Lajme nga vendi
Vazhdon gjykimi për spitalin modular në Tetovë
Në Gjykatën Themelore në Tetovë për sot është caktuar vazhdimi i gjykimit për zjarrin në spitalin modular në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona. Më 16 janar të këtij viti nuk ka pasur seancë dhe gjykimi është shtyrë për sot për shkak të mungesës së njërit prej të pandehurve, drejtorit ekonomik të Spitalit Klinik Artan Etemi, i cili kishte rast vdekje.
Për vazhdimin e gjykimit, janë parashikuar të deklarohen dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria, të cilët herën e fundit janë urdhëruar të vijnë sërish më 31 janar. Në seancën e fundit më 27 dhjetor 2022, përfaqësuesit e Prokurorisë Themelore Publike në Tetovë i kanë paraqitur titujt e provave shkresore të dorëzuara me aktakuzë në Gjykatë.
Të akuzuarit, drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi, mjeku Boban Vuçevski dhe përfaqësuesi i Spitalit klinik të Tetovës si person juridik, në fillim të gjykimit theksuan se e kuptojnë akuzën, por nuk e pranojnë fajin dhe se nuk kanë kryer krimet për të cilat akuzohen.
Gjykimi për zjarrin e ndodhur më 8 shtator 2021, ku humbën jetën 14 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, nisi më 7 dhjetor të vitit 2022 pasi nga shtatori i vitit 2022 deri atëherë procesi gjyqësor ishte anuluar disa herë.
Lajme nga vendi
IFTARI I BFI-së BËRI BASHKË KRERËT E SHTETIT DHE PARTIVE POLITIKE!
Nën patronazhin e Reisul Ulemasë të BFI-së së RMV-së, u shtrua iftari tradicional i Bashkësisë Fetare Islame, duke bërë bashkë në një mbrëmje të veçantë drejtuesit më të lartë shtetërorë, institucionalë dhe përfaqësues të jetës publike.
Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ministra dhe zëvendësministra, kryetarë partish politike, kryetarë komunash, ambasadorë, rektorë universitetesh, si dhe shumë personalitete nga jeta shoqërore dhe civile, ishin të pranishëm në Iftarin Tradicional të Bashkësisë Fetare Islame.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kreu I BFI-së, u uroi mirëseardhje mysafirëve dhe agjërim të lehtë e të pranuar, duke theksuar se Ramazani është muaj reflektimi, afrimi dhe përgjegjësie të përbashkët. Ai veçoi rëndësinë e unitetit, tolerancës dhe bashkëjetesës si vlera themelore për stabilitetin dhe perspektivën e vendit.
“Gëzimi I Iftarit merr vlerë të veçantë kur jemi bashkë pranë njëri-tjetrit, të lidhur shpirtërisht, të solidarizuar dhe respektues ndaj secilit, pa dallim race, feje, kombi apo vendi. Në tryezën e Itarit forcohen lidhjet njerëzore, mbillet dashuria, paqa dhe solidariteti dhe shprehet bujaria përmes veprave të mira. Aty ku ndahet buka, forcohet besimi, aty ku ndahet fjala e mirë, ndërtohet respekti”
Mbrëmja u zhvillua duke reflektuar frymën e respektit, dialogut dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Edhe të pranishmit përmes postimeve nëpër rrjetet sociale kanë përshëndetur organizimin e këtij Iftari, ku potencohet se përmes këtyre ngjarjeve dërgohen mesazhe të fuqishme uniteti, respekti dhe solidariteti.

Lajme nga vendi
Kapet edhe një ton marihuanë
Edhe një ton marihuanë është konfiskuar nga një kompani për kultivimin e kanabisit mjekësor në Josifovë të Valandovës. Bëhet fjalë për kompaninë Green Life, njëra nga gjashtë kompanitë të cilave Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ua ka hequr licencën e punës.
Me urdhër të një prokurori publik nga Prokuroria e Gjevgjelisë, zyrtarë policorë nga SPB-Strumicë dhe DPB-Valandovë kanë kryer kontroll në hapësirat e një subjekti juridik për prodhimin e marihuanës në fshatin Josifovo, njoftuan nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut.
Konfiskimi është vazhdim i aksionit policor të nisur në periudhën e kaluar, në të cilin deri më tani janë sekuestruar 40 tonë marihuanë.
Lajme nga vendi
Zaev kërkon 1 milion nga Zhan Mitrev dhe Petrushevski, i padit për cenim të reputacionit me shpifje
Ish-kryeministri Zoran Zaev njoftoi se ka parashtruar padi për shpifje dhe shkelje të nderit dhe reputacionit kundër Brane Petrushevskit dhe Zhan Mitrevit, përcjell TV21. Paditë janë dorëzuar në Gjykatën Themelore të Strumicës, dhe vlera e secilës prej tyre është 500,000 denarë.
Sipas pretendimeve në dokumentet e paraqitura, Zaev konsideron se me deklarata publike dhe paraqitje të ndryshme i janë paraqitur fakte të pavërteta që e cenojnë nderin dhe reputacionin e tij.
Në një rast, padia lidhet me deklarata të dhëna në një konferencë për shtyp, ndërsa në rastin tjetër-me një paraqitje në televizion, ku sipas paditësit, pretendimet janë transmetuar gjithashtu nga media dhe portalet online.
“Nuk ka asnjë dilemë se gënjeshtra e të dyve do të vërtetohet,” deklaroi Zaev, duke shtuar se kompensimi eventual nga paditë do të dhurohet për fëmijë pa prindër dhe për persona me nevoja të veçanta.
Paditë bazohen në dispozitat e Ligjit për përgjegjësi civile për ofendim dhe shpifje, me kërkesë për vërtetimin e përgjegjësisë dhe kompensim të dëmshpërblimit jo-material për shkelje të reputacionit. Pritet që gjykata të vendosë mbi paditë e paraqitura në procedurë të rregullt.

