Lajme nga vendi
Parashikimi i motit
Moti sot do të jetë pjesërisht i vranët me periudha me diell. Në pjesët lindore do të ketë kushte për reshje lokale shiu. Do të fryjë erë mesatare, ndërsa përgjatë Vardarit dhe në pjesët lindore erë herë pas here e fortë nga drejtimi veriperëndimor. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 2 deri në 8, ndërsa ajo maksimale do të arrijë nga 13 deri në 20 gradë Celsius.
Në Shkup do të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme me periudha me diell dhe me erë mesatare deri në të fortë nga drejtimi veriperëndimor. Temperatura minimale do të zbresë deri në 5, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri në 18 gradë.
Të premten, nën ndikimin e një fronti atmosferik, në më shumë vende priten reshje të rrëmbyeshme, bubullima dhe erë e fortë, lokalisht në formë stuhie afatshkurtër. Ditën e shtunë do të ketë stabilizim të përkohshëm, ndërsa nga e diela do të mbizotërojë mot i ndryshueshëm i vranët me reshje të rrëmbyeshme lokale dhe bubullima.
Lajme nga vendi
Rina Ajdari: E tërhoqëm Ligjin për jurisprudencën në shqip, qëllimi i Qeverisë është mohimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve
Deputetët shqiptarë të opozitës e kanë tërhequr propozim-ligjin me të cilin propozuan që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, Rina Ajdari nga BDI tha për Portalb.mk se duhet vetëm të zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve. Ndërkaq nuk kanë shpresa se Qeveria do ta zgjidh këtë çështje që provimi të jepet edhe në shqip.
Duke komentuar deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski, deputetja e BDI-së, Rina Ajdari thotë se kanë vendosur ta tërheqin propozim-ligjin për jurisprudencë për shkak se, siç thotë: qëllimi i qeverisë nuk është jurisprudenca, por është mohimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Tendenca, qëllimi përfundimtar i shumicës parlamentare, i VMRO-DPMNE-së në koalicion me VLEN është abrogimi i neneve, e dini që ka nismë edhe në Gjykatën Kushtetuese për abrogim të 18 dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Kësaj shumice parlamentare, VMRO-DPMNE-së, kryeministrit Mickoski, i pengon Ligji për përdorimin e gjuhëve, i pengon gjuha shqipe zyrtare në vend, duke parë gjithë këtë situatë, ne vendosëm t’i tërheqim ligjet, jemi thirrur në nenet e Ligjit për përdorimin e gjuhëve që e konsideron gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare ”, tha Ajdari.
E pyetur për nismën që Avokati i Popullit i ka dorëzuar Qeverisë ku i propozon të bëjë ndryshime ligjore që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në shqip, Ajdari tha se nuk pret që Qeveria t’i bëjë këto ndryshime.
“Nuk kam pritshmëri se do të rregullohet, sepse Ligji vetëm duhet të zbatohet, nuk duhet asgjë tjetër”, tha Ajdari.
Lajme nga vendi
Kapen armë, municion e drogë, arrestohen 4 persona, pas aksionit policor në Strugë, Kërçovë e Ohër
Më 23.03.2026, në ora 19:45 në Strugë, zyrtarët policorë nga Njësia për tregti të paligjshme me drogë dhe armë pranë SPB Strugë i privuan nga liria L.R. (19) dhe vëllain e tij 15-vjeçar, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregti e paautorizuar me armë ose materiale shpërthyese”. Gjatë bastisjes në shtëpinë e tyre në Strugë, me urdhër gjykate, u gjetën dhe u sekuestruan një pistoletë “Dessert Lort” kalibër 9 mm dhe një karikator i zbrazët, të cilat i posedonin pa leje. I mituri ka deklaruar se prindërit nuk kanë qenë në dijeni.
Po atë ditë, në ora 17:00 në Kërçovë, zyrtarët policorë nga Zyra e Jashtme për punë kriminalistike Kërçovë e privuan nga liria B.B. (52) nga Kërçova. Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, me urdhër gjykate, u gjetën dhe u sekuestruan 23 copë municion kalibër 9 mm.
Në ora 16:35 në Ohër, zyrtarët policorë nga Njësia për tregti të paligjshme me drogë dhe armë pranë SPB Ohër e privuan nga liria Sh.F. (37) nga Ohri. Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, me urdhër gjykate, u gjet dhe u sekuestrua marihuanë.
Për rastet janë njoftuar prokurorët publikë kompetentë dhe pas dokumentimit të plotë të tyre, ndaj personave do të parashtrohen kallëzime përkatëse.
Lajme nga vendi
MOTI BËN KTHESË TË PAPRITUR – NË FUNDJAVË SHI DHE BORË!
Edhe pse sipas kalendarit kemi hyrë në pranverë, dimri pritet të rikthehet shumë shpejt dhe me intensitet të lartë. Llogaritjet më të fundit të modeleve meteorologjike tregojnë një skenar dimëror që fillimisht do të godasë rajonin kurse nuk do të përjashtohet edhe vendi ynë.
Duke filluar nga 26 mars 2026 (e enjte), nga veriu drejt jugut dhe juglindjes së Evropës do të depërtojë ajër shumë i ftohtë, i pazakontë për këtë periudhë të vitit.
Kjo do të shkaktojë formimin e një sistemi të thellë ciklonik mbi Gjirin e Gjenovës, i cili më pas do të shtrijë ndikimin e tij në të gjithë Gadishulli Ballkanik, përfshirë edhe vendin tonë.
Si pasojë priten reshje të dendura shiu dhe bore, krijim i shtresës së konsiderueshme të borës, erëra të forta dhe rënie e ndjeshme e temperaturave.
Në vendin tonë, të enjten, në orët e vona të ditës dhe gjatë natës drejt së premtes (27 mars), fillimisht në zonat perëndimore dhe më pas në pjesën më të madhe të vendit do të ketë reshje shiu, herë pas here intensive dhe të rrëmbyeshme, të shoqëruara me bubullima të rralla.
Do të fryjë erë e përforcuar, herë pas here e fortë nga jugu dhe juglindja, që lokalisht mund të kalojë 60 km/orë. Në disa zona këto procese mund të marrin formë stuhish. Reshjet mund të arrijnë mbi 25 litra për metër katror.
Për shkak të rënies së temperaturave, në zonat malore dhe në lartësi mbi 1.000 metra do të ketë reshje bore, ku pritet të formohet shtresë mbi 15 cm.
Ekziston mundësia që veçanërisht në pjesët perëndimore dhe veriore të vendit, kufiri i borës të zbresë edhe nën 1.000 metra, duke sjellë reshje bore edhe në vendbanime më të larta.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga bota2 months agoGjermania në krizë për punëtorë të kualifikuar, spitalet dhe shkollat kanë mungesa të mëdha

