Lajme nga vendi
Rënie e lehtë e rasteve me grip stinor te fëmijët në Maqedoni, situata shkon drejt përmirësimit
Rënie e lehtë e rasteve me grip stinor te fëmijët. Mjekët thonë se dy ditët e fundit vërejnë një rënie krahasuar me javën e shkuar, ndërsa presin rënie më të theksuar gjatë javës që vjen. Drejtori i Spitalit të fëmijëve në Kozle Besnik Zeqiri thotë se komplikimet më të shpeshta nga gripi janë bronhiti akut dhe bronheoliti, ndërsa mosha më e prekur mbetet ajo nga 0-3 vjeç.
“Dy ditët e fundit dje dhe sot, sikur ka rënë numri i pacientëve të vegjël që vijnë në institucionin tonë. Numri është ndër 150 raste në ditë, do të thotë nga 120-150 raste në ditë sepse javën e kaluar numrat ishin nga 150-200 raste në ditë. Në Spitalin tonë për momentin kurohen 63 fëmijë të cilët fillimisht vijnë në ambulancat tona, me shqetësime kryesore si hundë të zëna apo rrjedhje nga hundët, dhimbje koke dhe kolla e cila është shumë e shprehur si dhe temperaturë shumë të lartë tek më të vegjlit ku vijnë të dehidruar”, tha Besnik Zeqiri, Drejtor i Spitalit në Kozle.
Prindërit ankohen për simptoma të zgjatura te fëmijët, sidomos kollitjes.
“Kemi ardhur nga Prilepi, me udhëzim të mjekut amë pasi djali ka pasur kollitje prej 1 javësh”.
“ Ka kollitje, vetëm koll nuk ka simptoma tjera, tanimë gati një javë”.
Nëse simptomat e gripit nuk tejkalohen në kushte shtëpiake për disa ditë me radhë, mjekët rekomandojnë që fëmijët të ju drejtohen institucioneve shëndetësore.
“Të gjitha ushqimet apo lëngjet e ngrohta në këtë periudhë janë të mirëseardhura për fëmijët, duhet të përgatiten çaje të ndryshëm sa më tepër lëngje të ketë në menynë ditore, dhe ushqime të përgatitura në shtëpi, mos jenë ushqime nga jashtë të përdoren gjithashtu dhe frutat e stinës së dimrit si portokajtë apo mandarinat që kanë vitamina natyral”, deklaroi Besnik Zeqiri, Drejtor i Spitalit në Kozle.
Raporti i fundit i Institutit të Shëndetit Publik vë në dukje se në sezonin e gripit numri i përgjithshëm i rasteve është 930. Krahasuar me të njëjtën periudhë gjatë sezonit të kaluar numri i rasteve të raportuara është për 45,7% më i ulët. Numri më i madh i të sëmurëve (199) është regjistruar në rajonin e Tetovës. Deri më tash me vaksina kundër gripit stinor janë imunizuar rreth 60,000 qytetarë.
Lajme nga vendi
Arrestohet mashtruesi që i “dogji” qytetarët 60 mijë euro, me aksidente të rreme trafiku
Më 04.02.2026, nga ana e zyrtarëve policorë të Departamentit të Policisë Kriminalistike pranë SPB Shtip, në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminalistike, janë ndërmarrë masa operative-taktike për zbardhjen e veprave penale të mëparshme Mashtrim, që lidhen me aksidente të rreme trafiku.
Gjatë veprimeve, është privuar nga liria P.S. (38) nga Ohri. Pas zhvillimit të bisedës zyrtare, P.S. ka sqaruar mënyrën, vendin dhe kohën e kryerjes së nëntë veprave penale, prej të cilave gjashtë në Shtip dhe tre në Vinicë, me ç’rast personat denoncues janë dëmtuar për rreth 3.600.000 denarë.
Në Prokurorinë Themelore Publike Shtip është dorëzuar kallëzim penal me procedurë urgjente, ndërsa me propozim të PTHP Shtip, P.S. është dërguar para gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili i ka caktuar masën e paraburgimit.
Lajme nga vendi
Mullirit në Shkup i shkon fatura 260 mijë euro, në vend të miellit “bluante” Bitcoina
EVN Elektrodistribuimi njoftoi se përmes gjetjes së një eksperti dhe kontrollit të ushtruar në një objekt biznesi, është vërtetuar një vjedhje e rëndë e energjisë elektrike direkt nga trafo-stacioni. Nga atje informojnë se ekipi për zbulimin e përdorimit të paautorizuar të energjisë elektrike ka kërkuar asistencën e MPB-së dhe përfshirjen e një eksperti, për shkak të dyshimeve për vjedhje të energjisë në një objekt biznesi në rrugën “Butelska” në Shkup.
Bëhet fjalë për një objekt biznesi, ish-mulli, i cili përdorej për furnizimin e paautorizuar të sistemeve me karta grafike për “gërmimin” e bitkoineve.
”Është përpiluar procesverbali për përdorim të paautorizuar, është përgatitur gjetja dhe opinioni nga eksperti i autorizuar dhe është dorëzuar kallëzim në MPB për marrjen e paautorizuar të energjisë elektrike sipas nenit 235-a të Kodit Penal. Gjithashtu, është përgatitur fatura për dëmshpërblim në vlerë prej 16 milionë denarësh”, thuhet në njoftimin e Elektrodistribuimit.
Lajme nga vendi
VLEN NË NJË PARTI? DO TË NDODH SË SHPEJTI…
Koalicioni VLEN po hapëron shpejtë drejt shndërrimit në një parti të vetme. Kështu thotë kreu i Lëvizjes Besa Bilall Kasami, i cili bën të ditur se nuk diskutohet vetëm çështja e kryetarit të partisë, por fokusi është në strukturimin sa më të mirë të këtij subjekti politik.
Takime të shpeshta, së paku dy herë në javë, po bëhën për shndërrimin e koalicionit VLEN në një parti politike. Kështu thotë kreu i Lëvizjes Besa Bilall Kasami i cili potencon se nuk është çështje vetëm e kryetarit të partisë po edhe e strukturimit të përgjithshëm të partisë.
Kasami tha se nuk janë vetëm 4 partitë kryesore por se VLEN mendon se strukturimi duhet të bëhet edhe me konsulta të tjera, si partitë e reja dhe individë tjerë që dëshirojnë që t’i bashkohen VLEN-it.
VLEN lindi si koalicion para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024, arriti të konsolidohet në një koalicion mes Lëvizjes Besa, Lëvizjes Demokratike, Alternativës dhe ASH-së së Taravarit aso kohe. Pavarësisht rezultatit jo shumë të favorshëm në zgjedhjet parlamentare, në zgjedhjet e fundit lokale VLEN doli fitues në shumicën e komunave me shumicë shqiptare.

