Lajme nga vendi
Berbock: Marveshja për ndryshimin e kushtetutës nuk duhet të përdoret në garën e popullaritetit ose për të fituar zgjedhjet
Nëse nuk dëshironi që të gjithë të rinjtë të shkojnë në Evropë, atëherë duhet ta sillni Evropën këtu, tha sot shefja e diplomacisë gjermane Analena Berbok në konferencën e përbashkët për media me kolegun e saj maqedonas Bujar Osmani.
“Dëshiroj të shpreh respektin dhe njohjen time se deri ku Maqedonia e Veriut ka ndjekur vazhdimisht rrugën evropiane. Ne e dimë se çfarë kompromisi dhe lëshime keni bërë për të gjitha këto, duke filluar nga ndryshimi i emrit të vendit, deri në arritjen e marrëveshjes për ndryshimin e Kushtetutës verën e kaluar. E di që marrëveshja që keni arritur me Bullgarinë nuk ka qenë e lehtë për ju dhe prandaj po ju drejtohem të gjithë atyre njerëzve që ende ndjejnë njëfarë shqetësimi për këtë. Kushtetuta nuk është diçka që ndryshon vazhdimisht, por këto janë hapa të rëndësishëm, dhe kjo është arsyeja pse unë mund të kuptoj se ka një debat për të – veçanërisht kur bëhet fjalë për identitetin dhe historinë, gjuhën dhe kulturën e dikujt, tha Berbok.
Sipas saj, prandaj është shumë e rëndësishme “në momente të tilla kur bëhet fjalë për identitetin të mos ketë debate bardh e zi, por të flitet ndryshe në politikë”.
– Ishte e rëndësishme dhe domethënëse që ju hapët këtë rrugë, veçanërisht në lidhje me sfidat e veçanta. Me këtë vendim të guximshëm politik, negociatat për anëtarësim mund të fillojnë zyrtarisht dhe me këtë vendim politik dhe kapital politik, ju i keni dërguar një sinjal të qartë të gjithë rajonit – ne duam pranimin në BE dhe do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për këtë. Kur është fjala për zbatimin e asaj që është rënë dakord dhe kur Kushtetuta duhet të ndryshohet vërtet, atëherë unë mund t’ju inkurajoj – përdorni të gjitha mjetet në dispozicion për të vazhduar procesin në muajt në vijim, në mënyrë që të mos dështoni në këtë pengesë kryesore. , theksoi Berbok.
Ndryshimi i dakorduar i Kushtetutës, theksoi Berbok, nuk duhet të bëhet mollë politike e sherrit në garën e popullaritetit në votime apo garën në të cilën partia mund të ketë ndonjë avantazh në fund të zgjedhjeve.
Osmani, nga ana e tij, theksoi se ministri gjerman vjen në një periudhë vendimtare për vendin, kur Maqedonia e Veriut kryeson këtë vit OSBE-në dhe dy platformat rajonale, e cila, siç theksoi, flet për pozicionin e ri rajonal të vendit. .
“Gjermania vazhdon të jetë një nga partnerët më të fortë të integrimeve evropiane të rajonit dhe në këtë kontekst dua të falënderoj për mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme që e merr edhe vendi ynë”, tha Osmani.
Sipas tij, viti 2030 është një synim ambicioz por i arritshëm për integrimin në BE të të gjitha vendeve nga Ballkani Perëndimor.
– Maqedonia e Veriut ka marrë obligime që duhet t’i përmbushë dhe negociatat me BE-në për anëtarësim duhet të vazhdojnë. Këtë herë varet vetëm nga ne. Unioni nuk e integron Qeverinë, por gjithë shtetin bashkë me opozitën dhe secili prej nesh duhet të mbajë përgjegjësi për këtë proces dhe këtu llogarisim në mbështetjen e miqve tanë evropianë, theksoi Osmani.
Gjermania, shtoi Osmani, është partneri ynë tregtar numër një, me të cilin kemi shkëmbimin më të lartë tregtar.
