Lajme nga vendi
ISHP: 12 fëmijë janë helmuar në një çerdhe në Berovë

Autoritetet shëndetësore në Maqedoni janë në lëvizje të shpejtë pas raportimit të një epidemie të Salmonelës në Berovë, si dhe rastit të helmit nga ushqimi në një dyqan sanduiçësh në Strumicë.
Në Berovë, 12 fëmijë janë konfirmuar të sëmurë me Salmonelozë, sipas raporteve të Qendrës së Shëndetit Publik. Pas hetimit epidemiologjik, autoritetet kanë rekomanduar masat e nevojshme për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve, përfshirë ruajtjen dhe përgatitjen e sigurt të ushqimit, si dhe ruajtjen e higjienës personale.
Në Strumicë, Instituti i Shëndetit Publik ka raportuar tre raste të sëmundjeve gastrointestinale në një dyqan sanduiçësh. Pas një hetimi epidemiologjik, autoritetet kanë ndërmarrë masa të menjëhershme për të siguruar ruajtjen dhe përgatitjen e sigurt të ushqimit në ambientet komerciale, duke kryer dezinfektim të jashtëzakonshëm dhe inspektime sanitarë.
Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor është përfshirë në hetimet e dy rasteve dhe është duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet shëndetësore për të identifikuar burimin dhe për të ndërmarrë masat e nevojshme për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive në të dy qytete.
Lajme nga vendi
27 mësimdhënës të rinj me kontratë të përhershme – Kasami: Respekti për mësuesin është detyrim, jo shpërblim

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka ndarë sot 27 vendime të reja pune për mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme të qytetit, të cilët tani e tutje do të punojnë me kontratë të përhershme. Ceremonia u mbajt në sallën e Këshillit Komunal, ku Kasami theksoi rolin e pazëvendësueshëm të mësuesit në shoqëri.
“Mësuesit nuk japin vetëm mësim, ata ofrojnë durim, dinjitet dhe dritë në kohë të errëta. Sot ndamë vendime pune për ata që u mësojnë fëmijëve tanë si të ecin me mendje, jo vetëm me këmbë,” u shpreh kryetari Kasami.
Ai theksoi gjithashtu se respekti për mësuesin nuk duhet parë si një shpërblim, por si një obligim moral dhe institucional.
Vendimet e sotme vijnë si pjesë e angazhimit të Komunës për stabilitetin dhe motivimin e stafit arsimor, duke mundësuar kushte më të sigurta pune për ata që luajnë një rol kyç në formimin e brezave të rinj.
Nga Komuna u bë e ditur se procesi i përhersimit të kontratave do të vazhdojë në përputhje me nevojat dhe kapacitetet e sistemit arsimor në Tetovë.
Lajme nga vendi
Fetai përkujton 9 Korrikun e vitit 1997: Krenari për vetëdijen politike shqiptare, lavdi për dëshmorët e Gostivarit

Në 28-vjetorin e ngjarjeve tragjike të 9 korrikut të vitit 1997 në Gostivar, zëvendëskryeministri Arben Fetai ka përkujtuar me ndjenjë krenarie dhe dhimbjeje këtë moment historik që ka lënë gjurmë të thella në ndërgjegjen politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në një postim në rrjete sociale, Fetai thekson se ky përvjetor simbolizon njëkohësisht qëndresën dhe sakrificën e shqiptarëve, duke përkujtuar tre dëshmorët e Gostivarit si dhe kryetarin e atëhershëm të Komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, i cili u dënua padrejtësisht me burg për shkak se mbrojti flamurin kombëtar shqiptar. “Sot përkujtojmë 9 korrikun 1997, një moment krenarie dhe dhimbjeje njëkohësisht. Krenari për vetëdijen politike shqiptare, që nuk u venit kurrë pavarësisht vështirësive, por edhe dhimbje për tre dëshmorët e Gostivarit. Përkujtojmë me krenari edhe sakrificën e Rufi Osmanit…”, ka shkruar Fetai.
Ai theksoi se kjo ngjarje duhet të jetë një kujtesë për rrugën e mundimshme që kanë kaluar shqiptarët, por edhe për detyrimin që kanë institucionet për të garantuar barazinë dhe përfaqësimin real në një shtet shumëetnik. “Duke mos e harruar rrugën që kemi kaluar si shoqëri, ne po synojmë që ta institucionalizojmë hisen tonë si popull shtetformues, me qëllim që ’97-ta e Gostivarit mos të na përsëritet kurrë më”, thekson më tej Fetai, duke nënvizuar se një hap konkret në këtë drejtim është miratimi i Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat.
Postimi i tij përmbyllet me mesazhin: “Lavdi!” në nderim të të rënëve dhe të gjithë atyre që kontribuuan për barazi dhe dinjitet.
Lajme nga vendi
Aleanca për Shqiptarët: Kazino përballë shkollave – ligj që nuk i mbron fëmijët

