Lajme nga vendi
Kryetari i BFI-së, Shaqir ef. Fetai me mesazh për fillimin e muajit të bekuar të Ramazanit
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, reis efendi Shaqir Fetai me fillimin e muajt të Ramazanit ka uruar gjithë besimtarët e fesë Islame, duke u uruar agjerim të lehtë dhe të pranuar.
Porosia e Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai në vigjilje të muajit Ramazan 1444 H / 2023
“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. [El-Bekare, 183]
Të nderuar besimtarë, vëllezër e motra dhe bashkëqytetarë të vendit,
Kam kënaqësinë e veçantë që me rastin e ardhjes të muajit të bekuar Ramazan t’iu drejtohem të gjithë besimtarëve dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë me përgëzimet më të mira të uroj fillimin e këtij muaji, i cili ka rëndësi të veçantë për besimtarët muslimanë kudo që ata gjenden nëpër botë. Fillimisht i falenderohemi të Madhit Zot, me lejen e të cilit sonte po e fillojmë agjërimin që është një ibadet specifik i muajit Ramazan dhe i cili ibadet, këtë muaji e bënë të jetë një manifestim madhështor me tërë përmbajtjen dhe gjallërinë e tij që në vete përmban koncepte madhështore dhe përcjell mesazhe të shumta, jo vetëm për muslimanët por edhe për tërë njerëzimin. Mesazh tejet i nevojshëm për kohën ku jetojmë, që Ramazani e përçon në shoqërinë tonë është mesazhi i paqës, mirësisë dhe humanitetit. Ky mesazh, reflektohet përmes solidaritetit dhe bamirësisë ndaj njerëzve në nevojë, sepse duke mos ngrënë e mos pirë, më së miri e kuptojmë se ç’do të thotë të jeshë i urritur dhe të jeshë skamnor. Përmes këtij mesazhi krijohen ura lidhëse mes të pasurve dhe të varfërve, dhe ngjall dashuri dhe simpati në zemrat e njerëzve. Mesazhi i afrimit me njëri-tjetrin po ashtu është një mesazh që po na përcjellet nga ky muaj i bekuar. Dinamizmi i kohës moderne si dhe nevojat e ndryshme njerëzore kanë bërë që njerëzit të largohen mes veti, të largohen mes veti edhe anëtarët më të afërtë të familjes. Përmes shtruarjes së iftarit dhe syfirit, Ramazani e rikthen bashkimin e familjes, në vijen vertikale dhe ate horiozntale. Ai e afron prindërin me fëmijët, dhe i bën ta ndjejnë afërsinë e njëri tjetrit dhe ta shijojnë kënaqësinë e të qenurit bashk.
Mesazh tjetër shumë i rëndsishëm që po na e përcjell ky muaji i bekuar është ngritja e moralit në shoqëri sepse Ramazani, respektivisht agjërimi i ditëve të tij, agjëruesit ia përmison sjelljet e tij duke e larguar atë nga punët e liga, sepse agjërimi nuk është dijetë apo thjesht vetëm largim nga haja, pija dhe epshi, edhe pse këto elemente e përbëjnë aspektin juridik të vlefshmërisë së agjërimit, por qëllimi esencial i agjërimit është ngritja e moralit dhe devotshmeria e njeriut. Po ashtu, Ramazani në shoqëri përçon mesazhin e nxënies së diturisë, shkollimit, arsimimit etj. sepse në këtë muaj u shpall Kur’ani famëlartë. Në këtë aspekt, Ramazani me të drejtë mund të konsiderohet muaj i shkencës, arsimit, librit, lapsit, shkronjave dhe shkrimit. Kuptimi i drejtë dhe esencial i këtij karakteri të Ramazanit, sjell dobi jo vetëm për ne, por edhe për të gjithë njerëzimin, ngase të arriturat shkencore nuk janë monopol i popujve të caktuar, por janë vlera të përgjithshme nga të cilat përfitojnë të gjithë njerëzit.
Vëllezër e motra, besimtarë të dashur,
Në fund, më lejoni që në emër të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, organeve dhe institucioneve edukativo-arsimore të saj, si dhe në emrin tim personal, juve dhe bashkatdhetarve tanë që jetojnë dhe veprojnë në shtetet perëndimore, t`ju uroj Ramazan të lehtë dhe të këndshëm. Dëshiroj që në këtë muaj më fuqishëm t’u kthehemi vlerave të vërteta njerëzore. Të mbisundojë paqa gjithkund nëpër botë, të rritet dashuria për njëri-tjetrin, për familjet tona, për miqtë e shokët, për fqinjtë, por edhe respekti dhe toleranca ndaj bashkëqytetarëve tanë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike e fetare.
Zoti ju bekoftë!
