Lajme nga vendi
Analistët: “Biznesmen të Mickoskit” nuk duan që porti i Durrësit të jetë konkurrent i portit të Selanikut!

Opozitarja VMRO-DPMNE është e qartë se është kundër ndërtimit të Korridorit 8, i cili lidhë Shkupin me Tiranën dhe në mënyrë indirekte edhe me Prishtinë, vlerëson njohësi i zhvillimeve politike në vend Aco Kabranov, duke folur për tentimin e opozitës maqedonase që projektit të ndërtimit të korridoreve tu jep konotacion etnik.
“Nuk mendoj se këtë e bëjnë aq shumë për arsye etnike, por kryesisht për interesa biznesi. Oligarkët dhe biznesmenët që janë tani afër Mickoskit nuk duan që porti i Durrësit të jetë konkurrent i portit të Selanikut, sepse shumica prej tyre kanë vite që punojnë përmes portit të Selanikut dhe kanë një pjesë në pronësinë, si dhe agjencitë e tyre atje. Kryetari i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski është treguar se dinë në mënyrë të shkëlqyer të punojë për interesat e VMRO DPMNE-së, dhe natyrisht edhe për veten e tij. Nuk e ka të vështirë në opinion korridoret t’i quajë kufijtë e ‘Iliridës’, për të mbjellë frikë te popullin maqedonas, por ai jo vetëm që zbatoi detyrën që iu dha nga Mickoski, por u tregua si një person që sado që të mohon, tregoi se është albanofob”, deklaroi Kabranov për PRESSonline.al
Në anën tjetër, juristi Qenan Aliu thotë se korridoret 8 dhe 10 D janë akse me karakter pan-evropian, andaj, stigmatizimi nga ana e opozitës duke u dhënë, karakter etnik, është miopi politike.
“Por kuptohet ky cilësim bëhet për pikë politike nga ana e opozitës e që shpërfaq kulturë të ulët politike. Megjithatë, se gjatë procedimit prokorial për këto projekte gjigante nuk ka dilema se qeveria ka tejkaluar kompetencat e vendosjes para parlamentit. Por këto gjëra duhet parë institucionalisht kuptohet për këto projekte duhet Qeveria të mundësojë transparencën maksimale të mundshme jo vetëm për deputetët por edhe për opinion më të gjerë. Abuzime edhe mund të ndodhin por së paku opinioni nuk duhet të lejojë që truket e qeveritarëve të venë në lajthitje qytetarët duke përbuzur inteligjencën kolektive, e në saj të kësaj të ndodh korrupsion gjigant, i ligjësuar, e në kurriz të buxhetit të shtetit”, deklaroi Aliu për PRESSonline.al
Opozitarja VMRO-DPMNE thuaj se për çdo ditë mbanë nga një pres-konferencë për media lidhur me Korridoret 8 dhe 10D. Të gjitha këtyre paraqitjeve në opinion shfaqin elemente anti-shqiptare edhe pse ndërtimi i këtyre projekteve si ide-projekte datojnë që nga pavarësimi i Maqedonisë e këndej, që nënkupton se për të njëjtat është debatuar edhe në qeveritë e VMRO-DPMNE-së. Edhe në Parlament opozitarja VMRO-DPMNE dhe “Levica” e Dimitar Apasievit me një numër të madh mendimesh të parashtruara mbi propozim ndryshimet ligjore që përshpejtojnë ndërtimin e korridoreve tenton të frenojë procesin e këtij projekti madhor për qytetarët dhe shtetin.
“Korridori 8 është eufemizëm për lidhje të territoreve të Shqipërisë së Madhe praktikisht”, tha Dimitar Apasiev – kryetar i partisë “E Majta”.
Pothuajse ngjashëm u deklarua edhe kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
“Ju po ndërtoni një korridor pas të cilit fshihet një narrativ, e ky është narrativi shqiptar. Ky korridor lidh një trase në relacion Shkup-Prishtinë- Tiranë. Shtrohet pyetja a është vetë hartimi i korridorit pasqyrë e hartës së Iliridës të cilën shumë herë deri tash e kemi parë”, pohoi Maksim Dimitrievski, kryetar i Kumanovës.(PRESSonline.al)
Lajme nga vendi
Maqedonia e Veriut nga sot zyrtarisht pjesë e SEPA-s: pagesa më të lehta dhe më të shpejta në euro

Ministria për Çështje Evropiane informon se që nga sot, 7 tetor 2025, Republika e Maqedonisë së Veriut zyrtarisht fillon aplikimin e Zonës së vetme të pagesave në euro (SEPA), me çka qytetarët dhe kompanitë do të mund të kryejnë dhe të pranojnë pagesa në euro drejt vendeve anëtare dhe nga vendet anëtare të SEPA-s me kushte të njëjta si në Bashkimin Evropian.
Sot, me fillimin e aplikimit praktik për transaksione më të lehta, më të shpejta dhe më të lira në euro, Maqedonia e Veriut zyrtarisht u bë pjesë aktive e Zonës evropiane të pagesave, që është hap i rëndësishëm në avancimin e integrimit me tregun e vetëm evropian.
Bashkimi me SEPA-n është pjesë e aktiviteteve në kuadër të Planit të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili ka për qëllim të përshpejtojë integrimin ekonomik të vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian përmes rritjes së qasjes në tregun e vetëm, shtytjen e investimeve dhe avancimin e shërbimeve financiare.
Ky progres i rëndësishëm është rezultat konkret i përpjekjeve të Qeverisë dhe Ministrisë për Çështje Evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut për zbatimin e standardeve evropiane dhe për përmirësimin e kushteve për qytetarët dhe bizneset. Me zbatimin e pagesave SEPA, vendi ynë po afrohet drejt rrjedhave financiare evropiane dhe konfirmon progresin e tij të vazhdueshëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Lajme nga vendi
QEVERIA E SHFUQIZOI KONTRATËN E KONCESIONIT PËR GUROREN NË STRAÇINCË

