Lajme nga vendi
Këshilltari i Blinkenit, Derek Chollet sot në Shkup, do të takohet me kryeministrin Dimitar Kovaçevski
Sot, kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski do të realizoj takim pune me Derek Chollet, këshilltar i Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Antoni Blinken.
Pas takimit nuk është paraparë që të jepen deklarata për media, opinion do të informohet përmes pres- shërbimit të Qeverisë.
Më 12 dhjetor, Chollet, anuloi vizitën në moment të fundit për në Maqedoninë e Veriut, pasi doli pozitiv me Covid – 19.
Më 9 janar, ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Angela Ageler tha se lufta kundër korrupsionit do të mbetet prioritet për Uashingtonin dhe do të ngrejë disa çështje gjatë vizitës së këshilltarit Chollet.
Ageler theksoi se ky do të jetë një vit shumë intensiv për Maqedoninë, duke shtuar se Këshilltari Chollet me vizitën e tij do ta konfirmojë përkushtimin dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Maqedoninë e Veriut.
“Përparësitë e përbashkëta do të diskutohen me Chollet dhe lufta kundër korrupsionit do të mbetet prioritet për Uashingtonin dhe do të ngrejë disa çështje gjatë vizitës së tij këtë javë. Ky vit, 2023, do të jetë një vit shumë intensiv për ju dhe ai do të konfirmojë angazhimin dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në çdo mënyrë të mundshme”, tha Ageler në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve.
Nuk dihet nëse së bashku me Cholletin, në Shkup do të udhëtojnë edhe zëvendësndihmës sekretari shtetëror në DASH dhe i dërguari special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili herën e kaluar u paralajmërua se do të vijë.
Kujtojmë se gjyqësori në Maqedoninë e Veriut edhe gjatë vitit 2022 ka vazhduar të jetë në shënjestër të kritikave serioze për shkak të vendimeve skandaloze, të cilat kanë krijuar me të drejtë perceptimin te qytetarët se në këtë vend të vogël, ndëshkohen vetëm të pafuqishmit. Lufta kundër korrupsionit ka dështuar, prandaj ndërkombëtarët edhe këtë vit e kanë qortuar RMV-në, derisa të rinjtë po largohen për të gjetur një vend ku shteti të gjithë i trajton në mënyrë të barabartë.
Ata të cilët shpallin vendime në emër të popullit, besimin e popullit nuk e kanë. Në anketën e fundit të IRI-it të realizuar në shtator-tetor 2022 vetëm 4% e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se kanë besim të plotë në gjyqësor. Qytetarët, edhe gjatë vitit paraprak, gjegjësisht 2021, deklaruan se nuk i besojnë gjyqësorit. Sipas anketës së “Eurothink”, vetëm 8% prej tyre kanë besim në gjyqësor.
Kjo tregon se vendi nuk po i bën reformat dhe hapat e mjaftueshme për kthimin e besueshmërisë së qytetarëve në sistemin e drejtësisë, i cili ka humbur ndër vite, si rezultat i politikës së mosndëshkueshmërisë së krimit dhe korrupsionit në nivele të larta.
Edhe gjatë vitit 2022, gjyqësori u përfol më së shumti në kontekst të bashkëpunimit me krimin dhe korrupsionin, se sa të luftimit të tyre. Jo rastësisht, ambasadorja amerikane, me të ardhur në RMV, si njollë të zezë të vendit e përmendi korrupsionin dhe për këtë, paralajmëroi ekip special amerikan për të vështruar në mënyrë më agresive funksionarët e korruptuar, të cilët e vizituan vendin, por nuk dihet se si do të veprojnë më tej.
Lidhur me pyetjen nëse ka diskutuar për rezultatet e hulumtimit të ekipit amerikan që ka mbërritur në Shkup për të hetuar korrupsionin mes ish-funksionarëve dhe zyrtarëve aktualë, ministri Osmani tha se korniza që përcakton marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut është dialogu strategjik dhe plani aksional i cili, siç tha ai, duhet të miratohet nga Qeveria në ditët në vijim.
Lajme nga vendi
Edhe LD e Mexhitit së shpejti shkrin strukturat, Alternativa ende e “ngrirë”!
