Lajme nga vendi
Taravari: Me Mickoskin kemi bashkëpunim të mirë, këtë javë takohemi
ASH-ja është e shtrirë në të gjithë vendin
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, në intervistën e fundit në TV Kanal5, ka folur rreth rejtingut të ASH-së dhe partive të tjera në opinion. Ai tha se ASH-ja, sipas anketave të brendshme të partisë del partia më e madhe brenda VLEN-it.
“Në tre anketat e ekzekutuara ASH-ja është partia më e madhe brenda koalicionit. Mirë është që ASH-ja, përkundër partive të tjera në VLEN, ka strukturë të mirë dhe të organizuar nga Likova deri në Strugë. Atje ku kërkohet vota shqiptare”, u shpreh Taravari.
Sa u përket vulave, Taravari, tha se partinë nuk e bëjnë vulat, pasi edhe Menduh Thaçi, i ka vulat e partisë, por sa ka mbështetje është çështje tjetër.
Kur të punohet pas shpine, duhet të bësh disa lëvizje për rezultate më të mira
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, ka folur rreth vendimeve të fundit të tij dhe situatën aktuale politike në vend.
Taravari ka deklaruar se të gjithë ata që më njohin e dinë se nga situatat e vështira, gjithmonë ka punuar për të përmirësuar gjendjen dhe nuk ka lejuar t’i punohet pas shpine.
“Të gjithë ata që na përkrahin e dinë se çdo herë kam tentuar të bëj më të mirë për të gjithë. Nuk bëhet fjalë për interesa personale, pasi shumë lehtë do ta kisha tejkaluar, por bëhet fjalë për interesin e përgjithshëm. Nëse dikush tenton të të zvogëloj sa më shumë dhe të të punoj pas shpine, duhet të bësh disa lëvizje të cilat do të tregosh se vlen dhe të arrish rezultat më të mirë”, u shpreh kryetari i ASh-së, Arben Taravari.
Stema dhe himni duhet të ndërrohen
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, ka folur rreth mundësisë së riorganizimit të shtetit dhe Kushtetutës. Taravari është shprehur se secili shtet duhet të organizohet sipas rrethanave aktuale në atë vend.
“Mendoj se në Maqedoni më mirë do të ishte të kishim 25 komuna, dhe jo 70 komuna siç i kemi tani. Ne duam ose jo, por nëse jemi duke ecur drejt BE-së, këto çështje duhet t’i mbyllim. Por komuna me 3.000-4.000 banorë nuk mendoj se janë funksionale. Sa i përket stemës, të gjithë vendet e ish-Jugosllavisë, e kanë ndërruar, vetëm Maqedonia nuk e ka ndërruar. E shoh se edhe te partitë politike ka gatishmëri për ndërrimin e stemës. Gjithashtu edhe 20 përqindëshi nga Kushtetuta duhet të hiqet”, u shpreh Taravari.
Taravari shtoi se sa i përket himnit ua len ekspertëve të vendosin se si duhet të ndërrohet, ndërsa për himnin dhe stemën, duhet të shihet se si është edhe interesi te partitë tjera dhe të vijnë në një përfundim më të mirë.
Me Mickoskin kemi bashkëpunim të mirë, këtë javë takohemi
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, ka deklaruar se pa marrë parasysh se si do të rrjedhin situatat politike, gjatë kësaj jave do të takohet me kryeministrin Mickoski. Taravari tha se me Mickoskin njihen që nga viti 2017, kur ai ishte Sekretar i Përgjithshëm i partisë.
“Deri më tani kam përvojë të mirë të bashkëpunimit, pa marrë parasysh në cilën anë kemi qenë”, u shpreh Taravari.
Ai shtoi se kanë bashkëpunuar në dy cikle zgjedhore në zgjedhjet lokale.
Lajme nga vendi
Besnik Xhemaili zgjidhet zëvendëskryetar i Antikorrupsionit
Anëtari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Besnik Xhemaili, është zgjedhur zëvendëskryetar i KSHPK-së, funksion që do ta kryejë gjashtë muaj.
Zgjedhja e zëvendëskryetarit të KSHPK-së është kryer sipas parimit të rotacionit, dhe renditja u përcaktua sipas rendit alfabetik të mbiemrave të anëtarëve të KSHPK-së, shpjegoi kryetari Adem Çuçuli.