– Vitin e kaluar arriti në mbi pesë miliardë euro dhe vazhdon të rritet, dhe investimet më të mëdha të huaja vijnë nga Gjermania në vend me mbi 200 kompani gjermane të pranishme në tregun tonë. Prandaj dëshirojmë që këtë bashkëpunim ta kurorëzojmë duke krijuar një partneritet strategjik mes dy vendeve, theksoi Osmani në konferencën e përbashkët për media me shefin e diplomacisë gjermane Berbock.
Lajme nga vendi
SALI: VMRO KA VULLNET T’I BËJ NDRYSHIMET KUSHTETUESE POR KËRKON GARANCË
I pyetur se kur do të përmbushen kushtet e BE-së, për anëtarësimin e Maqedonisë në famiëjen e madhe Evropiane, zëvendëskryeministri Bekim Sali, tha se presin që Bullgaria të reflektoj ndaj kërkesës së kryeministrit të Mickoskit, që të zotohen se nuk do të ketë kushtëzime tjera. Ai tha se nuk është e vërtetë që VMRO-ja nuk ka vullnet për ndryshimet kushtetuese por se kërkon garancë nga Bullgaria se nuk do të bëj kërkesa të tjera.
Kujtojmë se bashkë me reformat dhe kapitujt, kushti kryesor për hapërimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian janë votimi i ndryshimeve kushtetuese në Parlament, për përfshirjen dhe njohjen e komunitetit bullgar në kushtetutë si një nga bashkësitë etnike të vendit. Kjo është pjesë e asaj që njihet si “propozimi francez”, i dakorduar në 2022 në kuadër të negociatave të anëtarësimit, dhe konsiderohet nga BE-ja dhe Bullgaria si një kusht kryesor për të çuar përpara negociatat e pranimit të shtetit tone në BE. Kjo kërkesë burojn nga marrëveshjet politike midis BE-së, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe nga korniza negociuese e miratuar nga Këshilli i BE-së në 2022. Pa këto ndryshime kushtetuese, Bashkimi Evropian nuk është në gjendje të hapë kapitujt e negociatave për anëtarësim, pasi vendet anëtare, kryesisht Bullgaria, kanë bllokuar procesin deri në përmbushjen e këtij kushti. Kujtojmë se votimi i ndryshimeve kushtetuese, miratohet me 2/3 e votave të deputetëve në Kuvend. TV KOHA
Lajme nga vendi
“FOL SHQIP O TAJ”
“FOL SHQIP O TAJ”. Kjo është nisma e fundit e inicuar nga Ambasadori I Shqipërisë më Shkup, Denion Meidani, pas problemit që hasën studentët shqiptarë për provimin e jurispodencës në gjuhën shqipe. Nisma ka ngjallur reagime në opinion, ndërsa pritet të shihet nëse institucionet përkatëse do të marrin masa konkrete për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali tha se Ligji për Provimin e Jurisprudencës që është aktiv që nga muaji janar i vitit 2020, ka defekt pasi nuk e precizon se në cilën gjuhë duhet të jepet provimi. Sali tha se mbështesin kërkesën e studentëve shqiptarë të juridikut, që provimi të mund të realizohet edhe në gjuhën shqipe.
“Këtë defekt do të mundohemi që ne tash ta përmirësojmë apo ta precizojmë, për arsye se Ministria e Drejtësisë siç nuk është e gatshme të respektojë Kushtetutën e vendit, e cila nënkupton gjithçka që gjithçka që është mbi 20 për qind e popullsisë në vendin tonë duhet të respektohet gjuha amtare, që nënkupton që gjuha shqipe duhet të jetë zyrtare dhe është e drejtë e çdo juristi apo të diplomuari që provimin e jurisprudencës ta japë në gjuhën amtare të tij, në gjuhën shqipe. Këtu duhet ta përsëris edhe njëherë qëndrimin e VLEN-it se jemi pro kësaj kërkese”, deklaroi Sali.
Avokati i Popullit ka konfirmuar se kanë hapur procedurë lidhur me provimin e jurisprudencës i cili nuk ofrohet në gjuhën shqipe, por vetëm në maqedonisht. Ndonëse nuk ka të dorëzuar ndonjë nismë konkrete deri te Zyra e Avokatit të Popullit, Faton Selami ftoi qytetarët të cilëve u është shkelur kjo e drejtë që të njëjtën ta paraqesin.
