Lajme nga vendi
Me profil personal digjital mund t’i bëni pagesat e faturave të NPK “Tetova”, kjo është procedura (Video)
Pagesa e faturave ndaj Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova” tani është më e thjeshtë për qytetarët, pasi në vend se të vrapohet nëpër sportele fizike, e njëjta mund të bëhet online, shpejt dhe lehtë, shkruan Portalb.mk.
Në këtë drejtim, shumë thjeshtë mundësohet krijimi i profilit personal dhe të shihet gjendja me faturat.
“Ashtu siç edhe ju premtuam, web faqja për pagesën online të faturave të NPK-së është gati dhe në funksion të plotë për të gjithë. Nëpërmjet kësaj, Ju mund të krijoni akountin tuaj dhe të kontrolloni në çdo moment gjendjen e faturave të juaja”, informuan nga NPK “Tetova”.
Procedura e regjistrimit është shumë e thjeshtë, edhe atë:
Fillimisht shkohet në ueb-faqen e NPK Tetova: https://www.npktetova.mk/ në pjesën në të djathtë lartë është opsioni identifikohu/regjistrohu. Pas kësaj, qytetari regjostrohet duke krijuar profilin personal me të dhënat e tij/saj dhe profili krijohet automatikisht. Kështu, përfundon procesi i regjistrimit dhe më pas mund të kontrolloni faturat e papaguara dhe ato të paguarat.
Për më tepër në këtë video të NPK-së, kjo mund të shihet edhe në formën vizuale se si bëhet.
Ky është një hap përpara në fushën e progresit të digjitalizimit në nivel të shërbimeve komunale. Digjitalizimi i shërbimeve, padyshim që është në dobi dhe interes të qytetarëve, shtetit, por gjithashtu edhe i domosdoshëm për atje ku synojmë të integrohemi, BE-së.
Ndërkaq, në nivel shtetëror sfida me të cilën vazhdon të përballet Maqedonia e Veriut janë reformat në fushën e digjitalizimit, gjegjësisht progresi për të qenë në hap me zhvillimet e fundit për t’ua përmirësuar jetën qytetarëve, duke u ofruar shërbime cilësore, të shpejta dhe efikase. Derisa bota dhe shtetet e perëndimit po avancohen çdo ditë e më tepër në këtë drejtim, vendi ende nuk ka infrastrukturë të mirëfilltë digjitale dhe për këtë, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme të autoriteteve.
Lajme nga vendi
Të rinjtë nxisin paqen në Ballkan! Konferencë ndërkombëtare për paqen në Universitetin e Tetovës
Në një iniciativë të përbashkët me Federatën Universale të Paqes, Universiteti i Tetovës organizoi konferencën “Nga iniciativa rinore drejt paqes së qëndrueshme”, me fokus të veçantë përfshirjen e të rinjve në nisma paqësore, sidomos nga Ballkani. Rektori i UT, Jusuf Zejneli, theksoi rëndësinë e edukimit, kërkimit shkencor dhe angazhimit shoqëror për të përgatitur gjenerata që jo vetëm përkrahin, por edhe punojnë aktivisht për paqe, duke shndërruar këtë konferencë në një platformë për shkëmbim idesh, frymëzim dhe forcim të bashkëpunimit ndërkombëtar.
“Përmes edukimit, kërkimit shkencor e angazhimit shoqëror, ne synojmë të përgatisim gjenerata jo vetëm që punojnë për paqe, por edhe punojnë aktivisht për të arritur atë. Kjo konferencë shërben si një platformë për shkëmbim idesh, frymëzim dhe forcim të bashkëpunimit, mes gjithë atyre që janë përkushtuar ndaj ndërtimit të paqes”, tha Jusuf Zejneli.
Lajme nga vendi
Maqedonia renditet e 34-ta në botë dhe e dyta në Evropë për nga ndotja e ajrit
Maqedonia e Veriut renditet e 34-ta në botë dhe e dyta në Evropë për nga ndotja e ajrit me grimca PM.
Raporti i vitit 2025, i publikuar në platformën “IQAir”, e rendit vendin menjëherë pas Bosnjës dhe Hercegovinës dhe përpara Serbisë, me një koeficient prej 21.2, që do të thotë tejkalim i vlerave maksimale të grimcave PM 2.5 për tre deri në pesë herë, raporton agjencia “Meta.mk”.
Qytetet më të ndotura në vend vitin e kaluar ishin Tetova dhe Strumica, me një koeficient prej 27.3, që do të thotë se vlerat e PM 2.5 ishin pesë deri në shtatë herë mbi kufijtë e lejuar. Gostivari është në vendin e 18-të në listë, ndërsa Kërçova dhe Kumanova janë në vendin e 31-të dhe të 32-të. Shkupi është në vendin e 113-të me një koeficient prej 19.1.
Ky është Raporti i tetë vjetor Botëror i Cilësisë së Ajrit i platformës, i cili tregon se Maqedonia kishte ndotjen mesatare më të ulët të ajrit vitin e kaluar, krahasuar me vitet e mëparshme, kur koeficienti tejkalonte 35, d.m.th. alarmoi për vlera të larta të PM 2.5 deri në dhjetë herë.
Muajt më të ndotur ishin janari, shkurti dhe dhjetori, ndërsa ajri më i pastër ishte në prill dhe maj. Shkupi gjithashtu kishte ndotjen më të ulët të ajrit vitin e kaluar krahasuar me vitet e mëparshme. Që nga viti 2018, koeficienti ka rënë çdo vit nga mbi 30 në nën 20.
Lajme nga vendi
Mbledhja për bashkimin e VLEN-it, janë tejkaluar dallimet? Paralajmërohet kongres në maj
VLEN ka mbajtur mbrëmë mbledhjen e parë, ku është vendosur që kongresi i parë i koalicionit të mbahet gjatë muajit maj, shkruan Tema.mk.
Sipas burimeve të mediumit, në këtë mbledhje janë diskutuar hapat e ardhshëm organizativë dhe përgatitjet për kongresin, i cili pritet të jetë një moment i rëndësishëm për strukturimin dhe drejtimin politik të VLEN-it.
Kongresi i parë pritet të sjellë vendime të rëndësishme lidhur me organizimin e brendshëm dhe prioritetet politike për periudhën në vijim.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga bota2 months agoGjermania në krizë për punëtorë të kualifikuar, spitalet dhe shkollat kanë mungesa të mëdha

