Lajme nga vendi
Përfaqësuesit ndërkombëtarë me thirrje për miratimin e ndryshimeve kushtetuese
Procedura për ndryshime kushtetuese, sipas paralajmërimeve të fundit, do të fillonte më së voni në qershor-korrik të këtij viti, ndërsa thirrje për miratimin e tyre dhe zhbllokimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian u bënë dje edhe nga përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Opozita VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, mbetet në qëndrimin për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke thënë se askush nuk ka marrë mandat në zgjedhje për të ndryshuar Kushtetutën. Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët vijon konsultimet e brendshme nëse do të bëhet pjesë e shumicës qeveritare, për të cilën do të marrë vendimin përfundimtar të premten.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, tha dje se procedura për ndryshime kushtetuese duhet të fillojë më së voni në qershor-korrik të këtij viti, për të përfunduar deri në nëntor, kur përfundon edhe skriningu nga BE-ja.
Xhaferi tha se nuk mendon se zgjedhjet do ta zgjidhin problemin e mospasjes së votave të mjaftueshme (80) për ndryshimet kushtetuese, por se kjo do ta komplikojë tërë çështjen. Për mënyrën e tejkalimit të problemit me shumicën, kryetari i Kuvendit thotë se qeveria dhe opozita duhet të ulen të bisedojnë.
“Zgjedhjet mund t’i shpall vetëm në momentin kur partitë politike bien dakord për shpërndarjen e Kuvendit ose kur mbaron mandati në 90 ditët e fundit. Në kushte të tjera, palët duhet të dalin me propozim të duhur”, tha Xhaferi.
Ambasadorja e SHBA-së, Anxhela Prajs Ageler, dje nga Gostivari se duhet të miratohen ndryshimet kushtetuese që vendi të shkojë përpara.
Sipas saj, deputetët duhet të votojnë që të ketë përparim.
“E di që është e vështirë, por duhet të miratohen amendamentet kushtetuese, që e di se nuk është saktë një hap i dashur dhe i njohur, por është e domosdoshme për një hap përpara. Deputetët duhet të votojnë për ndryshimet kushtetuese, në mënyrë që vendi të ecë përpara me diskutimet dhe procesin për integrim dhe anëtarësim në BE. Sipas mendimit tim, është thelbësore, sepse aty qëndron e ardhmja e suksesshme e këtij vendi”, tha Ageler, duke iu përgjigjur pyetjeve në panelin e diskutimit “Të flasim për sfidat dhe të ardhmen e Maqedonisë së Veriut” që u mbajt në Qendrën Rinore në Komunë (YCC).
Mesazh për ndryshimet kushtetuese që janë parakusht për vazhdimin e negociatave ka dërguar edhe ambasadorja suedeze Ami Larson Xhain.
Marrëveshja e arritur me ndërmjetësimin e Francës e cila solli hapjen e negociatave qasëse me Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar, përfshinte detyrimin për ndryshimin e Kushtetutës. Kuptohet se është e rëndësishme që të zbatohen detyrimet në mënyrë që të shihet si në një partner të besueshëm dhe të ecet përpara në procesin e inkuadrimit, thotë ambasadorja e Suedisë në vend, Ami Larson Xhain.
“Maqedonia e Veriut pati një fillim impresionues të procesit të shqyrtimit i cili filloi vitin e kaluar. Përpjekjet e reformave të brendshme janë kyçe për vazhdimin e këtij progresi, me përkushtim të vërtetë nga të gjitha palët e prekura, llogaridhënie, transparencë dhe profesionalizëm.
Sipas kryeministrit Dimitar Kovacevski dhe shefit të Delegacionit të BE-së në vend, Dejvid Gir viti 2023 është një vit i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut në aspektin e progresit në rrugën evropiane, për të cilën është i nevojshëm kohezioni rreth realizimit të këtij qëllimi strategjik shtetëror.