“Çdo qytetar që konsideron se i është shkelur një e drejtë e garantuar me Kushtetutë apo ligj, ka të drejtë të iniciojë procedurë pranë Avokatit të Popullit duke paraqitur parashtresë. Megjithatë, Zyra e Avokatit të Popullit, deri më tani, nuk ka regjistruar parashtresë që lidhen drejtpërdrejt me çështjen. Avokati i Popullit nuk do të kufizohet vetëm në pritjen e parashtresave individuale. Në përputhje me kompetencat e përcaktuara me Ligjin për Avokatin e Popullit, do të inicioj menjëherë procedurë me vetëiniciativë për shqyrtimin e kësaj çështjeje. Në këtë kuadër, do të realizohet një analizë e dispozitave të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, si dhe e veprimeve të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me zbatimin e këtij ligji në organizimin dhe zhvillimin e provimit të jurisprudencës”, tha Avokati i popullit, Faton Selami.
Nga BDI thonë se “në mënyrë brutale dhe të papranueshme, ministri ka injoruar kërkesat legjitime juridike të studentëve shqiptarë për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, një e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe ligj”.
“Ky veprim përbën precedent të rrezikshëm institucional, ku Ministri i Drejtësisë vendos veten mbi Kushtetutën, mbi ligjin, mbi Qeverinë dhe mbi çdo institucion tjetër të vendit, duke cenuar rëndë parimet e shtetit të së drejtës. BDI vlerëson se kjo qasje jo vetëm që cenon barazinë gjuhësore dhe juridike, por godet drejtpërdrejt themelet e rendit kushtetues dhe bashkëjetesës ndëretnike, Bashkimi Demokratik për Integrim i bën thirrje Qeverisë që të mos lejojë Ministrin e Drejtësisë të vendoset mbi ligjet dhe mbi Kushtetutën, por të ndërmarrë masa konkrete për t’u mundësuar studentëve shqiptarë mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, gjuhë në të cilën kanë kryer studimet dhe gjuhë që është zyrtare sipas rendit kushtetues të shtetit” thonë nga BDI.
Së fundmi edhe Ishministri i Arsimit në Kosovë, Arsim Bajrami ka reaguar duke thënë se institucionet në Maqedoni po ndërmarrin hapa anti-kushtetues me mos pranimin e kërkesës së studentëve shqiptarë për provim në gjuhën amëtare. TV KOHA
Lajme nga vendi
HETIM PËR KEQPËRDORIM TË KANABISIT MJEKËSOR
Ministria e brendshme në Maqedoni ka zhvilluar një aksion në të cilin janë konfiskuar 27 tonë marihuanë, të lidhura me një rast të mëparshëm kontrabande drejt Serbisë. Hetimi është fokusuar në keqpërdorimin e licencave për kanabis mjekësor nga kompania “Alfafarm”, duke hapur çështjen e mangësive sistemike në kontrollin e këtij sektori biznesi. Aktivitetet u përqendruan në dy lokacione kyçe: në Shkup, në rrethin e ish-fabrikës OHIS, ku u gjetën rreth 10 tonë drogë të magazinuara në objekte të një firme private, dhe në rajonin e Strumicës, ku në një aksion paralel u konfiskuan edhe 18 tonë të tjera marihuanë. Ky aksion i koordinuar përfshiu dhjetëra automjete policore, kamionë dhe njësi speciale; në terren mbështetje logjistike ofroi edhe Drejtoria e Doganave, ndërsa ekipe mjekësore ishin të pranishme për asistencë gjatë përpunimit të materialeve.
I pyetur për aksionin e Policisë që ka rezultuar me sekuestrimin e tonelatave me marihuanë në Shkup dhe Strumicë, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu tha se nuk është kompetencë e MSH-së se si kompanitë legale për prodhim të marihuanës mjekësore, kanë arritur që ta nxjerrin drogën jashtë objektit. Aliu tha se MSH ka dhënë 60 leje për këtë veprimtari, ndërsa 18 prej tyre janë marrë për shkak se kompanitë nuk i kanë plotësuar kushtet e nevojshme.
