Lajme nga vendi
Në Universitetin e Tetovës u shënua 30-vjetori i ligjëratave të para
Universiteti i Tetovës sot e shënoi një nga datat më të rëndësishme në historinë e tij – 17 Shkurtin, ditën kur në vitin 1995 u mbajtën ligjëratat e para në këtë institucion të arsimit të lartë.
Aktivitetet përkujtimore, siç theksohet në kumtesën, nisën me homazhe te busti i dëshmorit të arsimit shqip, Abdylselam Emini, për të nderuar sakrificën e tij për arsimin në gjuhën shqipe. Më pas, udhëheqësit e universitetit e vizituan varrin e themeluesit dhe Rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, duke vlerësuar kontributin e tij jetik në themelimin dhe zhvillimin e këtij universiteti, më pas e vizituan edhe muzeun historik në fshatin Poroj, ku u zhvilluan ligjëratat e para në vitin akademik 1994/95.
Në ceremoninë solemne që u mbajt në rektorat, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli tha se Universiteti i Tetovës u ngrit mbi idealin e lirisë dhe barazisë, duke u bërë një vatër e fuqishme e dijes, kulturës dhe zhvillimit shoqëror.
“Ky universitet nuk është vetëm një institucion arsimor, por edhe një simbol i qëndresës dhe vullnetit tonë për ta ruajtur dhe zhvilluar gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar. Ishte fryt i përpjekjeve të vazhdueshme të intelektualëve, profesorëve dhe studentëve që nuk u dorëzuan para sfidave dhe pengesave, por vazhduan rrugën e tyre me bindjen se e ardhmja e ndritur e kombit tonë do të vinte përmes dijes dhe arsimit. Me shumë merita përmendim me respekt dhe mirënjohje themeluesin dhe Rektorin e parë historik Prof. Dr. Fadil Sulejmani, i cili me vizionin dhe guximin e tij ishte frymëzimi dhe udhërrëfyesi i kësaj kauze madhore. Ai, me përkushtimin e tij të palodhur, e shndërroi Universitetin e Tetovës në një realitet të prekshëm, duke u hapur rrugë brezave të ardhshëm për të ndjekur arsimin e lartë në gjuhën shqipe.” – tha mes tjerash, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani në referatin e tij theksoi rëndësinë e kësaj date si një simbol i rezistencës dhe përkushtimit për arsimin në gjuhën shqipe, duke vlerësuar të gjithë ata që kontribuuan për themelimin e UT-së. “Sot, jemi mbledhur për të përkujtuar jo vetëm një ngjarje, por një vizion që u bë realitet, një rrugëtim që sfidoi kohën dhe një mision që mbijetoi për të ndriçuar brezat e ardhshëm. Arsimi nuk është thjesht një përpjekje për dije, por një gurthemel
i lirisë, i përparimit dhe i dinjitetit kombëtar. Universiteti i Tetovës nuk është vetëm një institucion akademik; ai është një dëshmi e palëkundshme e një populli që kurrë nuk hoqi dorë nga e drejta për të mësuar dhe për të ëndërruar. Tridhjetë vite më parë, ai lindi nga një domosdoshmëri historike, u ngrit mbi sakrificën e individëve të guximshëm dhe mbijetoi si simbol i qëndresës dhe i shpresës. Të gjithë universitetet në botë kanë një histori, por pak prej tyre kanë një histori të tillë sfidash dhe triumfesh si kjo. Në çdo gur të këtij institucioni janë gdhendur përpjekjet e atyre që nuk u dorëzuan, e atyre që besuan se dijes nuk mund t’i vendosen kufij. Kjo është një histori që nuk flet vetëm për të kaluarën, por që na udhëzon drejt së ardhmes.” – u shpreh mes tjerash dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani.
Për kontributin e dhënë në kohë shumë të vështira, Universiteti i Tetovës i nderoi me pllakate mirënjohjeje gjashtë dekanët e parë të Universitetit të Tetovës: Prof. Dr. Abdulla Aliu – dekan i parë i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Mixhait Reçi – dekan i parë i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Hisen Reçi – dekan i parë i Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore, Prof. Dr. Rahmi Tuda – dekan i parë i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Ismail Hoxha – dekani i parë i Fakultetit të Arteve dhe Prof. Dr. Masar Kodra – dekan i parë i Fakultetit Filozofik.
Po ashtu, pllakate u ndanë edhe për nikoqirin e shtëpisë ku u nënshkrua akti i themelimit të Universiteti të Tetovës, për të ndjerin Haxhi Bari Ganiu si dhe për imamin e atëhershëm të xhamisë së fshatit Poroj, hoxhën e ndjerë Elmaz Qamili.
Universiteti i Tetovës, që nga themelimi, ka qenë një vatër e rëndësishme e dijes dhe kulturës për shqiptarët në rajon, duke u zhvilluar në një institucion modern që vazhdon të ofrojë arsim cilësor për brezat e rinj. Ky aktivitet u përmbyll me një pikë artistike nga Florentina Abazi dhe Abdulla Xhaferi.
Lajme nga vendi
UT – pjesë thelbësore e Forumit të Parë Vjetor për Cilësinë në Arsimin e Lartë
Në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, u mbajt Forumi i Parë Vjetor për Cilësinë në Arsimin e Lartë, në të cilin mori pjesë Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Ky forum kishte për qëllim shpërndarjen e përvojave dhe arritjeve të deritanishme në zbatimin e sistemit të ri për ndjekjen dhe përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë, në përputhje me standardet kombëtare dhe ato të Shoqatës Evropiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.
