Lajme nga vendi
Përfundoi pushimi, nesër Kuvendi i Maqedonisë do t’i kthehet punës
Deputetët nesër zartarisht nisin punën pas pushimeve vjetore, transmeton Portalb.mk.
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, sipas njoftimeve, nesër do të mbajë takim me nënkryetarët e Kuvendit dhe koordinatorët e grupeve parlamentare, në të cilin duhet të dakordohet dinamika e punës për këtë javë dhe periudhën në vijim.
Për momentin në ueb-faqen e Kuvendit nuk ka aktivitete të planifikuara.
Ndër aktivitetet e para në Kuvend pritet të jetë vazhdimi i punës së Komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërime për zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues në mënyrë që vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese të plotësohen sa më shpejt.
Sipas njoftimeve të bëra para festës, pritet që të caktohen edhe vazhdime të seancave tashmë të nisura. Kryetari i Kuvendit në koordinimin e fundit me gazetarët shpalli seancën e parë të re të rregullt pas pushimeve për 13 shtator.
Deputetët zyrtarisht kanë shkuar me pushime pas festave të Ilindenit.
Ndryshe, njohësit e çështjeve politike thonë se Kuvendi i Maqedonisë së Veriut asnjëherë si deri më tani nuk ka qenë joefikas në miratimin e ligjeve, por edhe sa i përket debatit jocilësor pasi puna e tij më shumë është shoqëruar me përplasje e incidente sesa me debatet lidhur me përmbajtjen e ligjeve.
Lajme nga vendi
Dy mashtrime brenda një dite në Negotinë, pensionistët mbeten pa 7.000 euro
Në dy mashtrime të realizuara me sukses brenda së njëjtës ditë në Negotinë, dy banorë të moshuar të qytetit, një burrë dhe një grua, kanë mbetur pa gjithsej 7.000 euro, njofton policia.
Në rastin e parë, një 76-vjeçar nga Negotina i ka dhënë 4.000 euro një personi të panjohur, i cili ia ka kërkuar paratë me një arsyetim banal.
“Më 19.02.2026 në ora 12:30 në SPB Negotinë, një 76-vjeçar nga Negotina ka raportuar se është mashtruar nga një person për shumën prej 4.000 euro. Sipas denoncimit, personi i ka kërkuar të dëmtuarit t’i japë 4.000 euro për t’ia treguar një personi tjetër, të cilin e ka prezantuar si shtetas të huaj, me qëllim që t’i dëshmojë se euroja është valutë e vlefshme në vend. Siç është raportuar, ai ia ka dhënë paratë, ndërsa personi i ka lënë një çantë me dry që ta ruajë si dëshmi se do të kthehet. Pasi e ka hapur çantën, i dëmtuari ka kuptuar se është mashtruar”, bëjnë të ditur nga MPB.
Në mashtrimin e dytë është përdorur skema e njohur ku një mjek i rremë kërkon para për një operacion të supozuar të një familjari të viktimës.
“Më 19.02.2026 në ora 17:15 në SPB Negotinë, një 81-vjeçare nga Negotina ka raportuar se është mashtruar nga një person për shumën prej 3.000 euro. Sipas denoncimit, personi e ka kontaktuar me telefon, është prezantuar si mjek dhe i ka thënë se vajza e saj ndodhet në spital me thyerje dhe duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale, për çka duhej të paguante. Siç është raportuar, ajo i ka lënë paratë në vendin e marrëveshur, ndërsa më vonë ka kuptuar se është mashtruar”, thuhet në buletinin policor.
Lajme nga vendi
Policia tregon se çfarë ndodhi mbrëmë në bulevardin “Ilinden” në Tetovë
Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë njoftojnë se gjatë mbrëmjes së djeshme është raportuar një sulmi fizik dhe kërcënimi me armë në fshatin Gajre, pas çka, personat A.M. (43), E.M. (20) dhe një 16-vjeçar u arrestuan nga policia e Tetovës. Ata janë kapur në automjetin “Golf”, i cili nuk kishte ndaluar në shenjën e policisë. Policia vazhdon kërkimin e L.M., person gjithashtu i dyshuar për sulmin.
“Më 20.02.2026 në SPB Tetovë, personi Z.I.(39) nga fsh. Gajre ka denoncuar se rreth orës 20.00 në fsh.Gajre është ndaluar nga personi L.M. dhe një i mitur 16-vjeçar, të cilët kanë dalë nga automjeti “Golf” me targa të Tetovës, pas së cilës me forcë e kanë futur në oborrin e një shtëpie pronë e L.M. Atje e kanë kërcënuar me armë zjarri dhe e kanë sulmuar fizikisht me send të fortë. Pas masave të ndërmarra, rreth orës 21.50 në rrugën “Ilinden” në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria A.M.(43) dhe E.M.(20) nga fsh. Gajre, të cilët janë gjetur në automjetin “Golf” i cili paraprakisht nuk kishte ndaluar në shenjën e dhënë nga policia. Në fsh.Gajre, në prani të prindit, është privuar nga liria edhe i mituri 16-vjeçar. Personat janë ndaluar në stacionin policor, ndërsa automjeti është mbajtur për kontroll. Po merren masa për gjetjen e L.M. Pas dokumentimit të plotë do të dorëzohet parashtresa përkatëse”, thonë nga Policia e Tetovës.
Lajme nga vendi
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari asgjëson mbi 1 ton ushqime të pasigurta
Shërbimet inspektuese të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari kanë asgjësuar 1.010 kilogramë ushqime të pasigurta, të etiketuara si “ushqim i shëndetshëm”, gjatë 373 kontrolleve të realizuara këtë javë te 14 operatorë të regjistruar për prodhim dhe tregtim të ushqimit.
Gjatë inspektimeve, është konstatuar se 14 operatorë nuk kanë qenë fare të regjistruar si operatorë ushqimi në agjenci. Për parregullsitë e gjetura janë shqiptuar 65 vendime administrative, 19 vërejtje dhe 44 gjoba, në vlerë totale prej 20.550 eurosh në kundërvlerë denari.
Në 9 subjekte janë evidentuar kushte të papërshtatshme higjieno-teknike, ndërsa te 7 operatorë është gjetur ushqim me afat të skaduar. Te dy operatorë është zbuluar ushqim me origjinë të panjohur.
Ushqimi ishte i etiketuar në mënyrë të papërshtatshme te 18 operatorë, ndërsa në 23 raste punonjësit nuk kishin kryer kontrollet shëndetësore të detyrueshme.
Po ashtu, dy operatorë nuk kishin vendosur procedura për praktikë të mirë prodhuese dhe higjienike, ose nuk mbanin evidencë të përkatëse. Te dy subjekte nuk ishte kryer dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi i detyrueshëm në objektet e tyre, njofton Agjencia.


You must be logged in to post a comment Login