“Deri tani kemi dhënë 60 leje, prej atyre 18 janë marrë për shkak se nuk është…nuk i kanë plotësuar kushtet minimale që duhet t’i ketë një prodhues i tillë. Gjithashtu në bazë të ligjit dhe protokolleve, dy herë në 6 muaj, dmth në çdo 3 muaj duhet të japin raport të rregullt, ndërsa raport nëse ka ndonjë ndryshim do të duhet të jepen në kohë reale. Të gjitha dokumentet janë pjesë e Ministrisë dhe pjesë e Arkivës sonë, pra ne gjithashtu ndjekim në formë të Inspektoratit në formë të rregullt si program vjetor, edhe si program ad hock nëse do të ketë nevojë. Pjesa tjetër nuk është në ingirencë të Ministrisë, por është në ingirencë të MPB-së. Pra në pjesën tjetër ku janë kapur dhe pse kanë dalur jashtë objektit, nuk është që MSH duhet dhe mund ta ndjek”, theksoi Aliu
Nga ana tjetër LSDM-ja opozitare përmes një kumtesë për media thotë se ende nuk ka përgjigje se si kaluan 5 ton drogë në kufirin e Maqedonisë dhe përfunduan në Serbi. Nga kjo parti thonë se është e qartë se pa mbështetjen e strukturave në qeveri, Ministrinë e Brendshme, Doganat, është e pamundur që 5 ton drogë të kontrabandohen përtej kufirit.
“LSDM ka ngritur alarmin prej ditësh për lidhjen midis strukturave kriminale në Maqedoni dhe Serbi. Qeveria hesht, ashtu siç hesht për fotografitë e Mickoskit me kriminelin Sime. Tani qytetarët po shikojnë një fushatë mediatike me sekuestrime kanabisi dhe përpjekje të qeverisë për të shpërqendruar nga pyetja kryesore: kush lejoi që 5 ton drogë të kalonin kufirin? Kjo është një farsë e madhe dhe nëse bëhet fjalë për kanabis të ligjshëm, atëherë mund të hapet një problem i ri. Cilat janë faktet? Baza ligjore për prodhimin e kanabisit mjekësor në Maqedoni u krijua nga VMRO-DPMNE dhe Nikola Gruevski me ndryshimet në Ligj më 9 shkurt 2016. Licenca e parë për kultivimin e kanabisit mjekësor në Maqedoni u lëshua në shkurt 2017 gjatë periudhës së VMRO-së”, thonë nga LSDM.
Në qendër të hetimit është kompania “Alfafarm” SHPK Shkup, kompani e regjistruar në vitin 2023 me kapital themeltar prej rreth 529.000 eurosh. Megjithëse firma posedonte licencë për kultivimin dhe përpunimin e bimëve për përdorim farmaceutik, të lëshuar në vitin 2024, hetuesit dyshojnë se sasi të mëdha të prodhimit kanë përfunduar në tregun e zi, në vend që të shpërndaheshin përmes kanaleve legale mjekësore. Analiza e të dhënave nga Regjistri Qendror tregon ndryshime të dyshimta në strukturën pronësore të Alfafarm vetëm disa ditë para zbulimit të dërgesave ilegale në Serbinë fqinje. Më 29 janar 2026, pranë fshatit Konjuh afër Krushevcit në Serbi, u konfiskuan 5 tonë marihuanë me vlerë të vlerësuar mes 7 dhe 10 milionë eurosh. Droga ishte transportuar nën maskën e eksportit të kastravecëve (kornishonëve), ndërsa mes të arrestuarve në Serbi ndodhet edhe një nga pronarët e Alfafarm SHPK Shkup. Autoritetet dhe mediat serbe në Beograd konfirmuan se dërgesa kishte origjinë nga territori i Maqedonisë, çka nxiti një shkëmbim intensiv informacioni mes dy shteteve përmes Prokurorisë. Ky kanal tranziti kishte qenë objekt i një hetimi disa mujor, i cili kulmoi me zbulimin e magazinave në Shkup dhe Strumicë. TV KOHA

