Lajme nga vendi
Moti në Maqedoninë e Veriut
Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme, në pjesët jugperëndimore dhe lindor me reshje të dobëta shiu. Do të fryjë dhe erë e dobët deri në mesatare nga drejtimi jugor.
Temperatura minimale do të jetë në interval prej -2 deri në 5, ndërsa ajo maksimale do të arrij prej 10 deri në 15 gradë.
Në Shkup dhe rrethinë moti do të jetë i ngjashëm, me vranësira dhe periudha me diell, do të fryjë dhe erë e dobët nga drejtimi jugor. Temperatura minimale do të ulet në 0, ndërsa ajo maksimale do të arrij në 15 gradë Celsiusë.
Lajme nga vendi
TOSHKOVSKI: DROGA E KONFISKUAR – HETIME KUNDËR 10 PERSONAVE!
Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, njoftoi gjatë një paraqitje televizive se Ministria e Brendshme ka ngritur kallëzime penale në Prokurorinë Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë kundër 10 personave, për të cilët ka dyshime të arsyeshme se janë të implikuar me prodhimin dhe shpërndarjen e paligjshme të drogave narkotike sipas nenit 215 të Kodit Penal.
Dy nga të dyshuarit janë tashmë në paraburgim 48-orësh, dhe hetimi i kryer nga Ministria e Brendshme në koordinim me Prokurorinë lidhet edhe me drogat e gjetura në Serbinë fqinje, për të cilat ka indikacione se ato burojnë nga objektet e prodhimit për të ashtuquajturin kanabis mjekësor në vend.
Në kuadër të kontrolleve të kryera në mjediset e prodhimit në të gjithë vendin, u sekuestruan rreth 40 ton marihuanë, për të cilën një komision kompetent arriti në përfundimin se nuk ishte trajtuar në përputhje me rregulloret ligjore.
Ministri Toshkovski theksoi se kontrollet treguan se disa nga kompanitë punonin plotësisht ligjërisht dhe profesionalisht, por në disa u përcaktuan paligjshmëri serioze, prandaj marihuana është sekuestruar.
Lajme nga vendi
DPB; 46-vjeçari nga Gostivarit me punë në Zvicër ka denoncuar se të dhënat e tij janë keqpërdorur për marje krediti
Dje, në ora 12:30, në DPB Gostivar, një 46-vjeçar nga një fshat i Gostivarit ka denoncuar se janë keqpërdorur të dhënat e tij personale. Më konkretisht, denoncuesi, i cili punon në Zvicër, gjatë një bisede me një përmbarues në Gostivar është informuar se ndaj tij po zhvillohet një procedurë si pronar i një firme për një borxh prej 5.085.079 denarësh ndaj një banke në falimentim. Njëkohësisht, kërkoheshin si peng një automjet transportues “MAN” dhe një makinë pune (eskavator). Gjithashtu, ai ka sqaruar se kurrë nuk ka poseduar firmë apo makineri dhe dyshon se të dhënat e tij janë keqpërdorur me dokumentacion të falsifikuar gjatë marrjes së një kredie. Po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.
Lajme nga vendi
ÇFARË TË KONSUMOJMË PËR NJË AGJËRIM TË SHËNDETSHËM?!
Agjërimi konsiderohet një praktikë me përfitime të shumta për shëndetin fizik dhe shpirtëror, sidomos gjatë muajit të Ramazani. Megjithatë, mënyra se si ushqehemi gjatë iftarit dhe syfyrit luan rol vendimtar në ruajtjen e këtyre përfitimeve. Sipas mjekut Bekim Ismaili, zgjedhja e ushqimeve të duhura dhe konsumimi i tyre në mënyrë të kontrolluar janë thelbësore, veçanërisht për personat që vuajnë nga sëmundje kronike. Ai thekson se gabimet në ushqyerje gjatë agjërimit mund të zbehin efektet pozitive, madje edhe të shkaktojnë probleme shëndetësore.
Ismaili thotë se në iftari duhet të haet ngadal, në sasi të paktë dhe ushqime të lehta.
Ismaili gjithashtu bën apel që gjatë sifyrit të mos konsumohen ushqim në sasi të mëdha për ta përmbushur mungesën e ushqimit gjatë ditës, pasi që sipas tij, trupi ka rezerva ushqimore që duhet të harxhohen gjatë ditës.
Mjaku Bekim Ismaili tha se rastet e paraqitjes në qendrën emergjente pas iftarit janë të shpeshta dhe e gjitha kjo vjen nga kequshqyerja. Ai bën apel që gjatë kohës së lejuar që haet sa më pak dhe sa më shpesh, të konsumohet ujë dhe ushqime me vlera të larta ushqyese, të shmangen ushqimet e yndyrshme, me shumë sheqer ose ushqimet e përpunuara. Këto vlejn sidomos për agjëruesit që kanë edhe sëmundje kronike.

