Lajme nga vendi
Ganiu për parkingun e uzurpuar të Poliklinikës “Bit Pazar”: Adresa për këto punë devijuese është te Qeveria
Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, në një bisedë me gazetarin e Portalb.mk, i hodhi poshtë pretendimet e Qeverisë, Inspektoratit Shtetëror Ndërtimor, por edhe kryetarit të BNJVL-së se Komuna e Çairit është kompetente për të vepruar në lidhje me hapësirën e uzurpuar mbrapa Poliklinikës së “Bit Pazarit”, e cila përdoret si parking me pagesë ndër vite në mënyrë ilegale . Sipas tij, kompetentë për të vepruar janë Spitali, inspektorati, ndërkaq adresa për të gjitha këto punë devijuese dhe destruktive është te Qeveria.
“Të gjitha ato parcela që janë në oborrin e Poliklinikës janë në pronësi të Poliklinikës dhe ato gjenden në territorin e Çairit, por Poliklinika i ka në pronësi dhe Poliklinika nuk menaxhohet nga Komuna e Çairit, por nga pushteti qendror. Kjo është për ta hedhur fajin ose topin në një tjetër terren që nuk është korrektësi. E kuptoj kryetarin e BNJVL-së që ka dhënë një intervistë të tillë, por ai nuk është i njoftuar me gjithë këto punë. Ne kemi kërkua që të gjitha parcela, në të ardhmen, nga Qeveria t’i marrim që t’i bëjmë, e dini me projektin e fundit me zotëri Pacollin, që të bëjmë garazhe në kate. Një dritë të tillë nuk e kemi marrë, ligji për investime strategjike nuk kaloi dhe nuk di se si ne t’i menaxhojmë parkingjet, kur ju e dini se parkingjet menaxhohen nga Qyteti i Shkupit – nga Ndërmarrja për Parkingje që është e themeluar dhe të gjitha pëlqimet për çdo parking duhet të merren nga ajo ndërmarrje”, thotë Ganiu.
Kryetari i Çairit thotë se nuk është korrekt që për oborrin e dikujt tjetër në kronikë të zezë të bëhet Komuna e Çairit.
“Kështu që, ne jemi në procedurë për disa parcela të cilat janë direkt në pronësi tonën që t’i shndërrojmë në parkingje edhe që t’i marrim pëlqimet, procedura duhet të kalojë te ndërmarrja e Qytetit të Shkupit. Kështu që, e dini, rasti që ndodhi me Poliklinikën ku u prish gardhi, hynë brenda – prapë e lidhnin Komunën e Çairit, mendoj që është jokorrektësi, kur dikujt tjetër i hyn në oborr dhe merren me atë – pra organet e rendit kanë intervenuar, njerëzit i kanë larguar, por prapë se prapë kronikë e zezë ishte Komuna e Çairit që nuk ka asnjë kompetencë për oborrin e dikujt tjetër. Edhe universiteti “Shën Kirili” është pjesë e Komunës Qendër, por aty çka ndodh brenda nuk është përgjegjëse Komuna Qendër. Edhe te ne, nuk jemi ne përgjegjës. Mirë që intervenuan organet e rendit, por mendoj që nuk duhet të lidhemi ne pasi që s’kemi që të bëjmë atje se s’kemi kompetenca”, tha Ganiu .
I pyetur me parcelën tjetër, që është në tokë shtetërore, Ganiu thotë se për këtë duhet të intervenojnë inspektoratet shtetërore, por sipas tij, këto inspektorate nuk e kryejnë punën në Çair.
“Në lidhje me parcelën tjetër e cila është tokë shtetërore, aty duhet të intervenojë dikush tjetër – Inspektorati i Tregut, inspektoratet tjera që nuk janë në kompetencat tona dhe të shkon të kërkon se si punojnë ata njerëz atje. Ne kemi alarmuar disa herë, kemi ngritur iniciativa, por në terren nuk dalin inspektoratet tjerë bashkë me MPB-në, atëherë është e kotë. Ne kemi dalë disa herë nëpër intervista dhe kemi thënë që Inspektorati i Tregut nuk e kryen punën e tij në Çair. Nuk e kemi vetëm atë, kemi terasa të hapura për çka nuk vijnë të reagojnë, kemi veprimtari të ndryshme se në bazë të çfarë dokumenti janë hapur. Pra, ato nuk i ka komuna si kompetencë, por Inspektorati i Tregut që duhet t’i menaxhojë dhe kontrollojë, jo ne”, tha Ganiu.
Ai kërkoi që të shtrihet decentralizimi dhe t’i jepen Komunës së Çairit kompetenca, por sipas tij, Qeveria çdo send mundohet ta mbajë për vete.
