Lajme nga vendi
Zeqiri: Të ardhurat nga buxheti i shtetit të jenë të njejta për të gjitha universitetet publike
Të ardhurat personale në arsimin e lartë për të gjitha universitetet publike të financuara nga shteti duhet të jenë të barabarta dhe të ndahen në bazë të kriteriumeve të njëjta.
Nuk është e drejtë që Kryetari i Kuvendit, z. Talat Xhaferi, në cilësinë e personit të autorizuar nga themeluesi i Universitetit, gjegjësisht Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryetari i Sindikatës së të punësuarve në Universitetin “Shën Qirili dhe Metodi” në Shkup, profesor Angel Ristov të nënshkruajnë marrëveshje kolektive individuale me USHQM ku rregullohen të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e punëtorëve dhe punëdhënësit, Universiteti “Shën Qirili dhe Metodi” në Shkup, të cilat rrjedhin nga marrëdhënia e punës, për përmirësimin e gjendjes materiale të personelit mësimdhënës dhe jomësimdhënës në USHQM.
Me këtë dokument Shteti u zotua se në vitin 2024 dhe 2025 do të ketë rritje të ndjeshme të pagave të punonjësve në universitet, gjë që do të kontribuojë në një zhvillim më të mirë të shkencës dhe arsimit të lartë, e gjithë kjo në interes të studentëve dhe shtetit.
Parashtrohet pyetja se çka ndodhë me pesë universitetet tjera publike ndër të cilat bënë pjesë edhe Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup i cili i ka pagat më të ulta se të gjitha universitetet tjera publike në vend.
Ne si universitet nuk jemi kundër marrëveshjes që ka nënshkruar kryetari i Kuvendit z. Talat Xhaferi por kërkojmë që të gjithë universitetet publike të përfshihen në marrëveshjen e njejtë.
Gjithashtu kërkojmë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës të rregullon çështjen e financimit në Arsimin e lartë. Është urgjente që në Arsimin e lartë të ndërrmeren reforma në çështjen e finacimit të universiteteve. Nuk është në rregull paratë për financimin e universiteteve publike nga buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut të ndahen sipas Marrëveshjes për vetëqeverisje lokale të vitit 1988, pa rregulla, pa kriteriume dhe pa standarde.
Me qëllim ose pa qëllim nuk është në funksion Komisionin për financimin e arsimit të lartë që të mund ta ndalojë këtë laramani dhe padrejtësi që bëhet gjatë shpërndarjes së mjeteve nga Buxheti i RMV për universitetet publike.
Nga dita në ditë paratë nga Buxheti i RMV për financimimin e Arsimit të lartë shkojnë duke u zvogëluar por në të njejtën kohë zvogëlohen edhe mjetet nga vetëfinancimi.
Në shtojcë ju paraqesim analizën nga viti 2012 deri në vitin 2022.
Me respekt,
Prof.dr. Izet Zeqiri
Rektor i UNT-së
Lajme nga vendi
KUR DREJTËSIA MATET ME VLERËN E HIPOTEKËS DHE JO ME PESHËN E AKUZAVE
Nëse ka para, mund të bësh ç’të duash dhe përsëri të jesh i lirë. Kjo është Maqedonia e Veriut dhe ky është mesazhi që të jep sistemi i drejtësisë në shtetin tonë, sistem ky i cili ka reputacion shumë të keq dhe shumë pak besuesshmëri te qytetarët.
Me një garanci prej 180 mijë eurosh, ish-drejtori i Klinikës Universitare për Radioterapi dhe Onkologji, Nino Vasev, do të mbrohet në liri pasi Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Penale në Shkup ia hoqi masën e paraburgimit.
Njëkohësisht, u pranua një garanci prej 348,049 eurosh për ish-drejtorin ekonomik të Klinikës, Nehat Nuhi, gjithashtu e siguruar me hipotekë mbi pasuri të paluajtshme.
Vendimi u mor pas mendimit pozitiv nga Prokuroria Publike kompetente, ndërsa ndaj të dy të pandehurve u vendosën masa paraprake. Ata nuk do të lejohen të largohen nga zona e Qytetit të Shkupit, do të jenë të detyruar të paraqiten në Gjykatë një herë në muaj, dhe dokumentet e tyre të udhëtimit janë konfiskuar përkohësisht dhe ndalohet t’u lëshojnë dokumente të reja për kalimin e kufirit shtetëror.
Duke pasur parasysh se Prokuroria hoqi dorë nga e drejta e ankesës, dhe hipotekat e ofruara tashmë janë regjistruar në Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme, vendimet kanë marrë formë të prerë dhe të pandehurit janë liruar nga paraburgimi. Me këtë vendim, Vasev lirohet nga paraburgimi ku kaloi rreth një vit.
Vasev dhe Nuhi janë ndër të pandehurit në rastin “Onkologji”, i cili ka të bëjë me funksionimin e Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë në periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2022. Sipas aktakuzës, ata akuzohen për shpërdorim të detyrës dhe përvetësim në shërbimin që lidhet me prokurimin publik të terapisë onkologjike, prokurim të ilaçeve pa bazë ligjore dhe shlyerje fiktive të borxheve për ilaçe, të cilat, sipas Prokurorisë, i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare buxhetit. Gjykimi në këtë rast vazhdon, dhe të pandehurit do të mbrohen në liri në procedurën e mëtejshme.