Përkundër pritshmërive të qytetarëve dhe premtimeve publike për largimin e lojërave të fatit nga zonat e banuara, Propozim-ligji i ri për Lojërat e Fatit nuk sjell ndryshime të vërteta që do të mbronin të rinjtë dhe familjet shqiptare nga pasojat e rënda të kësaj industrie.
Premtohej një ligj që do të mbyllte kazinot dhe bastoret sportive pranë shkollave, xhamive dhe vendbanimeve. Çfarë ndodh realisht me këtë propozim? Asgjë e tillë nuk ndodh me vendosmëri.
Propozim-ligji nuk parashikon largimin nga zonat e banuara. Nuk ka detyrim të drejtpërdrejtë për të mbyllur lokalet ekzistuese brenda qyteteve apo fshatrave.
Ligji nuk ndalon aksesin online, përkundrazi, e ligjëron dhe formalizon bastvënien në internet përmes operuesve të licencuar. Rrjeti i internetit mbetet një kanal i pakontrolluar për bastvënie, me rrezik të lartë për të rinjtë.
Ligji krijon një Agjenci për Lojërat e Fatit, por pa garanci për pavarësi, mbikëqyrje reale apo kontroll shoqëror.
Ligji nuk parashikon një hartë zyrtare me zonat ku nuk lejohen lojërat e fatit, çka nënkupton interpretim dhe abuzim administrativ. Nuk parashikohen masa për të ndaluar ekspozimin e fëmijëve ndaj marketingut të lojërave të fatit, as për trajtimin e varësisë.
Aleanca për Shqiptarët konsideron se ky Propozim-ligj nuk është reformues, por është legjitimues për një sistem të dështuar që ka kontribuar në zhvlerësimin e lagjeve shqiptare, rritjen e varfërisë dhe shpërbërjen familjare, si dhe zhvillimin e një ekonomie kriminale dhe të paligjshme që fshihet pas “lojës”.
Aleanca për Shqiptarët kërkon mbylljen graduale por të pandalshme të kazinove dhe bastoreve brenda zonave të banuara në afat të shkurtër kohor. Ndalesë absolute për operim në rreze më të vogël se 1 km nga shkollat, institucionet fetare dhe spitalet. Regjistër publik i të gjitha lokacioneve të licencuara, me të drejtë ankese për komunitetin. Mbylljen e mundësive për bastvënie online pa kontroll të moshës, përmes sistemit elektronik të identifikimit. Ndalimin e çdo forme të reklamimit të lojërave të fatit në mediat dhe rrjetet sociale që targetojnë të rinjtë.
Aleanca për Shqiptarët do ta kundërshtojë këtë ligj në Kuvend dhe në çdo formë të veprimit institucional apo qytetar. Nuk mund të kemi një shoqëri të shëndetshme duke mbajtur kazinot përballë shkollave. Nuk ndërtohet një ekonomi mbi varësinë dhe shkatërrimin e jetës së njerëzve. Kërkojmë ligj që mbron njerëzit, jo një që i grabit ata ligjërisht.
Aleanca për Shqiptarët
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve