Connect with us

Lajme nga vendi

KUNDËRSHTIME PËR PROVIMIN E JURISPRUDENCËS NË MAQEDONISHT

Published

on

Vendimi i Ministrisë së Drejtësisë që provimi i jurisprudencës të mbahet vetëm në gjuhën maqedonase ka nxitur reagime të forta nga studentët shqiptarë, partitë politike dhe institucionet diplomatike. Studentët, përmes një peticioni të nënshkruar nga 385 juristë të ardhshëm, kërkojnë që provimi të jepet edhe në gjuhën shqipe, duke theksuar se kjo u garantohen me ligj, ndërsa autoritetet insistojnë se provimi shërben si test për njohjen aktive të gjuhës maqedonase si kusht për ushtrimin e profesioneve juridike.

Provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në shqip sepse shërben si test për njohjen aktive të gjuhës maqedonase, e cila është kusht ligjor për ushtrimin e profesioneve juridike (gjyqtar, prokuror, avokat, noter, përmbarues), thonë nga Ministria e Drejtësisë, pas peticionit të studentëve shqiptarë të cilët kërkuan që krahas provimit të jurisprudencës në maqedonisht, i njëjti të mbahet edhe në shqip.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se mohimi I të drejtës për testim në shqip të juristëve përbën shkelje të të drejtës kolektive dhe të marrëveshjeve politike që kanë garantuar stabilitetin ndëretnik.

“Vendimi i Ministrisë së Drejtësisë, i drejtuar nga Igor Filkov, për të refuzuar zyrtarisht peticionin e studentëve dhe për të lejuar dhënien e provimit të jurisprudencës vetëm në gjuhën maqedonase, përbën një hap serioz prapa në respektimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve dhe një barrierë të drejtpërdrejtë për përfaqësimin e barabartë në sistemin gjyqësor. Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se çdo tentativë për relativizimin e statusit të gjuhës shqipe përbën shkelje të marrëveshjeve politike që kanë garantuar stabilitetin ndëretnik dhe orientimin evropian të vendit” thonë nga BDI-ja.

Bilall Kasami nga Koalicioni VLEN thotë për çështjen e provimit të jurispodencës edhe në gjuhën shqipe po zhvillohen bisedime në kuadër të qeverisë për të gjetur zgjidhje.

Advertisement

Së fundmi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkojnë nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj. Peticioni është dorëzuar te Ministra e Drejtësisë, Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, Kryetari i Kuvendit dhe te zëvendëskryeministri i pare.

Në lidhje me peticionin e parashtruar nga studentët, nga Agjensioni për Zbatimin e Gjuhës theksojnë “se organ kompetent për organizimin, realizimin dhe mbajtjen e provimit të jurisprudencës, përfshirë formimin e komisione e, procedurat përkatëse dhe mbajtjen e evidencës, është Ministria e Drejtësisë”.

“Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së mbetet në gatishmëri të plotë institucionale për të ofruar mbështetje për të gjitha kërkesat që i parashtrohen institucionit tonë”, thanë nga AZGJ.

Shqetësimet e studentëve shqiptarë kanë arritur edhe në Ambasadën e Shqipërisë në Shkup. Ambasadori Denion Meidani tha se e kanë adresuar këtë çështje në instancat relevante.

 “Kërkesat e studentëve për qasje të barabartë në arsim dhe në proceset profesionale janë pjesë e një debati më të gjerë mbi zbatimin praktik të të drejtave të garantuara me ligj dhe funksionimin efektiv të institucioneve”, tha Denion Meidani.

Advertisement

Ambasadori thotë se këtë shqetësim e kanë adresuar në disa instanca relevante, duke theksuar rëndësinë e respektimit të të drejtave gjuhësore, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me parimet e barazisë qytetare.

Lajme nga vendi

Mickoski do të kërkojë ministra të rinj me “vlerë të shtuar” për rikonstruimin e Qeverisë

Published

on

Hristijan Mickoski njoftoi një ristrukturim qeveritar për majin dhe qershorin e vitit 2026, të përqendruar në efikasitetin e ministrave dhe konsolidimin e brendshëm të partnerëve. Ndryshimet kryesore ndikojnë në resorët e koalicionit VLEN, ndërsa hyrja e subjekteve të reja politike në shumicën parlamentare refuzohet me vendosmëri.

Ky është konteksti më i gjerë i ristrukturimit dhe rifreskimit të paralajmëruar. Edhe pse Mickoski i paraqet marrëdhëniet brenda qeverisë si “jashtëzakonisht korrekte”, zgjedhja e termit “korrekte” në vend të, le të themi, “të mira“, njoftimi i ndryshimeve sugjeron nevojën për një rinisje politike dhe vlerësim të performancës së deritanishme.

Procesi nuk do të jetë vetëm rotacion teknik, por një riorganizim strategjik para periudhës së verës, me qëllim forcimin e kapacitetit administrativ të ministrive dhe për t’iu përgjigjur trazirave të brendshme midis partnerëve, por edhe për shkak të agjendës së reformave që lidhen me integrimin evropian, për të cilën tashmë ka shenja se po hyn në një fazë kritike.

Emri më i ekspozuar në kontekstin e zëvendësimit është ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani. Pozicioni i tij është lëkundur për shkak të disa faktorëve kryesorë, ndër të cilët pakënaqësia e hapur e partisë së tij amë BESA dhe liderit Bilall Kasami me punën e tij në degën ekzekutive dhe prania kontroverse në një darkë iftari në Tiranë të organizuar nga Edi Rama, ku u fotografua me liderin e BDI-së opozitare, Ali Ahmeti.

Edhe pse Hristijan Mickoski paraprakisht e mbrojti Fatmir Limanin si një “vlerë të shtuar”, deklarata e tij e fundit se të gjitha çështjet do të “vendosen në tryezë” tregon se kryeministri është gati të sakrifikojë ministrin për të ruajtur paqen në koalicion dhe për të përmbushur kërkesat e Bilall Kasamit, megjithëse në një deklaratë paraprake ai ishte mjaft kategorik kur tha “Unë e formoj qeverinë”.

Advertisement

Po bëhet e qartë se koalicioni VLEN po bëhet një “lidhje e dobët” në qeveri për shkak të ambicieve të tij për t’u bashkuar në një entitet të vetëm politik, pra një parti, gjë që po shkakton shkëndija midis krahëve të ndryshëm në koalicion.

Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, i cili është pjesë e strukturës së Arben Taravarit, përballet me një të ardhme të pasigurt për shkak të avokimit të tij për konceptin e “Aleancës së Re” dhe presidencës me rotacion, gjë që bie ndesh me planet e Bilall Kasamit dhe Izet Mexhitit të VLEN për të krijuar një parti homogjene.

Këto luftëra të brendshme për pushtet ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin e partnerit shqiptar në qeveri. Riorganizimi i majit do të shërbejë si një mekanizëm për të filtruar personelin që nuk është i lidhur me hierarkinë e re të partisë VLEN, veçanërisht pasi Izet Mexhiti tashmë është larguar nga pozicionet qeveritare për të marrë përsipër komunën e Çairit, dhe ishte mjaft e qartë se ai ishte indi lidhës më i fortë i atij koalicioni.

Sigurisht, ZNAM nuk duhet të injorohet si pjesëmarrës në qeveri, veçanërisht pasi deputeti i kësaj partie Mile Cekov, në programin “360 Gradë” në RTVM, tha se pas dy vitesh si pjesë e koalicionit qeverisës, roli i ZNAM si korrigjues i qeverisë njihet gjithnjë e më pak.

Kjo, natyrisht, nuk do të kalojë pa konsultime mbi temën “çfarë po ndodh” midis Mickoskit dhe Maksim Dimitrievskit, të cilët padyshim do të kthehen edhe te “sjellja” e ministrit të Drejtësisë Igor Filkov dhe ministrit të Administratës Publike Goran Minçev, të cilët tensionuan marrëdhëniet në koalicion me VLEN për çështjet e përdorimit të gjuhës shqipe dhe punësimit të shqiptarëve në shërbimet shtetërore./portalb.mk/

Advertisement
Continue Reading

Lajme nga vendi

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

Published

on

Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë vranësira dhe periudha diellore. Në vendet malore do të ketë kushte për reshje të shiut.

Në vend do të fryjë një erë e lehtë nga drejtimi verior.

Temperaturat minimale do të lëvizin nga -1 deri 7, ndërsa temperaturat maksimale do të lëvizin nga 8 deri 16 gradë celsius.

Të mërkurën dhe të enjten moti do të jetë i qëndrueshëm.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Koçani, kryeprokurori i ri Saveski: Do t’i thërras në takim prokurorët e lëndës, si kanë vendosur për këtë kualifikim?

Published

on

Kryeprokurori i ri, Nenad Saveski, paralajmëroi se do të zhvillojë një takim me prokurorët që po merren me rastin “Koçani”, me qëllim që të njihet me ecurinë e procedurës dhe provat në këtë rast.

Në intervistë për “360 Gradë”, Saveski deklaroi se rasti ndodhet në një fazë të hershme të procedurës së dëshmive dhe se është e mundur të pritet një fazë më e pjekur e procesit për të bërë një analizë të plotë.

“Do të kem takim me prokurorët publikë që po veprojnë në këtë rast konkret për t’u njohur me gjendjen. Duke pasur parasysh se rasti është në fazë të hershme të procedurës së dëshmive, ndoshta është mirë të vijë një fazë më e pjekur e procedurës që të mund të vlerësohen siç duhet rrethanat dhe të jap qëndrimin tim”, tha Saveski.

Ai theksoi se nuk ka ndërmend të ndërhyjë në punën e prokurorëve, duke theksuar se çdo prokuror publik duhet të veprojë në mënyrë të pavarur dhe mbi bazën e provave.

Sa i përket dilemave në opinion lidhur me kualifikimin juridik të rastit, Saveski tha se prokurori publik mund ta ndryshojë kualifikimin e veprës deri në përfundim të procedurës, nëse gjatë gjykimit paraqiten fakte ose prova të reja.

Advertisement
Continue Reading

Më të lexuarat