Lajme nga vendi
Fatmir Limani, përfaqësues të Romaliticos dhe të USAID-it takim me kryetarin e Komunës së Tetovës
Sot në Komunën e Tetovës mirëprita Ministrin e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, përfaqësues të Romaliticos si dhe përfaqësues të USAID-it. Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin mes dy institucioneve për realizimin e projekteve të ndryshme të cilët janë në interes të përmirësimit të kushteve të jetesës tek të gjithë komunitetet veçanërisht të komunitetit rom.
Ne si pushtet lokal jemi ndër të parët që kemi njësinë e formuar të romëve dhe jemi munduar të investojmë në rregullimin e jetës së qytetarëve të komunitetit rom por me përkrahjen e pushtetit qëndror dhe me përkrahjen e Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, besojmë që do të ketë ndryshime pozitive jo vetëm në infrastrukturë por edhe në përmirësimin e ekonomisë. Poashtu, me rendësi të veçantë do t’i jepet edhe përfshirjes së të rinjve të komunitetit rom në politikë me të vetmin qëllim që të realizojmë shumë më mirë çdo projekt të nevojshëm që lidhet me këtë komunitet.
Gjithmonë do të jemi dyer hapur dhe dotë punojmë në drejtim të përmirësimit të jetës së komunitetit rom!
Lajme nga vendi
Grevë e doganierëve grekë, priten kolona të gjata në pikat kufitare Bogorodicë dhe Dojran
Qarkullimi në rrugët shtetërore zhvillohet pa pengesa dhe në rrugë të thata.
Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë zonave urbane është i shtuar. Frekuencë më e madhe e automjeteve është regjistruar në pikën kufitare Bogorodicë, ku koha e pritjes është rreth 30 minuta.
Kolona shtesë pritet të krijohen edhe për shkak të grevës së paralajmëruar. Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se, sipas informacioneve të marra nga autoritetet kompetente të Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e nëpunësve doganorë në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojran (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
Në periudhën nga ora 05:00 deri në 09:00, sipas kohës së Maqedonisë, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të rënda të transportit do të jetë plotësisht i ndërprerë, si në hyrje ashtu edhe në dalje nga Republika e Greqisë.
Në pikat e tjera kufitare nga ana maqedonase nuk ka pritje më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.
LAMM rekomandon shpejtësi të përshtatur të lëvizjes, respektim të sinjalistikës rrugore dhe drejtim të kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët që kalojnë nëpër lugina, gryka lumenjsh dhe kanione, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për segmentet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
Lajme nga vendi
Propozim-ndryshimet dhe plotësimet e Buxhetit për vitin 2026 në seancë kuvendare
Në seancën e Kuvendit sot është në rend dite, në lexim të dytë, Propozim-ligji për ndryshimet dhe plotësimet e Buxhetit për vitin 2026.
Me ribalancin planifikohen të hyra të përgjithshme prej afro 380 miliardë denarësh, ndërsa shpenzimet janë projektuar në rreth 426 miliardë denarë. Deficiti buxhetor është parashikuar në 46,3 miliardë denarë, ose 4,1 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa rritja ekonomike e parashikuar është 3,5 për qind.
Mjete shtesë janë planifikuar për subvencionet në bujqësi, transportin hekurudhor, sportin, standardin e studentëve dhe nxënësve, si dhe për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale. Gjithashtu, më shumë fonde do të ndahen për përfitimet sociale në mbështetje të kategorive më të rrezikuara të qytetarëve.
Rritja më e madhe është parashikuar për investimet kapitale, për të cilat janë planifikuar rreth 46 miliardë denarë, ose 14,5 për qind më shumë krahasuar me buxhetin e miratuar fillimisht.
Lajme nga vendi
Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme
Mot i ndryshueshëm me vranësira dhe i ngrohtë, reshje lokale shiu, bubullima dhe erë e fortë
Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe intervale me diell. Në disa zona pritet mot jostabil me reshje të rrëmbyeshme shiu dhe bubullima, njofton Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.
Lokalisht, proceset do të jenë në formën e motit të lig afatshkurtër, të shoqëruar me erë të fortë (mbi 60 kilometra në orë), shkarkime elektrike dhe paraqitje të izoluar të breshrit. Temperatura minimale do të lëvizë nga 9 deri në 16 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë nga 27 deri në 35 gradë Celsius.
Në Shkup do të mbajë mot kryesisht me vranësira dhe reshje shiu. Në disa pjesë të luginës do të ketë kushte për mot të lig afatshkurtër me erë të fortë, bubullima dhe mundësi për paraqitje të breshrit. Temperatura minimale do të zbresë në 15 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 32 gradë Celsius.