Ata dje në takim vlerësuan se situata gjeostrategjike e tregoi nevojën e orientimit të qartë politik të të gjithë Ballkanit Perëndimor, ku rajoni i takon gjeografikisht. Se për këtë ka vetëdije në Bashkimin Evropian dhe pas 17 viteve të statusit kandidat dhe hapjes së negociatave në korrik të vitit të kaluar, ky është një moment që Republika e Maqedonisë së Veriut këtë vit nuk duhet ta humbasë.
Kryeministri Kovaçevski theksoi se Qeveria punon në përballjen me sfidat e krizës ekonomiko-energjetike, për reformat e nevojshme dhe me sjellje evropiane në marrëdhëniet e mira fqinjësore.
Shprehu besueshmërinë se nuk do të lejojë, provokimet që vijnë nga palët e treta të dëmtojnë agjendën evropiane të shtetit dhe marrëdhëniet e ndërsjella me Republikën e Bullgarisë.
Sipas kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, zgjedhjet janë mënyra e vetme që qytetarët të thonë se si mendojnë se duhet të lëvizë shteti në periudhën e ardhshme.
“Në zgjedhjet e fundit në Maqedoni askush nuk ka marrë mandat për ndryshimin e Kushtetutës, asnjë parti nuk e ka paraqitur këtë në programin e saj. Prandaj mendoj se zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja mënyrë që qytetarët të thonë se çfarë mendojnë dhe si mendojnë se Maqedonia duhet të lëvizë në periudhën e ardhshme, tha Mickoski në një intervistë për “Politika” serbe, i pyetur pse nuk pajtohet me ndryshimin e Kushtetutës dhe kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
Sipas njoftimit të kreut të ASH-së, Arben Taravari, vendimi për hyrjen e mundshme të kësaj partie në Qeveri do të merret të premten, kur është caktuar takimi me kryesinë qendrore.
Sipas Taravarit Aleanca për Shqiptarët (ASH) është e gatshme të shkojë në zgjedhje të parakohshme në qershor ose shtator të këtij viti, por vetëm nëse merr garanci prej subjekteve politike, duke e përfshirë edhe VMRO-DPMNE-në, se do të fillojë procesi për ndryshime kushtetuese dhe në këtë rast nuk do të hyjë në Qeveri. Nëse, i merr garancitë se mund të arrihet numri prej 80 votash, atëherë do të fillojë negociatat për të hyrë në Qeveri.
Siç tha mbrëmë kryetari i ASH-së, Arben Taravari, Aleanca për Shqiptarët akoma është parti opozitare dhe akoma është në lojë. Në parti ka qëndrime pro dhe kontra. Të premten, kryesia qendrore do të vendosë nëse do të bëhen pjesë e Qeverisë.
Sipas Taravarit, të qarta janë mesazhet nga përfaqësuesit ndërkombëtarë – se ndryshimet kushtetuese duhet të sillen që vendi të shkojë përpara.
“Të hysh në Qeveri me skandale është e vështirë dhe kjo mund të na reflektohet në rejting, por ndonjëherë qytetarët dhe shoqëria janë më të rëndësishme se partia. Nëse kemi garanci se mund të arrihet numri prej 80 votash, atëherë mund të fillojmë me negociata, nëse jo, do të mendojmë edhe ne. Nuk dëshirojmë ta rrezikojmë rejtingun tonë. Por, i shikoni mesazhet e të gjithë aktorëve relevantë – të gjithë thonë është mirë që vendi së bashku me Shqipërinë t’i vazhdojë negociatat”. Nëse Qeveria e konfirmon se mund t’i sigurojë 80 vota, ky është kusht. Le të bëjmë konsensus se jemi duke e hapur Kushtetutën dhe atëherë po të shkojmë në zgjedhje të parakohshme në qershor ose shtator, në këtë rast nuk hyjmë në Qeveri. Do të thotë, nuk do të bënim hapa rrezikues nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse kemi garanci nga VMRO-DPMNE se do t’i fillojmë ndryshimet kushtetuese, t’i kalojmë të dyja fazat dhe në qershor apo shtator të shkojmë në zgjedhor. Së bashku të gjejmë zgjidhje, t’i gjejmë 80 vota dhe t’i fillojmë negociatat”, tha Taravari në pjesëmarrjen e sontme në TV Sitell.
