Lajme nga vendi
Aleanca për Shqiptarët shpreh qëndrimin e saj kritik ndaj Ligjit për Kundërvajtje, në të cilin përfshihet edhe projekti “Safe City”
Aleanca për Shqiptarët shpreh qëndrimin e saj kritik ndaj Ligjit për Kundërvajtje, në të cilin përfshihet edhe projekti “Safe City”, duke vlerësuar se zbatimi aktual i këtij projekti ngre shqetësime serioze juridike, sociale dhe kushtetuese.
Së pari, Aleanca për Shqiptarët vëren se nuk po zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve, veçanërisht në komunikimin zyrtar me qytetarët, përfshirë edhe njoftimet dhe sanksionet që burojnë nga projekti “Safe City”. Kjo përbën shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave gjuhësore të qytetarëve shqiptarë dhe është e papranueshme në një shtet multietnik.
Së dyti, kërkojmë rishikim të lartësisë së dënimeve dhe të pjesës së tolerancës, me qëllim që qytetarët të mos dëmtohen padrejtësisht. Siguria në komunikacion është e rëndësishme dhe e domosdoshme, por ajo nuk duhet të realizohet në kurriz të mirëqenies dhe jetesës së qytetarëve, përmes dënimeve disproporcionale dhe pa ndjeshmëri sociale.
Së treti, Aleanca për Shqiptarët thekson se zbatimi selektiv i projektit “Safe City” vetëm në disa qytete është i padrejtë dhe diskriminues. Nëse ky projekt synon rritjen e sigurisë publike, atëherë ai duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë në të gjithë territorin e shtetit, dhe jo vetëm në tre qytete.
Aleanca për Shqiptarët kërkon nga institucionet kompetente që urgjentisht të adresojnë këto vërejtje, të hapin debat publik dhe të sigurojnë që çdo projekt i tillë të jetë në përputhje me ligjin, barazinë dhe interesin real të qytetarëve.
Aleanca për Shqiptarët
Lajme nga vendi
Kuvendi votoi! Faton Selami, Avokat i Popullit
Faton Selami është zgjedhur Avokat i Popullit, përcjell TV21.
Kuvendi sot me 87 vota “për”, dhe shumicë të Badenterit (20 vota nga deputetët jomaqedonas), miratoi propozimin që Selami të jetë Avokat i Popullit. Nga gjithsej 28 deputetë jomaqedonas të pranishëm, 20 votuan “për”, ndërsa 8 ishin “kundër”.
Lajme nga vendi
Disa shpëtojnë shumë lehtë. Gruevski shpëtoi edhe nga një ndjekje penale, u vjetërsua një pjesë e lëndës ‘Talir’
Ishkryeministri në arrati Nikolla Gruevski ka shpëtuar edhe nga një ndjekje penale, kjo për shkak se pjesa e lëndës ‘Talir’ ku ai ndiqej për financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE-së është vjetërsuar, megjithatë akuza për larje parash mbetet ende, raporton Portalb.mk.
Me vjetërsimin e njërës pjesë, institucionet kompetente nuk kanë më mundësi të vazhdojnë procedurën penale për veprën konkrete.
Lidhur me këtë, dje foli prokurorja Lençe Ristoska e cila ndjek këtë lëndë. Ajo tha se “Prokuroria, pavarësisht vjetërsimit të veprës paraprake (keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe autorizimeve për Nikolla Gruevskin dhe Kire Bozhinovskin), konsideron se nuk ka pengesa për ndjekjen e veprës penale ‘Larje parash dhe të ardhura të tjera nga vepra penale’, për të cilën vjetërsimi sipas ligjit ndodh në vitin 2035”.
Në “Talir 1” për larje parash mbeten të njëjtit të akuzuar: Nikolla Gruevski, Kire Bozhinovski, Ilija Dimovski, Leko Ristovski dhe Mile Janakieski.
Ky gjyq ka filluar që në shkurt të vitit 2019 dhe ende ndodhet në shkallën e parë.
Rasti “Talir”, ka të bëjë me financimin e paligjshëm të partisë politike VMRO-DPMNE. Akuza për financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE e ngarkon ish liderin e saj, Nikolla Gruevskin për abuzim të pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe për pastrim parash dhe përfitime tjera në bazë të veprave penale. Kirill Bozhinovski dhe Mile Janakieski, akuzohen gjithashtu për të njëjtat dy krime, të dënueshme me burgim. Thuajse 4.9 milionë euro janë larë.
Me kalimin e viteve dhe pas ndryshimeve në Kodin Penal, u vjetërsuan lëndët TNT, për prishjen e kompleksit “Kosmos” dhe “Trajektorja”, për komisionet për ndërtimin e autostradave. Ndryshimet e shpëtuan edhe Gruevskin nga akuza për rastin “Shkupi 2014”, “Feniks”.
Ish-kryeministri mbetet i akuzuar për çështjet “Talir 1” dhe “Talir 2”, mbi të cilat varet edhe paqartësia se si do të përfundojnë, si dhe në rastin “Titanik”, ku akuzohet për shpërdorim fondesh për financimin e fushatës zgjedhore dhe cenimin e të drejtës së votës.
Për shkak se ai ishte i padisponueshëm, atij iu pezullua edhe hetimi për ndërhyrjen e dhunshme në Kuvend të datës 27 prill 2017.
Lajme nga vendi
VLEN: “Safe City” është ligj për jetën, jo për gjoba
Sistemi “Safe City” është çështje e sigurisë publike, e mbrojtjes së jetës së qytetarëve dhe e vendosjes së rendit në komunikacion. Kur flasim për “Safe City”, nuk flasim për kamera apo gjoba, por për jetë njerëzish. Për rrugë më të sigurta, ku askush të mos humbasë babanë, djalin apo motrën për shkak të papërgjegjshmërisë së dikujt tjetër.
Për VLEN, jeta e njeriut nuk ka çmim dhe nuk mund të relativizohet me kalkulime politike apo interesa ditore. Prandaj, ligji për zbatimin e sistemit “Safe City” tashmë hyn në procedurë parlamentare, si një hap i domosdoshëm drejt rritjes së sigurisë rrugore dhe mbrojtjes së qytetarëve.
Njëkohësisht, duam të theksojmë qartë se çdo akt që do të dalë nga Ministria e Punëve të Brendshme, pavarësisht nga mënyra e dorëzimit, do të jetë i përgatitur dhe i dorëzuar në gjuhën e përcaktuar sipas Ligjit dhe Kushtetutës, duke garantuar respektim të plotë të të drejtave gjuhësore të qytetarëve, përfshirë edhe gjuhën shqipe.
VLEN u bën thirrje deputetëve të popullit që këtë ligj ta shohin përtej politikës ditore dhe ta votojnë për qytetarët, për sigurinë e tyre dhe për jetën, sepse rrugët e sigurta janë përgjegjësi e përbashkët dhe interes i përgjithshëm shoqëror.
VLEN për jetë të mbrojtur, rend në rrugë dhe shtet që funksionon.

