Connect with us

Lajme nga vendi

Mexhiti dhe Limani biseduan për decentralizimin dhe projektet e komunave

Published

on

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti dhe u.d. kryetari i komunës së Gostivarit, Valbon Limani sot biseduan se si Qeveria mund të ndihmojë në procesin e decentralizimit dhe realizimit të projekteve komunale.

“Biseduam për projekte reale. Do të ndihmojmë të përfundojë projekti për kanalizimin fekal Blloku 21, që është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Gostivarit. Gjithashtu, të vazhdojë projekti i rëndësishëm për fshatin Çegran, që është fshati më i madh në nivel të Republikës së Maqedonisë. Është një projekt për të cilin nevojiten 1,3 milionë euro, ku ne do të ndihmojmë, ndërsa fjalën kryesore e ka komuna”, informoi Mexhiti pas takimit në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Kjo Qeveri, shtoi ai, në këtë mandat do të ndajë miliarda euro për projektet kapitale në komuna, ku çdo komunë do të marrë sipas numrit të banorëve sipas metodologjisë së vendosur. Ministri tha se janë këtu për të ndihmuar edhe në përgatitjet dhe realizimin e projekteve dhe nismave në interes të qytetarëve.

“Biseduam edhe për procesin e decentralizimit si të përforcohet, si të zhvillohet, këtu është faza e ardhshme e decentralizimit fiskal që do t’i ndihmojë Maqedonisë të mos jetë e fundit në rajon si një vend i jo centralizuar. Biseduam edhe rreth bllok aksioneve për arsimin dhe gjëra të tjera, ku pagat janë rritur, bllok dotacionet shkojnë vetëm për paga nuk mbesin vetëm për transport, ndërsa ende më pak për investimet kapitale në arsim nëpër komuna”, tha Mexhiti.

Ai njoftoi se takimet e tilla do të jenë më të shpeshta, me qëllim të përmirësimit të realizimit të projekteve të mira në interes të qytetarëve.

Advertisement

Kryetari i komunës së Gostivarit Limani theksoi se është diskutuar për problemet me të cilat përballen komunat, për projektet e planifikuara të komunës, si dhe për ndihmën që mund ta marrin nga MMJPH.

“Po ashtu, tani në cilësinë e zëvendëskryeministrit të parë kemi diskutuar për projektet që ka paraparë Qeveria, për thirrjet që do të bëhen këtë muaj dhe vitin e ardhshëm dhe që kanë lidhje me investimet kapitale në komuna. Por edhe për problematikat aktuale të komunave që kanë të bëjnë me bllok dotacionet që na vijnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, nga Ministria e Mbrojtjes, por edhe probleme të tjera me të cilat ne, por edhe qytetarët tanë përballemi në lidhje me mjedisin jetësor, për cilësinë më të mirë të ajrit, por edhe për infrastrukturën nëntokësore”, theksoi kryetari Limani.

Advertisement

Lajme nga vendi

Qarkullimi nga shitja e shërbimeve është rritur për 3.5% në tremujorin e dytë krahasuar me vitin e kaluar

Published

on

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske, u ndal tek të dhënat më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave lidhur me qarkullimin e shërbimeve dhe ndikimin e tij në ekonomi, ku deklaroi se ky është një nga parametrat dhe indikatorët që tregojnë se më në fund po fillojmë të zhvillohemi. Në tremujorin e dytë, në çerekun e dytë, kemi rritje në sektorin e shërbimeve prej 3,5%. Inkurajues është edhe fakti që në shtatë muajt e parë, nga janari deri në korrik, në fushën e turizmit kemi mbi 10% më shumë turistë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Kjo është një tjetër nga një sërë parametrash dhe indikatorësh që thonë se më në fund po fillojmë të zhvillohemi. Dhe kjo është arsyeja pse gjithë ato qendra pushteti, të cilëve nuk u përshtatet që Maqedonia të jetë sërish udhëheqëse si në ekonomi, ashtu edhe në paqe, stabilitet dhe marrëdhënie ndëretnike në rajon, të shkaktojnë atë që po bëjnë ditët e fundit.

Në tremujorin e dytë, në kuartalin e dytë, kemi rritje në pjesën e shërbimeve për 3,5%. Por, ajo që për mua është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe inkurajuese është se në shtatë muajt e parë, nga janari deri në korrik, në turizëm kemi për 10% për 10,5% më shumë turistë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pres që kjo shifër deri në fund të vitit të arrijë deri në 15%, gjë që do të jetë rritja më e madhe në rajon, bindshëm.

Njëkohësisht, më lejoni të kujtoj se në shtatë muajt e parë numri i vizitorëve dhe turistëve të huaj, të cilët e përdorin Maqedoninë si vend pushimi, është rritur për 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pres që deri në fund të vitit kjo shifër të jetë rreth 25%”, informoi Kryeministri.