“Për atë ne flasim çdoherë që pushtetarët tanë, qeveritarët tanë duhet më tepër t’u japin komunave kompetenca dhe kërkojmë sa më tepër decentralizimi të shtrihet prej pushtetit qendror të shtrihen kompetencat te pushteti vendor. Një gjë të tillë nuk e bën ekzekutivi, pasi që çdo send mundohet ta mbajë në kontroll dhe jorastësisht e kemi epitetit, zyrtarisht jemi pas Qipros, shteti i dytë më i centralizuar. Adresa për të gjitha këto punë devijuese dhe destruktive është te Qeveria”, tha Ganiu.
Ndryshe, pas një hulumtimi disa-javor, Portalb.mk publikoi se mbrapa objektit të Poliklinikës së Bit Pazarit, qytetarët detyrohen të paguajnë për parking, pavarësisht se parcelat janë në pronësi shtetërore dhe janë të uzurpuara. Paratë e qytetarëve shkojnë në mënyrë të paligjshme në xhepa të personave privat, në vend që të shkojnë në arkën e Spitalit, komunës apo të shtetit.
Hulumtimin e plotë mund ta lexoni: Parkingu i Poliklinikës “Bit Pazar” i uzurpuar, Komuna e Çairit lejon paratë e qytetarëve ilegalisht të hyjnë në xhepa privat
Lajme nga vendi
BDI: Katër muaj heshtje nga Burim Latifi për dëmin prej 19,3 milionë euro në MEPSO
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kërkuar sërish transparencë dhe përgjegjësi institucionale lidhur me zhvillimet në Operatorin e Sistemit Elektroenergjetik të Maqedonisë – MEPSO, duke akuzuar institucionet kompetente se, katër muaj pas ngritjes së çështjes në opinion, ende nuk kanë dhënë përgjigje konkrete.
Sipas BDI-së, në procedurën paraarbitrale para DAB-it, MEPSO ka humbur një pjesë të rëndësishme të kontestit me vlerë rreth 19.3 milionë euro, ndërsa vendimi ka qenë në favor të kompanisë “Energoinvest”. Çështja pritet të vazhdojë në procedurë arbitrazhi, ku ndërmarrja shtetërore do të duhet të mbrojë pozicionin dhe pretendimet e saj.
BDI ka ngritur pikëpyetje edhe lidhur me një kontratë të re milionëshe të MEPSO-s me konsorciumin e udhëhequr nga “Dalekovod”, ku, sipas partisë, marrin pjesë edhe “Kodar Energomontaža” nga Beogradi dhe “Elnos BL” nga Banja Luka.
Nga BDI kërkojnë të dihet se kush ka marrë vendimin për ndërprerjen e kontratës së mëparshme, kush e ka vlerësuar rrezikun juridik dhe financiar dhe kush do të mbajë përgjegjësi në rast se shteti pëson dëme shtesë në procedurën e arbitrazhit.
“Pyetja nuk është vetëm për drejtorin Burim Latifi”, thekson BDI, duke kërkuar që përgjegjësia të shtrihet edhe te institucionet kompetente për kontrollin dhe hetimin e mundshëm të vendimeve të marra në MEPSO.
BDI u është drejtuar publikisht Prokurorisë Publike dhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, duke kërkuar informacion nëse është hapur ndonjë lëndë, cilat veprime janë ndërmarrë dhe nëse po shqyrtohen kontratat, vendimet dhe përgjegjësia eventuale për dëmin financiar.
Partia kërkon gjithashtu transparencë të plotë lidhur me kontratën e re dhe pjesëmarrjen e kompanive nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përkatësisht Republika Srpska, në konsorciumin që ka lidhur marrëveshje me MEPSO-n.
“Katër muaj heshtje janë shumë”, porosit BDI, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse përgjigje konkrete se kush i ka marrë vendimet, mbi çfarë baze janë marrë ato dhe kush do të mbajë përgjegjësi për pasojat eventuale financiare.
Lajme nga vendi
Bursat botërore paralajmërojnë shtrenjtim të ushqimeve, goditja në Maqedoni pritet në vjeshtë
Rritja e çmimeve të drithërave dhe thatësira fillimisht do të prekin produktet e freskëta në tetor, ndërsa buka dhe produktet e përpunuara pritet të shtrenjtohen në pranverë.
Çmimet globale të ushqimeve kanë nisur sërish të rriten për shkak të thatësirës dhe problemeve me transportin përmes Detit të Zi. Ky trend pritet t’i japë fund periudhës së stabilizimit të çmimeve në Maqedoni gjatë vjeshtës. Sipas analizës së fundit të “Oxford Economics”, çmimet e ushqimeve në botë pritet të rriten me 11,8 për qind gjatë vitit 2026, ndërsa presioni më i madh pritet të ndihet te drithërat, perimet e freskëta dhe produktet e qumështit.