Nga Alternativa, një nga partnerët më të vegjël të koalicionit në qeveri, besojnë se nuk ka nevojë të negociohet me ASH-në, ndërsa roli i kësaj partie në Qeveri, sipas tyre, do të ishte “të zbusë ndarjen në BDI”. Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik ka paralajmëruar mbështetje për rindërtimin e Qeverisë vetëm nëse sigurohet përfaqësim adekuat dhe i drejtë i të gjitha bashkësive etnike, që është në përputhje me amendamentin 6 të Kushtetutës.
Pas takimit të djeshëm të kryeministrit Dimitar Kovaçevski me partnerët e koalicionit, kryetarja e PLD-së dhe deputetja Monika Zajkova ka konfirmuar se është biseduar edhe për mundësinë e konsolidimit të shumicës qeveritare. Sipas Zajkovës, nëse do ta mbështesin Aleancën për Shqiptarët për të hyrë në koalicion qeveritar do të varet nga qëllimet programore të atij koalicioni.
Kryetari i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, në një deklaratë për media para fillimit të takimit me partnerët e koalicionit, tha se mbeten në qëndrimin për zgjerimin e mundshëm të shumicës parlamentare, se do të mbështesin rindërtimin e Qeveria vetëm nëse sigurohet përfaqësim adekuat dhe i drejtë i të gjitha bashkësive etnike, e cila theksohet se është në përputhje me Kushtetutën dhe amendamentin 6.
Lajme nga vendi
Paralajmërohen pensionistët: Pensionet nga shtatori do të rriten në përputhje me harmonizimin e përcaktuar me ligj
Pensionet nga shtatori do të rriten në përputhje me harmonizimin e përcaktuar me ligj, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me rritjen e të ardhurave të pensionistëve.
Sipas tij, vendimi merret me qëllim të mbrojtjes së pensionistëve dhe pensioneve të tyre. Mickoski tha se pas rritjeve lineare të bëra më herët, individë të nxitur nga partitë opozitare kishin iniciuar procedura në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e tyre.
Për këtë arsye, sipas tij, rritja e ardhshme e pensioneve do të bëhet vetëm përmes harmonizimit të rregullt të përcaktuar me ligj.
“Po, do të ketë harmonizim të rregullt, në përputhje me ligjin. E dini se kishte iniciativa nga individë, të nxitur në prapavijë nga parti politike, për të ngritur para Gjykatës Kushtetuese çështjen e rritjes lineare të pensioneve. Për t’i mbrojtur pensionistët dhe pensionet, në të ardhmen rritja do të bëhet në përputhje me harmonizimet e përcaktuara me ligj”, deklaroi Mickoski gjatë vizitës në Drejtorinë për Punë Hidrometeorologjike.
Sipas kryeministrit, shuma e saktë e rritjes së pensioneve ende nuk është përcaktuar, pasi përllogaritjet janë në proces.
“Jo, ende nuk dihet. Po përllogaritet dhe do të dihet shumë shpejt”, tha Mickoski.
Pensionet harmonizohen dy herë në vit, më 1 mars dhe më 1 shtator. Sipas ligjit, në përllogaritje marrin pjesë në mënyrë të barabartë rritja e pagës mesatare të paguar dhe rritja e kostos së jetesës.
Gjatë dy viteve të fundit, pensionistët kanë përfituar rritje lineare prej 7.000 denarësh të pensioneve, raportojnë mediat maqedonase.
