Connect with us

Lajme nga vendi

Simulim i shportës konsumatore të vjeshtës në Qeveri gjatë javës së ardhshme

Published

on

Qeveria përgatit shportë të vjeshtës me prodhime të cilat qytetarët më së shumti i përdorin. Shporta me rreth 100 prodhime ushqimore duhet të përgatitet deri të premten. Siç njoftoi kryeministri Hristijan Mickoski, qytetarët mund të presin edhe shportë të pranverës.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, Grupi i Punës, i cili ka anëtarë nga ministritë e Ekonomisë, Bujqësisë dhe Financave, do të bëjë një simulim për të kufizuar çmimet apo marzhet. Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, informoi për MIA-n se përllogaritjet do të bëhen me uljen e marzheve në 5, 10 ose 15 për qind të tregtisë me pakicë ose ngrirjen e çmimeve në një nivel të caktuar. Simulimi, tha ai, duhet të japë informacion se cila do të jetë zgjidhja më e favorshme për çmimet përfundimtare për konsumatorët dhe cilat do të jenë implikimet fiskale të kësaj mase.

Propozimi dhe simulimi i shportës së konsumit të vjeshtës do t’i dërgohet Qeverisë në seancën e ardhshme dhe do të merret vendimi për uljen e çmimeve të këtyre produkteve bazë ushqimore.

“Synimi ynë është t’u dalim në ndihmë qytetarëve për të përmirësuar standardin e jetesës. Gjithashtu dua të them se kjo shportë konsumi vjeshtore në periudhën në vijim do të vazhdojë të aplikohet në formën e shportës së konsumit të Krishtlindjeve, shportës së konsumit të Ramazanit, shportës së konsumit të Pashkëve me ndryshime në listën e produkteve që do të mbulohen në varësi të periudhës në të cilën vlen”, tha Durmishi.

Kryeministri është i vendosur se Qeveria nuk do të lejojë sërish shkallë të lartë të inflacionit.

Advertisement

“Do të kemi një shportë para Vitit të Ri, një shportë vjeshte në të cilën do të ketë një lloj përzgjedhjeje të produkteve që përdoren më shumë në atë periudhë të vitit, do të kemi një shportë pranvere etj. Varësisht se cilat janë nevojat e qytetarëve, në varësi të asaj që shpenzohet më shumë, ne do të ndjekim procesin dhe nuk do të lejojmë që të përsëritet një normë e lartë inflacioni, e cila do të ndikojë negativisht në standardin e qytetarëve. Jam jashtëzakonisht i kënaqur që norma e inflacionit në muajin gusht në nivel vjetor është 2.2 për qind krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, që është një rezultat vërtet i mirë, duke marrë parasysh rajonin dhe është ndër të parët në rajon, pra i pari për sa i përket normës së ulët të inflacionit, do të thosha dhe konkurrues në Evropë dhe është më e ulët brenda Eurozonës, gjë që është e mirë. Pra, ngadalë por sigurt çmimet janë stabilizuar dhe dua të them se në periudhën në vijim do të vazhdojmë të kujdesemi për standardin e qytetarëve”, thekson kryeministri.

Lidhur me Ligjin për praktika të padrejta tregtare, Mickoski përmendi se Qeveria do t’i përgjigjet ekonomisë nëse kërkon një periudhë të caktuar përshtatjeje. Ai po ashtu ka theksuar se ende nuk i ka marrë shkresat nga odat lidhur me Ligjin për praktika të padrejta tregtare.

“Fatkeqësisht, letrat nuk i kam marrë ende. Nga ajo që mund të marr si informacion nga Oda Ekonomike, do të thosha atje ka, një lloj mosmarrëveshjeje mes zinxhirëve tregtarë, tregtarëve dhe prodhuesve. Përndryshe, Ligji është ky. Nëse Oda Ekonomike kërkon zyrtarisht nga ne si Qeveri një javë, dy, tre, pesë, sa javë u duhen për harmonizim, nuk shoh arsye pse kjo të mos ndodhë. Ne punojmë në interes të biznesit, në interes të ekonomisë, në interes të qytetarëve dhe mendoj se deri tani po e bëjmë mirë. Do të shohim se si do të jetë në të ardhmen. Nuk kemi ndërmend të jemi kokëfortë dhe as nuk kemi ndërmend t’i bëjmë gjërat me dhunë. Nëse duhet një pajtim që është pritur me vite, tani edhe për dy, tre, katër javë shtesë, nuk shoh arsye pse të mos ndodhë”, tha Mickoski.

Sipas ministrit Durmishi, ligji për praktikat e padrejta tregtare mbetet në fuqi. Zbritja dhe kostot shtesë nga lista me 2 548 numra tariforë të produkteve bujqësore dhe ushqimore në tregtinë me pakicë dhe shumicë do të kufizohen në 10 për qind, duke filluar nga data 28 shtator.

