Lajme nga vendi
Liria e mediave, RMV lider në Ballkaninë Perëndimor
Maqedonia e Veriut është në vendin e 38-të nga gjithsej 180 shtete në botë sipas Indeksit Global të Lirisë së mediave të “Reporterëve pa kufij”. Vendi shënon një kërcim prej 19 vendesh në krahasim me vitin 2022 dhe është pozicionuar më së miri në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përpara Malit të Zi (39), Kroacisë (42), Kosovës (56), Bosnjë e Hercegovinës (64) dhe Serbisë (91) dhe Shqipërisë (96).
“Reporterët pa kufij” në raportin për Maqedoninë e Veriut, theksojnë se edhe pse gazetarët nuk punojnë në një mjedis armiqësor, keqinformimi i përhapur dhe mungesa e profesionalizmit kontribuojnë në rënien e besimit të shoqërisë në media, e cila i ekspozon mediat e pavarura ndaj kërcënimeve dhe sulmeve. Vazhdon edhe tendenca që zyrtarët e qeverisë të kenë qëndrime të këqija dhe poshtëruese ndaj gazetarëve.
Megjithëse televizioni është burim dominues i informacioneve, mediat onlajn luajnë një rol të rëndësishëm. Megjithatë, duhet bërë një dallim midis redaksive onlajn profesionale të cilat punësojnë gazetarë profesionistë dhe publikojnë përmbajtje origjinale dhe portaleve individuale të cilët kryejnë plagjiaturë dhe kopjojnë përmbajtjen e njerëzve të tjerë. Ekziston gjithashtu një hendek i madh midis shikueshmërisë dhe besimit: TV stacionet më të ndjekura kanë një indeks të ulët besueshmërie.
Konteksti politik
Mjedisi i përgjithshëm mbetet i favorshëm për lirinë e mediave dhe lejon raportim kritik, megjithëse transparenca e institucioneve është mjaft e dobët. Për shkak të polarizimit të fortë politik, media mund t’i nënshtrohet presionit nga pushteti, politikanët dhe biznesmenët. Dy partitë më të mëdha (në pushtet dhe në opozitë) kanë krijuar sisteme mediatike paralele mbi të cilat ushtrojnë ndikimin e tyre politik dhe ekonomik. Shërbimi i transmetimit publik nuk ka pavarësi editoriale dhe financiare.
Korniza ligjore
Përderisa Kushtetuta garanton lirinë e fjalës dhe ndalon censurën, vendi mbetet prapa në harmonizimin e legjislacionit të medias me standardet e Bashkimit Evropian, të cilit synon t’i bashkohet. Abuzimi gjyqësor i Ligjit për përgjegjësi civile për shpifje inkurajon autocensurën në media. Paditë përdoren si një mjet për të frikësuar dhe presion mbi mediat e pavarura. Një projekt-ligj për të riautorizuar qeverinë për të reklamuar në media private ka ngritur shqetësime për ndikimin e mundshëm politik.
Konteksti ekonomike
Edhe pse disa lloje të përqendrimit mediatik janë të ndaluara me ligj, redaksia e disa prej kanaleve kryesore televizive janë të ekspozuara ndaj presioneve ekonomike nga pronarët e tyre. Financimi shtetëror është i kufizuar dhe jo transparent dhe media e pavarur mbështetet shumë te donatorët. Grantet e huaja të bazuara në projekte kontribuojnë vetëm për mbijetesën, por jo për zhvillimin e mëtejshëm. Ekziston një tregti e ndikimit midis agjencive të marketingut dhe shtëpive të caktuara mediatike.
Konteksti sociokulturor
Megjithëse nuk ka kufizime të qarta në mjedisin social dhe kulturor që ndikojnë në gazetarinë e lirë, rrjetet sociale dhe sfera digjitale në përgjithësi favorizojnë përhapjen e dezinformatave dhe kërcënimeve kibernetike. Të kombinuara me standarde të ulëta profesionale, ato kontribuojnë në rënien e besimit të publikut në media dhe hapin rrugën për sulme ndaj gazetarëve bazuar në kritere gjinore, etnike ose fetare.