Gjatë punimeve u prezantuan praktikat më të mira të njësive universitare, si dhe hapat e ardhshëm për zhvillimin e arsimit të lartë dhe rritjen e cilësisë.
Një nga pikat më të rëndësishme të forumit ishte thellimi i bashkëpunimit ndërmjet komunitetit akademik dhe sektorit të biznesit, me qëllim krijimin e një sistemi arsimor më të përshtatur dhe më relevant për nevojat e tregut të punës.
Forumi përfundoi me diskutime të frytshme dhe me qëllime të përbashkëta për forcimin e standardeve akademike dhe bashkëpunimit institucional në fushën e arsimit të lartë.
Lajme nga vendi
Wizz Air nisi pesë linja të reja nga aeroportet e Shkupit dhe Ohrit
Wizz Air, prej sot dhe nesër fillon fluturime në pesë destinacione të reja – Bari, Stokholm, Madrid, Larnaka dhe Bazel, të cilat do të operojnë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe Aeroporti Shën Pali Apostull në Ohër, njoftoi TAV Macedonia, transmeton Portalb.mk.
Fluturimi i parë në linjën e re Shkup-Stokholm u nis nga Aeroporti i Shkupit këtë mëngjes në orën 6:05 të mëngjesit, dhe destinacioni i tij është aeroporti kryesor në kryeqytetin suedez – Arlanda.
Fluturimi i Wizz Air nga Shkupi për në qytetin e Barit në bregdetin italian është planifikuar për sot pasdite në orën 14:40, ndërsa aeroplani për në Bazel, Zvicër, është planifikuar të niset nga Aeroporti i Ohrit saktësisht në mesditë.
Linja e re Shkup-Madrid do të fillojë gjithashtu nesër (28 tetor), me fluturimin e parë në orën 16:05. Kthimi i linjës Shkup-Larnaka do të fillojë me një fluturim që mbërrin nga Larnaka në Shkup nesër në orën 7:15.
Fluturimet që fillojnë sot, 27 tetor, nga Shkupi për në Stokholm dhe për në Bari, si dhe nga Ohri për në Bazel, do të operohen dy herë në javë, pra çdo të hënë dhe të premte.
Linjat që do të fillojnë nesër – nga Shkupi për në Madrid, do të zhvillohen çdo të martë, të premte dhe të shtunë, ndërsa nga Shkupi për në Larnaka – të martën dhe të shtunën.
TAV Macedonia thotë se presin një vëllim të madh të trafikut të pasagjerëve në të pesë linjat e reja të Wizz Air, duke marrë parasysh faktin se të gjitha këto qytete janë destinacione tërheqëse turistike që ishin të kërkuara nga pasagjerët.
Nga pesë linjat e reja që fillojnë sot dhe nesër, Madridi dhe Bari janë destinacione krejtësisht të reja për tregun maqedonas, pra kryeqyteti i Maqedonisë do të lidhet për herë të parë me kryeqytetin spanjoll dhe qytetin bregdetar italian.
Larnaka dhe Bazeli janë linja të rivendosura, ndërsa Shkupi – Stokholmi është e re sepse Wizz Air tani do të fluturojë për në aeroportin kryesor në metropolin suedez – “Arlanda”.
“ Besoj se do t’i shijoni destinacionet e reja, dhe ne nuk po ndalemi këtu, jemi të përkushtuar të ofrojmë sa më shumë destinacione të jetë e mundur nga të dy aeroportet dhe jam i sigurt se gjëra edhe më emocionuese na presin”, tha drejtori i përgjithshëm i TAV Macedonia, Nexhat Kurt, në një deklaratë me shkrim.
Përveç pesë linjave të reja që fillojnë sot dhe nesër, Nikolloski njoftoi se më 3 nëntor do të fillojnë edhe fluturimet për në Gjenevë, e cila, sipas tij, është një destinacion jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse përveç turistëve, pritet të sjellë biznesmenë në Shkup. Fluturime direkte për në Pragë dhe Këln duhet të futen gjithashtu nga 15 dhjetori.
Lajme nga vendi
Nga mesnata shtrenjtohen derivatet e naftës
Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) solli vendimin, me të cilin bëhet rritja e çmimeve të shitjes me pakicë të derivateve të naftës mesatarisht 0,88 % në raport me vendimin e datës 20.10.2025.
Nga data 28.10.2025, ora 00:01 çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:
EUROSUPER BS – 95 73,50 (denarë/litër)
EUROSUPER BS – 98 75,50 (denarë/litër)
EURODIZEL BS (D-E V) 68,00 (denarë/litër)
Vaj për Djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL-1) 67,50 (denarë/litër)
Mazut М-1 SU 36,057 (denarë/kilogram)
Çmimet e shitjes me pakicë të benzinës EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 rriten për 0,50 den/l.
Çmimet e shitjes me pakicë të EURODIZELIT (D-Е V) dhe të Vajit Ekstra të Lehtë për Amvisëri (ЕL-1) rriten për 1,00 denarë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i Мazutit М-1 SU rritet për 0,010 den/kg dhe do të jetë 36,057 den/kg.
Theksojmë se këto janë çmimet maksimale të derivateve të naftës nga ora 00:01 e datës 28.10.2025.