Ai theksoi se pikërisht këta indikatorë i shqetësojnë qendrat e pushtetit.

Advertisement

“Kështu që, të gjithë këta indikatorë i shqetësojnë këto qendra pushteti, të cilët nuk duan që kjo Qeveri të ketë sukses, që nuk duan që Maqedonia të jetë stabile, paqësore dhe e zhvilluar. Dhe ata përpiqen të funksionojnë me këtë lloj opurtunizmi të ulët dhe intriga. Por, do ta përsëris – ne do të luftojmë dhe do të fitojmë!”, theksoi Mickoski.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Janevska: Bashkëjetesa mësohet, me OSBE-në ndërtojmë ura mes diversitetit

Published

on

Në Maqedoni jetojnë qytetarë të cilët flasin gjuhë të ndryshme, me përkatësi fetare dhe kombëtare të ndryshme, dhe ky diversitet është vlerë. Për ta ruajtur atë, duhet të përforcojmë urat mes tyre dhe vazhdimisht të ndërtojmë ura të reja. Përmes arsimit i përforcojmë ato, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, në ceremoninë përmbyllëse të projektit “Ndërtojmë ura të reja”, të cilën e organizoi Misioni i OSBE-së në Shkup.

Projekti, i cili zgjati dy vite, është vazhdim i aktiviteteve të mëparshme të Misionit të orientuar në integrim ndëretnik në arsim, përmirësimin e demokracisë dhe kohezionit social në vend.

“Përmes arsimit të integruar dhe bashkëpunimit ndërkulturor mes të rinjve nga shkollat fillore dhe të mesme, ku gjuha amtare e të cilëve është gjuha maqedonase, shqipe, boshnjake dhe turke, përmes aktiviteteve të përbashkëta mësimore dhe aktiviteteve jashtëmësimore, së bashku ndërtojmë mirëkuptim të ndërsjellë dhe lidhje të qëndrueshme. Këto aktivitete konfirmuan edhe njëherë të vërtetën se fëmijët dhe të rinjtë komunikojnë shumë lehtë mes vete, pavarësisht sa janë të ndryshëm, nëse të rriturit ua lejojnë këtë,” tha ministrja Janevska.

Për realizimin me sukses të projektit, përveç mbështetjes nga OSBE-ja dhe SHBA-ja, Norvegjia, Polonia, Holanda dhe Luksemburgu, ishin të rëndësishme partneritetet e ndërtuara ndërmjet shkollave, komunave dhe organizatat qytetare.

“Të gjithë së bashku, me shumë vullnet të mirë, aftësi dhe me mjetet e donatorëve, arritëm të udhëheqim disa mijëra të rinj në rrugën e bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe miqësisë, për t’u dhënë atyre aftësi të cilët më pas në jetë do t’ju vlejnë shumë personalisht, por që do të lënë edhe gjurmë pozitive në mjediset ku do të jetojnë dhe punojnë”, theksoi Janevska, duke i falënderuar për kontributin e tyre.

Advertisement

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, përmes politikave arsimore, vazhdon me aktivitetet për ndërtimin e bashkëjetesës dhe unitetin, si themele të vendit të përbashkët.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës

Continue Reading

Lajme nga vendi

“Fushata zgjedhore”, rreth 500 vetura zyrtare ndryshuan targat

Published

on

Deri më tani rreth 500 vetura shtetërore janë pajisur me targa të specializuara me ngjyrë të kuqe në kuadër të fushatës së Qeverisë për të parandaluar keqpërdorimin e burimeve shtetërore gjatë fushatës zgjedhore. Drejtori i Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë, Ivica Tomovski, njoftoi se qytetarët do të kenë mundësi të paraqesin keqpërdorimet nëpërmjet telefonit dhe emailit special. Aktualisht, shteti posedon rreth 7.500 vetura zyrtare përfshirë edhe ato të organeve të sigurisë që nuk do të posedojnë targa me ngjyrë të kuqe.

“Qytetarët, praktikisht do të mund të paraqesin keqpërdorime, keqpërdorime potenciale dhe keqpërdorime të mundshme. Ato mund të dërgojnë deri te ne, te shërbimi dhe tani ne si institucion do t’i dërgojmë te të gjitha ata institucione. I lus të gjithë institucionet e shtetit të përpiqen t’i racionalizojnë të gjitha ato vetura që i kanë, pasi shumë prej veturave i kanë në gjendje jofunksionale. Numri i përgjithshëm i veturave është rreth 7.500 vetura, por këtu duhet të theksoj që ato 7.500 vetura janë edhe ato të MPB-së, Armatës, ASK-së, Ndihmës së Shpejtë. Nuk pres që të kemi më shumë se 1500 deri në 2.000 vetura në nivel të shtetit”, deklaroi Ivica Tomovski, drejtor i Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë. /Alsat.mk

Continue Reading

Më të lexuarat