Shkup, 22 Mars 2023 Reisul-Ulema i BFI-së
H. Hfz. Shaqir ef. Fetai
Lajme nga vendi
“FOL SHQIP O TAJ”
“FOL SHQIP O TAJ”. Kjo është nisma e fundit e inicuar nga Ambasadori I Shqipërisë më Shkup, Denion Meidani, pas problemit që hasën studentët shqiptarë për provimin e jurispodencës në gjuhën shqipe. Nisma ka ngjallur reagime në opinion, ndërsa pritet të shihet nëse institucionet përkatëse do të marrin masa konkrete për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali tha se Ligji për Provimin e Jurisprudencës që është aktiv që nga muaji janar i vitit 2020, ka defekt pasi nuk e precizon se në cilën gjuhë duhet të jepet provimi. Sali tha se mbështesin kërkesën e studentëve shqiptarë të juridikut, që provimi të mund të realizohet edhe në gjuhën shqipe.
“Këtë defekt do të mundohemi që ne tash ta përmirësojmë apo ta precizojmë, për arsye se Ministria e Drejtësisë siç nuk është e gatshme të respektojë Kushtetutën e vendit, e cila nënkupton gjithçka që gjithçka që është mbi 20 për qind e popullsisë në vendin tonë duhet të respektohet gjuha amtare, që nënkupton që gjuha shqipe duhet të jetë zyrtare dhe është e drejtë e çdo juristi apo të diplomuari që provimin e jurisprudencës ta japë në gjuhën amtare të tij, në gjuhën shqipe. Këtu duhet ta përsëris edhe njëherë qëndrimin e VLEN-it se jemi pro kësaj kërkese”, deklaroi Sali.
Avokati i Popullit ka konfirmuar se kanë hapur procedurë lidhur me provimin e jurisprudencës i cili nuk ofrohet në gjuhën shqipe, por vetëm në maqedonisht. Ndonëse nuk ka të dorëzuar ndonjë nismë konkrete deri te Zyra e Avokatit të Popullit, Faton Selami ftoi qytetarët të cilëve u është shkelur kjo e drejtë që të njëjtën ta paraqesin.
“Çdo qytetar që konsideron se i është shkelur një e drejtë e garantuar me Kushtetutë apo ligj, ka të drejtë të iniciojë procedurë pranë Avokatit të Popullit duke paraqitur parashtresë. Megjithatë, Zyra e Avokatit të Popullit, deri më tani, nuk ka regjistruar parashtresë që lidhen drejtpërdrejt me çështjen. Avokati i Popullit nuk do të kufizohet vetëm në pritjen e parashtresave individuale. Në përputhje me kompetencat e përcaktuara me Ligjin për Avokatin e Popullit, do të inicioj menjëherë procedurë me vetëiniciativë për shqyrtimin e kësaj çështjeje. Në këtë kuadër, do të realizohet një analizë e dispozitave të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, si dhe e veprimeve të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me zbatimin e këtij ligji në organizimin dhe zhvillimin e provimit të jurisprudencës”, tha Avokati i popullit, Faton Selami.
Nga BDI thonë se “në mënyrë brutale dhe të papranueshme, ministri ka injoruar kërkesat legjitime juridike të studentëve shqiptarë për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, një e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe ligj”.
“Ky veprim përbën precedent të rrezikshëm institucional, ku Ministri i Drejtësisë vendos veten mbi Kushtetutën, mbi ligjin, mbi Qeverinë dhe mbi çdo institucion tjetër të vendit, duke cenuar rëndë parimet e shtetit të së drejtës. BDI vlerëson se kjo qasje jo vetëm që cenon barazinë gjuhësore dhe juridike, por godet drejtpërdrejt themelet e rendit kushtetues dhe bashkëjetesës ndëretnike, Bashkimi Demokratik për Integrim i bën thirrje Qeverisë që të mos lejojë Ministrin e Drejtësisë të vendoset mbi ligjet dhe mbi Kushtetutën, por të ndërmarrë masa konkrete për t’u mundësuar studentëve shqiptarë mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, gjuhë në të cilën kanë kryer studimet dhe gjuhë që është zyrtare sipas rendit kushtetues të shtetit” thonë nga BDI.
Së fundmi edhe Ishministri i Arsimit në Kosovë, Arsim Bajrami ka reaguar duke thënë se institucionet në Maqedoni po ndërmarrin hapa anti-kushtetues me mos pranimin e kërkesës së studentëve shqiptarë për provim në gjuhën amëtare. TV KOHA
Lajme nga vendi
HETIM PËR KEQPËRDORIM TË KANABISIT MJEKËSOR
Ministria e brendshme në Maqedoni ka zhvilluar një aksion në të cilin janë konfiskuar 27 tonë marihuanë, të lidhura me një rast të mëparshëm kontrabande drejt Serbisë. Hetimi është fokusuar në keqpërdorimin e licencave për kanabis mjekësor nga kompania “Alfafarm”, duke hapur çështjen e mangësive sistemike në kontrollin e këtij sektori biznesi. Aktivitetet u përqendruan në dy lokacione kyçe: në Shkup, në rrethin e ish-fabrikës OHIS, ku u gjetën rreth 10 tonë drogë të magazinuara në objekte të një firme private, dhe në rajonin e Strumicës, ku në një aksion paralel u konfiskuan edhe 18 tonë të tjera marihuanë. Ky aksion i koordinuar përfshiu dhjetëra automjete policore, kamionë dhe njësi speciale; në terren mbështetje logjistike ofroi edhe Drejtoria e Doganave, ndërsa ekipe mjekësore ishin të pranishme për asistencë gjatë përpunimit të materialeve.
