Sport
DERBI NUK KA FUND: SHKËNDIJA DHE STRUGA “BETEJË” EDHE NË FACEBOOK!
Përveç se në terrenin e gjelbërt, rivaliteti midis Shkëndisë së Tetovës dhe Struga Trim Lum, gjithnjë e më shumë po zhvendoset edhe nëpër rrjetet sociale. Administratorët e rrjeteve sociale të dy skuadrave që kryesojnë tabelën e klasifikimit, po bëhen gjithnjë e më kreativ në publikimet e tyre.
Derbi mes Shkëndijës dhe Struga Trim Lum duket se nuk përfundoi me vërshëllimën e fundit të arbitrit. Përkundrazi, pas fushës së gjelbër, beteja ka vazhduar në një tjetër terren, aty ku nuk ka nevojë as për top, as për gjyqtarë, por vetëm për pak kreativitet dhe shumë imagjinatë: në rrjetet sociale!
Gjithçka nisi me një nëndetëse që mbante emrin e Strugës dhe një peshkaqen gjigant që i vihej pas. Mesazhi i Shkëndijës ishte i qartë: “The Deep, The Danger, The Derby”. Por, siç duket, nëndetësja nuk e kishte llogaritur mirë se kush do të dilte në sipërfaqe pas 90 minutave.
Struga fitoi derbin dhe nuk humbi kohë për kundërpërgjigjen. Kësaj radhe, peshkaqeni përfundoi me zinxhirë, ndërsa nëndetësja strugane doli fitimtare. Mesazhi? “Jemi në piedestal!”
Por struganët nuk u mjaftuan vetëm me një fotografi. Kishte festa në zhveshtore, video nga ndeshja, fjalime motivuese të trajnerit Bledi Shkëmbi dhe, për fund, edhe një video-animacion me mbishkrimin për “natë të mirë” me pamjen e tabelës së kampionatit.
Me pak fjalë, Struga e fitoi derbin në fushë, por deshi ta vulosë fitoren edhe në Facebook!
Ndërkohë, nga Tetova mbretëron heshtja. Administratorët e Shkëndijës nuk kanë hyrë në këtë duel virtual. Ndoshta po kursejnë energjitë, ndoshta po presin që tabela të marrë sërish ngjyrat kuqezi, sepse, siç dihet, kreativiteti në rrjetet sociale është shumë më i ëmbël kur je në vendin e parë.
Deri atëherë, peshkaqeni mbetet në zinxhirë, nëndetësja në sipërfaqe, ndërsa derbi vazhdon… me komente, fotografi dhe thumbime virtuale!
Sepse në futboll, tri pikët fitohen në fushë, por krenaria, me sa duket, mbrohet edhe në rrjetet sociale! /Tv Koha/
Sport
FUTBOLL I FEMRAVE: KFF LUBOTENI RRUGËTON SIPAS PLANIT
Skuadra kryesuese në renditjen e tabelës Luboteni i Tetovës nuk ka lejuar befasi edhe në përballjen kundër Koçanit në transfertë, ku ka regjistruar fitore të thellë 6-1 me autore të golave Elena Simjanova 3, Yllza Maksuti 2 dhe Oliveira Roberta 1 gol.
Me tre pikët e fituara në Koçanë, Luboteni tani me katër pikë diferencë kryeson renditjen e tabelës.
Fitore në cilësinë e mysafireve ka regjistruar edhe Vardari 2025 kundër Pelisterit PRO 2026 me rezultatin 2-1, Skopje 2014 në cilësinë e vendasit ka shënuar fitore 3-2 kundër Tiverija Brera, AS United në Strugë ka regjistruar fitore 2-1 kundër Istatov 2015 , ndërsa Kamenica Sasa ka demoluar ekipin Reçica nga Kumanova me rezultatin dyshifror 12- 0.
Pas kompletimit të xhiros së 12-të kryeson Luboteni me 32 pikë e ndjekur nga Skopje 2014 me 28, Tiverija Brera me 22 aq sa ka edhe Kamenica Sasa , Pelisteri Pro 2026 me 20 dhe AS United në pozitën e 6-të me 17 pikë.
Rezultatet e xhiros së 12-të: Koçani – Luboteni 1-6, Skopje 2014 – Tiverija Brera 3-2, Kamenica Sasa – Reçica 12-0, Pelisteri PRO 2026 – Vardari 2023 1-2 dhe As United – Istatov 2015 2-1.
Sport
LIGA E KATËRT: BESA S`KA TË NDALUR – 6 NDESHJE, 6 FITORE!
Java e gjashtë e sezonit vjeshtor në Ligën e Katërt – Rajoni Gjashtë, prodhoi tre fitore të ekipeve vendase, një barazim dhe një fitore të mysafirëve me gjithsejt 15 gola të shënuar.
Lideri në tabelën e klasifikimit Besa e Çellopekut, ka regjistruar fitoren e 6-të me radhë në sezonin vjeshtor , kësaj radhe në cilësinë e vendasit në stadiumin ‘’Besa Arena’’ në Çellopek mundi ekipin Rinia të Negotinës me rezultatin 3-0.
Fitore të thellë ka regjistruar Flamurtari i Debreshit 5-1 kundër Pirokut.
Nerashti me rezultat minimal 1-0 ka fituar kundër Genç Kalemler Sport.
Treboshi ka pësuar në cilësinë e vendasit 0-1 kundër Dardania 99 , ndërsa ndeshja mes Renovës dhe Pallaticës ka përfunduar me barazim 2-2.
Pas xhiros së gjashtë tabelën me 18 pikë maksimale e kryeson Besa e Çellopekut.
Rezultatet: Besa – Rinia 3-0, Flamurtari – Piroku 5-1, Treboshhi – Dardania 0-1, Nerashti – Genç Kalemler Sport 1-0 dhe Renova – Pallatica 2-2.
Lajme nga vendi
NDËRROI JETË XHEVAT PREKAZI – MESAZHE NGA PARTIZANI, HAJDUKU DHE GALATASARAY!
Ish-futbollisti i njohur, Xhevdat Prekazi, ka ndërruar jetë të dielën në banesën e tij në Beograd, në moshën 69-vjeçare.
I lindur më 18 gusht 1957 në Mitrovicë, Prekazi e nisi karrierën te klubi lokal Remont, për t’u transferuar më pas te Partizani i Beogradit, ku kaloi shtatë vite. Me fanellën bardhezi zhvilloi 175 ndeshje dhe shënoi 23 gola, duke fituar tre tituj kampioni dhe Kupën Mitropa në vitin 1978.
Më pas luajti për Hajdukun e Splitit, me të cilin fitoi Kupën e Jugosllavisë në vitin 1984, ndërsa karrierën e vazhdoi te gjiganti turk Galatasaray.
Me klubin e Stambollit fitoi dy tituj kampioni të Turqisë, ndërsa arriti edhe në gjysmëfinale të Kupës së Kampionëve Evropianë në vitin 1989.
Prekazi ishte veçanërisht i dashur për tifozët turq. Ai mori nënshtetësinë turke, ndërsa një rrugë në Stamboll mban emrin e tij.
Paraqitja e tij e fundit publike ishte në tetor të këtij viti në “Mundialin Ulqinak të Miqësisë” ku mori pjesë bashkë me shumë legjenda të sportit ish-jugosllav.
Partizani, Hajduku dhe Gallatasaraji u ndanë me emocione nga legjenda e tij, me mesazhet: “Preki, faleminderit për gjithçka dhe pusho në paqe!”TV KOHA
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

