Connect with us

Lajme nga vendi

Italia propozon kufizimin e rrjeteve sociale për të miturit, ndalohen llogaritë për fëmijët nën 13 vjeç

Published

on

Qeveria italiane e kryeministres Giorgia Meloni po përgatit masa të reja për kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët dhe adoleshentët, me qëllim mbrojtjen e tyre nga varësia digjitale dhe ndikimet negative të platformave online.
Sipas ndryshimeve të propozuara në një dekret qeveritar, fëmijëve nën moshën 13 vjeç do t’u ndalohet krijimi i llogarive në rrjetet sociale. Për grupmoshën 13 deri në 15 vjeç, përdorimi do të lejohet vetëm nëse llogaritë janë të lidhura me ato të prindërve, ndërsa llogaritë e pavarura do të lejohen nga mosha 16 vjeç.
Propozimi mbështetet nga koalicioni qeverisës, por ende nuk është paraqitur zyrtarisht dhe mund të pësojë ndryshime gjatë procedurës parlamentare.
Masat parashikojnë gjithashtu detyrimin e kompanive të rrjeteve sociale për të verifikuar moshën e përdoruesve. Autoriteti italian i komunikimeve, AGCOM, pritet të përcaktojë rregullat e verifikimit brenda nëntë muajve nga hyrja në fuqi e dekretit, ndërsa aplikacionet edukative do të përjashtohen nga kufizimet.
Sipas autoriteteve italiane, nisma synon të zvogëlojë rreziqet që lidhen me përdorimin e tepruar të rrjeteve sociale dhe ndikimin e tyre në shëndetin mendor të të miturve.
Italia i bashkohet kështu vendeve si Australia, Brazili dhe Greqia, të cilat kanë ndërmarrë ose po shqyrtojnë masa për kufizimin e qasjes së fëmijëve në platformat sociale.

Lajme nga vendi

Sëmundja pulmonare obstruktive kronike, shkaktarë, duhani dhe ajri i ndotur

Published

on

Instituti për Sëmundje të Mushkërive dhe Tuberkulozit me rastin e Ditës Botërore të Sëmundjes Pulmonare Obstruktive Kronike, kryen kontrolle falas për qytetarët, për vlerësimin e funksionit të frymëmarrjes dhe zbulimin e hershëm të sëmundjes. Sipas tyre, kjo sëmundje është shumë e shpeshtë tek qytetarët dhe çdo i dhjeti person mbi 40 vjeç përballet me këtë sëmundje. Mjekët thonë se shkaktari kryesor për këtë sëmundje është duhani dhe ajri i ndotur.
“Faktori kryesor për këtë sëmundje është pirja e duhanit. Fatkeqësisht RMV-ja, në nivel evropian, sipas statistikave është në krye të listës për persona që konsumojnë duhan. Kjo sëmundje shfaqet kur të rinjtë fillojnë duhanin nën moshën 15 vjeç, pastaj sa vite dhe sa cigare në ditë i konsumojnë. Problemi i dytë për këtë sëmundje është ajri i ndotur si brenda në shtëpi varësisht se me çka ngrohen qytetarët, ashtu edhe jashtë nga industria, automjetet etj.”, thanë nga Instituti për Sëmundje të Mushkërive.
“Motoja për këtë vit është diagnostikimi i hershëm i kësaj sëmundje që të intervenohet më herët me terapinë adekuate. Qytetarëve që u bëjmë kontrolle këtu, u shohim rezultatet dhe ata që kanë nevojë për analiza shtesë, i drejtojmë për në Institut.”, thotë mjekja.
Mjekët thonë se në RMV çdo i dyti person konsumon duhan, ndërsa 13.6 për qind e të rinjve të moshës 13 deri në 15 vjeç konsumojnë ndonjë formë të duhanit, sidomos cigare elektronike, të cilat janë të rrezikshme për shëndetin dhe shkaktojnë dëme në mushkëri. al.mrt.
VLORA LATIFI TOPOJANI
Continue Reading

