Lajme nga vendi
Dita e tretë e debatit për propozim-buxhetin, përplasje në mes pushtetit dhe opozitës
Ka filluar seanca e 52-të e Komisionit Parlamentar për Financimin dhe Buxhetin, e cila vazhdoi diskutimin për Propozim-buxhetin për vitin 2023.
Kjo është dita e tretë e debatit të përgjithshëm, ndërsa sipas renditjes së të regjistruarve, e para ka folur deputetja Jaklina Peshevska nga OBRM-PDUKM.
Peshevska fillimisht përsëriti qëndrimin e partisë, se buxheti i propozuar është historikisht më i larti, inflacional dhe shpërdorues, e më pas paraqiti edhe vlerësime për punën e deritanishme të qeverisë.
“Kjo Qeveri ka sukses vetëm në huamarrje dhe me këtë buxhet vitin e ardhshëm do të marrë 1.5 miliardë euro dhe borxhi publik do të arrijë tetë miliardë euro. Për të gjashtin vit radhazi, vetëm nga LSDM-ja dhe BDI-ja dëgjojmë rritje ekonomike, të cilat sollën inflacion dhe standard të keq jetësor. Situata është tmerruese dhe sërish gjithçka do të bjerë mbi barrën e qytetarëve. Buxheti i propozuar është joreal për shkak të rritjes artificiale të të hyrave dhe inflacionit, që është rezultat i politikave të gabuara”, tha Pesevska.
Ndërsa për replikë u paraqit Dime Vlekovski nga LSDM, i cili momentalisht është duke sqaruar projeksionet buxhetore.
Në seancë është i pranishëm zëvendësministri i Financave, ndërsa në ditën e parë ministri Fatmir Besimi ka shpjeguar projektbuxhetin.
Sipas parashikimeve, të hyrat e përgjithshme janë planifikuar në nivelin prej 282,1 miliardë denarë dhe janë 14,8 për qind më të larta në krahasim me vitin 2022, ndërsa shpenzimet janë planifikuar në nivelin prej 324,8 miliardë denarë ose janë 12,6 për qind më të larta në krahasim me vitin 2022.
Deficiti buxhetor është projektuar në nivel prej 4,6 për qind nga PBB-ja e planifikuar ose 42,7 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet e përgjithshme në 324,8 miliardë denarë, që është 36,3 miliardë denarë më shumë se buxheti për vitin 2022.
Lajme nga vendi
Edhe LD e Mexhitit së shpejti shkrin strukturat, Alternativa ende e “ngrirë”!
“Këto ditë po përgatitetet edhe Lëvizja Demokratike që të thërret kuvendin themelues për tu shkri dhe për ta bërë VLEN-in një. Besoj që në këtë mënyrë të gjithë flasin në një zë dhe ky zë është drejt shkrirjes së VLEN-it në një subjekt politik”, u shpreh Izet Mexhiti, VLEN.
Ndërkohë ka pasur reagime edhe nga pjesa e ASH-së që nuk është në pushtet, raporton Alsat.
Remzi Mehmedi nga ASH-ja e Selës thotë se kur flitet për zhvillimet në ASH duhet të merren parasysh dy momente.
1. Zgjedhjet lokale të vitit 2017 në Strugë dhe Gostivar.
2. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, veçanërisht në zonën 5.
Në të 2 këto momente ka pasur tradhti dhe tregti mes aktorësh nga kampe të ndryshme e që koha i zbuloi e i zbulon për çdo ditë. Gjithçka tjetër është pasojë dhe nuk duhet parë si ndodhi në vetvete.
Për formimin e partisë VLEN nuk ka një marrëveshje finale mirëpo qëndrimin përfundimtar për modelin e mundshëm të strukturimit, nuk e ka dhënë as Alternativa. Jozyrtarisht, sipas Alsat, edhe Alternativa është kundër modelit me vetëm dy kryetarë, Kasamin e Mexhitin.
Lajme nga vendi
Blerim Sejdiu zgjidhet kryetar i Rajonit Planor të Pollogut për vitin 2026
Në hapësirat e Komunës së Zhelinës është mbajtur mbledhja konstituive e Këshillit për Zhvillim të Rajonit Planor të Pollogut, ku kryetarët e komunave të këtij rajoni kanë diskutuar dhe miratuar pikat kyçe për vitin 2026.
Në këtë mbledhje është shqyrtuar dhe miratuar Plani Financiar për vitin 2026, si dhe janë diskutuar propozim-projektet me të cilat Rajoni i Pollogut do të aplikojë për fonde dhe mbështetje institucionale.
Gjithashtu, janë trajtuar edhe çështje të tjera me rëndësi strategjike, që kanë të bëjnë me zhvillimin e qëndrueshëm dhe të balancuar të rajonit.
Sipas parimit të rotacionit, nga sonte drejtimin e Rajonit Planor të Pollogut për vitin 2026 e merr Komuna e Zhelinës. Me këtë rast, Blerim Sejdiu është përzgjedhur Kryetar i Rajonit të Pollogut për një mandat njëvjeçar.
Sejdiu theksoi se ky është një besim dhe përgjegjësi e madhe, të cilën do ta ushtrojë me përkushtim të plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha komunat e rajonit, me synim realizimin e projekteve konkrete dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Rajoni i Pollogut pritet të vazhdojë me realizimin e projekteve në vazhdim dhe me hartimin e iniciativave të reja zhvillimore, në funksion të ndërtimit të një Pollogu më të zhvilluar dhe me perspektivë më të qartë ekonomike dhe infrastrukturore.
Lajme nga vendi
Begaj të shtunën në Tetovë, ja rrugët që do të bllokohen
Komuna e Tetovës informon se të shtunën, më 28 shkurt, me rastin e vizitës zyrtare të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në qytet do të ketë masa të përkohshme sigurie dhe ndalim parkimi në disa rrugë.
Komuna e Tetovës rekomandon që automjetet të mos parkohen në bulevardet dhe rrugët në vijim:
Bulevardi “Marshall Tito” nga fillimi deri te rrethrrotullimi te tregu, në kryqëzim me bulevardin “Blagoja Toska”
Bulevardi “Blagoja Toska” nga rrethrrotullimi me bulevardin “Marshall Tito” deri te ndërtesa e Komunës së Tetovës
Rruga “JNA” (“Dervish Cara”) në tërësi, deri te semaforët
Rruga “Ilindenska” nga Gjykata Themelore deri te Universiteti i Evropës Juglindore
Rruga “Kiro Ristoski-Drnc” deri te Arabati Baba Teqe
Rruga VonVardarska
Rruga “172”
Automjetet e parkuara në kundërshtim me njoftimin do të largohen nga shërbimet kompetente, bëjnë të ditur nga Komuna e Tetovës.