Advertisement

Lajme nga vendi

Nikolloski: Korridori 8 do të ndërtohet deri në Qafë Thanë, po kërkojmë trasenë adekuate

Published

on

Autostrada e Korridorit 8 do të ndërtohet deri në kufirin Qafë Thanë, këtu nuk ka dilemë vetëm se duhet të gjendet se në cilën rutë. Kështu u shpreh ministri i transportit Aleksandar Nikollovski.

“Për korridorin 8 mesazhi është i qartë të gjendet alternativë tjetër ose nëse në bazë të rutës alternative, të gjendet rutë tjerët alternative nga kjo që ka qenë si alternativë në marrëveshje, e njëjta të diskutohet me Shqipërinë që edhe ata të mund të lidhen dhe në atë mënyrë të ndërtohet dhe ne për këtë problem komunikojmë intenzivisht me Shqipërinë dhe kemi shpalosur disa opsione. Kështu që autostrada do të ndërtohet. Nuk është më pyetja a do të ndërtohet por vetëm të gjendet ruta adekuate”, tha Nikolloski.

Ai shtoi se pjesa më e vështirë e autostradës Kërçovë-Ohër thuajse është gati dhe se nga fshati Izvor e deri në Vërbjan pritet të lëshohet në përdorim në muajin tetor. Sipas tij mbetet vetëm pjesa e Botunit për tu zgjidhur dhe pritet që në tremujorin e parë të vitit 2027 kjo autostradë të vihet tërësisht në funksion.

“Dy galeri janë përfunduar tërësisht. E treta është 70% e kryer, e katërta është 50% dinamikë, në Botun po punohen tunelet po vendoset softuer, sinjalizimi, sistemi i ventilimit, sistemi zjarreve dhe qendra moderne për kontroll i cili vendoset për rritjen e sigurisë dhe presim që në fillim te muajit tetor të kjo pjesë më e rëndë nga autostrada Kërçovë-Ohër të jetë e vendosur në funksion”, deklaroi Nikolloski.

Ndërkaq autostrada Tetovë Gostivar kilometrat e para pritet që të jetë gati vitin e ardhshëm, ndërkaq përfundimi në vitin 2029. Pjesa e dytë nga Gostivari në Bukojçan pritet poashtu të përfundojë në vitin 2029, ndërsa sipas ministrit po pritet edhe vendimi për pjesën nga Bukojçani në Kërçovë.

Advertisement
Continue Reading

Lajme nga vendi

Nesër ndahen 109 vendime pune në Spitalin Klinik të Tetovës

Published

on

Nesër, në ora 13:00, në Amfiteatrin e Spitalit Klinik të Tetovës do të organizohet solemniteti me rastin e ndarjes së 109 vendimeve për punësim për të punësuarit e rinj në këtë institucion shëndetësor.

Në ceremoninë solemne pritet të marrin pjesë edhe Izet Mexhiti, Bilall Kasami, si dhe zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali.

Ndarja e vendimeve paraqet një hap të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve njerëzore të Spitalit Klinik të Tetovës dhe për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e rajonit.

Continue Reading

Lajme nga vendi

29 zjarre brenda 24 orëve, tre janë ende aktiv

Published

on

Gjatë 24 orëve të fundit deri në orën 07:30 në territorin e vendit janë regjistruar gjithsej 29 zjarre në ambiente të hapura, nga të cilat tre janë aktivë, një është nën kontroll dhe 25 janë shuar, njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).

Sipas informacioneve nga QMK, zjarri është aktiv në zonën e komunave Studeniçan dhe Zelenikovë, në shtrirjen nga fshatrat Morane, Vrtekica dhe Ramni Gaber drejt Paligradit, si dhe mbi fshatin Vrazhale, ku është prekur një pyll i përzier. Një zjarr aktiv ka edhe në fshatin Tërnovë në Gostivar, ku po digjet një pyll i përzier, si dhe mbi fshatin Nezhilovë në Komunën Çashkë, ku janë prekur pemë bredhi.

Zjarri pranë fshatit Tajmishte në Kërçovë, në lokalitetin Darda, ku po digjej një pyll ahu me kërcell të lartë, është vënë nën kontroll.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shuar 25 zjarre në vende të ndryshme në të gjithë vendin. Midis tyre janë zjarret në Strumicë, Vasilevë, Delçevë, Kumanovë, Jegunovcë, Gostivar, Vrapçishtë, Demir Hisar, Probishtip, Ilinden, Saraj, Çair, Studeniçan, Haraçinë, Makedonski Brod, Novaci, Petrovec, Berovë, Karbinci dhe Çeshinovë-Obleshevë.

QMK raporton se këto zjarre kanë djegur bimësi të ulët, kashtë, bar të thatë, shkurre, si dhe disa zona pyjore, dhe në disa raste, janë prekur edhe mbeturina, kashtë, ndërtesa dhe një fole lejlekësh.

Continue Reading

Më të lexuarat