Lajme nga vendi

Inteligjenca artificiale, institucionet dhe bizneset përballë ndryshimit

Published

on

Institucionet dhe kompanitë duhet të jenë në hap me zhvillimet teknologjike dhe ta përdorin më gjerësisht inteligjencën artificiale. Në konferencën e Odës Ekonomike për Teknologji Informative dhe të Komunikimit – MASIT u diskutua se si këto mjete mund t’i ndihmojnë bizneset të bëhen më konkurruese dhe institucionet t’u ofrojnë qytetarëve shërbime më të shpejta. Përmes projektit “Vezilka”, me vlerë mbi 5,5 milionë euro, Qeveria synon të zhvillojë një model gjuhësor në maqedonisht për përdorim në administratën publike.
“Fillimisht, përmes trajnimeve, punonjësit e sektorit publik do të përgatiten për përdorimin e këtyre mjeteve. Më pas, ato do të përdoren në raste konkrete dhe mbi to do të ndërtojmë sisteme të caktuara.”, – deklaroi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.
“Ne si Qeveri përpiqemi t’i mundësojmë të gjitha kushtet që janë pjesë edhe e legjislativës dhe e infrastrukturës, me qëllim që industria e IT-së të mund të rritet, të krijohen vende të reja të punës, të krijohet vlerë shtesë dhe në atë mënyrë të rritet edhe ekonomia.”, – theksoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski.
Ndërkohë, kryetari i MASIT-it, Jordan Dimitrovski, tha se inxhinierët e rinj tashmë e kanë më të vështirë të gjejnë punë. Ai kërkoi më shumë praktikë gjatë studimeve.
“Po bisedojmë me universitetet që gjatë studimeve të ketë më shumë mësim praktik, që studentët t’i përdorin më shumë këto mjete dhe, kur të diplomohen, të dinë si të përfshihen në detyrat e punës.”, – u shpreh kryetari i MASIT-it, Jordan Dimitrovski.
Dimitrovski pret që inteligjenca artificiale të marrë gradualisht përsipër detyrat e përsëritura, përfshirë një pjesë të punës në programim. Sipas tij, kjo do të shtojë nevojën për rikualifikim, ndërsa sektori tashmë ka mungesë specialistësh në sigurinë kibernetike dhe në shkencën e të dhënave. al.mrt. BELINDA KOKA ADEMI
Continue Reading

Lajme nga vendi

DEPONITË ILEGALE NË KUVEND, HOXHA PREMTON QENDRËN RAJONALE RUSINO!

Published

on

Deponitë ilegale dhe vonesat në ndërtimin e qendrave rajonale për menaxhimin e mbeturinave u diskutuan në Kuvend. Deputeti i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, kritikoi institucionet për mungesën e rezultateve konkrete, ndërsa ministri i Ekologjisë, Muhamed Hoxha, paralajmëroi një platformë digjitale për evidentimin e deponive ilegale në vitin 2027. Ai bëri të ditur se në mesin e projekteve të planifikuara është edhe qendra rajonale Rusino për rajonin e Pollogut.

Deponitë ilegale dhe menaxhimi i mbeturinave, si dhe mosndërtimi dhe vonesat në realizimin e qendrave rajonale për menaxhimin e tyre, ishin ndër temat që ngjallën debat në seancën e sotme të Kuvendit.
Ish-kryeministri, tani deputet i opozitares LSDM, Dimitar Kovaçevski, theksoi se, pavarësisht premtimeve dhe strategjive të shumta, qytetarët vazhdojnë të përballen me deponi të egra dhe ajër të ndotur.
“Problemi me menaxhimin e mbeturinave është një nga problemet më të rëndësishme, më të vjetra dhe më të mëdha ekologjike në vendin tonë. Edhe pse prej vitesh përgatiten strategji, bëhen studime, sigurohen fonde evropiane dhe paralajmërohet ndërtimi i qendrave rajonale, qytetarët vazhdojnë të jetojnë mes deponive të egra dhe ajrit të ndotur. Kjo nuk është çështje që lidhet vetëm me ‘Higjienën Komunale’. Bëhet fjalë për shëndetin publik, mbrojtjen e mjedisit, por edhe për mënyrën se si menaxhohen investimet publike dhe fondet evropiane.”

Duke iu përgjigjur shqetësimeve të ngritura, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha, deklaroi se ndërtimi i qendrave rajonale për menaxhimin e mbeturinave mbetet një nga prioritetet e ministrisë që ai drejton.
Hoxha theksoi se realizimi i këtij projekti përbën një reformë të rëndësishme për vendin, e cila synon t’i japë fund problemit shumëvjeçar të deponive ilegale. Për më tepër, Hoxha paralajmëroi se për vitin 2027 është planifikuar krijimi i një platforme digjitale, përmes së cilës do të identifikohen dhe evidentohen deponitë ilegale.

Opinioni I gjërë e dijnë shumë mirë se për ndërtimin apo realizimin e kësaj reforme shumë të rëndësishme në vendin tonë që do ti japim edhe fund deponive të egra të cilat I kemi në çdo cep, pajtohem plotësisht dhe këtu mu pikërisht do të ndërlidhem edhe me mjetin apo platformën digjitale të cilën e paralajmërova dit më parë në pres konferencë për vitin 2027-të sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund, pas ndërtimit të qendrave rajonale të gjitha ato depone të cilat I kemi të identifikuara dhe ato të cilat nuk i kemi të identifikuara të fillojmë një nga një, pastrimin e tyre.


Në fund, Hoxha potencoi se në mesin e qendrave rajonale të reja do të jetë edhe ajo e Rusinos, e cila ndodhet në rajonin e Pollogut.Sipas ninistrit procedurat administrative janë në përfundim e sipër dhe viteve në vijim pritet edhe shpallja për ndërtimin e qendrës rajonale Rusino me standarde europiane./Tv Koha – Shkup/ 

Advertisement
Continue Reading

Më të lexuarat