Siguria
Gazetarët janë rregullisht objektiv i sulmeve verbale. Me pretekstin e mbrojtjes së sekreteve shtetërore dhe të të dhënave personale, ata mund të ekspozohen ndaj presionit ligjor dhe ndjekjes penale abuzive (procedurat e zvarritjes ose SLAPP). Megjithatë, gjykatat priren të mbështesin lirinë e shtypit dhe të mbrojnë gazetarët. Është caktuar një prokuror special për të trajtuar rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, ndërsa po shqyrtohet hapja e zyrave të ngjashme në të gjithë vendin.
Mediat më të lira në vendet nordike
Në përgjithësi, vendet nordike renditen më së miri – Norvegjia, Danimarka, Suedia, Irlanda, Finlanda, ndërsa vendet aziatike renditen më keq – Turkmenistani, Irani, Vietnami, Kina dhe Koreja e Veriut. Sipas raportit mbi Indeksin Global të Lirisë së Medias, i cili vlerëson mjedisin në të cilin punojnë gazetarët në 180 vende dhe territore, ndërsa i cili u publikua në Ditën Botërore të Lirisë së mediave, situata është “shumë e keqe” në 31 vende, “e keqe” në 42, “problematike” në 55, “mirë” ose “mjaftueshëm mirë” në 52 vende. Me fjalë të tjera, mjedisi në të cilin punojnë gazetarët është i keq për shtatë nga 10 vende, ndërsa i kënaqshëm për një në tre vende, theksohet në raportin e “Reporterëve pa kufij”.
Në raportin vjetor theksohet se gazetaria në vitin 2023 kërcënohet nga industria e përmbajtjes së rreme dhe se përmbajtja e rreme ka një ndikim të fortë në media. Në rreth 118 vende, të anketuarit deklaruan se aktorët politikë janë të përfshirë sistematikisht në dezinformim masiv ose në fushata propagandistike. Zhvillimi i madh i inteligjencës artificiale po shkakton probleme edhe në botën mediatike.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 07 Tetor
Dje në orën 15:40, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Mavrovë kanë privuar nga liria një 45-vjeçar nga fshati Zdunjë, rrethina e Gostivarit. Gjatë një kontrolli në trafik, është konstatuar se ai po drejtonte një automjet udhëtarësh “Opel Vectra” me targa të Gostivarit pa leje drejtimi. Automjeti është sekuestruar dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
…….
Dje në orën 14:00 në SPB Tetovë, një grua 33-vjeçare nga Republika e Malit të Zi ka denoncuar se ish-partneri i saj, një 43-vjeçar, nga fshati Vrapçisht, rrethina e Gostivarit, i cili nga shtatori i vitit 2026 ndodhet në vuajtje të dënimit me burg në Burgun e Tetovës, nga numra të ndryshëm telefoni dhe përmes një aplikacioni celular ka dërguar kërcënime ndaj saj dhe familjes së saj. Po merren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit, pas së cilës do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
Lajme nga vendi
Policia e trafikut me 33 skuterë të rinj “Piaggio Beverly 310”
Parku i automjeteve të policisë së trafikut në Maqedoninë e Veriut është pasuruar me 33 skuterë të rinj “Piaggio Beverly 310 HPE”, në version të posaçëm policor.
Ministria e Punëve të Brendshme ka pranuar 33 skuterët e rinj policorë, të siguruar nga Këshilli Republikan për Siguri në Trafikun Rrugor (KRSSTR). Dorëzimi zyrtar u bë në prani të ministrit të Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski, dhe kryetarit të KRSSTR-së, Goran Angelovski.
Së bashku me skuterët është siguruar edhe pajisje e plotë mbrojtëse për motoçiklistët, përkatësisht për secilin polic:
helmetë mbrojtëse;
xhaketë dhe pantallona motoçiklistike;
çizme motoçiklistike;
doreza për verë dhe dimër.
Vlera totale e furnizimit është 16.845.561 denarë, ose rreth 274 mijë euro. Në këtë shumë përfshihen si skuterët, ashtu edhe pajisjet mbrojtëse.
“Piaggio Beverly 310 HPE” është skuter italian i kategorisë maxi-skuter, me motor 310 kubikë që zhvillon rreth 27,7 kuaj fuqi. Transmisioni automatik CVT, rrotat e mëdha dhe përmasat kompakte e bëjnë atë të përshtatshëm për lëvizje në trafikun urban.
Për policinë e trafikut, skuterët mundësojnë lëvizje më të shpejtë në trafikun e dendur, qasje më të lehtë në vendet e aksidenteve dhe rregullim më efikas të trafikut në rrugët dhe kryqëzimet e frekuentuara.
