Lajme nga rajoni
Lajçak: Kosova ta themelojë Asociacionin, Serbia t’i njohë simbolet e Kosovës
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është shprehur i lumtur që Brukseli, me Prishtinën dhe Beogradin, kanë përmbyllur me sukses negociatat për zbatimin e Deklaratës së vitit 2023 për Personat e Zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Një ditë pas takimit të zhvilluar me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me atë të Serbisë, Petar Petkoviq, Lajçak i ka lëvduar ata për, siç është shprehur, bashkëpunim të mirë dhe bisedime konstruktive trelaterale.
Lajçak ka thënë se dakordimi për zbatimin e Deklaratës për të pagjeturit ishte “një hap i rëndësishëm që përfundimisht do të sjellë një përmbyllje për familjet”.
Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta.
Emisari evropian ka paralajmëruar se Brukseli së shpejti do të jetë mikpritës i takimit të parë të një Komisioni të Përbashkët, ndërkaq Bislimi ka thënë se ky komision do të fillojë të merret me çështjet që i takojnë nga janari i 2025-tës.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje më 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Zotimet që u bënë me këtë deklaratë, përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.
Por, deri tani, asnjë prej këtyre nuk është realizuar në praktikë.
Emisari evropian ka thënë se ua ka kujtuar palëve se normalizimi i marrëdhënieve nënkupton integrim në BE, dhe se dy proceset janë të ndërlidhura me njëri-tjetrin.
Lajçak ka thënë, po ashtu, se me Bislimin dhe Petkoviqin kanë diskutuar për hapat drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit: “shtensionimin, përgjegjësinë për sulmet e 2023-tës, riintegrimin e serbëve të Kosovës, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës”./REL
Lajme nga rajoni
LVV nënshkruan koalicionin parazgjedhor me tri parti
Lëvizja Vetëvendosje, Partia Guxo, Partia Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane kanë nënshkruar marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor, duke e cilësuar atë si vazhdim të një rruge të përbashkët politike dhe angazhim të qartë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Sipas Partisë Guxo, ky koalicion nuk paraqet një bashkim të përkohshëm, por një qëndrim politik të vendosur për të qeverisur me përgjegjësi, për të mbrojtur interesin shtetëror dhe për ta vendosur qytetarin në qendër të çdo vendimi.
“Ne hyjmë në këtë marrëveshje me bindjen se shteti forcohet vetëm përmes drejtësisë që vepron, institucioneve që funksionojnë dhe një qeverisjeje që nuk i shmanget llogaridhënies”, thuhet në postimin e publikuar në Facebook, transmeton INA.
Në reagim thuhet se lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia qytetare nuk janë vetëm premtime politike, por detyrime që burojnë nga besimi i qytetarëve.
Po ashtu, partitë vlerësojnë se ky koalicion përfaqëson stabilitet, drejtim dhe qartësi politike, me synim një Republikë më të fortë brenda vendit dhe më të sigurt në arenën ndërkombëtare, me orientim të palëkundur euroatlantik dhe partneritete strategjike të konsoliduara.
“Partia GUXO qëndron në këtë bashkim me përgjegjësi të plotë, për të garantuar se politika nuk mbetet fjalë, por kthehet në veprim që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.
Lajme nga rajoni
KQZ ka bërë të ditur se AKR dhe Nisma Socialdemokrate nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Nisma Socialdemokrate nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.
Sipas njoftimit të KQZ-së, deri në përfundim të afatit zyrtar më 7 maj në orën 24:00, këto dy subjekte politike kanë njoftuar zyrtarisht mospjesëmarrjen në procesin zgjedhor.
“Në listën e partive që kanë konfirmuar se nuk do të garojnë në zgjedhje janë gjithsej nëntë subjekte politike, ndërsa AKR dhe Nisma Socialdemokrate janë ndër partitë më të njohura që kanë vendosur të mos jenë pjesë e garës elektorale”.
Sipas KQZ, Partitë politike që kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Demokratike e Unitetit; 2. Balli Kombëtar i Kosovës; 3. Lëvizja Qytetare Vatra; 4. Bashkimi për Ndryshim Anamorava; 5. Partia e Drejtësisë; 6. Srpski Narodni Pokret; 7. Partia Reforma Demokratike; 8. Aleanca Kosova e Re; dhe 9. Nisma Socialdemokrate”.
Afati për njoftimin e pjesëmarrjes, mospjesëmarrjes apo formimit të koalicioneve ka qenë i hapur nga 1 deri më 7 maj 2026 dhe ka vlejtur për 53 partitë politike të regjistruara në Republikën e Kosovës./Periskopi
Lajme nga rajoni
Kapen mbi 250 kg suxhuk në Shtutgart në autobusin e Kosovës
Më shumë se 250 kilogramë sudxuk dhe produkte mishi u sekuestruan dje në Shtutgart Stuttgart në një autobus nga Kosova, raportuan mediat në Prishtina, duke iu referuar mediave gjermane.
Policia gjermani njoftoi se produktet e mishit u ekspozuan nga era.
“Era e fortë që vinte nga disa çanta në zonën e ngarkesës konfirmoi shpejt dyshimin e tyre për produkte ushqimore të paligjshme. Në total, oficerët sekuestruan 252,8 kg produkte mishi gjatë inspektimit”, raportojnë mediat e Kosovës.
Në të njëjtin autobus u gjetën edhe mallra të tjera, të dyshuara si të kontrabanduara.
Sipas këtyre mediave, kishte cigare, dritare alumini dhe një kondicioner.
Përveç kësaj, u sekuestrua edhe një qen.
Janë nisur procedura për shmangie nga taksat kundër dy shoferëve të autobusëve dhe një mbledhësi mallrash në stacionin e autobusëve.
Shoferët e autobusëve do të përballen gjithashtu me gjoba për importimin ilegal të produkteve të mishit.(INA)
-
Lajme nga rajoni2 months agoStudentët shqiptarë protestojnë në Shkup, Spiropali apelon për respekt të gjuhës
-
Lajme nga rajoni2 months agoQeveria e Kosovës miraton vendimin: Ndahen 500 mijë euro për lojtarët e kombëtares
-
Lajme nga vendi2 months agoVrasje e tmerrshme në Maqedoni: Djali ther me thikë nënën e tij

