Lajme nga vendi
Qytetarët kërkojnë të ulet çmimi biletave përderisa është ulë çmimi karburanteve!
Maqedonia e Veriut si shtet me ekonomi të varur dhe të jo të zhvilluar mjaftueshëm e ka të vështirë t’i rezistojë krizave të ndryshme, e aq më të vështirë për tu ringjallur pas krizave. Kriza e pandemisë shkaktoi pasoja të mëdha jo vetëm në fushën shëndetësore, por edhe në atë ekonomike. Gjitha çmimet ishin rritur, madje edhe çmimet e transportit publik ndër-urban, një rritje e lartë që ishte vështirë e përballueshme për qytetarët. Nga transportuesit arsyetoheshin se e kishin të detyrueshme këtë rritje të çmimit të biletave nga shkaku se çmimi karburanteve ishte rritur në mënyrë shumë të hovshme. Por, tani tre vite më vonë pasi çmimet e karburanteve janë normalizuar përse çmimet e biletave nuk po rikthehen ashtu siç kanë qenë? Për këtë qytetarët e prononcuar për Zhurnal kërkuan që sa më parë të normalizohet çmimi biletave të kthehet në gjendjet e mëparshme ashtu siç kanë qenë, mes tjerash më të prekur nga çmimi i lartë i biletave janë studentët dhe qytetarët që marrin pagë minimale, e për këtë u duhet të udhëtojnë çdo ditë për në Shkup, qoftë nga Kumanova apo Tetova, shkruan Zhurnal.
Çmimet lehtë ngritën por vështirë të ulen –
Transportuesit ndër-urban ishin temë diskutimi kur në mënyrë të pakontrollueshme ngritën çmimin e biletave nën pretekstin e ngritjes së çmimit të derivateve, por tani që çmimi i derivateve është ulur, çmimi i biletave që dikur për ngritje varej prej çmimit të derivateve tani nuk po ulen asesi çmimet e biletave.
Flasim për ngritje marramendëse dikur rreth 70% është ngritur, nëse para pandemisë një biletë për shkuarje dhe ardhje ka kushtuar 200 denarë, sot i njëjti relacion çmimi i biletës është 340 denarë, pra 140 denarë më shtrenjtë në krahasim me periudhën para pandemisë, dhe atë kohë kur çmimet e karburanteve ishin të larta, por që tani nuk janë.
Sanije Aliu, qytetare nga Kumanova në prononcimin e saj për Zhurnal, tha se agjencionet transportuese po tentojnë ende të përfitojnë në kurriz të qytetarëve dhe në kohë krize.
“Jam e punësuar në Shkup dhe më duhet të udhëtojë çdo ditë me autobusë për në punë, por çmimi i biletave po mbetet ende tejet i lartë, bileta Kumanovë – Shkup ishte 100 denarë, sot 170 denarë. Edhe pse çmimi i naftës është ulur çmimi i biletave po mbetet i njëjtë. Gjithqysh duhet që sa më parë të ulet edhe çmimi biletave” deklaroi Aliu për Zhurnal.
Nga ana tjetër edhe studentët që udhëtojnë çdo ditë për në Shkup shprehen të shqetësuar me papërgjegjësinë e institucioneve për sa i përket çmimeve që janë në treg, nga kushdo që ofrohen qofshin kompani private ose publike. Sipas tyre inspektoratet e posaçëm duhet të reagojnë dhe të kërkojnë nga kompanitë përgjegjëse që të ulin çmimin e biletave sepse çmimi i derivateve është ulur.
Nikolla Kostovski, student nga Kumanova, në prononcimin e tij për Zhurnal tha se studentët janë kategoria më e dëmtuar nga çmimi i lartë i biletave, sepse të tjerët udhëtojnë për në punë ndërkaq ne udhëtojmë për të dëgjuar ligjëratat, dhe në fund të muajit në llogaritë tona bankare nuk na vijnë të holla. Sipas tij, studentët janë në fazën që vetëm japin dhe në shkëmbim nuk marrin asgjë, prandaj të dhënat të paktën duhet të jenë më normale.
“Jam student dhe më duhet të udhëtojë çdo ditë për në Shkup, kërkojë nga inspektorate të posaçëm që të dalin në terren dhe nga agjencionet transportuese të kërkojnë uljen e çmimit të biletave, tashmë çmimi karburanteve është normalizuar, çmimet e biletave nuk po ndryshojnë. Ne studentët çdo ditë duhet të shpenzojmë 340 denarë vetëm për biletat, që për një muaj shpenzojmë 6800 denarë. Shuma të larta krahas shpenzimeve tjera, prandaj kërkojmë që të ulet sa më shpejt çmimi biletave”, tha Kostovski për Zhurnal.
Drejtori i stacionit kryesor të autobusëve në Shkup Masar Omeragiq, thotë se për momentin nuk mendojnë në uljen e çmimeve, derisa çmimet e karburanteve nuk janë të qëndrueshme.
“Jemi duke bërë analiza, për momentin nuk kemi marrë vendim për ulje çmimi, pas përfundimit të analizave do ndërmarrim masa të cilat janë në interes të udhëtarëve dhe në interesin tonë. Momentalisht në formimin e çmimit ndikojnë shumë faktorë siç janë pjesët rezervë, gomat, rritja e pagave të punonjësve, rryma, vaji, dhe shumëçka tjetër. Ligji për marrëdhënie pune ku të dielave dhe festave është rritur paga minimale, të gjitha këto kur do i vendosni në peshore ndikojnë në çmim. Ne të dielave dhe festave shtetërore punojmë me minimum 45 të punësuar”, u shpreh për Alsat Masar Omeragic, drejtor i stacionit të autobusëve.
Biletat e autobusëve ndër-qytete kanë pësuar rritje thuajse dyfish. Relacionet më të frekuentuara nga qytetarët janë Kumanovë- Shkup dhe anasjelltas si dhe Tetovë – Shkup dhe anasjelltas. Bileta Tetovë – Shkup është 200 denarë një drejtim, Kumanovë – Shkup 170 denarë një drejtim. Shkup- Manastir 630 – 730 një drejtim dhe Shkup – Ohër 850 denarë një drejtim. /Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
Kontrabandë nën petkun e mjekësisë: Lojëra në biznesin e kanabisit
Policia dhe Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion e Maqedonisë së Veriut kryen kontrolle vonë mbrëmë, më 5 shkurt, në fabrikën “ALFAFARM GRUP” në Shkup, me bazë në rrethin e ish-fabrikës OHIS, ndërsa paralelisht u kryen kontrolle edhe në disa lokacione në rajonin e Strumicës.
Jozyrtarisht, disa media raportuan se gjatë aksionit policor janë konfiskuar 27 tonë kanabis mjekësor nga magazinat, një sasi rekorde. Informacionet zyrtare nga MPB-ja dhe Prokuroria pritet të publikohen sot.
Aksioni në territorin e Maqedonisë së Veriut erdhi pasi autoritetet serbe sekuestruan pesë tonë marihuanë të kontrabanduar, për të cilën u tha se e ka origjinën nga një fabrikë në Shkup, me licencë për prodhim kanabisi për qëllime mjekësore.
Ende nuk ka epilog as nga vizita e mëparshme në terren e MPB-së dhe Komisionit për miratimin e kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila me ligj është e obliguar të ushtrojë mbikëqyrje mbi kompanitë që prodhojnë kanabis mjekësor.
“Komisioni për kanabis, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka kryer një kontroll të jashtëzakonshëm. Procedura është ende në zhvillim dhe po bëhet verifikim shtesë i gjendjes. Në këtë moment nuk është e mundur të jepen informacione shtesë”, thanë nga Komisioni për Radion Evropa e Lirë.
Më 29 janar, policia serbe sekuestroi pesë tonë marihuanë në fshatin Konjuh, afër Krushevcit, me një vlerë të vlerësuar nga 7 deri në 10 milionë euro në tregun e zi.
Përveç marihuanës, u gjetën edhe armë zjarri – të paktën katër pushkë automatike dhe një “zollë”, si dhe para në vlerë rreth 12.700 euro.
Sipas informacioneve të Prokurorisë serbe për Krim të Organizuar (TOK), një grup i organizuar kriminal e kishte sjellë marihuanën në janar 2026 nga Maqedonia e Veriut në territorin serb.
Edhe Prokuroria Publike në Shkup hapi një lëndë lidhur me sekuestrimin e pesë tonëve marihuanë në fshatin Konjuh.
Prokuroria i tha Radios Evropa e Lirë se ka vendosur “komunikim intensiv dhe të vazhdueshëm” me institucionet kompetente në Serbi, “me shkëmbim aktiv të informacioneve relevante dhe koordinim të veprimeve”.
Biznesi i kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore u legalizua në Maqedoninë e Veriut në vitin 2017. Legalizimi kishte për qëllim të siguronte produkte të sigurta dhe të standardizuara për pacientët me gjendje të rënda shëndetësore – sëmundje onkologjike, HIV/AIDS, epilepsi dhe dhimbje kronike neuropatike, ndërsa vaji i kanabisit ofron terapi për lehtësimin e simptomave, reduktimin e të përzierave nga kimioterapia dhe përmirësimin e oreksit dhe cilësisë së jetës.
Në Serbinë fqinje, përdorimi i kanabisit është i ndaluar me ligj në çdo formë.
Ligj i dobët, kontroll i fshehtë
Më shumë se tetë vjet pas miratimit të Ligjit për legalizimin e kultivimit dhe eksportit të kanabisit për përdorim mjekësor, pothuajse një e treta e të gjitha licencave të dhëna kompanive kanë shkelur ligjin për shkak të parregullsive në punë.
Gjatë kësaj periudhe, kompanitë kanë “prodhuar” edhe një sërë aferash për kontrabandë të marihuanës, duke e zbehur përfitimin real shëndetësor nga prodhimi i vajit të kanabisit për qëllime mjekësore.
Nga hyrja në fuqi e Ligjit për kontrollin e drogave narkotike dhe substancave psikotrope, më 27 dhjetor 2017, deri më 3 shkurt 2026, Qeveria ka marrë vendime për dhënien e lejeve për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore për 61 persona juridikë.
Mbikëqyrjen ndaj kompanive me leje për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore e ushtron Komisioni për miratimin e kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore, i cili funksionon nën Ministrinë e Shëndetësisë.
Komisioni përbëhet nga gjithsej pesë anëtarë, prej të cilëve dy janë nga Ministria e Shëndetësisë (kryetari dhe një anëtar), të cilët njëkohësisht janë të sistemuar dhe të angazhuar edhe në sektorë të tjerë të institucionit. Ndërsa tre janë anëtarë të jashtëm, nga një përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, nga Agjencia për Barna (MALMED) dhe një specialist nga fusha e bimëve mjekësore.
Komisioni e informon Ministrinë e Shëndetësisë për punën e tij, e cila më pas i dërgon Qeverisë propozime për dhënien ose heqjen e licencave.
Në kërkesat e dërguara për të dhëna – sa kontrolle të rregullta dhe të jashtëzakonshme janë kryer gjatë vitit 2025, në sa dhe cilat kompani janë konstatuar parregullsi dhe cilat janë ndëshkimet – Komisioni nuk dha përgjigje konkrete dhe të sakta.
“Gjatë vitit 2025, Komisioni për kanabis ka kryer kontrolle të rregullta dhe të jashtëzakonshme te subjektet juridike me licencë për kultivim kanabisi për qëllime mjekësore. Gjatë kontrolleve janë konstatuar parregullsi në punën e disa subjekteve juridike, të lidhura me mosrespektimin e dispozitave ligjore dhe detyrimeve të përcaktuara me lejen për kultivim. Në rastet kur janë konstatuar parregullsi, Komisioni vepron në përputhje me kompetencat ligjore dhe merr masa përkatëse, në varësi të peshës dhe karakterit të gjendjeve të konstatuara”, u përgjigjën nga Komisioni.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, theksoi se tashmë po punohet në ndryshime ligjore në këtë fushë dhe se një grup pune kishte nisur analizat edhe para se afera me marihuanën e sekuestruar në Serbi të bëhej publike. Sipas ministrit, në ligjin ekzistues janë identifikuar disa dobësi që duhet të tejkalohen me zgjidhjen e re ligjore.
“Le të shohim se çfarë kanë për të thënë ekspertët për Ligjin dhe për nenet që janë shtuar në zgjidhjen e re ligjore. Mendoj se do të kemi një Ligj me të cilin do të mund t’i ndjekim aktivitetet”, deklaroi Aliu.
Përveç Komisionit Ndërinstitucional, sipas ligjit, inspektime kryejnë edhe Ministria e Bujqësisë dhe Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë. Në përshkrimin e punës së tyre thuhet se ata ushtrojnë mbikëqyrje dhe kontroll mbi prodhimin e materialit faror, vetë prodhimin, si dhe para dhe pas korrjes.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se rasti me pesë tonë drogë që përfunduan në Serbi, e që sipas prokurorisë serbe e kanë origjinën nga Maqedonia e Veriut, është një “rast serioz”, dhe paralajmëroi aksione policore edhe ndaj kompanive të tjera që kanë keqpërdorur licencat për kultivimin e kanabisit.
“Pres që ditëve në vijim MPB-ja të dalë me dhjetëra tonë – jo me disa tonë, por me dhjetëra tonë të këtij lloji të mjeteve të ndaluara, përkatësisht substancave të ndaluara, drogë, marihuanë në këtë rast – e cila aktualisht ndodhet në depot në Maqedoni ose ka pasur në ndonjë mënyrë marrëdhënie ndërmjet subjekteve të caktuara juridike, jo vetëm brenda shtetit, por edhe jashtë tij, për të cilat është konstatuar se janë hedhur ilegalisht në qarkullim dhe janë ruajtur ilegalisht”, deklaroi Mickoski mbrëmë në një intervistë për transmetuesin publik MRT.
Nga grabitje filmike te kontrabanda ndërkufitare
Kjo nuk është afera e parë që lidh fabrikat maqedonase të kanabisit mjekësor me tregun e zi në Serbi. Paralelja me rastin “Jovanjica”, për plantacionin më të madh të marihuanës në Evropë para gjashtë vitesh, i kujton opinionit publik lidhjet e thella mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në kontrabandën e marihuanës. Atëherë u sekuestruan më shumë se një ton e gjysmë marihuanë.
Gjatë shpërthimit të aferës “Jovanjica” në Serbi, opozita e atëhershme VMRO-DPMNE kërkoi hetim edhe në Maqedoninë e Veriut, duke e lidhur pronarin e plantacionit, Predrag Koluvija, me ish-kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev, dhe bizneset e familjes së tij me marihuanë.
“Skandali është edhe më i madh sepse i arrestuari Predrag Koluvija është partner biznesi pikërisht i partnerit të biznesit të Zaevëve, Goran Krstev, i cili së bashku me Zaevin, po ju kujtoj, ishte amnistuar për rastin ‘Global’”, deklaroi Igor Janushev në prill 2021.
Në këtë rast, para Gjykatës Speciale në Beograd po zhvillohen dy procese gjyqësore kundër Predrag Koluvijas, pronar i pronës “Jovanjica”.
Në të dy lëndët ai akuzohet se ka qenë organizator i një grupi që kultivonte marihuanë për shitje dhe mbrohet në liri.
Gjatë viteve të fundit janë shënuar edhe disa raste të tjera të veprimtarisë së paligjshme të kompanive, vjedhjeve dhe përpjekjeve (të suksesshme dhe të pasuksesshme) për kontrabandë marihuane.
Para gjashtë vitesh, në fshatin Araçinovë afër Shkupit, policia sekuestroi 231 kilogramë nga gati dy tonë marihuanë që ishin vjedhur nga kompania “Herb Industry” në Vallandovë. Kamioni me pjesën më të madhe të marihuanës u braktis pranë pikëkalimit kufitar Bllacë, me Kosovën. Në publik u shfaqën edhe pamje nga magazina e marihuanës, duke përfaqësuar rastin e parë me prova video për vjedhje nga një kompani e licencuar.
Në vitin 2022, policia gjeti rreth 250 kilogramë marihuanë të paketuar në 67 thasë, me vlerë të vlerësuar rreth 800.000 euro, që e kishin origjinën nga kompania e Manastirit “Medical 420”. MPB-ja bastisi ambientet një vit më vonë, pasi Qeveria ia kishte hequr lejen në vitin 2021 për shkak të paligjshmërive.
Po atë vit, policia sekuestroi nga kompania strumicase “Solidis Herbal” gjithsej 1.6 tonë marihuanë, me vlerë të vlerësuar 3.2 milionë euro.Transmeton TV KOHA
Lajme nga vendi
“QYTETI I SIGURTË” SË SHPEJTI VJEN NË OHËR DHE STRUGË
Në Ohër dhe Strugë, është planifikuar të instalohen gjithsej 40 kamera trafiku, të cilat do të jenë pjesë e sistemit modern të mbikëqyrjes “Qytet i Sigurt”, i destinuar për zbulimin e shkeljeve dhe rritjen e disiplinës në trafik. Sipas njoftimeve, sistemi duhet të fillojë të funksionojë para fillimit të sezonit turistik veror, shkruan OhridNet.
Aktualisht, katër kamera janë instaluar fizikisht në seksionin e autostradës Ohër-Kërçovë, në seksionet midis fshatrave Gorenci dhe Trebenishtë, si dhe Botun dhe Novo Selo. Edhe pse pajisjet janë instaluar, ato ende nuk kryejnë sanksione, pasi janë në fazën e inspektimit teknik dhe testimit, i cili tashmë është përfunduar.
Policia e trafikut të Ohrit thekson se futja e këtij sistemi synon të kontribuojë ndjeshëm në përmirësimin e sigurisë rrugore, duke zvogëluar shkeljet e rregullave të trafikut, aksidentet dhe pasojat për pjesëmarrësit në trafik.
Lajme nga vendi
,,Agjenda reformuese dhe rruga evropiane: Qeveria prezantoi progresin para ambasadorëve të BE-së”
Në kuadër të brifingut të dedikuar monitorimit të progresit në zbatimin e Agjendës Reformuese, i cili u mbajt në Qeveri dhe ku morën pjesë anëtarë të Qeverisë, ambasadorët e Bashkimit Evropian dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, u bë një pasqyrë e detajuar e rezultateve të deritanishme dhe prioriteteve të ardhshme në fushat kyçe reformuese.
Në këtë ngjarje, fjalim mbajti edhe ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, e cila u ndal në aktivitetet dhe rezultatet e Ministrisë në fushën e tranzicionit të drejtë, integrimit të tregut dhe avancimit të politikave energjetike në përputhje me standardet evropiane.
Ministrja informoi se strukturat drejtuese të parashikuara me Udhërrëfyesin për Tranzicion të Drejtë janë plotësisht funksionale dhe se është miratuar me sukses Plani Vjetor i Zbatimit për vitin 2026, i harmonizuar me dokumentet strategjike dhe prioritetet investuese të Qeverisë.
Theks i veçantë iu kushtua miratimit të Ligjit të ri për Energjetikë, me të cilin shteti bëri një hap të rëndësishëm drejt harmonizimit të plotë me Paketën për Integrimin e Energjisë Elektrike të Komunitetit të Energjisë, si dhe progresit në përgatitjen e akteve nënligjore nga ana e SHA MEPSO
Në fjalimin e saj, ministrja theksoi gjithashtu gatishmërinë institucionale të operatorëve për zbatimin praktik të mekanizmave evropianë të tregut, si dhe njohjen ndërkombëtare përmes anëtarësimit në Italian Working Border Table.
Në aspektin e dimensionit social, u theksua se Ministria zbaton në mënyrë aktive masa për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm, me një metodologji të miratuar për matjen e varfërisë energjetike dhe me mbështetje të siguruar për mijëra familje.
Gjithashtu, ministrja informoi për miratimin e Planit Trevjeçar për rinovimin e objekteve të Qeverisë Qendrore. Rezultatet e arritura, siç u theksua, përbëjnë një dëshmi të qartë të përkushtimit të institucioneve ndaj një tranzicioni të suksesshëm energjetik, integrimit të tregut dhe zhvillimit të qëndrueshëm, në interes të qytetarëve dhe ekonomisë.
Siç paralajmëroi kryeministri Hristijan Mickoski, do të mbahen rregullisht cikle takimesh, përkatësisht brifingje, me përfaqësues të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që janë rezidente në vendin tonë, me qëllim informimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë mbi hapat e ndërmarrë në zbatimin e Agjendës Reformuese.
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale do të vazhdojë me zbatimin e përgjegjshëm dhe transparent të reformave, në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë, institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim sigurimin e një sistemi energjetik të sigurt, modern dhe të drejtë.