“Këto ditë po përgatitetet edhe Lëvizja Demokratike që të thërret kuvendin themelues për tu shkri dhe për ta bërë VLEN-in një. Besoj që në këtë mënyrë të gjithë flasin në një zë dhe ky zë është drejt shkrirjes së VLEN-it në një subjekt politik”, u shpreh Izet Mexhiti, VLEN.
Ndërkohë ka pasur reagime edhe nga pjesa e ASH-së që nuk është në pushtet, raporton Alsat.
Remzi Mehmedi nga ASH-ja e Selës thotë se kur flitet për zhvillimet në ASH duhet të merren parasysh dy momente.
1. Zgjedhjet lokale të vitit 2017 në Strugë dhe Gostivar.
2. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, veçanërisht në zonën 5.
Në të 2 këto momente ka pasur tradhti dhe tregti mes aktorësh nga kampe të ndryshme e që koha i zbuloi e i zbulon për çdo ditë. Gjithçka tjetër është pasojë dhe nuk duhet parë si ndodhi në vetvete.
Për formimin e partisë VLEN nuk ka një marrëveshje finale mirëpo qëndrimin përfundimtar për modelin e mundshëm të strukturimit, nuk e ka dhënë as Alternativa. Jozyrtarisht, sipas Alsat, edhe Alternativa është kundër modelit me vetëm dy kryetarë, Kasamin e Mexhitin.
Lajme nga vendi
Blerim Sejdiu zgjidhet kryetar i Rajonit Planor të Pollogut për vitin 2026
Në hapësirat e Komunës së Zhelinës është mbajtur mbledhja konstituive e Këshillit për Zhvillim të Rajonit Planor të Pollogut, ku kryetarët e komunave të këtij rajoni kanë diskutuar dhe miratuar pikat kyçe për vitin 2026.
Në këtë mbledhje është shqyrtuar dhe miratuar Plani Financiar për vitin 2026, si dhe janë diskutuar propozim-projektet me të cilat Rajoni i Pollogut do të aplikojë për fonde dhe mbështetje institucionale.
Gjithashtu, janë trajtuar edhe çështje të tjera me rëndësi strategjike, që kanë të bëjnë me zhvillimin e qëndrueshëm dhe të balancuar të rajonit.
Sipas parimit të rotacionit, nga sonte drejtimin e Rajonit Planor të Pollogut për vitin 2026 e merr Komuna e Zhelinës. Me këtë rast, Blerim Sejdiu është përzgjedhur Kryetar i Rajonit të Pollogut për një mandat njëvjeçar.
Sejdiu theksoi se ky është një besim dhe përgjegjësi e madhe, të cilën do ta ushtrojë me përkushtim të plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha komunat e rajonit, me synim realizimin e projekteve konkrete dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Rajoni i Pollogut pritet të vazhdojë me realizimin e projekteve në vazhdim dhe me hartimin e iniciativave të reja zhvillimore, në funksion të ndërtimit të një Pollogu më të zhvilluar dhe me perspektivë më të qartë ekonomike dhe infrastrukturore.
Lajme nga vendi
Begaj të shtunën në Tetovë, ja rrugët që do të bllokohen
Komuna e Tetovës informon se të shtunën, më 28 shkurt, me rastin e vizitës zyrtare të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në qytet do të ketë masa të përkohshme sigurie dhe ndalim parkimi në disa rrugë.
Komuna e Tetovës rekomandon që automjetet të mos parkohen në bulevardet dhe rrugët në vijim:
Bulevardi “Marshall Tito” nga fillimi deri te rrethrrotullimi te tregu, në kryqëzim me bulevardin “Blagoja Toska”
Bulevardi “Blagoja Toska” nga rrethrrotullimi me bulevardin “Marshall Tito” deri te ndërtesa e Komunës së Tetovës
Rruga “JNA” (“Dervish Cara”) në tërësi, deri te semaforët
Rruga “Ilindenska” nga Gjykata Themelore deri te Universiteti i Evropës Juglindore
Rruga “Kiro Ristoski-Drnc” deri te Arabati Baba Teqe
Rruga VonVardarska
Rruga “172”
Automjetet e parkuara në kundërshtim me njoftimin do të largohen nga shërbimet kompetente, bëjnë të ditur nga Komuna e Tetovës.