Lajme nga vendi
VLEN: Cili prokuror i ka ofruar marrëveshje Grubit
Nga VLEN thonë se pas seancës së parë gjyqësore ndaj Artan Grubit që u mbajt dje, gjithnjë e më shumë po dalin në pah pyetje serioze për atë që ka ndodhur prapa skenave dhe për përpjekjet për ta mbyllur këtë proces përmes një marrëveshjeje me Prokurorinë.
Sipas VLEN-it, supozohet se Artan Grubi është bindur të lidhë marrëveshje me Prokurorinë, të pranojë fajësinë, të marrë një sanksion dukshëm më të lehtë, por në këtë mënyrë edhe t’i japë fund të gjitha ambicieve për të udhëhequr BDI-në.
“Sipas burimeve tona, Ali Ahmeti ka vlerësuar se gjykimi është shumë i rrezikshëm, pasi temperamenti i Grubit është i tillë që ai përmes mediave mund t’ia gërryejë rejtingun BDI-së. Grubi, siç thuhet, tashmë kishte intervista të dakorduara, pasi ishte bindur se ndaj tij nuk do të ngrihej aktakuzë, por më pas ishte befasuar në mënyrë të pakëndshme. Vazhdimi i masës së arrestit shtëpiak është presion shtesë ndaj tij që të lidhë marrëveshje para fillimit të gjykimit”.
“Një fakt interesant është se avokatët e shumicës së të akuzuarve në këtë rast janë „lojtarë“ të sistemit të drejtësisë nga koha e Gruevskit dhe Mijallkovit. Ky është një sinjal serioz se në BDI është ulur gardi dhe po luhet me të gjitha armët. Mbetet dilema pse nuk sigurohet prania e bashkëpunëtorit të parë të Grubit, Perparim Bajramit”.
“A mos, së bashku me rikualifikimin e veprës penale, Ali Ahmetit po i dërgohet edhe një mesazh tjetër, “për të gjitha lojërat e tua të dyshimta ka kundërsulm”? Në fund, as Bujar Osmani, siç thuhet, nuk ka qenë shumë i kënaqur, pasi në adresa të caktuara ndërkombëtare ia kanë lexuar lojën që qëndronte pas brifingjeve. Është e qartë se për politbyronë mafioze të BDI-së, ditët e vështira sapo kanë filluar”, thonë nga VLEN.
Lajme nga vendi
Mexhiti: VLEN-i partia e parë te shqiptarët! Nuk ka arsye për të eksperimentuar
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, thotë se për momentin nuk ka arsye për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ai akuzoi BDI-në se vazhdimisht e mban këtë temë për të mos humbur elektoratin, ndërsa tha se Qeveria ka shumicë absolute në Kuvend dhe proceset nuk janë të bllokuara.
“Mendoj që BDI-ja, për të mos t’i ikur elektorati, e ka mbajtur vazhdimisht këtë temë. “Mbas tre muajve, mbas gjashtë muajve”, kaluan dy vite. Opozita, edhe kur nuk ka çfarë ofron, pra ka kërkesë për zgjedhje të parakohshme. Qeveria është e fokusuar te programi, te premtimet, te vendimet e mjekëve, te investimet në spitale, investimet në arsim, tek ajo të cilën e kemi marrë përsipër për ta realizuar. Pra, Parlamenti ka mjaftueshëm numra, shumicë absolute dhe nuk ka asnjë arsyeje për të eksperimentuar dhe për të shkuar në zgjedhje, që nënkupton bllokim të proceseve, bllokim të punimeve, bllokim të prokurimeve, të punësimeve, të vendimeve. Pra, nuk është në interes të qytetarëve të kemi, në fund të fundit, është një harxhim shtesë për qytetarët e Maqedonisë. Po kjo nuk do të thotë që VLEN-i, i cili është favorit tek shqiptarët, partia kryesore tek shqiptarët në anketat e fundit, i ik zgjedhjeve. Po mendoj që për momentin punojmë për zgjidhje, jo për zgjedhje”, tha Mexhiti.

