Lajme nga vendi
Delegacioni i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut do të shkojë në Tetovë për të marrë pjesë në nisjen e punimeve për ndërtimin e fabrikës
Qeveria e Maqedonisë së Veriut e udhëhequr nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, sot do të marrë pjesë në Zonën për Zhvillim industrial dhe teknologjik në Tetovë, transmeton Portalb.mk.
Në hapësirat e kësaj zone industriale planifikohet ndërtimi i fabrikës “e.GO”, fabrikë që merret me prodhimin e veturave elektrike. Kjo fabrikë tashmë një kohë funksionon në Gjermani, ndërsa menaxhohet nga familja Destani.
Ndryshe, në seancën qeveritare të 11 gushtit u miratua ndihma shtetërore për fabrikën e re me teknologji bashkëkohore për prodhimin e veturave elektrike në Zonën zhvillimore teknologjike – industriale në Tetovë.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e fundit miratoi Informatën dhe mori Vendim fabrikës së re me teknologji bashkëkohore për prodhimin e veturave elektrike për dhënien e pëlqimit të Marrëveshjes për ndarjen e ndihmës shtetërore të lidhur mes Qeverisë së RMV-së, e përfaqësuar nga Drejtoria për Zona zhvillimore teknologjike industriale dhe “NEKST. E.GO MOBILE”. Veturat elektrike e-go do të prodhohen në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Investim shumëmilionësh i NEXT.E.GO MOBILE SE, Ahen, Gjermani në TIRZ Tetovë do të hapë 3 deri 4000 vende të reja pune.
Kjo është hera e parë në industrinë e automobilave që në vendin tonë do të prodhohet një makinë e plotë dhe kuptohet që për herë të parë do të prodhohen makina elektrike.
Përfitimet e këtij investimi janë të shumëfishta – nga hapja e vendeve të reja të punës, eksporti i produkteve me vlerë të shtuar, transferimi i njohurive dhe teknologjive, hartëzimi i vendit tek investitorët e huaj në këtë fushë, deri te kontratat dhe punë shtesë për kompanitë vendase.
Lajme nga vendi
Edhe LD e Mexhitit së shpejti shkrin strukturat, Alternativa ende e “ngrirë”!
“Këto ditë po përgatitetet edhe Lëvizja Demokratike që të thërret kuvendin themelues për tu shkri dhe për ta bërë VLEN-in një. Besoj që në këtë mënyrë të gjithë flasin në një zë dhe ky zë është drejt shkrirjes së VLEN-it në një subjekt politik”, u shpreh Izet Mexhiti, VLEN.
Ndërkohë ka pasur reagime edhe nga pjesa e ASH-së që nuk është në pushtet, raporton Alsat.
Remzi Mehmedi nga ASH-ja e Selës thotë se kur flitet për zhvillimet në ASH duhet të merren parasysh dy momente.
1. Zgjedhjet lokale të vitit 2017 në Strugë dhe Gostivar.
2. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, veçanërisht në zonën 5.
Në të 2 këto momente ka pasur tradhti dhe tregti mes aktorësh nga kampe të ndryshme e që koha i zbuloi e i zbulon për çdo ditë. Gjithçka tjetër është pasojë dhe nuk duhet parë si ndodhi në vetvete.
Për formimin e partisë VLEN nuk ka një marrëveshje finale mirëpo qëndrimin përfundimtar për modelin e mundshëm të strukturimit, nuk e ka dhënë as Alternativa. Jozyrtarisht, sipas Alsat, edhe Alternativa është kundër modelit me vetëm dy kryetarë, Kasamin e Mexhitin.
Lajme nga vendi
Blerim Sejdiu zgjidhet kryetar i Rajonit Planor të Pollogut për vitin 2026
Në hapësirat e Komunës së Zhelinës është mbajtur mbledhja konstituive e Këshillit për Zhvillim të Rajonit Planor të Pollogut, ku kryetarët e komunave të këtij rajoni kanë diskutuar dhe miratuar pikat kyçe për vitin 2026.
Në këtë mbledhje është shqyrtuar dhe miratuar Plani Financiar për vitin 2026, si dhe janë diskutuar propozim-projektet me të cilat Rajoni i Pollogut do të aplikojë për fonde dhe mbështetje institucionale.
Gjithashtu, janë trajtuar edhe çështje të tjera me rëndësi strategjike, që kanë të bëjnë me zhvillimin e qëndrueshëm dhe të balancuar të rajonit.
Sipas parimit të rotacionit, nga sonte drejtimin e Rajonit Planor të Pollogut për vitin 2026 e merr Komuna e Zhelinës. Me këtë rast, Blerim Sejdiu është përzgjedhur Kryetar i Rajonit të Pollogut për një mandat njëvjeçar.
Sejdiu theksoi se ky është një besim dhe përgjegjësi e madhe, të cilën do ta ushtrojë me përkushtim të plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha komunat e rajonit, me synim realizimin e projekteve konkrete dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Rajoni i Pollogut pritet të vazhdojë me realizimin e projekteve në vazhdim dhe me hartimin e iniciativave të reja zhvillimore, në funksion të ndërtimit të një Pollogu më të zhvilluar dhe me perspektivë më të qartë ekonomike dhe infrastrukturore.
Lajme nga vendi
Begaj të shtunën në Tetovë, ja rrugët që do të bllokohen
Komuna e Tetovës informon se të shtunën, më 28 shkurt, me rastin e vizitës zyrtare të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në qytet do të ketë masa të përkohshme sigurie dhe ndalim parkimi në disa rrugë.
Komuna e Tetovës rekomandon që automjetet të mos parkohen në bulevardet dhe rrugët në vijim:
Bulevardi “Marshall Tito” nga fillimi deri te rrethrrotullimi te tregu, në kryqëzim me bulevardin “Blagoja Toska”
Bulevardi “Blagoja Toska” nga rrethrrotullimi me bulevardin “Marshall Tito” deri te ndërtesa e Komunës së Tetovës
Rruga “JNA” (“Dervish Cara”) në tërësi, deri te semaforët
Rruga “Ilindenska” nga Gjykata Themelore deri te Universiteti i Evropës Juglindore
Rruga “Kiro Ristoski-Drnc” deri te Arabati Baba Teqe
Rruga VonVardarska
Rruga “172”
Automjetet e parkuara në kundërshtim me njoftimin do të largohen nga shërbimet kompetente, bëjnë të ditur nga Komuna e Tetovës.


You must be logged in to post a comment Login