Lajme nga vendi
Në Gjykatën Penale vazhdoi gjykimi për Llaskarcën
Me marrjen në pyetje të ekspertit Jakup Mamuti, pjesë e ekipit që ka përgatitur superekspertizën, në Gjykatën Themelore Penale – Shkup sot ka vazhduar gjykimi për aksidentin e autobusit afër Llaskarcës, në të cilin humbën jetën 16 persona dhe rreth 30 u lënduan.
Përveç Mamutit, në ekipin e ekspertëve që përgatitën superekspertizën e komunikacionit janë edhe ekspertët Lupço Postolov dhe Nevzat Zeqiri.
Superekspertiza të cilën Gjykata e urdhëroi në dhjetor të vitit 2021 është refuzuar nga fakultetet në shtet me shpjegimin se ekspertët e tyre tashmë kanë marrë pjesë në ekspertizën e mëparshme ose nuk janë kompetentë për të njëjtën. Pasi fakultetet kanë refuzuar, lënda është dërguar në Byronë e ekspertizës ligjore e cila ka mundësi të formojë ekipin e ekspertëve të licencuar të cilët do të bëjnë superekspertizën. Superekspertiza ka arritur në Gjykatën penale në dhjetor. Më pas ka pasur fillimin formal të procesit e cila nisi me dëgjimin e personave ekspertë që kanë përgatitur superekspertizën mekanike, ndërsa për momentin edhe të personave ekseprtë që kanë përgatitur superekspertizën e komunikacionit.
Të akuzuar në rastin për aksidentin në Llaskarcë që ndodhi më 13 shkurt të vitit 2019 janë Durmish Beluli, pronar i kompanisë “Durmo Turs”, përgjegjësi për transport në firmë, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit, Manoil Trifunovski të cilët akuzohen për vepra të rënda penale kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion. Ndërsa, tre të punësuarit në stacionin për kontroll teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski, akuzohen për bashkëpjesëmarrje në veprën e njëjtë.
Procesin gjyqësor për aksidentin që filloi në shtator të vitit 2019 e udhëheq gjykatësja Diana Gruevska Ilievska, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është prokurori publik, Darko Jakimovski.
Lajme nga vendi
Qytetarët çojnë “Safe City” në Kushtetuese
Disa qytetarët përmes një nisme i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e sistemit Safe City. Sipas tyre, përmes dërgimit të sms porosive bëhet shkelja e të drejtave dhe lirive të njeriut, keqpërdoren të dhënat personale dhe cenon sigurinë në trafik.
Përveç nismës në kushtetuese, grupi iniciues ka dorëzuar edhe kallëzim penal kundër ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovski mbi dyshimet për shpërdorim me detyrën zyrtare, punë të pandërgjegjshme dhe keqpërdorim i të dhënave personale. Në nismë është potencuar edhe drejtësia selektive dhe diskriminimi gjeografik.
Lajme nga vendi
Strasburgu e obligon Maqedoninë: Brenda 3 muajve duhet të paguajë borxhet e ndërmarrjeve publike
Maqedonia humbi rastin në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut – shteti është i detyruar brenda tre muajve të paguajë borxhet e ndërmarrjeve publike ndaj kompanive private, sepse nuk janë respektuar vendimet e gjykatave që kanë marrë fuqi ligjore, përcjell TV21. Vendimi konstaton se me të ashtuquajturat “korniza” nga Ligji për Ekzekutimin, është shkelur Neni 6 i Konventës Evropiane – e drejta për një proces të drejtë dhe për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.
Borxhlinjtë më të mëdhenj janë “Nomagas”, Hekurudhat – Transport dhe Infrastrukturë dhe EMV. Gjykata Evropiane thekson se mungesa e buxhetit ose e burimeve nuk mund të shërbejë si justifikim për mos-ekzekutimin e vendimeve gjyqësore./tv21.tv
Lajme nga vendi
Nga 1 janari ulen shpenzimet për rrymën, KRRE i ul tarifat e rrjetit
Komisioni Rregullator për Energjetikë ka vendosur të ulë kostot e energjisë elektrike, përcjell TV21. Nga 1 janari, tarifa për përdorimin e sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike Elektrodistribucioni ulet me 3.64%, ndërsa tarifa për përdorimin e sistemit të transmetimit MEPSO ulet me 2.67%. Ulje ka edhe në çmimin e MEMO, me 3.40%.
Me vendimin e sotëm, të gjitha elementet që e përbëjnë çmimin final të rrymës tashmë janë të qarta – çmimi dhe sasia me të cilën është blerë energjia elektrike, shërbimet e operatorëve të rrjetit si dhe blerjet për humbjet në sistem. Tani mbetet që furnizuesi universal EVN Home, nën mbikëqyrjen e KRRE-së, të bëjë përllogaritjen dhe të publikojë çmimet finale sipas blloqeve.
“Pjesa që KRRE rregullon në çmimin përfundimtar ka një ndikim prej rreth 36%”, deklaroi Marko Bislimoski, kryetar i KRRE-së.
-
Lajme nga vendi1 month agoBilall Kasami : Mega projekti që po bëhet realitet investim prej 70 milionë denarëve Tetova po transformohet
-
Lajme nga vendi4 weeks agoUniversiteti i Tetovës shpreh ngushëllime për vdekjen e studentes Daorsa Spahija
-
Lajme nga vendi2 months agoFatmir Limani: Diaspora do të jetë pjesë integrale e projektit tim politik