Nga MPB-ja thonë se blerja e re synon të rrisë mobilitetin e policisë së trafikut, të mundësojë kontroll më efikas të komunikacionit dhe të përmirësojë kushtet e punës së pjesëtarëve të policisë.
Ministri Panço Toshkovski theksoi se furnizimi është pjesë e aktiviteteve më të gjera për modernizimin e policisë dhe rritjen e sigurisë në trafik.
Ndërkaq, nga KRSSTR-ja u bë e ditur se do të vazhdojnë investimet për pajisjen e njësive policore që janë përgjegjëse për kontrollin e trafikut.
Me 33 “Piaggio Beverly 310”, policia e trafikut fiton mjete të reja që pritet të mundësojnë reagim më të shpejtë dhe mobilitet më të madh, veçanërisht në kushtet e trafikut të dendur urban.
Burimi: Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)
Lajme nga vendi
Nis shpërndarja e kartelave për “naftën e gjelbër”, mbi 48 mijë fermerë përfitojnë
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave ka nisur shpërndarjen e kartelave për “naftën e gjelbër” për fermerët, në një periudhë kur po përgatiten tokat për përpunimin vjeshtor dhe mbjelljen.
Për këtë masë këtë vit janë siguruar 584 milionë denarë, rreth 9.5 milionë euro, ndërsa janë përgatitur gjithsej 48.037 kartela.
Shpërndarja ka nisur në Sveti Nikollë, ndërsa më pas ka vazhduar në Manastir, bëri të ditur ministri i Bujqësisë, Borçe Serafimovski.
Mbështetja financiare varet nga sipërfaqet dhe kulturat bujqësore të deklaruara në kërkesat për pagesa direkte për vitin 2025 dhe varion nga 3.200 deri në 12.000 denarë për hektar.
Për kulturat drithore, si gruri, elbi, misri dhe orizi, fermerët përfitojnë 3.200 denarë për hektar. Për lulediellin, kolzën, jonxhën dhe disa kultura të tjera mbështetja është 4.800 denarë për hektar.
Për kulturat kopshtare dhe vreshtat janë paraparë 9.600 denarë për hektar, ndërsa mbështetja më e lartë, prej 12.000 denarësh për hektar, është për mollën, dardhën, kumbullën, pjeshkën dhe disa kultura të tjera frutore.
Për ftonjtë, shegët, bajamet, lajthitë dhe kultura të tjera të kësaj kategorie ndahen 8.800 denarë për hektar, për duhanin 11.000 denarë, ndërsa për arrat dhe gështenjat 6.000 denarë për hektar.
Në Sveti Nikollë janë shpërndarë kartelat e para nga gjithsej 1.900, me vlerë mbi 38.2 milionë denarë. Në Manastir janë përgatitur 3.858 kartela, me vlerë të përgjithshme prej rreth 57.5 milionë denarësh.
Sipas Ministrisë, qëllimi është që ndihma financiare të arrijë te fermerët pikërisht në periudhën kur ata kanë shpenzimet më të mëdha për përgatitjen e tokave, blerjen e farërave dhe plehrave, si dhe mirëmbajtjen e mekanizimit bujqësor.
Masa zbatohet përmes Programit për mbështetje financiare në bujqësi për vitin 2026.
Gjatë vizitës në Manastir, ministri Serafimovski është takuar edhe me bletarë nga Pellagonia. Në takim është bërë e ditur se në Ministri janë përgatitur urdhërpagesat për subvencionet e bletarëve dhe se pagesa pritet të realizohet sa më shpejt.
Ndërkohë, është paralajmëruar edhe brendimi i mjaltit maqedonas, përkatësisht atij të Mariovës, me qëllim promovimin e mëtejshëm të origjinës dhe cilësisë së tij.
-
Lajme nga bota2 months agoTRUMP: LARGIMI I INFANTINO-s NGA FIFA DO TË ISHTE NJË GABIM I RËNDË
-
Lajme nga rajoni2 months agoKrimi i rëndë në Kosovë/ Kjo është 25-vjeçarja që u vra me armë zjarri, dyshohet se u qëllua nga bashkëshorti i saj, ishte në javën e 34 të shtatzënisë
-
Lajme nga bota2 months agoTrump paralajmëron “luftë ekonomike” ndaj Iranit: Kush e ndihmon, do të përballet me pasoja

