Lajme nga vendi
Mickoski: Kryetari i Gostivarit dhe gjithë të tjerët kanë përgjegjësi morale
Kryeministri Hristijan Mickoski kërkon që kreu i Gostivarit dhe gjithë zinxhiri përgjegjës të mbajnë përgjegjësi morale për helmimin e qytetarëve të Gostivarit. Sipas tij, Instituti i Shëndetit Publik e ka bërë punën e vet, ndërsa tani në hap është Prokuroria Publike e cila duhet të dalë me kualifikimin e veprës penale. Për shkak se ujësjellësi në Gostivar është projekt i financuar nga jashtë dhe me mbështetjen e Qeverisë, Mickoski tha se përgjegjësi do të ketë edhe për mbikëqyrësin e punimeve i cili ka nënshkruar raportin kur ka mbaruar projekti.
“Nga i pari deri tek i fundit duhet të mbajnë përgjegjësi morale, pavarësisht asaj që nga ana tjetër Prokuroria do të merret me përgjegjësinë e nivelit tjetër. Por unë pres që nga kryetari i komunës e gjithë të tjerët me rend të mbajnë përgjegjësi morale si fillim. Sigurisht që ka mbikëqyrës që ka nënshkruar raportin. Sipas ligjit për ndërtim, patjetër të keni mbikëqyrës dhe kompani që i kontrollon punimet dhe të gjithë një për një do të shqyrtohen”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër./ALSAT
Lajme nga vendi
PASDITE DHE GJATË MBRËMJES NIS MOTI I PAQËNDRUESHËM!
Për shkak të depërtimit të një fronti të ftohtë atmosferik nga veriu, gjatë orëve të vona të pasdites dhe mbrëmjes së sotme, si dhe gjatë natës drejt së mërkurës dhe të mërkurën, më 22 korrik, në orët e mëngjesit dhe paradites së hershme, në shumë zona të vendit do të zhvillohen re konvektive me bubullima dhe do të formohen masa ajrore të lagështa dhe të paqëndrueshme.
Sipas MeteoAlarm, në këtë periudhë, moti në vend do të jetë shumë i paqëndrueshëm, me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar. Proceset atmosferike në shumicën e rajoneve do të jenë dukshëm më intensive, me stuhi të shoqëruara me reshje të dendura shiu, erë të fortë me shpejtësi prej 50 deri mbi 60 km/orë, shkarkime të fuqishme dhe të shpeshta elektrike, si dhe breshër.
Për këtë arsye, qytetarëve u bëhet apel të tregojnë kujdes maksimal, veçanërisht gjatë paraqitjes së shkarkimeve të forta elektrike dhe erës së fuqishme.
Nga mbrëmja e sotme dhe gjatë natës drejt së mërkurës do të nis rënia e temperaturave, e cila fillimisht do të ndihet më shumë në pjesët veriore të vendit.
Ndërkohë, një stuhi e fuqishme me reshje të dendura dhe erë të fortë goditi mbrëmjen e kaluar disa komuna të Maqedonisë, duke shkaktuar dëme materiale dhe probleme në komunikacion. Më të goditura ishin Strumica, Radovishi, Dellçeva, Dojrani dhe Kumanova, ku u rrëzuan pemë, shtylla elektrike dhe u dëmtuan linjat e energjisë elektrike. Në disa vende u dëmtuan edhe automjete.Tv Koha/
Lajme nga vendi
Revizorët shtetërorë zbuluan parregullsi në punën e Agjencisë për Rezervat e Detyrueshme të Derivateve të Naftës
Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR) ka konstatuar një sërë dobësish dhe parregullsish në punën e Agjencisë për Rezervat e Detyrueshme të Naftës gjatë revizionit të pasqyrave financiare për vitin 2024 dhe kontrollit të pajtueshmërisë me rregullativën ligjore.
Në raportin e revizionit thuhet se është dhënë mendim i pakushtëzuar për realitetin dhe objektivitetin e pasqyrave financiare, por mendim me rezervë për pajtueshmërinë me ligjet, aktet nënligjore dhe politikat e zbatuara.
Revizorët kanë konstatuar se Agjencia nuk ka dorëzuar propozim‑vendim për sasinë dhe strukturën e rezervave të detyrueshme të naftës në ministrinë kompetente për disa vite me radhë. Gjithashtu, janë identifikuar pagesa të pagave dhe kompensimeve që nuk kanë qenë plotësisht të harmonizuara me rregullativën ligjore, si dhe mungesë e evidentimit të rregullt të orarit të plotë të punës.
Raporti rikujton se edhe në revizionin e vitit 2018 ishte dhënë mendim me rezervë, ndërsa në kontrollin pasues një pjesë e rekomandimeve ishin realizuar, një pjesë ishin në proces, ndërsa një rekomandim kishte mbetur i pazbatuar.
Në seksionin “Theksim i çështjeve”, ESHR ka evidentuar situata që lidhen me moskthimin e një huaje të mazutit nga një organ shtetëror për më shumë se shtatë vjet, si dhe dhënien e qëndrueshme të derivateve nga rezervat e naftës me vendime të Qeverisë gjatë shpalljes së gjendjes së krizës.
Revizorët theksojnë edhe dobësi në rregullativën ligjore, përfshirë:
mungesë metodologjie të rregulluar për harmonizimin e vlerës së rezervave,
mospërputhje ligjore për kompetencat e miratimit të akteve nënligjore mes Qeverisë dhe Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale,
mandat të pacaktuar të drejtorit dhe procedurë të paqartë për emërimin e ushtruesit të detyrës në Agjenci.
Gjithashtu, është konstatuar se në institucion nuk është vendosur kontroll i brendshëm revizues, çka paraqet dobësi në sistemin e kontrollit të brendshëm.
Enti Shtetëror i Revizionit njofton se nuk janë dorëzuar vërejtje mbi Draft‑raportin e revizorit shtetëror të autorizuar. përcjell Zhurnal.mk .
Lajme nga vendi
MPB demanton: Askush nuk e ka përndjekur makinën e rastit tragjik
Ministria e Punëve të Brendshme i hedh poshtë të pavërtetat dhe spekulimet e publikuara në një pjesë të mediave lidhur me aksidentin rrugor në autostradën PKK Bllacë–Shkup, në të cilin humbën jetën tre persona, sipas të cilave pretendohet se viktimat janë ndjekur nga një automjet tjetër që është paraqitur rrejshëm si polici dhe se një dukuri e tillë është vërejtur edhe më parë.
“Apelojmë që të mos përhapen dezinformata. As nuk është evidentuar një dukuri e tillë dhe as nuk ka ndonjë denoncim për të ashtuquajturën “polici e rreme”. Organet hetimore do ta zbardhin shkakun që ka çuar në këtë aksident trafiku”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