Rasti “Onkologjia”, i cili shkaktoi reagime të stuhishme në publik, u nda nga Prokuroria në dy akuza, njëra prej të cilave “Onkologjia 1”, ku Vasev dhe dy onkologë të tjerë po gjykohen për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve, ndërsa në tjetrën, “Onkologjia 2”, kjo për të cilën flitet, ku dy ish-drejtorët VaseV dhe Nuhi po ndiqen penalisht për vepra të zgjeruara penale – keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, mashtrim në detyrë dhe përvetësim në detyrë.
Lajme nga vendi
BOJAN DIMOVSKI PËRFORCIMI I RI I KF SHKËNDIJA
KF Shkëndija sot ka prezantuar përforcimin më të ri në ekipin kuqezi. Bëhet fjalë për mbrojtësin e majtë Bojan Dimoski, i cili është përforcimi më i ri i skuadrës në këtë afat kalimtar.
Bojan Dimovski është një futbollist polivalent në repartin defensivë. Edhe pse pozita e tij natyrale është mbrojtës i majtë, ai mbulon me mjaft sukses edhe pozita të tjera si mbrojtës i djathtë, mesfushor defensivë dhe anësor, duke u varur nga vendosja taktike e skuadrës.
Përkundër moshës së tij të re, Dimovski sjell një përvojë të konsiderueshme ndërkombëtare, duke numëruar edhe 21 paraqitje me përfaqësuesen A të Maqedonisë së Veriut.
Dimovski është u shpreh i kënaqur që bëhet pjesë e kuqezinjve
‘’ Nënshkruaj për Shkëndijën, jam i lumtur që jam këtu , vijë në skuadrën me ambicie të mëdha dhe pritshmëri të mëdha. Këtë e bëjë për të ndihmuar veten time dhe të ndihmoj Shkëndijën për momentin pasi mendoj se me përvojën që kam nga jashtë mund të ndihmoj shumë ekipit dhe Shkëndijës, si në Europë ashtu edhe në Kampionat’’ deklaroi futbollisti Bojan Dimovski
Bojan Dimovski para se të kalonte jashtë vendit, ai është aktivizuar me skuadrën e AP Brera, ndërsa më pas karrierën e ka vazhduar në futbollin rus me ekipin Akron Tolyatti, prej ku luajti si huazim në Serbi me Partizanin e Beogradit dhe FK TSC Bačka Topola.
Lajme nga vendi
QEVERIA: RIFORMATIMI QEVERITAR NË FAZËN FILLESTARE!
Lidhur me procesin e riformatimit të paralajmëruar të Qeverisë, gjatë ditës së sotme dhe të nesërme janë paraparë takime me partitë politike ZNAM dhe VLEN, bëjnë të ditur burime nga Qeveria.
Megjithatë, nga Qeveria theksojnë se bisedimet aktualisht ndodhen në një fazë të hershme dhe paraqesin një proces të ndjeshëm që kërkon qasje serioze dhe të përgjegjshme, për këtë arsye nuk publikohen detaje shtesë kadrovike. Ata shtojnë se opinioni do të informohet plotësisht sapo të arrihen marrëveshje konkrete dhe zgjidhje përfundimtare.
Udhërrëfyesi kryesor për ndryshimet e ardhshme, shtojnë nga Qeveria, janë parimet dhe mesazhet publike që kryeministri Hristijan Mickoski i përcolli gjatë shënimit të 36-vjetorit të VMRO-DPMNE-së në Strumicë.
Ai atëherë theksoi se po i ndjek me kujdes gjendjet në institucionet shtetërore dhe se nuk është i kënaqur me sjelljen e një pjese të kuadrove.
Mickoski deklaroi se tek ai kanë arritur vërejtje për mungesën e qasshmërisë së disa ministrave dhe drejtorëve, si dhe për largimin e tyre nga problemet dhe nevojat e përditshme të qytetarëve.
Ai porositi se i evidenton me kujdes të gjitha devijimet, se do të ketë ndryshime dhe se nuk do të tolerojë dehjen nga privilegjet që ofron pushteti.
Po ashtu, Mickoski theksoi se Qeveria është zgjedhur për t’i shërbyer popullit dhe jo për të shijuar privilegjet e pushtetit, duke shtuar se çdo funksionar duhet të jetë i qasshëm, i përkushtuar dhe vazhdimisht pranë qytetarëve.
Ai nënvizoi se nuk do të tolerojë papërgjegjshmëri, neglizhencë dhe shmangie nga parimet mbi të cilat bazohet puna e Qeverisë, pavarësisht funksionit që ushtron dikush. Kryeministri gjithashtu deklaroi se nuk pranon arsyetime për mosrealizimin e obligimeve dhe vlerëson se kushdo që nuk mund t’u përgjigjet sfidave duhet ta rishqyrtojë me ndershmëri vendin e tij në ekip.

