Lajme nga vendi
Katër milionë denarë subvencione për “Tetova Transport”, kjo është arsyeja
Me kërkesë të Ndërmarrjes publike komunale “Tetova transport”, këshilli miratoi sot subvencion prej 4 milionë denarësh për ‘ti mbuluar shpenzimet për vitin e kaluar. Kreu i Tetovës tha se pos kësaj shume ndërmarrja do ketë nevojë edhe për përkrahje tjetër shtesë për vitin 2023 ndërkohë shtoi se shqyrtojnë mundësinë e gjetjes së një modeli të subvencionimit të rregullt.
“Në bazë të llogarisë përfundimtare, del që ndërmarrjes i mungojnë apo ka nevojë për përkrahje diku rreth 4 milionë për t’i përmbyllur gjitha shpenzimet të cilat ndërmarrja i ka bërë në vitin 2022 dhe në bazë të parashikimeve, programin që kemi paraparë për vitin 2023, ndërmarrja në nivel vjetor do të ketë nevojë për subvencionim diku 18 milionë denarë”, tha Bilall Kasami, Kryetar I Komunës së Tetovë.
“Dua të potencoj faktin se gjithkund në botë ndërmarrjet publike që merren me transportin e qytetarëve funksionojnë me humbje sepse janë në shërbim të qytetarëve. Që ajo ndërmarrje të jetë me saldo zero apo saldo positive, duhet që një biletë për qytetarët të kap vlerën prej 100 denarë që është absurditet”, u shpreh Besar Durmishi, Kryetar I Këshillit komunal.
Ekipi i Alsat doli në terren për të parë nga afër funksionimin e autobusëve të qytetit.
“Ndodhemi në autobusin 1A i cili brenda një ndërrimi qarkullon 50 km brenda qytetit të Tetovës. Shoferët e autobusëve thonë se për një turn shesin mbi 300 bileta, numër ky i cili është shumë i lartë krahasuar me disa muaj më parë kur transporti publik në Tetovë përdorej shumë pak nga ana e qytetarëve”, raporton Vjollca Aliti, gazetare e Alsat.
“E përdorim ndonjëherë autobusin, dy herë në javë”.
“Në qytet nuk e përdori autobusin, lëvizi me taksi apo veturë”.
Komuna e Tetovës edhe disa muaj më parë ndihmoi financiarisht ndërmarjen publike, mjete të cilat sic deklaruan atëherë ishin të mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve.
Ndryshe, NPK Tetova Transport ka mbi 30 të punësuar, 12 prej të cilëve janë shoferë, 12 kontrollorë dhe pjesa tjetër administratorë. /Alsat.mk Gazetare: Vjollca Aliti
Lajme nga vendi
Edhe LD e Mexhitit së shpejti shkrin strukturat, Alternativa ende e “ngrirë”!
“Këto ditë po përgatitetet edhe Lëvizja Demokratike që të thërret kuvendin themelues për tu shkri dhe për ta bërë VLEN-in një. Besoj që në këtë mënyrë të gjithë flasin në një zë dhe ky zë është drejt shkrirjes së VLEN-it në një subjekt politik”, u shpreh Izet Mexhiti, VLEN.
Ndërkohë ka pasur reagime edhe nga pjesa e ASH-së që nuk është në pushtet, raporton Alsat.
Remzi Mehmedi nga ASH-ja e Selës thotë se kur flitet për zhvillimet në ASH duhet të merren parasysh dy momente.
1. Zgjedhjet lokale të vitit 2017 në Strugë dhe Gostivar.
2. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, veçanërisht në zonën 5.
Në të 2 këto momente ka pasur tradhti dhe tregti mes aktorësh nga kampe të ndryshme e që koha i zbuloi e i zbulon për çdo ditë. Gjithçka tjetër është pasojë dhe nuk duhet parë si ndodhi në vetvete.
Për formimin e partisë VLEN nuk ka një marrëveshje finale mirëpo qëndrimin përfundimtar për modelin e mundshëm të strukturimit, nuk e ka dhënë as Alternativa. Jozyrtarisht, sipas Alsat, edhe Alternativa është kundër modelit me vetëm dy kryetarë, Kasamin e Mexhitin.
Lajme nga vendi
Blerim Sejdiu zgjidhet kryetar i Rajonit Planor të Pollogut për vitin 2026
Në hapësirat e Komunës së Zhelinës është mbajtur mbledhja konstituive e Këshillit për Zhvillim të Rajonit Planor të Pollogut, ku kryetarët e komunave të këtij rajoni kanë diskutuar dhe miratuar pikat kyçe për vitin 2026.
Në këtë mbledhje është shqyrtuar dhe miratuar Plani Financiar për vitin 2026, si dhe janë diskutuar propozim-projektet me të cilat Rajoni i Pollogut do të aplikojë për fonde dhe mbështetje institucionale.
Gjithashtu, janë trajtuar edhe çështje të tjera me rëndësi strategjike, që kanë të bëjnë me zhvillimin e qëndrueshëm dhe të balancuar të rajonit.
Sipas parimit të rotacionit, nga sonte drejtimin e Rajonit Planor të Pollogut për vitin 2026 e merr Komuna e Zhelinës. Me këtë rast, Blerim Sejdiu është përzgjedhur Kryetar i Rajonit të Pollogut për një mandat njëvjeçar.
Sejdiu theksoi se ky është një besim dhe përgjegjësi e madhe, të cilën do ta ushtrojë me përkushtim të plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha komunat e rajonit, me synim realizimin e projekteve konkrete dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Rajoni i Pollogut pritet të vazhdojë me realizimin e projekteve në vazhdim dhe me hartimin e iniciativave të reja zhvillimore, në funksion të ndërtimit të një Pollogu më të zhvilluar dhe me perspektivë më të qartë ekonomike dhe infrastrukturore.
Lajme nga vendi
Begaj të shtunën në Tetovë, ja rrugët që do të bllokohen
Komuna e Tetovës informon se të shtunën, më 28 shkurt, me rastin e vizitës zyrtare të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në qytet do të ketë masa të përkohshme sigurie dhe ndalim parkimi në disa rrugë.
Komuna e Tetovës rekomandon që automjetet të mos parkohen në bulevardet dhe rrugët në vijim:
Bulevardi “Marshall Tito” nga fillimi deri te rrethrrotullimi te tregu, në kryqëzim me bulevardin “Blagoja Toska”
Bulevardi “Blagoja Toska” nga rrethrrotullimi me bulevardin “Marshall Tito” deri te ndërtesa e Komunës së Tetovës
Rruga “JNA” (“Dervish Cara”) në tërësi, deri te semaforët
Rruga “Ilindenska” nga Gjykata Themelore deri te Universiteti i Evropës Juglindore
Rruga “Kiro Ristoski-Drnc” deri te Arabati Baba Teqe
Rruga VonVardarska
Rruga “172”
Automjetet e parkuara në kundërshtim me njoftimin do të largohen nga shërbimet kompetente, bëjnë të ditur nga Komuna e Tetovës.

