorin e Kushtetutës, ajo deklaroi se 21 nga 36 amendamentet kushtetuese janë miratuar nën ndikimin ndërkombëtar, duke vlerësuar se ndërhyrjet e vazhdueshme e dobësojnë rëndësinë e aktit më të lartë juridik.
Siljanovska-Davkova kërkoi përfshirjen e ekspertëve në shqyrtimin e ndryshimeve të ardhshme kushtetuese.
Ndërkohë, ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve vazhdojnë të jenë kusht për përparimin e procesit eurointegrues./Slloboden Peçat
Lajme nga vendi
Protestë para Gjykatës Civile, sindikatat kërkojnë zgjidhje për punëtorët
Lajme nga vendi
Pa ndihma në mes të nëntorit, qytetarët në hall: Rrezikojnë të mbesin pa barna, ushqim dhe ngrohje
Edhe pse ka kaluar gjysma e muajit nëntor, përfituesit e ndihmës financiare për kujdesin ndaj personit tjetër në Maqedoninë e Veriut ende nuk i kanë marrë pagesat mujore.
Qytetarët që varen nga kjo ndihmë shprehin shqetësimin e tyre për vonesën, duke theksuar se bëhet fjalë për një kategori veçanërisht të ndjeshme të shoqërisë, për të cilën këto mjete janë të domosdoshme për përballimin e nevojave të përditshme. Sipas reagimeve të tyre, vonesa në ekzekutimin e pagesave rrezikon t’ua vështirësojë edhe më shumë sigurimin e barnave, ushqimit dhe ngrohjes, sidomos në këtë periudhë kur temperaturat kanë filluar të ulen. Për shumë familje, kjo ndihmë nuk është thjesht një përkrahje financiare, por një burim i rëndësishëm për mbijetesën dhe përballimin e shpenzimeve bazë. Përfituesit kërkojnë nga institucionet kompetente që të sqarojnë arsyet e vonesës dhe të mundësojnë sa më shpejt ekzekutimin e pagesave. Deri më tani, mbetet e paqartë se kur do të realizohet pagesa e plotë për këtë kategori qytetarësh. tema-mk
Lajme nga vendi
Sot ulje e re e çmimit të naftës në tregjet botërore
Çmimet e naftës sot shënuan një ulje të re në tregjet botërore, pasi u publikuan të dhëna që tregojnë se rezervat e naftës së papërpunuar dhe karburanteve në SHBA janë rritur gjatë javës së kaluar. Megjithatë, rënia e çmimeve u kufizua për shkak të vazhdimit të sulmeve mes SHBA-së dhe Iranit, si dhe problemeve me transportin e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit. Sipas të dhënave më të fundit nga tregjet, kontratat e së ardhmes (futures) të naftës së papërpunuar “Brent” u ulën për 61 centë, përkatësisht për 0,7 për qind, duke arritur çmimin prej 92,53 dollarë për fuçi në orën 05:50 sipas Grinuiçit.
Njëkohësisht, rënie shënoi edhe nafta referente amerikane WTI. Kontratat e saj u liruan për 1,24 dollarë, ose për 1,4 për qind, me ç’rast çmimi zbriti në 84,77 dollarë për fuçi.
Analistët theksojnë se tregu i naftës aktualisht ndodhet nën ndikimin e dy rrethanave të kundërta. Nga njëra anë, rezervat e rritura të naftës dhe karburanteve në SHBA krijojnë presion për uljen e çmimeve, ndërsa nga ana tjetër, tensionet gjeopolitike dhe pengesat në transportin e naftës e mbajnë të lartë pasigurinë në treg.
Vandana Hari, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e kompanisë “Vanda Insights”, shpjegon se nafta e papërpunuar është nën ndikimin e vlerës së shtuar të vazhdueshme që krijon rreziku gjeopolitik, veçanërisht për shkak të sulmeve ndaj cisternave (tankerëve) dhe përshkallëzimit të përplasjeve mes SHBA-së dhe Iranit.
Në të njëjtën kohë, disponimi në treg po bëhet gjithnjë e më negativ për shkak të parashikimeve të analistëve se mund të shfaqet një tepricë e konsiderueshme e ofertës së naftës në raport me kërkesën.
Pikërisht këta faktorë krijojnë lëvizje të kundërta në tregjet botërore, për shkak të së cilës çmimet e naftës vazhdojnë të mbeten të ndjeshme ndaj informacioneve të reja për gjendjen e rezervave, zhvillimet gjeopolitike dhe transportin përmes njërit prej korridoreve më të rëndësishme detare në botë – Ngushticës së Hormuzit.(INA)