I pyetur për aksionin e Policisë që ka rezultuar me sekuestrimin e tonelatave me marihuanë në Shkup dhe Strumicë, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu tha se nuk është kompetencë e MSH-së se si kompanitë legale për prodhim të marihuanës mjekësore, kanë arritur që ta nxjerrin drogën jashtë objektit. Aliu tha se MSH ka dhënë 60 leje për këtë veprimtari, ndërsa 18 prej tyre janë marrë për shkak se kompanitë nuk i kanë plotësuar kushtet e nevojshme.
“Deri tani kemi dhënë 60 leje, prej atyre 18 janë marrë për shkak se nuk është…nuk i kanë plotësuar kushtet minimale që duhet t’i ketë një prodhues i tillë. Gjithashtu në bazë të ligjit dhe protokolleve, dy herë në 6 muaj, dmth në çdo 3 muaj duhet të japin raport të rregullt, ndërsa raport nëse ka ndonjë ndryshim do të duhet të jepen në kohë reale. Të gjitha dokumentet janë pjesë e Ministrisë dhe pjesë e Arkivës sonë, pra ne gjithashtu ndjekim në formë të Inspektoratit në formë të rregullt si program vjetor, edhe si program ad hock nëse do të ketë nevojë. Pjesa tjetër nuk është në ingirencë të Ministrisë, por është në ingirencë të MPB-së. Pra në pjesën tjetër ku janë kapur dhe pse kanë dalur jashtë objektit, nuk është që MSH duhet dhe mund ta ndjek”, theksoi Aliu
Nga ana tjetër LSDM-ja opozitare përmes një kumtesë për media thotë se ende nuk ka përgjigje se si kaluan 5 ton drogë në kufirin e Maqedonisë dhe përfunduan në Serbi. Nga kjo parti thonë se është e qartë se pa mbështetjen e strukturave në qeveri, Ministrinë e Brendshme, Doganat, është e pamundur që 5 ton drogë të kontrabandohen përtej kufirit.
“LSDM ka ngritur alarmin prej ditësh për lidhjen midis strukturave kriminale në Maqedoni dhe Serbi. Qeveria hesht, ashtu siç hesht për fotografitë e Mickoskit me kriminelin Sime. Tani qytetarët po shikojnë një fushatë mediatike me sekuestrime kanabisi dhe përpjekje të qeverisë për të shpërqendruar nga pyetja kryesore: kush lejoi që 5 ton drogë të kalonin kufirin? Kjo është një farsë e madhe dhe nëse bëhet fjalë për kanabis të ligjshëm, atëherë mund të hapet një problem i ri. Cilat janë faktet? Baza ligjore për prodhimin e kanabisit mjekësor në Maqedoni u krijua nga VMRO-DPMNE dhe Nikola Gruevski me ndryshimet në Ligj më 9 shkurt 2016. Licenca e parë për kultivimin e kanabisit mjekësor në Maqedoni u lëshua në shkurt 2017 gjatë periudhës së VMRO-së”, thonë nga LSDM.
Në qendër të hetimit është kompania “Alfafarm” SHPK Shkup, kompani e regjistruar në vitin 2023 me kapital themeltar prej rreth 529.000 eurosh. Megjithëse firma posedonte licencë për kultivimin dhe përpunimin e bimëve për përdorim farmaceutik, të lëshuar në vitin 2024, hetuesit dyshojnë se sasi të mëdha të prodhimit kanë përfunduar në tregun e zi, në vend që të shpërndaheshin përmes kanaleve legale mjekësore. Analiza e të dhënave nga Regjistri Qendror tregon ndryshime të dyshimta në strukturën pronësore të Alfafarm vetëm disa ditë para zbulimit të dërgesave ilegale në Serbinë fqinje. Më 29 janar 2026, pranë fshatit Konjuh afër Krushevcit në Serbi, u konfiskuan 5 tonë marihuanë me vlerë të vlerësuar mes 7 dhe 10 milionë eurosh. Droga ishte transportuar nën maskën e eksportit të kastravecëve (kornishonëve), ndërsa mes të arrestuarve në Serbi ndodhet edhe një nga pronarët e Alfafarm SHPK Shkup. Autoritetet dhe mediat serbe në Beograd konfirmuan se dërgesa kishte origjinë nga territori i Maqedonisë, çka nxiti një shkëmbim intensiv informacioni mes dy shteteve përmes Prokurorisë. Ky kanal tranziti kishte qenë objekt i një hetimi disa mujor, i cili kulmoi me zbulimin e magazinave në Shkup dhe Strumicë. TV KOHA
Lajme nga vendi
Denion Meidani; Takim i veçantë me përfaqësueset e Grupit të Grave “Teuta” në Tetovë

