Lajme nga vendi
Arrihet marrëveshje për Qytetin e Shkupit
Deri në fund të këtij muaji do të ketë 30 autobusë të riparuar, ndërsa këshilltarët e Shkupit do t’i votojnë programet e kryetares Danella Arsoska me të cilat do të punësohen 120 punëtorë të rinj në Higjienë komunale. Ky është rezultati i koordinimit të sotëm te kryetari i Këshillit të Qytetit të Shkupit, Trajko Sllavevski me koordinatorët e grupeve të këshilltarëve dhe kryetaren Danella Arsovska ku morën pjesë edhe drejtorët e ndërmarrjeve publike.
Sipas këshilltarit komunal nga radhët e LSDM-së, Gordan Shutarov, është mirë që shumica e VMRO-DPMNE-së do t’i votojë programet.
Një kohë të gjatë gjendja në qytetin e Shkupit është alarmante, si me transportin urban, ashtu edhe me higjienën në qytet. Për këtë, kryetarët e komunave të Shkupit kërkuan që kryetares Arsovska t’i hiqen kompetencat, por u ra dakord që të gjendet një zgjidhje së bashku me këshilltarët e qytetit.
Lajme nga vendi
Gashi: Ligji për përfaqësim të drejtë mund të ketë mangësi, nuk tentojmë ta kontrabandojmë
-Nuk është ideja që të kontrabandojmë diçka që e kemi filluar dy vite, po punojmë në mëynrë shumë të detajuar, tha kryetari i Kuvendit Afrim Gashi në lidhje me akuzat e opozitës, të cilët thonë se po përpiqet të kontrabandohet miratimi i Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, përcjell TV21. Gashi tha se po provon që të krijojë hapësirë që të komunikojnë grupet parlamentare për këtë ligj, ndërsa ftoi deputetët që ta votojnë të njëjtin.
“Në asnjë moment nuk kemi thënë se ligji është perfekt. Ai mund të ketë mangësi, por mangësitë po presupozohen apo po prejudikohen. Unë mendoj se duhet të kemi një ligj, sidomos për parimin kushtetues përfaqësim të drejtë dhe adekuat, shumë më mirë është të kemi një ligj, sesa mos të kemi fare”, deklaroi Gashi.
Lajme nga vendi
Ahmeti takoi ambasadoren e Holandës: Rruga evropiane dhe Marrëveshja e Ohrit janë themelet e të ardhmes së vendit
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, zhvilloi sot një takim të hapur dhe përmbajtësor me ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, znj. Özlem Canel.
Në qendër të takimit ishte domosdoshmëria që vendi të gjejë sa më parë rrugën për vazhdimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Ahmeti theksoi se çdo vonesë e mëtejshme në procesin integrues e largon vendin nga perspektiva evropiane, dobëson institucionet dhe krijon pasiguri politike, ekonomike dhe shoqërore.
Gjatë takimit, Ahmeti ka ngritur siç thuhet shqetësimin serioz lidhur me goditjet e vazhdueshme ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe arritjeve që garantojnë barazinë, kohezionin ndëretnik dhe stabilitetin e vendit.
Ai theksoi se Marrëveshja e Ohrit është themeli i paqes dhe i funksionimit demokratik të shtetit, ndërsa çdo cenim i saj prek drejtpërdrejt stabilitetin e përgjithshëm dhe marrëdhëniet ndëretnike.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet aktuale politike, sundimin e ligjit, sigurinë dhe sfidat me të cilat përballet rajoni.
Ahmeti nënvizoi se partnerët ndërkombëtarë duhet ta dëgjojnë qartë alarmin për zhvillimet në vend.
“Rruga evropiane dhe Marrëveshja e Ohrit janë dy shtyllat mbi të cilat qëndrojnë stabiliteti, demokracia dhe e ardhmja e vendit”, theksoi Ahmeti.(INA)
Lajme nga vendi
SHKUP: MUNGESA E VENDPARKIMEVE NË QENDRËN KLINIKE SFIDË SERIOZE!
Parkingu në Qendrën Klinike vazhdon të jetë sfidë për pacientët po edhe për të punësuarit. Edhe pse është premtuar disa herë zgjidhje, ajo nuk erdhi kurrë.
Për mungesën e vendparkimeve biseduam me disa qytetarë, të cilët kishin ardhur në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” për të marrë shërbime shëndetësore. Ata thonë se gjetja e një vendi për parkim është bërë një sfidë e përditshme, duke u shkaktuar vonesa në arritjen e termineve të caktuara tek mjeku.
Sipas tyre, në shumë raste u duhet të kalojnë më shumë se 30 minuta duke kërkuar një vend të lirë për të parkuar automjetin.
Këtu, me të vërtetë, është problem i madh të gjesh parking, por disi gjindemi, humba më shumë se gjysmë ore, deri sa gjeta parking.
Po, ka çdoherë, pasi që vi çdo muaj për të marrë shërbime shëndetësore, gjithnjë kam problem, shëtitem mbi gjysmë ore për të gjetur vend të lirë për parkim.
Shumë rëndë, humba gjysmë ore për të gjetur vend të lirë për t’u parkuar
Përveç ankesave, qytetarët kanë edhe kërkesa konkrete ndaj institucioneve kompetente. Ata vlerësojnë se ka ardhur koha që ky problem të marrë një zgjidhje përfundimtare, qoftë përmes krijimit të hapësirave të reja për parkim, qoftë me ndërtimin e garazheve në kate.
Të ndërtohet ndonjë garazh, këtu ka hapësirë, mund të bëhet një parking me kate.
Të bëhet zgjidhje me parking, këtu, të jetë i qasshëm në çdo kohë për secilin.
Duhet të ndërtohet parkingu, është koha që përfundimisht të zgjidhet problemi.
Zgjidhje për problemin e parkimit dhe kaosin që krijohet çdo ditë në Qendrën Klinike kanë premtuar pothuajse të gjithë ministrat e Shëndetësisë ndër vite. Megjithatë, pavarësisht premtimeve dhe paralajmërimeve për projekte të ndryshme, pacientët, familjarët e tyre dhe punonjësit vazhdojnë të përballen me të njëjtin problem./Tv Koha – Shkup/MEVLUDIN IMERI – GAZETAR

