Lajme nga vendi
Baballarët e quajnë diskriminuese mënyrën e kujdestarisë pas shkurorëzimit në Maqedoni

Baballarët në Maqedoninë e Veriut ankohen se pas shkurorëzimit u shkelet e drejta për të marrë pjesë aktive në zhvillimin psikofizik të fëmijëve të tyre, pasi e drejta e kujdestarisë në mbi 90 për qind të rasteve u takon nënave.
Sipas ligjeve ekzistuese, baballarët mund t’i takojnë fëmijët e tyre dy herë në muaj nga disa orë. Ata kërkojnë që të aplikohet sistemi i vendeve evropiane ku kujdestaria u ndahet që të dy prindërve.
Branko Bërkoviqit pas shkurorëzimit Qendra për Punë Sociale ia ka caktuar që ta takojë djalin e tij të mitur një orë në çdo dy javë. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se është i indinjuar se nuk arrin të ketë rol aktiv gjatë zhvillimit psikofizik të të birit.
Korniza ligjore që rregullon çështjen e kujdestarisë në Maqedoninë e Veriut, sipas tij, është diskriminuese, pasi në njërën anë baballarët i detyron të paguajnë me kohë pagesën e alimentacionit, kurse në anën tjetër ata kanë pak hapësirë për të vendosur rreth kujdesit të fëmijëve të tyre.
“Në bazë të vendimit të parë që mora nga Qendra për Punë Sociale unë si baba mund të takoj djalin një orë brenda dy javëve. Brenda kësaj kohe një fëmijë nuk arrin të ju njohë e jo më të vendoset një raport i shëndoshë prind-fëmijë dhe anasjelltas”, shprehet Bërkoviq.
“Djali im edhe pak do të festoj ditëlindjen e shtatë. Merreni me mend ai nuk e di se ku jetoj unë pasi nuk kam mundur të kaloj as edhe një natë të vetme bashkë, e mos të flasim se ai nuk i njeh gjyshërit, nuk njeh askënd nga familja ime. Më thoni nëse është kjo në rregull? Kuptohet se jam ankuar në gjykatë për këtë, por kërkesa ime mbetet në labirintet e gjykatës, përderisa im bir rritet pa njohur babanë dhe familjarët e tij nga i ati”, thotë Bërkoviq.
Edhe Visari i cili tashmë dy vjet është shkurorëzuar, thotë se mezi arrin t’i takojë dy vajzat e tij pasi në bazë të vendimit që ka marrë nga gjykata, ai ka të drejtë t’i takojë fëmijët e tij dy herë brenda muajit, nga një orë. Ndërsa, për të kaluar një vikend me fëmijët, kjo varet nga vullneti i ish-bashkëshortes.
“E drejta ime si prind varet nga vullneti apo më mirë thënë, kushtëzimi i ish-bashkëshortes. Gjithçka do të ishte ndryshe sikur kujdestaria të na ndahej të dyve në formë të barabartë ashtu siç ndodh në vendet e evropiane. Për gjithçka rreth fëmijëve vendosin bashkërisht prindërit ashtu siç obligohen edhe në aspektin financiar të kontribuojnë që të dy”, tregon ai.
Atanas Iliev – i cili me vite nuk ka mundur ta takojë vajzën e tij pas shkurorëzimit – si pjesë e iniciativës së prindërve që kërkojnë ndryshimin e ligjit aktual mbi familjen, thotë se ligji aktual favorizon vetëm njërin prind pas shkurorëzimit.
“Thjesht, në këtë formë siç është ligji, prindi sekondar është vetëm një ‘bankomat’, që duhet të paguajë alimentacion prindit që i takon kujdestaria, pa kurrfarë të drejtash për të takuar fëmijën e tij jashtë orarit që i ka përcaktuar Qendra për Punë Sociale. Koncepti i deritashëm i një prindi kryesor, të cilit i jepet plotësisht e drejta e kujdesit ndaj fëmijëve dhe vendosja e një prindi të kontestueshëm që ka kohë të kufizuar në realizimin e së drejtës prindërore kualitative, para së gjithash është e dëmshme për fëmijët, të cilët faktikisht e humbin njërin prind”, deklaron Atanas Iliev.
Organizatat për të Drejtat e Fëmijëve e mbështesin këtë iniciativë, pasi siç theksojnë, për fat të keq fëmijët keqpërdoren nga të dy prindërit për të dënuar njëri-tjetrin dhe kjo ka pasoja të rënda në zhvillimin emocional të fëmijëve.
Nga Ambasada për Fëmijë “Megjashi” që në fokus ka të drejtat e fëmijëve, theksojnë se kujdestaria e të dy prindërve pas shkurorëzimit është e rëndësishme për shkak të impaktit pozitiv që ka në zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve.
Ata rikujtojnë se para pesë vjetësh i janë bashkuar nismës për ndryshimin e Ligjit për familjen, përkatësisht rregullativën ligjore që definon kujdestarinë e fëmijëve me prindër të shkurorëzuar.
Nga Ministria e Punës Politikë Sociale thonë për REL-in se nuk planifikojnë të iniciojnë ndryshimin e Ligjit për familjen, pasi me vëmendje shqyrtojnë iniciativat e baballarëve që kërkojnë që kujdestaria në formë të barabartë t’u ndahet të dy prindërve pas shkurorëzimit.
Nga ky dikaster thonë se para ligjit të dy prindërit janë të barabartë për sa i përket asaj se kujt do t’i takojë kujdestaria, për çka vendos Qendra për Punë dhe Politike Sociale në bazë të kushteve materiale dhe aspektit psikologjik në interes të fëmijëve./REL/
Lajme nga vendi
Gashi për Ditën e pavarësisë: Është koha që shteti të rrezatojë me stabilitet dhe vlera, uniteti është fuqia jonë më e madhe

Me rastin e festës së ardhshme shtetërore – Ditës së pavarësisë, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot gjatë pritjes që e organizoi në shtëpinë ligjvënëse, porositi për unitet, bashkim dhe vizion për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut. Në fjalimin e tij, Gashi e ceki rëndësinë e unitetit thelbësor mes qytetarëve, respektimit të llojllojshmërive dhe ndërtimit të së ardhmes së përbashkët pa ndarje.
“Porosia kryesore që dëshiroj ta bëj në këtë përvjetor të pavarësisë është uniteti. Ne, si shtet i ri, kemi nevojë për shumë gjëra, por mendoj se para së gjithash dhe më së shumti na nevojitet uniteti. Jo një unitet uniform dhe të përshtatshëm, por një unitet thelbësor. Një unitet që respekton dallimet dhe i shndërron ato në pasuri, jo në përçarje. Secili prej nesh duhet të ndiejë përgjegjësi për të mos inkurajuar përçarjet, por për të ndërtuar ura, për të mos përdorur dallimin si mur, por si një dritare përmes së cilës e shohim njëri-tjetrin më nga afër, tha Gashi.
Kryetari i Kuvendit theksoi se pas 34 viteve shtetësi “është koha që Maqedonia e Veriut të ngritet në nivelin që e meriton”.
“Ndoshta për nga madhësia ne jemi shtet i vogël, por, jemi i madh për nga mundësitë, aspiratat dhe ambiciet. Ne jemi qendra e Ballkanit dhe është koha që kjo qendër të rrezatojë me stabilitet, kulturë, dituri dhe vlera, siç rrezatoi edhe në të kaluarën tonë të pasur. Me rëndësi edhe për ne edhe për tërë civilizimin njerëzor”, potencoi Gashi.
Ai shtoi se pavarësia nuk është dhuratë, por premtim që duhet të kultivohet dhe bartet.
“Ky amanet na bashkon sot dhe do të na prijë edhe nesër drejt lirisë më të madhe, drejtësisë dhe drejt një të ardhmeje të përbashkët, ku secili do të ndihet zot në atdheun e vet. Ashtu siç ka thënë presidenti Abraham Linkoln: ‘Mënyra më e mirë për ta parashikuar të ardhmen është ta krijojmë vetë. Dhe, ne do ta bëjmë këtë – do ta krijojmë së bashku. Gëzuar Ditën e Pavarësisë!
Lajme nga vendi
Onkologjia/ Mjekja Meri Peshevska, e pranoi fajin për veprën për të cilën ngarkohet

Në seancën gjyqësore për skandalin në Onkologji, mjekja Meri Peshevska, e punësuar në Klinikën për radioterapi dhe onkologji, e pranoi fajin për veprën për të cilën ngarkohet.