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, njoftoi se Qeveria ka shfuqizuar njëanshëm Kontratën e koncesionit për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në territorin e fshatit Straçincë, komuna e Gazi Babës, e nënshkruar 10 vite më parë me „Melkam Engineering“ nga Shkupi.
Sipas Mexhitit, vendimi u mor për shkak të mangësive serioze.
‘Koncesionari nuk ka siguruar shfrytëzimin minimal prej 20% sipas kontratës, pra 25.000 ton në vit, në vitin 2022 janë nxjerrë vetëm 277 ton, në 2023 nuk ka pasur aktivitet, dhe në vitin 2024 vetëm 187 ton. Aktivitetet janë ndërprerë shpesh dhe nuk janë respektuar detyrimet ligjore, gjithashtu koncesionari nuk ka paguar taksën e koncesionit për sasinë e nxjerrë gjatë tre viteve të fundit,’ deklaroi Mexhiti.
Inspektimi I jashtëzakonshëm i kryer nga Inspektorati Shtetëror për Energji, Miniera dhe Burime Minerale konfirmoi se koncesionari nuk e ka përmbushur kontratën dhe ka pasur ndërprerje të gjatë në aktivitet.
Me këtë vendim ndalon vlefshmëria e koncesionit, dhe të gjitha institucionet përgjegjëse janë njoftuar për masat e mëtejshme.
„Ky është një mesazh i qartë se Qeveria dhe Ministria e Mjedisit nuk do të tolerojnë përdorim të pakujdesshëm të burimeve natyrore. Do të vazhdojmë të sigurojmë menaxhim të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm të tyre, në interes të qytetarëve dhe interesit publik. Shëndeti dhe siguria e qytetarëve janë dhe do të mbeten prioriteti ynë kryesor“, tha Mexhiti.
Lajme nga vendi
Osmani: “Kartela e Artë” për jetë më të lirë, barna më të lira

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, e prezantoi programin “Me zemër për të moshuarit”, i fokusuar në përmirësimin e cilësisë së jetës së pensionistëve përmes ndihmës financiare direkte dhe kujdesit sistematik. Programi parasheh tre masa kryesore për përmirësimin e sigurisë ekonomike të personave të moshuar: mbështetje mujore financiare, subvencione për qëndrimin në shtëpi të të moshuarve dhe një kartë zbritjeje në farmaci dhe markete.
“Së pari, do t’i mbështesim financiarisht personat e moshuar. Parashikojmë ndihmë për të gjithë pensionistët me të ardhura të ulëta, për ata që më së shumti e ndiejnë peshën e muajit. Në dy vitet e para të mandatit do të fillojmë me 2.500 denarë për pensionistët me të ardhura minimale, me synim që kjo mbështetje të arrijë deri në 5.000 denarë”, deklaroi Osmani.
Masa e dytë parasheh mbështetje për kujdesin dinjitoz të personave të moshuar që nuk kanë përkrahje familjare ose jetojnë në kushte të vështira materiale, duke përfshirë edhe mundësinë për akomodim të subvencionuar në shtëpi të të moshuarve, nëse kjo është nevojë apo zgjedhje e tyre.
“Do të sigurojmë subvencione për qëndrimin në shtëpitë e të moshuarve për ata me të ardhura më të ulëta. Asnjë pensionist nuk duhet të mbetet pa mbështetje, as pa një vend ku do të ndihet i sigurt dhe i përkujdesur”, theksoi Osmani.
Masa e tretë e programit ka të bëjë me kartën “Vitet e Arta”, e cila do të sigurojë zbritje në farmaci dhe gjatë blerjes së produkteve të përditshme, përmes partneriteteve me bizneset lokale dhe rrjetet e marketeve.
“Me këtë kartë do t’ua ulim barrën e shpenzimeve më të rëndësishme – atyre shëndetësore dhe bazike. Ajo do të jetë simbol i respektit dhe kujdesit nga komuna për çdo pensionist”, tha Osmani.
Në fjalimin e tij, Osmani theksoi se në Çair jetojnë mbi 7.400 pensionistë, që përbëjnë më shumë se 15% të popullsisë së rritur.
Ai shtoi se ky program është rezultat i punës së tij shumëvjeçare me personat e moshuar dhe se qëllimi i tij është të sigurojë pleqëri dinjitoze dhe siguri ekonomike për çdo pensionist në Çair.
-
Lajme nga bota2 months ago
TRAGJEDI familjare në SHBA : 34 vjeçarja vret burrin dhe dy fëmijë, më pas veten
-
Lajme nga rajoni1 month ago
Lëshohet për qarkullim ura e re mbi lumin Ibër
-
Lajme nga bota2 months ago
Takimi Zelensky-Trump në Berlin, dhoma e Kancelarisë gjermane ku askush s’mund të përgjojë