Indeksi i çmimeve të ushqimeve i FAO-s në korrik shënoi rritje mujore prej 0,6 për qind, ndërsa alarmi kryesor vjen nga drithërat, indeksi i të cilave u rrit me 3,4 për qind vetëm brenda një muaji. Çmimi botëror i grurit u rrit me 5,8 për qind, ndërsa analistët presin që në tremujorin e tretë të jetë rreth 36 për qind më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Shkaqet kryesore të valës së re të shtrenjtimit janë valët e të nxehtit, të cilat kanë ulur rendimentet te prodhuesit e mëdhenj, rritja e çmimeve të plehrave dhe karburanteve, si dhe ndërprerjet e reja në eksportet detare. Organizata evropiane “Coceral” ka ulur parashikimin për korrjen e drithërave në BE dhe Britani të Madhe në 286,6 milionë tonë, një rënie e ndjeshme krahasuar me 310 milionë tonët e vitit të kaluar.
Ndryshe nga vendet e zhvilluara evropiane, çdo rritje e çmimeve të produkteve bazë ushqimore në Maqedoni ka ndikim të drejtpërdrejtë dhe të fortë në standardin e jetesës. Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se shpenzimet për ushqime dhe pije përbëjnë 50,1 për qind të buxhetit të përgjithshëm familjar.
Presion shtesë mbi tregun krijojnë edhe kostot në rritje të prodhimit në bujqësinë vendase. Në korrik, kostot për materialet dhe inputet bujqësore në Maqedoni ishin 4,1 për qind më të larta, ndërsa çmimet e blerjes së produkteve bujqësore ranë me 5,5 për qind. Kjo u lë fermerëve hapësirë minimale për të përballuar vetë rritjet e ardhshme të çmimeve të karburanteve dhe energjisë.
Maqedonia ka një mbrojtje të caktuar sa i përket grurit, falë korrjes rekord të vitit të kaluar, prej më shumë se 300 mijë tonësh, e cila sipas Ministrisë së Bujqësisë mbulon nevojat e brendshme. Megjithatë, industria ushqimore dhe mullinjtë janë drejtpërdrejt të varur nga kostot e energjisë elektrike, lëndëve të para të importuara, ambalazhimit dhe transportit, ndaj izolimi i plotë nga luhatjet e bursave botërore nuk është i mundur.
Efekti i bursave globale nuk pritet të reflektohet menjëherë, por në dy valë të ndara:
Tetor – nëntor 2026: vala e parë e shtrenjtimit pritet të prekë frutat dhe perimet e freskëta, për të cilat zakonisht duhen dy deri në tre muaj që goditja e çmimeve në bursat ndërkombëtare të reflektohet në raftet e marketeve.
Shkurt – maj 2027: vala e dytë pritet të përfshijë produktet e përpunuara, bukën, makaronat dhe produktet e qumështit, pas shterimit të rezervave ekzistuese dhe përfundimit të kontratave aktuale të furnizimit.
Lajme nga vendi
VLEN: Grubi para drejtësisë, “këndimi” i Bujarit dha rezultat…
Komunikata e plotë e VLEN-it
Sot “këndimi” i Bujar Osmanit po merr një tjetër kuptim: Artan Grubi është para drejtësisë, ndërsa Bujari vazhdon të presë momentin për të bërë hapin drejt kreut të BDI-së.
Për muaj me radhë, Bujari ka heshtur për Grubin, edhe pse dikur të dy ishin në krye të BDI-së. Ndërsa sot bën sikur nuk kanë pasur asnjë histori të përbashkët politike.
Në vend që mandatin e ministrit të Jashtëm ta përdorte për interesat e shtetit, Bujari e shfrytëzoi për hesapet e tij brenda BDI-së, duke “kënduar” sa andej e këndej dhe duke bërë llogaritë për kreun e BDI-së.
Sot skenari po bëhet gjithnjë e më i qartë: Grubi para gjykatës, Ali Ahmeti nën presion, ndërsa Bujari pret karrigen e kryetarit të BDI-së.
Por pyetja është e thjeshtë: pse Bujari heshti për Grubin kur ishin bashkë në majë të BDI-së? Çfarë di ai për këtë histori dhe pse sot sillet sikur Grubi nuk ka ekzistuar?
Sepse në politikë, ndonjëherë nuk është e rëndësishme vetëm kush flet, por edhe pse ka heshtur deri tani.
Nëse “këndimi” i Bujarit ishte për drejtësi, le ta thotë hapur. Nëse ishte për pushtet dhe për karrigen e Ali Ahmetit, këtë tashmë po e kuptojnë të gjithë.
Grubi le të përgjigjet para drejtësisë. Bujari le t’u përgjigjet qytetarëve.