Ajo tha se nuk është e sigurt nëse për shtatë pacientë për të cilët akuzohet, ua ka vazhduar ose jo terapinë pasi siç tha, vula e saj ka qëndruar te sporteli në atë kohë, ndërsa këtë e ka bërë me qëllim që puna të kryhet më shpejtë dhe mos të presin pacientët.
“Me përgjegjësi dhe vetëdije them se fjalëkalimi im në sistem si dhe vulën u’a kam lënë te sporteli dhe I kanë shfrytëzuar praktikantët, dhe e pranoj fajin”.
Peshevska së bashku me ish drejtorin e Klinikës së Onkologjisë, Nikolla Vasev, si dhe dy onkologë të tjerë akuzohen për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve. Për dallim nga Peshevska, më herët ish-drejtori Nikolla Vasev tha se nuk ndjehet fajtor për veprat me të cilat ngarkohet.
Të akuzuarit ngarkohen për veprat “krime të rënda kundër shëndetit të njerëzve” dhe “trajtim neglizhent”, ku 29 pacientë janë trajtuar me terapi të papërshtatshme, me devijime në dozë dhe pa vlerësim të duhur të gjendjes së tyre shëndetësore.
Përveç kësaj, Vasev dhe ish-drejtori ekonomik i Klinikës janë akuzuar për shpërdorim të detyrës dhe përvetësim, me dëm prej mbi 2.2 miliardë denarësh për buxhetin e shtetit./ alsat.mk
Lajme nga vendi
Prokuroria Themelore Publike në Tetovë ka filluar procedurë penale kundër një personi të rritur dhe shtatë të miturve në rrahjen ndaj dy nxënësve shqiptarë

“ Prokuroria Themelore Publike në Tetovë ka filluar procedurë penale kundër një personi të rritur dhe shtatë të miturve për veprën penale “Dhunë”, sipas nenit 386 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 3 dhe 1 të Kodit Penal. Viktima janë dy persona të mitur. Sipas kërkesës së prokurorit publik, ndaj të rriturit të dyshuar është caktuar masë paraburgimi afatshkurtër prej 48 orësh, me qëllim që të sigurohen prova në lidhje me pjesëmarrjen e tij në ngjarje. Për të miturit, procedura zhvillohet sipas Ligjit për drejtësinë për fëmijët”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike në Tetovë .
Nga Gjykata Themelore në Tetovë thonë se në me kërkesë të prokurorisë është caktuar masa e paraburgimit të shkurt prej 48 orësh. “Ju njoftojmë se me propozim të Prokuroria Themelore Publike në Tetovë është caktuar masa e paraburgimit të shkurtër prej 48 orësh për një të rritiur”, njoftuan nga Gjykata Themelore në Tetovë.
Ndërkaq, nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë thonë se dy të mitur me datë 3 shtator në orën 22:30, në rrugën “Prilepska” në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria personin N.Ç. (20) nga Tetova, ndërsa më 04.09.2025, në orën 12:10, në rrugën “Ilinden”, është privuar nga liria edhe D.D. (23) nga fshati Radiovc.
“Gjithashtu, është zhvilluar bisedë zyrtare me 16 të mitur. Ata dyshohen se rreth orës 18:00, në rrugën “Bllagoja Toska” në Tetovë, në grup, kanë sulmuar fizikisht një 17-vjeçar dhe një 15-vjeçar, të dy nga fshati Dobrosht, komuna e Tearcës, të cilët ishin duke dalë nga shkolla e mesme. Sipas kallëzimit të bërë nga prindërit e tyre, Q.E. (50) dhe H.I. (43) nga Dobroshta, djemtë e tyre kanë qenë bashkë me një të mitur tjetër, i cili ka arritur të ikë nga vendngjarja. Anëtarët e grupit dyshohet të kenë qenë tifozë të një klubi futbolli nga Tetova”, njoftoi zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.
Ndryshe, incidenti ndodhi të mërkurën pasdite, kur anëtarë të tifo grupit Vojvodët, kishin sulmuar dy të mitur shqiptarë, nxënës të Shkollës së Mesme Ekonomike “8 Shtatori” në Tetovë.
Rrahja e dy nxënësve shqiptarë në Tetovë, shkaktoi reagime të mëdha në opionon. Reaguan pothuajse të gjitha partitë politike shqiptare të cilët dënuan këtë akt duke kërkuar që organet ligjzbatuese mënjëherë të zbardhin rastin dhe autorët të dalin para drejtësisë.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi3 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve