Lajme nga vendi
Mali Sharr është kapital strategjik ujor, por menaxhimi mbetet sfida kryesore, tregon analiza e IDSCS-së
Sipas analizës, ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore të Malit Sharr janë baza e furnizimit me ujë për Tetovën dhe Gostivarin, kontribuojnë në mbushjen e burimit Rashçe, prej nga furnizohet me ujë të pijshëm pjesa më e madhe e Shkupit, si dhe sigurojnë ujë për funksionimin e sistemit hidroenergjetik të Mavrovës.
Megjithatë, autorët theksojnë se problemet e vazhdueshme me furnizimin me ujë në Tetovë dhe ndotja e fundit e sistemit të ujësjellësit në Gostivar dëshmojnë se burimet natyrore, sado të pasura të jenë, nuk mjaftojnë për të garantuar ujë të sigurt për konsum.
Në analizë thuhet se siguria ujore nuk varet vetëm nga sasia e ujit në dispozicion, por nga mënyra se si menaxhohet i gjithë sistemi ujor. Për këtë arsye, Mali Sharr cilësohet si një infrastrukturë natyrore strategjike, nga e cila varen furnizimi me ujë, siguria energjetike, shëndeti publik dhe aftësia e vendit për t’u përballur me ndryshimet klimatike.
IDSCS vlerëson se nevojiten investime në infrastrukturë të besueshme, monitorim të vazhdueshëm të cilësisë së ujit, mbrojtje të burimeve dhe zonave mbrojtëse ujore, si dhe një menaxhim më efikas institucional. Analiza rekomandon që menaxhimi i ardhshëm i burimeve ujore të bazohet në një qasje të integruar, në përputhje me Direktivën Kuadër për Ujërat të Bashkimit Evropian, e cila e organizon menaxhimin sipas pellgjeve lumore dhe kërkon koordinim ndërmjet të gjithë përdoruesve të burimeve ujore.
Sipas institutit, në shekullin XXI uji nuk mund të trajtohet më vetëm si burim për zhvillim ekonomik ose prodhim energjie. Ai përfaqëson një të drejtë themelore të njeriut, infrastrukturë kritike, garanci për shëndetin publik, kapital natyror dhe një nga burimet kryesore për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.
Analiza përfundon se sfida kryesore nuk është nëse Mali Sharr ka ujë të mjaftueshëm, por nëse institucionet do të arrijnë ta menaxhojnë këtë kapital ujor në mënyrë të qëndrueshme dhe ta ruajnë atë për brezat e ardhshëm.
Kujtojmë se Gostivari prej disa ditësh po përballet me një nga incidentet më të rënda të ndotjes së ujit të pijshëm në vend. Mbi 3.150 persona kërkuan ndihmë mjekësore me simptoma të gastroenteritit, ndërsa më 19 korrik u shpall epidemi. Hetimet e Prokurorisë tregojnë se për rreth 22 ditë në rrjetin e ujësjellësit ishte futur ujë i ndotur me fekale përmes pompave të vendosura pranë sistemit të furnizimit me ujë, çka çoi në ndotjen e ujit të pijshëm. Për rastin janë nën hetim drejtoresha e NP “Komunalec” dhe dy drejtues të tjerë të ndërmarrjes, të dyshuar për vepra të rënda kundër mjedisit dhe natyrës.transmeton Portalb.mk
Lajme nga vendi
Bilall Kasami: Tetova në mbështetje të Gostivarit, koordinim institucional për tejkalimin e krizës me ujin
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka marrë pjesë sot në Gostivar në takimin koordinues me kryetarët e komunave të rajonit të Pollogut dhe institucionet kompetente, ku është diskutuar situata e furnizimit me ujë të pijshëm.
Kasami bëri të ditur se gjatë takimit janë informuar për gjendjen aktuale dhe masat që po ndërmerren për normalizimin e situatës. Ai theksoi se Komuna e Tetovës është e gatshme të ofrojë çdo ndihmë të nevojshme për qytetarët e Gostivarit.
“Shëndeti dhe siguria e qytetarëve mbeten prioritet. Vetëm me koordinim dhe bashkëpunim institucional mund ta tejkalojmë sa më shpejt këtë sfidë”, ka deklaruar Kasami.
Në fund, ai përcolli edhe një mesazh solidariteti për qytetin fqinj, duke theksuar se “Gostivari nuk është vetëm”.
Lajme nga vendi
RIBALANCI I BUXHETIT: 46 MILIARDË DENARË PËR INVESTIME KAPITALE!
Më shumë mjete për projektet kapitale, mbështetje shtesë për bujqësinë dhe masa të reja për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe me bazë gjinore janë pjesë e ribalancit të plotësuar të Buxhetit për vitin 2026, të cilin Qeveria e miratoi pas përfundimit të debatit në Komisionin për Financim dhe Buxhet në Kuvend.Në dokument janë përfshirë amendamentet e pranuara nga Komisioni për Financim dhe Buxhet, pas së cilës propozim-ribalanci i plotësuar do t’u dërgohet sërish deputetëve për miratim përfundimtar.
Sipas Ministrisë së Financave, të hyrat e përgjithshme në buxhetin e ribalancuar janë planifikuar në 379,5 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në 425,8 miliardë denarë.
Mjete shtesë janë paraparë edhe për subvencionet në bujqësi, transportin hekurudhor, sportin, standardin e studentëve dhe nxënësve, si dhe për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale.
Më shumë fonde do të destinohen për kompensimet sociale, shoqëritë mbrojtëse, kuzhinat popullore dhe masat për deinstitucionalizim, me qëllim mbështetjen e kategorive më të rrezikuara të qytetarëve.
Rritja më e madhe është paraparë për investimet kapitale, për të cilat janë planifikuar rreth 46 miliardë denarë, që është 14,5 për qind më shumë krahasuar me buxhetin fillestar. Njëkohësisht, zvogëlohen shpenzimet për mallra dhe shërbime.
Deficiti buxhetor është projektuar në 46,3 miliardë denarë, ose 4,1 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa rritja ekonomike e parashikuar është 3,5 për qind.
Me Ribalancin e Buxhetit sigurohen mjete shtesë për gratë që ushtrojnë veprimtari bujqësore, për krijimin e një linje kombëtare SOS për mbështetjen e viktimave të dhunës në familje dhe me bazë gjinore, si dhe për hapjen dhe funksionalizimin e dy qendrave të strehimit.
Me miratimin e ribalancit të plotësuar nga Qeveria, procedura rikthehet në Kuvend, ku deputetët do të vendosin për versionin e tij përfundimtar.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 21 Korrik
Gjatë natës 21/22.07.2026, në periudhën prej orës 00:20 deri në 01:10, zyrtarët policorë nga DBP Gostivar kanë privuar nga liria A.L. (45) nga Kosova dhe A.G. (63) nga Shqipëria, sepse gjatë një kontrolli aksional në një objekt hotelerie në rrugën “Ilinden” në Gostivar dhe verifikimeve të kryera, është konstatuar se kanë keqpërdorur qëndrimin turistik në shtet. Ata janë ndaluar në stacionin policor për procedurë të mëtejshme.
……Më 21.07.2026 në orën 09:00 në rrugën “Bllagoja Toska” në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria personin N.K. (40) nga Tetova për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar për vepra të kryera penale “vjedhje e rëndë” dhe “vjedhje”, të kryera në periudhën e kaluar në zonën e Gostivarit. Ai është ndaluar në stacionin policor për procedurë të mëtejshme dhe pas dokumentimit të rasteve kundër tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Më 21.07.2026 në orën 09:20 në fshatin Jegunovcë të Tetovës, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një të mitur 16-vjeçar nga fshati Radushë. Paraprakisht, ai pa leje drejtimi ka drejtuar automjetin e pasagjerëve “Volkswagen Golf” me targa gjermane dhe është aksidentuar duka dalë nga rruga. Automjeti është konfiskuar dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Më 21.07.2026 në orën 16:10, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria persoin S.A. (33) nga Tetova, duke vepruar sipas denoncimit të mëparshëm nga babai i tij 58-vjeçar se para tri ditësh, pas një mosmarrëveshjeje të shkurtër, e ka sulmuar fizikisht. S.A. është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit kundër tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Më 21.07.2026 në orën 22:30 në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria personin I.A. (50) nga Tetova, duke vepruar sipas denoncimit të mëparshëm nga bashkëshortja e tij 40-vjeçare se, pas një deklarate të dhënë më parë në Prokurorinë Themelore Publike Tetovë, e ka kërcënuar atë në vendin e saj të punës në një market në Tetovë, si dhe në shtëpinë e babait të saj. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit kundër tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
…….Më 21.07.2026 në orën 19:00 në SPB Tetovë, H.A. (43) nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 18:15 në rrugën “107” në Tetovë, pas një mosmarrëveshjeje të mëparshme, personi B.”pnj” e ka kërcënuar me pistoletë. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
……Më 21.07.2026 në orën 19:55 në rrugën “Ilinden” në Tetovë, zyrtarët policorë nga Stacioni Policor për Siguri në Trafikun Rrugor Tetovë kanë privuar nga liria personin Gj.S. (39) nga Tetova. Paraprakisht, ai pa leje drejtimi ka drejtuar automjetin “BMW” me targa të Tetovës dhe ka qenë i përfshirë në një aksident komunikacioni. Automjeti është konfiskuar, ndërsa personi është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Më 22.07.2026 në orën 00:45 në fshatin Pallaticë të Tetovës, zyrtarët policorë nga Stacioni Policor Grupçin kanë privuar nga liria personat V.I. (22) dhe A.SH. (21), të dy nga fshati Pallaticë, duke vepruar sipas denoncimit të mëparshëm se në rrugën “JNA” në Tetovë me mjet të mprehtë kanë sulmuar personat A.A. (24) dhe B.A. (21), të dy nga fshati Neproshten, me ç’rast B.A. ka pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa A.A. lëndime trupore, të konstatuara në Spitalin Klinik të Tetovës. Ata janë ndaluar në stacionin policor dhe pas zbardhjes së plotë të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Më 21.07.2026 në orën 23:30 në DBP Gostivar, S.SH. (23) nga Gostivari, ka denoncuar se rreth orës 19:30 para derës hyrëse të shtëpisë, fqinjët e saj P.”N” dhe B.”N” e kanë sulmuar fizikisht atë, bashkëshortin e saj Gj.SH. dhe vajzën e tyre të mitur. Po merren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.
…….Më 21.07.2026, për shkak të stuhisë së fuqishme të shoqëruar me era të forte në zonën e SPB Tetovë, janë regjistruar disa dëme materiale, me ç’rast në rrugën “Ilinden” në Tetovë ka rënë çatia e një ndërtese, e cila ka dëmtuar strukturën e çatisë së një ndërtese tjetër dhe dy automjete të parkuara “Golf” në pronësi të F.I. dhe “Mercedes” në pronësi të M.J. nga Tetova; në fshatin Reçicë e Madhe nga rënia e tullave të çatisë është dëmtuar automjeti “BMW” me targa austriake, në pronësi të E.G.; ndërsa në rrugën “Jasht Vardarit” ka rënë një çati prej llamarine nga një shtëpi në pronësi të S.Xh. Në të gjitha ngjarjet e përmendura nuk janë regjistruar persona të lënduar.
……..Më 21.07.2026 në orën 14:00 në Stacionin Policor Zherovjan është denoncuar se në fshatin Çellopek ka shpërthyer një zjarri, me ç’rast janë djegur drurë bagremi në një pronë private në pronësi të personit T.V. Zjarri është fikur nga ekipi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit dhe nuk ka persona të lënduar. Është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes.
……..Më 21.07.2026 në orën 12:45 në SPB Tetovë është denoncuar se në atarin e fshatit Neproshten të Tetovës ka shpërthyer një zjarri, me ç’rast është përfshirë një deponi e egër dhe bar i thatë në pronën e L.I. (67) nga fshati Neproshten. Zjarri është fikur nga ekipi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit dhe nuk ka persona të lënduar. Është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes.