“Mandati i zëvendëskryetares aktuale të KSHPK-së, Sofija Spasova Medarska, përfundon më 18 gusht, ndërsa mandati i zëvendëskryetarit të ri, Besnik Xhemaili, do të fillojë më 19 gusht të këtij viti”, theksoi Çuçul, propozimi i të cilit u pranua unanimisht.
Në seancën e sotme të KSHPK-së, kryetari Çuçul informoi se Komisioni ka evidentuar 30 persona të zgjedhur, të emëruar ose mandati i të cilëve ka përfunduar në prill, të cilët nuk e kanë përmbushur detyrimin ligjor për të paraqitur deklaratën e gjendjes pronësore dhe konfliktit të interesit brenda afatit ligjor. Për të gjithë personat, theksoi Çuçul, do të iniciohen procedura kundërvajtëse dhe shqiptohen gjoba.
Anëtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sot morën 51 vendime për të njëjtin numër rastesh nga ankues të njohur ose të panjohur në KSHPK.
Lajme nga vendi
Uji në Gostivar mbetet vetëm për përdorim teknik, nuk lejohet për pirje
Uji nga ujësjellësi në Gostivar mbetet vetëm për përdorim teknik dhe ende nuk ka rekomandim që të përdoret për pirje ose gatim, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Sipas tij, arsyeja është paraqitja e një bakteri rezidual në instalimet e ujësjellësit, për shkak të të cilit uji vazhdon të jetë i ndaluar për konsum.
Duke komentuar akuzat ndaj Qeverisë se nuk ka ndërmarrë masa për të parandaluar ndotjen e ujit në Gostivar, Mickoski tha se në vitin 2021, kur lideri i SDSM-së, Venko Filipçe, ishte ministër i Shëndetësisë, ishin regjistruar mbi 400 ankesa për cilësinë e ujit në Gostivar.
Kryeministri i bëri thirrje Prokurorisë që t’i verifikojë këto pretendime, të hapë procedurë dhe të kryejë kontrolle në Institutin e Shëndetit Publik dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Sipas Mickoskit, institucionet kompetente duhet të sqarojnë pse, edhe pse kanë pasur mundësi të reagojnë, nuk kanë ndërmarrë masa për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të Gostivarit.
Lajme nga vendi
Skandal me provimin e Stomatologjisë: Studentja i pagoi ryshfet profesorëve, policia kapi mijëra euro
Njësia për Krim Financiar pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal ndaj tre personave të dyshuar për përfshirje në një skemë korruptive lidhur me përfitimin e paligjshëm të certifikatës për provimin profesional në stomatologji.
Gjatë kontrolleve te dy prej të dyshuarve, policia ka sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme.
Sipas MPB-së, A.T. (27) nga Manastiri, studente e stomatologjisë, gjatë dhjetorit 2025 ka komunikuar disa herë përmes aplikacionit Viber me S.Ç. (56) nga Gostivari, profesor në Fakultetin e Stomatologjisë dhe ish-nënkryetar i Odës së Stomatologëve.
Siç njofton MPB-ja, pasi arritën marrëveshje, studentja i ka transferuar para në llogarinë bankare profesorit, me qëllim që ai të përdorte ndikimin e tij për t’i mundësuar marrjen e certifikatës si punëtore shëndetësore, edhe pse nuk i plotësonte kushtet e nevojshme.
Sipas kallëzimit penal, profesori më pas ka ndërhyrë te S.E. (63) nga Shkupi, i cili në atë periudhë ishte kryetar i Komisionit për Provimin Profesional pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
Më 17 dhjetor 2025, studentja është paraqitur para komisionit, ka kaluar provimin dhe më pas ka marrë certifikatën shtetërore.
Gjatë aksionit, zyrtarët policorë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë kanë kryer kontrolle në banesat e të dyshuarve të dytë dhe të tretë, ku janë sekuestruar 65.280 euro, 29.840 franga zvicerane dhe 161.500 denarë.
“Në bazë të provave të siguruara, A.T. dyshohet për veprën penale dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, S.Ç. për marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, ndërsa S.E. për marrje ryshfeti”, njoftoi MPB.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e të gjitha rrethanave që lidhen me skemën e dyshuar korruptive.

